INTERVISTA/ Vuçiç rrëfen përshtypjet e vizitës: Faleminderit për mikpritjen, do të vij sërish! Më shijoi më shumë darka në Tiranë se në Beograd

May 28, 2015 | 21:12
SHPËRNDAJE

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për Top Channel vlerëson mikpritjen që gjeti në Tiranë dhe është i sigurt se kjo nuk do të jetë vizita e fundit. Ai deklaroi se palët kanë pranuar qëndrimet e ndryshme të njëri-tjetrit dhe po shikojnë përpara, veçanërisht që të shfrytezojnë të gjithë mundësinë e bashkëpunimit ekonomik.

Vuçiç gjate takimit me Ramen ne Tirane, dje

Top Channel: Është vizita e parë e juaja si kryeministër në kryeqytetin shqiptar. Kush janë përshtypjet e para nga Tirana?

Aleksandar Vuçiç, Kryeministër i Serbisë: Nuk mund të them se arrita të shoh shumë nga Tirana. Por me pëlqeu qëndrimi këtu dhe jam thellësisht mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve dhe të kryeministrit Rama dhe unë shpresoj se do të vij sërish në Tiranë. 

Top Channel: Nga shumë vizita që keni zhvilluar si kryeministër, ishte vizita në Tiranë ndër më të vështirat? 

Vuçiç: Nuk është një vizitë e lehtë. Fillimisht nuk është pritur mirë në vendin tim. Por unë shpresoj që populli serb e ka kuptuar nevojën e vërtetë për bashkëpunim dhe ndërveprim mes dy vendeve, dhe unë mendoj se mbi të gjitha edhe populli shqiptarë do ta vlerësojë këtë vizitë. Unë e vlerësova. Unë mendoj që është një vizitë e dobishme për të dyja palët, Shqipërinë dhe Serbinë. Ne duhet të përmirësojmë marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne duhet të forcojmë stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të bashkëpunojmë. Më duhet të kujtoj se ne jemi një nga faktorët kryesorë në Ballkan, veçanërisht për në prodhimin e paqes dhe stabilitetit. 

Top Channel: A ishte përtej pritshmërive tuaja vizita në Tirana, a ishit përgatitur ju për ndonjë deklaratë të mundshme nga kryeministri Rama, si ajo për Kosovën në Beograd?

Vuçiç: Ne kemi disa pikëpamje të ndryshme sa i takon Kosovës, por gjithsesi, ne patëm një diskutim shumë të mirë këtu në Tiranë dhe unë jam i gatshëm të kthehem sërish në Tiranë. Pa dyshim! 

Top Channel: A i mbeteni ju zoti Vuçiç qëndrimit se ishte edhe vëllai i kryeministrit Rama një nga organizatorët e dronit në Beograd? 

Vuçiç: Unë nuk dua t’i rikthehem kësaj çështjeje sërish. Ishte një incident politik, i shkaktuar jo nga pala serbe. Ne e folëm për këtë për një kohë të gjatë. Kush do të ishte qëllimi? Kush do të ishte arsyeja, ta rikthejmë sërish? Unë nuk e shoh të nevojshme. Ne nuk na duhet kjo, si popuj, si vende. Ne nuk na duhet kjo!

Top Channel: Cili është perceptimi në Serbi për shqiptarët? Si mund të ndryshojë ky perceptim? 

Vuçiç: Unë mendoj se ne kemi  perceptim të njëjtë për njëri-tjetrin që nuk janë më të mirat. Prandaj ky takim ishte shumë i rëndësishëm, pasi ne kemi nevojë të flasim në nivelet më të larta për njëri-tjetrin. Ne duhet ta respektojmë njëri-tjetrin. Ne duhet të jemi më të përgjegjshëm, së pari Edi Rama, unë vetë, për të krijuar atë lloj ambienti, për të pikturuar atë lloj pikture për të dyja vendet, për serbët në Shqipëri, për shqiptarët në Serbi. Njerëzit duhet të shohin që ne jemi më të afërt në atë që mendojmë dhe unë shpresoj që bashkëpunimi më i mirë do të ndryshojë këto paragjykime të tmerrshme me të cilat jemi përballur në të shkuarën.

Top Channel: Zoti Vuçiç, ju po takoheni po flisni për projekte, po nuk kemi parë ende realizimin e projekteve  konkrete… 

Vuçiç: Çështja më e rëndësishme është që ne të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Pa  këtë ne nuk mund të arrijmë asgjë tjetër. Ne kemi folur për projekte konkrete dhe do të kemi projekte konkrete. Zoti Rama dhe unë do të firmosim bashkarisht kërkesat dhe detyrimet që na vijnë nga BE. Unë jam i sigurtë që kjo do të gjejë mbështetje në këto projekte konkrete infrastrukturore.

Top Channel: A është tregu shqiptar interesant për investitorët serbë, dhe e kundërta, ku mund të investojnë biznesmenët shqiptarë në Serbi? 

Vuçiç: Unë do të kthehem në Serbi dhe do të flas me investitorët serbë, dhe unë jam i sigurtë se ne do të gjejmë shumë investitorë serbë të interesuar për të investuar këtu, në resortet turistike dhe në zona të tjera po ashtu. Ne jemi shumë të interesuar për tregun shqiptar dhe ne jemi gati të hapim tregjet tona për investitorët shqiptarë. Ne kemi një kompani “Neptun”, shumë të tjerë mund të vijnë dhe do të ngelen vërtetë të kënaqur. Ne jemi vërtetë të interesuar për të bashkëpunuar në këtë çështje. 

Top Channel: Kryeministri Rama deklaroi se njohja e Kosovës do ishte çlirim edhe për vetë Serbinë, për të ecur përpara. A e keni menduar ndonjëherë kështu në Beograd? 

Vuçiç: Jo nuk e kam menduar. Ky është një dallim shumë i madh mes nesh. Por unë nuk do të lejoj që ky dallim i madh të hedhë poshtë marrëdhëniet tona, të hedhë poshtë mundësitë tona për të tejkaluar ndasitë e së shkuarës, për të ndërtuar një të ardhme tjetër, një të ardhme të ndryshme, për një perspektive të ndryshme nga e shkuara për të dy popujt tanë.

Top Channel: Megjithatë ju keni hyrë në bisedime me Prishtinën. A është kjo një njohje indirekte e Kosovës? 

Vuçiç: Askush s’ka folur për njohje. Askush s’e ka trajtuar si një çështje të njohjes. Kjo nuk ka qenë pjesë as diskutimeve në Bruksel, as në Beograd, dhe askund tjetër. Askush në Bruksel nuk mund ta përmendë këtë. Kjo është pjesë e diskutimeve vetëm këtu në Tiranë dhe Prishtinë. Në Bruksel askush nuk e përmend këtë. 

Top Channel: Zoti Rama nuk bëri të njëjtën deklaratë si në Beograd sa i takon Kosovës. Ishte pjesë e marrëveshjes kjo që ju të vinit në Tiranë? 

Vuçiç: Jo, jo! aspak. Ai ishte në pozicionin që mund të thoshte çfarë të donte. Ai tha atë që mendoi, unë thashë atë që mendova. Ishte nga të dyja anët e ndershme. Ne ishim të gjithë të sinqertë. Ai i qëndroi pozicionit të tij, unë përfaqësova pozicionin tim. Ne u përqëndruam tek e ardhmja. Ne duam të mendojmë për të ardhmen, dhe kjo ishte. Kjo ishte shumë gjë e mirë! 

Top Channel: Cili është roli i kancelares Angela Merkel në realizimin e këtyre takimeve?

Vuçiç: Ajo na mblodhi të gjithëve bashkë. Ajo është një zonjë me autoritetin më të lartë në Europë, ekonomikisht, politikisht etj…Ne i jemi mirënjohës dhe e respektojmë atë. Ajo bëri atë që të tjerë kishin dështuar përpara saj, dhe do të vijojë në këtë mënyrë në të njëjtin drejtim. Ne e respektojmë atë, por jemi ne që duhet të tregojmë kujdes për veten tonë, ne duhet të përmirësojmë bashkëpunimin mes vetes dhe ky samit ishte një mundësi e mirë për këtë.

Top Channel: Një nga urat më të mira të bashkëpunimit janë minoritetet. Por ende në Luginën e Preshevës nuk janë tërhequr trupat speciale? Kur do të trajtohet Lugina njësoj si rajonet e tjera të Serbisë? 

Vuçiç: Unë do të doja që miqtë e mi shqiptarë, unë do të isha i nderuar nëse Shqipëria do të respektonte të drejtat e minoritetit serb këtu në Shqipëri njësoj, siç bëjmë ne me shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc.

Top Channel:Ka një marrëveshje prej 7 pikash mes shqiptarëve të Luginës dhe qeverisë serbe, kur do të implementohet kjo marrëveshje, për të cilën edhe ndërkombëtarët kanë pasur kritika? 

Vuçiç: Ne po bëjmë më të mirën për të implementuar, por këtu nuk ka një marrëveshje mes serbëve, një numri jo të madh serbësh në Shqipëri, me qeverinë shqiptare. Unë iu luta mikut tim Edi Rama t’i presë ata, të flasë me ta. Njëkohësisht unë do të bëj më të mirën për të drejtat e shqiptarëve, sepse duam të jemi shumë transparentë me qytetarët tanë në Preshevë dhe Bujanoc. Por sigurisht ne duam që kjo të ndodhë njësoj me serbët në Shkodër, Vrakë, Fier dhe qytete të tjera. 

Top Channel: A jeni ju zoti Vuçiç, apo çdo kryeministër serb, nën presionin e një pjese të opinionit të brendshëm në Serbi, kur vjen fjala për Shqipërinë apo Kosovën? 

Vuçiç: Unë nuk jam nën presion, ka disa paragjykime në shoqëritë tona. Dakort! Por udhëheqësit janë për të zgjedhur të bëjnë më të mirën për të ardhmen dhe njerëzit e tyre. Nëse do të thonim gjithmonë atë që ata duan të dëgjojne, ne nuk do të arrinim asgjë dhe nuk do të kishte përparim për këtë rajon. Unë kujdesem për interesat reale të njerëzve. Unë kujdesem për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.

Top Channel: Shijuat më shumë darkën në Beograd apo darkën e mbrëmshme në Tiranë? 

Vuçiç: Ishte një darkë më e mirë këtu. 

Top Channel:Ju mungoi zoti Daçiç dhe këngët e tij?

Vuçiç: Po! Unë mendoj se kolegëve tanë iu mungoi ai.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura