INTERVISTA/ “Si u ndërtua parku “Rinia”, kush ishin VIP-at që e frekuentonin”

May 22, 2018 | 7:48
SHPËRNDAJE

Sotir Qirjaqi, i njohur si maratonomak, ka banuar te Shallvaret dhe te ai park e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Ruan kujtime nga nata kur studentët mbollën pemët, këngët që këndonin, varkat dhe liqeni ku mësonin notin fëmijët e Tiranës. Pastaj, pijetorja, orkestra, filmat e xhiruar, turistët, deri dashuritë dhe intimiteti që të ofronte ai park.

Si e kujtoni adoleshencën tek ai park?

Parku mendoj se ka kaluar tri faza të ndryshime kolosale. Ndërtimi me stil dhe lulëzim rus, ku dominonte teknologjia për ta mbajtur jeshil e me gjelbërim. Pas ’61-shit dhe goditjes politike ndaj BS, parku e humbi konfidencialitetin. Pastaj, faza tjetër, ajo në vitet ’80, kur u transformua në një park perëndimor, dhe i treti, pas viteve ’90,, kur u shkatërrua plotësisht.

Sotir Qirjaqi
Sotir Qirjaqi

Ju kujtohen ditët e aksionit?

Kam qenë në moshë të vogël, por më kujtohen disa momente. Madje, edhe një këngë që studentët e këndonin duke punuar: Ju të rinj e ju të reja/I madh është numri ynë/ Kundër tiranisë fashiste/ e gjithë bota lufton/ Atje punojmë djersën ta kullojmë/ se ndërtojmë Shqipërinë e Re. Midis tyre ishin edhe pedagogët V. Shqau, I. Nako, S. Rusi, etj., që kanë kontribuar.

Po lokali a frekuentohej? Mbani mend ndonjë figurë të njohur?

Duke qenë në qendër, në mbrëmje, vinin intelektualë. Pas shfaqjeve gjeje artistë, kompozitorë, balerinë, nga A. Mula, P. Gaci, Ç. Zadeja, P. Kanaçi, B. Zekthi, N. Xhoja, A. Rada, B. Stërmasi, shkrimtarë, sportistë gjithashtu, por edhe mjekë e profesorë. Ishte në stilin shqiptar, si kudo, në çdo qytet funksiononin gjëra të kësaj natyre, një lulishte dhe një lokal, ku njerëzit mund të argëtoheshin dhe shpesh ato mjedise të krijonin idenë sikur ishte i shkëputur nga jeta e qytetarëve. Ne fëmijët e rrethonin “Tajvanin”, duke dëgjuar orkestrën, vinte erë bërxolla… Një shishe birrë kushtonte nga 22 deri 30 lekë. Në mjaft raste, tingujt e orkestrës ishin kthyer në shqetësim për familjarët e “Shallvareve”, që ankoheshin.

Shqipëria ishte një vend i izoluar, megjithatë te “Tajvani” kishte orkestër, muzikë.., si ju dukej?

Darka në restorant shoqërohej nga një orkestër interesante me xhaz, kitarë, fizarmonikë, saks. Tonin Shala, Fredi, në piano Meti me mustaqe apo burri i Fitnete Rexhës, Mahmut Qosja, Platoni ishin disa nga instrumentistët. Kujtoj se brenda xhazit vinin një llambë për ndriçim, ndërsa sipër lëkurës një shami për të amortizuar zhurmën e shkopinjve. Kishte imitacione, këngë ruse, italiane midis tyre “Mama son’tanto felice”, etj. Rreth mesviteve ’60-’70 ekzekutoheshin këngë melodioze spanjolle, si e famshmja “Esperanca”, që e këndonte edhe Vaçe Zela. Por edhe këngë shqiptare nga festivalet, këngë korçare, shkodrane. Kujtoj “Skoda ime përqafon o ju delet e mia mos u trembni”, “Cuca e Radohimës”, “Faqet me nishana”, etj., që interpretoheshin nga këngëtarët Reshat Kasapi, Lin Syla, Pjetër Gjergji, Bujar Deliallisi, Kasem Hallulli, Bajrami ish-student në Poloni, me grua polake, si Ray Charles, këndonte më sy mbyllur. Apo Nora, Gita, Brixhida, që ishin shumë të njohura në Tiranë.

Kërcehej?

Po. Kishte një pistë vallëzimi ku kërcehej tango, twist dhe që frekuentohej mjaft edhe nga turistë nga Europa Lindore, polakë, çekë, etj. Deri nga vitet ’70 është kënduar e kërcyer pa mbarim.

Kujtoni ndonjë histori që ju ka lënë mbresë?

Do të kujtoja një histori të trishtuar. Ka ndodhur më 1956, ditë pranvere ka qenë. Fëmijët e liqenit, të “Shallvareve”, në kërkim të aventurave për të imituar aktorët e filmave rusë apo Tom Sojerin, kalonin shpesh nga “Hotel Dajti” ose futeshin në tunelin e nëndheshëm matanë Lanës që të nxirrte te stadiumi “Qemal Stafa”. Kështu, përballë Kishës Ortodokse sot, pa e ditur se çfarë ishte e të shtyrë nga kurioziteti, ngacmuan një objekt, i cili plasi. Ishte një bombë italiane që kishte ngelur aty në atë zonë. U plagosën disa fëmijë dhe fatkeqësisht humbi jetën Arben Dine, një shoku im.

Flasim pak për liqenin?

Periudha e parë, ajo nga vitet ’51-’58, ishte i rrethuar me kangjella, rrjetë teli, me një sistem filtrimi të shkëlqyer me ujin që shkarkohej në Lanë. Xhelil Qinani, roja, qëndronte te dera dhe hyrja kushtonte 5-lekë. U vunë katër varka druri me lopata për shëtitje. Një orë kushtonte 10 lekë, ndërsa 5 lekë gjysmë ore. Shpesh, në ato vite, aty kalonin udhëheqësit e shtetit dhe bordura shërbente edhe për t’u ulur. Pastaj, me kalimin e viteve e kthyen në liqen, ku laheshin fëmijët.

Aty mësohej noti?

Duke qenë se ai kishte një thellësi që fillonte nga 60 cm, ai ka qenë vendi ku kanë mësuar notin në mënyrë të rregullt fëmijët nga e gjithë Tirana, nga rrethet e Pallatit të Pionierëve, të shoqëruar me mësues, si Maqo Kodra. Plaçkat i linin te dhoma e kompresorëve dhe frekuentues të tij ishin edhe fëmijët e familjeve ruse me punë në Tiranë. Ata i jepnin gjallëri kur vinin, kishin edhe një shkollë ku mësonin, një ndërtesë që ndodhej përballë Piramidës sot, nga ana e lindjes.

Çfarë ndodhi me të më vonë?

Periudha e dytë, ajo e fillimviteve ’60, ai braktiset, nuk mirëmbahet dhe fëmijët laheshin rrallë në ujin tashmë të ndenjur. Më pas, ai u boshatis dhe brenda tij luhej futboll, me porta të vogla, duke vendosur plisa bari te zona e portierit. Ndeshjet shoqëroheshin me tifozllëk, pasionantë që uleshin në bordurat rrethuese të tij. Edhe me patina kemi luajtur aty.

E megjithatë, më vonë e pati një tjetër shkëlqim apo jo?

Deri në fillim të viteve ’80, si parku, lokali, tashmë i kthyer në bar-pastiçeri-restorant popullor, kalon një periudhë qetësie, u bë serioz, deri në vitin 1984, kur inxhinieri Faik Alimehmeti projektoi një park modern jo më të stilit rus, por me kuadrate që i dha pamje europiane, për të cilin do të kujdesej Ndërmarrja e Ndërtim Gjelbërimit. Gjithçka e re, rrugica me asfalt, u vendosën stola dërrase, ndriçim, dhe liqeni u transformua në shatërvan modern me ngjyra, me sistem uji nga nëntoka.

Si i përjetuat vitet ’90?

Këtu fillon periudha e lidhur me zaptimin e parkut, me mbi 140 kioska të vendosura brenda tij. Nuk ka më gjelbërim, as argëtim, por një mjedis i rrënuar, jo argëtues. Madje, filluan të tregtoheshin, shiteshin vende për vendosjen e tyre, edhe brenda liqenit apo shatërvanit kërkuan të vendosnin kioska, por nuk mundën.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura