Intervista/ “Tifozat Kuq e Zi”: FSHF, gjueti shtrigash me De Biazin

Jan 20, 2016 | 9:46
SHPËRNDAJE

Pas krijimit të “fun club”-it, “Tifozët e Kombëtares”, “Tifozat Kuq e Zi” patën disa reagime kundër federatës. Në to akuzonin institucionin e futbollit në vend për një sërë aferash dhe padrejtësish që i kishin bërë grupimit më të zjarrtë të tifozëve të Kombëtares.

Pas një periudhe të shkurtër, gazeta “Panorama Sport” u përpoq që të merrte një reagim edhe më gjakftohtë nga ky grupim. Megjithatë, jo vetëm që tonet e ligjërimit të tifozëve nuk ishin më të ulëta, por përkundrazi hodhën dritë edhe më tepër fakte në të cilat shtonin akuzat e tyre.

tifoz-470x313

“Panorama Sport” kontaktoi “Tifozat Kuq e Zi” me anë të një e-maili dhe në të njëjtën mënyrë erdhën edhe përgjigjet e grupimit, nga kryesia e tij, për të mos veçuar askënd nga anëtarët dhe për të mos e personalizuar qëndrimin. Me akuzat e tyre, “Tifozat kuq e Zi” kanë shkuar më tej duke akuzuar kreun e federatës për një komplot të parashikuar kundër trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi.

“Duka edhe disa zyrtarë të tjerë, si Alban Bushi apo Redi Jupi kanë luajtur një gjueti shtrigash sidomos ndaj trajnerit të Kombëtares dhe lojtarëve, duke dashur t’ia atribuojnë vetes krejt meritat”, shprehen ndër të tjera “Tifozat Kuq e Zi” në komunikimin me gazetën “Panorama Sport”.

 Gjykimi për “Fun club”, “Tifozët e Kombëtares”

“Ashtu si edhe jemi shprehur në deklaratat tona, “fun club”-in e konsiderojmë si një metodë të FSHF-së për të kontrolluar tifozëritë, si edhe politikë për zhvatjen e tyre. Ne ju kemi thënë në letrën e parë se në asnjë rast nuk jemi kundër krijimit të diçkaje, deri në momentin që nuk cenon interesat tona edhe nuk e prek pavarësinë tonë. Ndërkohë që ata thonë se “fun club”-i nuk cenon ato që përmendëm, janë po ata që deklarojnë se përparësi për bileta ju japim vetëm nëse i bashkoheni “fun club”-it. Ne ju kemi ofruar kompromis në këtë  pikë duke ju thënë se do t’ju sjellim një listë të anëtarëve tanë, por ata kanë kundërshtuar. Ne nuk mundemi t’u kërkojmë anëtarëve tanë të vijnë me kollare në stadium dhe të ripaguajnë tjetër anëtarësim”.

Incidenti me Dukën

“Kjo ndodhi pasi prapë federata na preu në besë. Kishim përgatitur një koreografi me Ballistin dhe në çdo detaj paraprakisht kishim informuar edhe zyrtarë të FSHF-së, deri në momentin e fundit gjithçka ishte në rregull. Por, kur u futëm në stadium, nuk na lanë ta hapim koreografinë tonë. Kësaj i shtohet edhe fakti se Duka edhe disa zyrtarë të tjerë, si Alban Bushi apo Redi Jupi, kanë luajtur një gjueti shtrigash, sidomos ndaj trajnerit të Kombëtares dhe lojtarëve, duke dashur t’ia atribuojnë vetes krejt meritat”.

Akuzat ndaj FSHF-së

“Nëse qenka rregull i UEFAs, gjë që ne nuk e besojmë, krijimi i këtij klubi, atëherë pse duhet t’u merren lekë shqiptarëve? Ndërsa agjencitë turistike nëpër Shqipëri po japin oferta me bileta të sigurta për në Francë, ne kemi informacionet tona se këto bileta janë në listën e “klubit të tifozëve” të FSHF-së që u jep prioritet”.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura