INTERVISTA/ Ultrasi shqiptar që hyri në fushë në miqësoren me Italinë: Kemi surpriza për ndeshjen me Serbinë

Aug 1, 2015 | 23:17
SHPËRNDAJE

Shorti i Kampionatit Botëror “Rusi 2018” ka rikthyer përsëri në publik personazhin Uliks Ademi(Bedhia).

Uliks Ademi, në momentin kur ka hyrë në fushën e lojës në Marasi të Xhenoas në miqësoren mes Italisë dhe Shqipërisë
Uliks Ademi, në momentin kur ka hyrë në fushën e lojës në
Marasi të Xhenoas në miqësoren mes Italisë dhe Shqipërisë

Tifozi shqiptar nga Cërriku u bë i njohur në miqësoren e Xhenoas më 18.11.2014, midis Italisë dhe Shqipërisë teksa hyri në fushë për të marrë një autograf mbi flamurin tonë kombëtar nga kapiteni Lorik Cana.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Uliksi rikthehet të flasë për përballjen e ardhshme zyrtare ndaj Italisë, të cilën pohon se e kishte ëndërruar prej kohësh.

Shorti për Botërorin “Rusi 2018” na bashkon në një grup me Italinë e Spanjën. Si ju duket ky grup dhe si e pritët shortin?

Në fakt, jam mjaft entuziast që do të na jepet mundësia të përballemi në një ndeshje zyrtare ne Italinë, por edhe me Spanjën. Kur morëm vesh këtë lajm, jemi gëzuar së tepërmi duke festuar me miqtë shqiptarë në Monza ku unë banoj. Është pa dyshim arritje e madhe të rivalizosh skuadra elitare si kampionët italianë apo spanjollë.

Shqipëria po zhvillon lojëra mjaft të mira, do ta ndiqni përballjen zyrtare me Italinë në stadium?

Pa dyshim që po, madje në të dy takimet dhe do përpiqem që ta ndjek edhe në përballjet me skuadrat e tjera. Madje, mund t’ju them se po organizohemi në grupime tifozësh për të ndjekur Kombëtaren.

Keni befasuar mbarë shqiptarët në Xhenoa duke hyrë në fushë vetëm për të marrë një autograf. Mendoni sërish ndonjë veprim të ngjashëm?

Janë takime zyrtare dhe kanë mjaft rëndësi. Unë jam tifoz dhe si i tillë nuk dëshiroj penalizimin e skuadrës. Natyrisht që nuk mendoj të bëj gjëra të pahijshme që do të dëmtonin objektivat e skuadrës, por edhe imazhin e shqiptarëve në përgjithësi. Por, mund të them se kam një plan surprizë për ndeshen e kthimit ndaj Serbisë. Nuk mund t’ju informoj se çfarë do të bëjmë, por së bashku me disa miqtë e mi këtu në Itali do të udhëtojmë drejt Shqipërisë ku kemi një plan surprizë për të befasuar tifozët shqiptarë në stadium.

Besoni se Shqipëria do të triumfojë në njërën prej përballjeve ndaj Italisë?

Sigurisht që po, madje unë jam i mendimit se në grupin G Spanja del e para, ndërsa ne do të shpresojmë për një vend në “play-off”. Kemi një ekip mjaft të konsoliduar që me këta futbollistë cilësorë dhe trajnerin De Biazi do ta çojnë përpara Kombëtaren.

Me anë të një postimi në profilin tuaj në “Facebook”, keni parashikuar një ditë para dhënies së vendimit tri pikët që iu dhanë Shqipërisë nga KAS-i. Ishte thjesht një parandjenjë apo kishit dëgjuar diçka?

Në fakt, kisha një burim konfidencial pranë FSHF-së, që ma dha këtë lajm mjaft të gëzueshëm, por me kërkesën që të mos e bëj publik. Unë postova që Shqipëria merr tri pikët dhe ndeshja e kthimit ndaj Serbisë luhet në Spanjë. Rezultoi që vetëm marrja e pikëve ishte lajm i vërtetë. Duke qenë se ishte një vendim i madh i drejtësisë ndaj kombit tonë, nuk mund të rezistoja pa e ndarë me miqtë e mi në “Facebook”.

Besoni se Kombëtarja jonë do të jetë pjesë e Europianit “Francë 2016”?

Jemi fare pranë realizimit të kësaj ëndrre dhe pa dyshim që kjo është një krenari e madhe për çdo shqiptar. Unë besoj se kjo është Kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave dhe pa dyshim që shanset i kemi maksimale.

Po në Botërorin e Rusisë, duke qenë se konsiderohet grup “ferri”, a kemi shpresa?

Do të jetë realisht mjaft e vështirë, pasi shorti na vë përballë dy prej ekipeve më prestigjioze në botë. Gjithsesi, referuar lojërave që ka zhvilluar ekipi ynë këto kohëra dhe elementëve që ka aktualisht ekipi, kam bindjen se do të vëmë në vështirësi çdo rival sado i madh të duket ai.

Keni ndonjë dedikim të veçantë nëse Shqipëria arrin finalet e “Francë 2016”?

Do të jetë një ëndërr e madhe për të gjithë shqiptarinë të shohim Kombëtaren tonë mes ekipeve më të mira europiane. Unë shpresoj fillimisht të kualifikohemi dhe nëse ia arrijmë këtij synimi madhor, pa dyshim që do të udhëtojmë të organizuar drejt Francës për të mbështetur përfaqësuesen tonë si vatra më e madhe që mbledh pranë gjirit të saj mbarë kombin shqiptar.

“Panorama Sport”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura