INTERVISTA/ “Si ma refuzuan statujën për Varrezat e Dëshmorëve”, rrëfimi i Perikli Çulit: E kërkoi Kadare, por e thyen

Feb 13, 2020 | 12:07
SHPËRNDAJE

Anila Denaj/ “A ka liri, o bir?”, E pyeste kështu Odhise Paskali gjatë diktaturës skulptorin e talentuar me të cilin punonte “Monumentin e lirisë”, vepër që nuk mundi të shihte dritën.

toka-jone-monument-in

Artisti “avangard” Perikli Çuli, asokohe i përgjigjej mjeshtrit: “Ndoshta në New York, atë kam dëgjuar, por se di mirë se ç’është…” E megjithatë, mungesën e lirisë, dhe trysninë e dogmave të ngurta, Çuli do ta ndiente menjëherë pas kthimit nga Bukureshti. Në fillim, vepra e tij do të magjepste e do të bënte që skulptori të ishte në krah të emrave të shquar si pedagog.

Por mandej, shpirti i tij i lirë, veshja e sjellja elegante, vepra që krijonte diferenca të thella, do të bënte që smira e kolegëve të ngrinte krye e të mos ndalej as para simbolikës së një “Nëne”. “Një nënë me lot në sy”, siç qe monumenti që skulptori pat realizuar për në Varrezat e Dëshmorëve, e që një prej kolegëve, për më tepër që kish studiuar në Bullgari, do ta kryqëzonte si vepër estetizante. Ajo që do ta shpëtonte përkohësisht veprën e Çulit do të qe shija e hollë e Kadaresë, i cili do ta pëlqente aq shumë, saqë kërkoi të vendosej në studion e tij. Por kjo nuk ndodhi! Vepra u gjend e thyer.

Një ngjarje që e emocionon edhe sot artistin, edhe pse ajo nuk qe vepra e vetme që i shkatërruan. “Nuk e di se kush e bëri. Nuk e di pse”, rrëfen skulptori për “Panoramën”. Nuk e ka pasur të lehtë mjeshtri i skulpturës, t’i mbrojë krijesat e tij, pengesat duket se e kanë shoqëruar në çdo hap. Si në rastin e monumentit “Toka jonë”, i cili duhet të aprovohej nga Enver Hoxha për t’u vendosur në Lushnjë. Rrugën për te diktatori, do ta prinin vështrimet kërcënuese të dy personave, të cilët do tia bënin të qartë artistit, se pamja e tij disi perëndimore, nuk ishte e përshtatshme për të dalë para udhëheqësit. E megjithatë përballja ndodhi, e Enveri nuk deshi ta aprovojë.

Mirëpo, shpirtin e lirë të artistit nuk mund ta kuptonte kush më mirë, se sa një tjetër artist. Mjeshtri i skulpturës, Perikli Çuli, në këtë rrëfim të sinqertë rrëfen takimin me Lasgush Poradecin, e fjalët e tij për “Tanush Topin”. I rikthyer pas një mungese të gjatë për t’i rrëfyer publikut “Universin e tij”, ai tregon edhe ndjesitë, kur vandalët i hoqën monumentin “4 heroinat”… Zoti Çuli u rikthyet me “Universin” pas një mungese të gjatë. 60 vite vepra të përmbledhura në një ekspozitë, si u ndjetë në këtë moment takimi mes artdashësve dhe “krijesave” tuaja? Eh, si mund të ndihem kur gjithë jetën time ia kushtova kësaj pune.

Perikli Culi

Ka qenë një rrugëtim gjatë të cilit kam ndier kënaqësi, por sigurisht s’ka qenë i lehtë. Puna e artit është nga më të vështirat e të vështirave. Dhe udhëtimi im ka qenë i tillë, gjithë kohën i pashkëputur nga ky profesion. Më 13 shtator, preka 81 vite dhe jetën s’mund ta kisha menduar pa këto krijesa.

Ekspozita solli një retrospektivë të veprave tuaja. Nëse rikthehemi pas në kohë, si nisi e gjithë kjo “aventurë”?

Unë kam lindur në Përmet, aty ku ngrihen llixhat. Këtu erdha i vogël dhe mund të them se sot e ndiej veten qytetar tiranas. Kujtimet lidhur me këtë qytet janë të shumta, pasi i kam jetuar të tria epokat. Disa vite të fëmijërisë i kalova në “Strehën varfnore”, sepse nëna më la të vogël dhe gjendja qe e tillë atë kohë, që babai kishte vështirësi të na mbante. Në ’51-shin bëra një konkurs, që më lejoi të bëhesha pjesë e Liceut Artistik për 7 vjet, siç ishte asokohe. Mund të them se aty gjeta pjesën më të shenjtë të jetës sime. Padyshim që për mua Liceu qe një shkëndijë e madhe lumturie. Ndodhi gjatë adoleshencës, kur njeriu ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme.

Është faza e ndryshimeve, momenti kur mund të mbushet nga pikëpamja mendore, të jetë elastik ndaj dinamikave dhe kërkues ndaj vetes. Periudha më e përshtatshme për të nisur udhëtimin drejt ëndrrave, asaj që do të arrijë. Unë studiova 7 vite skulpturë, bëra edhe dy vjet kanto, kam qenë në klasë me Vaçe Zelën. Ndërsa me Robert Radonë, mësova për 8 muaj trombën. Megjithatë, pavarësisht vrullit të njohurive, ajo që më tërhiqte më tepër e që më kuriozonte pa masë, qe forma. Forma, ngjyra, që tek e fundit i japin kuptim edhe materies, Gjithësisë.

Kureshtje e jetësuar në vepra. Keni hulumtuar pikërisht përmes formës dhe ngjyrave planetin tokë, në fillesa, në ethe. Të tjerë planetë e kometat misterioze mandej, e më në fund pas një mungese të gjatë, lejuat publikun që në këtë shtator t’i afrohej “Universit” tuaj, që mbetet gjithsesi misterioz…

Kam bërë Tokën, planetët e tjerë, përmes imazheve që tek e fundit i ngacmon edhe tek artisti vetë shkenca. Dikush më pyeti një ditë e më tha: “Ku e di ti si janë të gjitha këto?” Dhe unë iu përgjigja: Unë u ngrita shpirtërisht, shkova në qiell e tani po e tregoj. Jo më kot edhe ekspozitën e quajta “Universi”. Pjesë e tij janë të gjitha, edhe kjo tokë e bekuar. Dhe tendenca ime është që forma dhe ngjyra që më kuriozuan në adoleshencë, të jenë siç natyra i ka krijuar. Të përsosura, jo artificiale.

Të shmangie artificialen në diktaturë s’ka qenë e lehtë, madje mund të thuhet e rrezikshme. Sa kanë ndikuar në këtë mënyrë të menduari studimet në Rumani dhe a keni hasur pengesa gjatë kthimit?

Studiova në Akademinë e Arteve të Bukura Plastike “Nicolae Grigorescu”, në Bukuresht ku pata si profesor skulptorin Corneliu Medrea. Në kokë më vlonte ideja për të mos u kthyer këtu, por na sollën me forcë. Ishte urdhër, kështu që u nisëm me tren nga Bukureshti në Budapest, derisa u kthyem në Tiranë. Erdha këtu, ku mbarova edhe diplomën. Pedagogët e pëlqyen aq shumë punimin tim, saqë më propozuan të punoja në Akademinë e Arteve. Ndenja dy vjet aty, më pas natyra ime, që njerëzve asokohe iu dukej liberale, bëri si të thuash që të largohem. Unë atëherë bëra një “Nënë” për në Varrezat e Dëshmorëve, e cila ishte me lot në sy, e “thoshte”, “këtu janë bijtë tanë!” Por, ma quajtën skeletike, asketike, estetizante. Dhe një përkufizim i tillë, u bë nga një prej kolegëve të mi që erdhi nga Bullgaria, e që punonte në gazetën Drita. U bë diskutim nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një debat që ngjante si pretencë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, Kadare e pëlqeu shumë dhe tha: E sillni atë vepër në zyrën time. Kjo nuk ndodhi. Vepra u gjet e thyer. Nuk e di se kush e bëri. Nuk e di pse.

Ç’ndodhi më tej me ju, me karrierën tuaj?

U largova nga Akademia, sepse më konsideronin si një njeri me defekte të karakterit liberal. Mbështetjen do ta gjeja tek Artistikja “Migjeni”, te fisniku Hamit Mëzezi. Më pas në ’82-shin shkova për specializim dhe shkëmbim eksperience për punimin në alabastër, si dhe në mermer e gurë të çmuar (dhe të llojeve të tjera) në Itali (Romë, Milano, Firence, Pisa, Volterra). Kjo, sepse unë hapa dhe repartin e Alabastrës në Artistiken “Migjeni”, ku u futën afro 200 vajza në punë. Pra, kam praktikuar artin, sepse kjo e bën njeriun artist. Artistët s’mund të jenë teoricient. Arti nuk është pistë studimore. Mund të studiosh në universitete e akademitë më të mira, edhe të marrësh pjesë në bienale e të mos bësh kurrë artist. Nuk qenë teoritë që bënë Pikason, Van Ghogun e të tjerë, edhe pse u shërbyen si bazament. Janë qindra eksperimente, që çojnë drejt realizimit të ideve…

Me siguri që edhe pas punëve tuaja ka një sërë sekretesh e eksperimentesh të tilla. Në ’67-ën realizuat një nga veprat më ekspresive “Tanush Topinë”, e cila u vlerësua asokohe edhe nga Lasgush Poradeci…

Është e vërtetë! Pas gjithë ç’ndodhi, u mora me krijimtari të lirë. Nisa të hyj në konkurse dhe të parin realizoj “Tanush Topinë”. Kjo vepër u realizua në një kohë, ku unë thashë: Ose do ta lë skulpturën, ose do ta vazhdoj sa të kem jetë! Para se të nisja punën, do shkoja të merrja lejen krijuese, bëhej fjalë për një muaj. Ndërkohë që unë shkoj te personi që duhet të më jepte lejen e po bisedoja me të, pas meje kishte ardhur Lasgushi. Punonjësi më pyet, se kush isha.

Jam Perikli Çuli, i them, e ndërkohë po kontrollonte dokumentet përkatëse. Një zë u dëgjua nga pas meje – Lëre aty, mos e prek me dorë! – tha. Pastaj m’u drejtua mua. U ktheva e i thashë: – Më falni se nuk ju pashë! – Përmende dhe njëherë si quhet, – i tha punonjësit. – Perikli Çuli, – iu gjegj ai. E ashtu, me atë karakterin ekspresiv, më thotë: – Unë të mendoja në moshë të madhe, por ti qenke djalë i ri. Ti nuk je Perikli Çuli, ti quhesh Tanush Topia! Lëre lejen, e marrim më vonë. Tani do pimë kafe. – E kështu bëmë, shkuam te kafe “Kursal”.

Pastaj ndodhi, ajo që të gjithë dimë, unë e bëra “Tanush Topinë”, që sot në fakt nuk është në vendin e vet (gjendet në Muzeun e Krujës). Kjo për shkak të ambicieve apo xhelozive të disa kolegëve, pjesë e komisioneve që punonin në muze. Sepse, të flasim drejt, në atë kohë jo të gjitha i bënte Partia, shumë të këqija kanë ardhur nga ne, nga grupe të ndryshme, që ushqenin ndjenja negative karshi talentit të tjetrit. Konkurrenca është e mirë, por kur është e pastër. Sepse, vërtet përjetohet si një mrekulli kur je më i mirë se tjetri e tjetri, por edhe nëse tjetri është i më zotë, mrekulli le të jetë! I tillë duhet të jetë shpirti i artistit. E megjithatë, “Tanushi” u vlerësua brenda, por edhe jashtë.

Kur së bashku me Gazmend Lekën dhe Ali Osekun çuam posterin e monumentit në një ekspozitë, një prej studiuesve italianë më tha: – Këtë bust nuk e ke bërë as turk, as gjerman, as italian. Por shqiptar! “Un albanese vero!” Unë mbeta pa fjalë. – E po, unë shqiptar jam, – i thashë. – Pikërisht ndaj po ta them, – më kthehet ai. Episode të tilla, sigurisht që më falnin ndjesi pozitive dhe më nxitën edhe më, që të realizoj punë të kësaj kategorie që shihni sot.

U pa që në fillim sipas kritikës, diferenca në veprat tuaja. Odise Paskali, “4 heroinat”, e cilësoi si monumentin më të bukur bërë pas Çlirimit. Po si ndihet një artist kur vandalët ia rrënojnë një vepër të tillë (1993)?

E si të ndihet! Merre me mend… Ndodhi kur unë qeshë i ftuar në New York nga Universiteti “Columbia”. Kujtoj se kur u bë “4 heroinat Mirditore”, e mbajta plastelinën në prehër. Atë plastelinë ma kish dhënë i madhi Odise Paskali. Skulptori i artit romantik me influencë nga Rilindja klasike romantike. Për të bërë portretin e cucave, unë, si të thuash, “fotografoja” imazhin e tyre në kujtesë, pasi qe e ndaluar t’i vizatoja. E pavarësisht kësaj, u mora karakterin, kostumin, frymëzimin dhe i derdha në atë vepër bashkë me kolegët e mi. U futëm në konkurs dhe fituam. E nisëm si bashkautorë me Dhimo Gogollarin e Fuat Tushkun e më vonë u bashkua dhe skulptori Andrea Mano. U bëmë katër, por si bashkërealizues të themi. Sigurisht që artistit i dhemb kur i heqin veprën, aq më keq kur ia shkatërrojnë. S’mund të jetë ndryshe.

Pas atyre veprave ka mund të madh. Kush e di sa net pa gjumë. Unë kujtoj se kur Odhise Paskali realizoi “Enver Hoxhën”, iu desh të eksperimentonte 20 bocete. Dhe në bustin e fundit tha: “Ky është, të tjerët nuk janë mirë!” Ai ka bërë edhe “Ahmet Zogun”. Por pse të thyhen, ai është art. Le të mbeten në historinë e artit, për ta shpjeguar atë! Të jenë në muzeume!

Heroinat u hoqën në demokraci, mirëpo pas tyre, siç do të thoshte i ndjeri Gazmend Muka, ju “zbritët Yllin në tokë”…

Pas “4 mirditoreve” kalova tek “Ylli i lirisë”. Të jem i sinqertë, është vepër që më ka dhënë shumë kënaqësi, sepse ka ngjallur kureshtje edhe jashtë, është bërë objekt studimi në Gjermani. Kanë ardhur më kanë intervistuar, fotografuar e madje më kanë pyetur të çuditur se si e kanë lejuar. Edhe këto janë ngjarje që e ngarkojnë me energji pozitive artistin. Kujtoj se edhe turistët kur vinin asokohe ndalnin te kjo vepër. Edhe tani e pëlqejnë. Kjo rezistencë ndaj kohës vjen ndoshta sepse është ashtu siç ka thënë Muka, është një yll idealist, “që zbret nga qielli”.

Edhe unë i lashë sipër, pa i ulur në karrige pikërisht për këtë, që të mbeten idealistë. Sigurisht me idenë se luftuan për liri, por nuk doja t’i lija të kapërcenin pragun e kësaj e të hynin në gjullurdinë e politikës. Jo, unë hodha në atë vepër idealin e lirisë. Dhe pavarësisht të gjithave, kalova plot sfida e tragjedi përgjatë historisë unë e them me bindje: S’mund ta heq dot njeri lirinë e shqiptarëve. Ja ku e keni! (tregon veprën “Tre bijtë e shqipes”) I ka periudhat e historisë që nga koha e Skënderbeut, Pavarësia e gjer më ’45-ën. S’po kaloj më tej, se mandej situata e çoi vendin drejt ngujimit. U krijua një lloj unitarizmi.

I mëshoni idealeve, e një lloj lirie dhe te “Toka jonë”. Poeti Fasli Haliti e konsideron natyrën e veprës si demokratike, si dhe e shikon të pandarë historinë e qytetit nga ai monument…

Eh, liria! Për “Monumentin e lirisë”, që nuk u bë kurrë, punuam me Paskalin për 3 vite. Ai më pyeste: “A ka liri o bir?” E unë i thosha: Ndoshta në New York, atë kam dëgjuar, por se di mirë se ç’është… “E si ta bëjmë si është liria?”, ma kthente mjeshtri. Dhe kuptohet që nuk u bë, si të bëhej kur liri nuk kishte. Vepra e Lushnjës më mori 13 vite. Zgjati, se edhe Andrea u sëmur, Dhimo rrinte i tërhequr. E këtu kthehemi tek eksperimentet për të realizuar veprën në formën më të mirë. Në këtë rast, unë punova me 13 bocete. Më në fund, kur e arritëm, do paraqiteshim para Enver Hoxhës për aprovim.

Më shoqëruan dy persona që më hidhnin vazhdimisht vështrime gati “kërcënuese” nga koka te këmbët, për shkak të pamjes sime, për ta e papërshtatshme, më moderne se ç’duhet. Edhe përpara se të më çonin, më thanë: Ke kohë të krihesh e të heqësh barsetat. Ç’të bëja, dashuria për punën. Kështu shkuam. Por aprovimi nuk u bë. Pas vdekjes së tij, nuk e di si ndodhi, por u lejua. Kur u vendos, entuziazmi qe i madh.

Në atë vepër është ëndrra e njeriut për tokën. Të bekuarën tokë! Ëndrra për pronën, për të bukurën. E bukura është edhe te personazhet. U pëlqye shumë dhe kjo më lumturoi, pse ta mohoj! Ende pëlqehet shumë. Siç thotë Haliti, për banorët e atë vend “është si kartë identiteti”. Mendoj se do jetë dhe kur unë të resht së marri frymë… Pse të mos jetë, kur njerëzit e duan?!

Vepra që i kanë rezistuar kohës, ndoshta edhe për faktin se siç thonë studiuesit s’kanë rënë në kurthin e dogmave. Përpos kësaj kritika ju veçon për shijet, vizionet tuaja moderne. Sa jeni ndikuar nga artistët e mëdhenj?

E shikoni “Obeliskun” që gjendet mes këtyre veprave (tregon instilacionin e realizuar me gurë natyrorë, që ekspozohet në Muze për herë të parë). Aty, gjen gjithë kryeveprat e njerëzimit. Da Vinçin, Pikason, Van Ghogun. Gjen Amerikën, Europën, që si të thuash, i thonë Shqipërisë: Ngrehu dhe ti, të bëhesh pjesë! Në majë të “Obeliskut” janë këto tri simbole me gurë dekorativ që ngrihen njëri pas tjetrit. Dikush mund të thotë, se, “ç’është kjo vepër kështu”. Kanë të drejtë! Se nuk është e parë që të marrësh gurët dhe t’i instalosh. Ndoshta që ta bësh këtë, duhet të kesh defekte ose vizione të mëdha! Kush e di! Unë edhe nga dashuria për artistët e mëdhenj e kam realizuar kështu.

A është aty Venusi i Milos? Davidi i Mikelanxhelos? Rodini, a e gjeni? Është e gjitha prej dashurisë për artin, kulturën, emrat e mëdhenj, kryeveprat… E pra, unë jam njeri i artit e ngre imazhe. Pastaj, të tjerët le të më gjykojnë. Për mirë, apo me nota kritike. Unë jam këto vepra. Vepra që tek e fundit do mbeten për ju. Artisti as pasurohet, as merr gjë me vete. Në përgjithësi, artistët janë të varfër, madje kanë vdekur edhe në mjerim. Ja për shembull Vang Ghogu. Në Paris mbetet një dhomë e tij e vogël. Një krevat me tela, një telajo e dy penela. Mirëpo me këto dy penela e atë telajo, ai bëri historinë e tij./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura