INTERVISTA/ Spartak Braho tregon rrugën se si mund të lirohet Ballist Morina

Oct 14, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, i cili vizitoi dje në dhomat e paraburgimit Ismail Morinën, tha se rasti i tij duhet parë përmes rrethanave lehtësuese për disa arsye.

Braho/Morina
Braho/Morina

Në një intervistë për “Panorama”, Braho shprehet se tifozi kuqezi Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, i cili vizitoi dje në dhomat e paraburgimit Ismail Morinën, tha se rasti i tij duhet parë përmes rrethanave lehtësuese për disa arsye.

Braho shprehet se tifozi kuqezi që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit nuk përbën rrezik publik, edhe pse është ndaluar për armëmbajtje pa leje.

Mbajtja e armës nga ana e Morinës, sipas Brahos, ka ardhur nga një gjendje e rëndë psikologjike e krijuar pas kërcënimeve që ai mori pas ngritjes së dronit dhe mosofrimit të mbrojtjes nga institucionet shtetërore.

Zoti Braho, ju i keni bërë një vizitë në dhomat e paraburgimit Ismail Morinës, tifozit legjendar të Kombëtares shqiptare, emri i të cilit lidhet me dronin e ngritur mbi stadiumin e Partizanit në Beograd. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?
Në fakt, në kulmin e festimeve të fitores historike të Kombëtares sonë të futbollit, me rastin e kualifikimit të saj në “Euro 2016”, kur të gjithë shqiptarët po gëzonin në rrugë, në shtëpi me familjarët e tyre dhe miqtë, pata një shtysë shumë të fortë për të takuar këtë njeri, një nga 3 milionë kuqezinjtë që gëzonte në izolim nga pjesa tjetër e popullsisë. Ismail Morina është njeriu që në mënyrë personale dhe instiktive, i ushqyer nga ndjenja të çartura patriotike, realizoi ngritjen e dronit mbi stadiumin e Partizanit në Beograd gjatë ndeshjes së parë Serbi-Shqipëri. I shtyrë nga ndjenja humane dhe njerëzore, unë shkova dhe e vizitova Ismailin jo vetëm për të ndarë fitoren dhe kualifikimin e ekipit kuqezi, të cilën ai e kishte pritur me shumë dëshirë, por dhe për faktin se Ismail Morina është një shtetas shqiptar, i cili duhet respektuar për ndjenjat e tij patriotike të shprehura edhe në atë mënyrë. Por ai duhet respektuar edhe për faktin se ai, një kryefamiljar, ka lënë në mes të katër rrugëve gruan e tij italiane dhe dy fëmijët e tij me shtetësi italiane pa asnjë mjet jetese.

Si kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare, si jurist, përveçse qytetar, përbën rasti i Ismail Morinës një rrezik të sigurisë publike?
Natyrisht që çështja e tij për të cilën është arrestuar Ismail Morina është nën gjykimin e organeve shqiptare të drejtësisë dhe vizita ime nuk ka të bëjë me ndonjë ndikim në këtë çështje. Por unë u vura në dijeni se ai prej kohësh ndihej i kërcënuar dhe nën presion të vazhdueshëm, rrethana të cilat kishin krijuar tek ai psikozën e hakmarrjes dhe psikologjikisht ishte i tronditur dhe i pasigurt që nga ngjarjet e Beogradit. Kjo ishte dhe arsyeja që megjithëse kishte kërkuar nga organet shtetërore mbrojtje, nuk i ishte siguruar ajo. Nën këtë presion ndaj një hakmarrjeje të mundshme për shkak të dronit të ngritur në Beograd, Ismail Morina mbante me vete një pistoletë të vjetër për t’u mbrojtur ndaj ndonjë sulmi që mund t’i bëhej.

Si e gjykoni ju, a përbën ndonjë rrezik publik Ismail Morina?
Në gjykimin tim, kryetifozi i Kombëtares kuqezi nuk përbën asnjë rrezik publik. Unë pashë tek ai një djalë shumë inteligjent, i matur, i qetë, ndonëse origjina e tij ishte nga një fshat i Kukësit, nga Shën Mëria. Ai ishte një shqiptar shumë i karikuar me çështje të identitetit kombëtar, kryesisht ndaj Kombëtares së futbollit.

Mendoni se ai mund të ketë një trajtim ligjor të veçantë nga armëmbajtjet e tjera?
Në radhë të parë, e thashë edhe më lart se nuk kemi të bëjmë me një person që mund të konsiderohet me rrezikshmëri shoqërore. Por Ismail Morina është një njeri me psikologji të frikësuar dhe pa dyshim ai është bërë një personazh i dashur kombëtar. Mundet që të gjendet një rrugë për ta lehtësuar pozitën e tij juridike.

Cila mund të ishte mënyra?
Mund të ketë një amnisti nga Presidenti i Republikës.

Çfarë ju tha Ismaili për ditët që po qëndron i izoluar?
Ai ishte shumë i habitur dhe mirënjohës ndaj personelit të paraburgimit për trajtimin që i kanë bërë, me shumë dashuri, e kanë begenisur shumë. Madje dhe ndeshjen e djeshme (pardje) ia kishin krijuar mundësinë që ta shihte. Por i vetmi shqetësim i tij ishte familja e tij, prindërit, bashkëshortja italiane dhe dy fëmijët, të cilët kanë mbetur në mjerim të plotë, pasi vetëm Ismaili u krijonte të ardhura.

Kishte të bënte arrestimi i tij me rrezikun e krijimit të ndonjë problematike gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi në Elbasan? U shpreh për këtë çështje?
Nuk e besoj, ishte ajo që thashë më lart, një lloj psikoze që i ishte krijuar për ndonjë atentat për shkak të ngjarjes në Beograd, por dhe e bazuar në kërcënime të marra. Por ai më tha se në Elbasan, në ndeshjen Shqipëri-Serbi nuk do të shkonte. Nuk donte që të ishte në stadium, sepse, më tha nuk doja që t’u krijoja autoriteteve shtetërore siklet nga prezenca ime. Ismaili më tha se kishte vendosur me një grup shokësh që ta shikonte ndeshjen me Serbinë në Kukës, në një lokal dhe më pas Bashkia e Kukësit do t’i jepte titullin “Qytetar Nderi i Kukësit”. Por më pas kishte ardhur arrestimi i tij. Ai më tha gjithashtu se vuante faktin se jeta e tij do të jetë e rrezikuar edhe pas daljes nga burgu, sepse e ndiente se droni i Beogradit që lidhet dhe me kualifikimin e Shqipërisë në “Francë 2016” nuk do të harrohet lehtë.

Aristir Lumezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura