Intervista/ Shok me Kasemiron e Realit, Xhufo: Në Vlorë erdha për trofe

Nov 22, 2017 | 22:47
SHPËRNDAJE

Kur sheh Kasemiron te Reali që shënon në finale dhe më pas ngre në qiell kupën e Ligës së Kampioneve, e ke të vështirë të besosh se sot ka një mik fëmijërie në Vlorë që luan me Flamurtarin. Bëhet fjalë për brazilianin Viktor Xhufo, që erdhi këtë verë te kuqezinjtë dhe që tani është shndërruar në një element të rëndësishëm për formacionin e Duros. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori 24-vjeçar thotë se Flamurtarit i duhet mentaliteti fitues për të arritur gjëra të mëdha.

Xhufo-3

Cila ishte arsyeja, pse zgjodhët të transferoheshit te Flamurtari?

Zgjodha të besoja në projektin që vetë trajneri Duro më prezantoi. Besoj që me transferimin në Vlorë, hodha një hap përpara në karrierën time, pasi erdha në një kampionat më kompetitiv dhe më të madh. Këtu shikoj më shumë hapësirë për të luajtur dhe sfida të reja.

Si po ju duket atmosfera në Vlorë, po të bëjmë një krahasim me atë në Tetovë…? Ku jeni ndier më mirë?

Vlora është një qytet i mrekullueshëm, ka vende shumë të bukura. Një vend i qetë dhe i këndshëm. Gjithashtu edhe Tetova më pëlqeu shumë. Jetova pothuaj 3 vite atje, kam shumë miq dhe shumë vende të preferuara, por siç e thashë Vlora është qytet jashtëzakonisht i bukur.

Marrëdhënia me trajnerin Duro dhe me cilin nga shokët e ekipit jeni miqësuar më tepër?

Besoj shumë në punën e trajnerit Duro dhe Jetonit, asistenti i tij. I njoh mjaft mirë të dy dhe kanë qenë ndër arsyet kyç pse vendosa të transferohesha te Flamurtari. Besoj që do të bëjmë një kampionat të shkëlqyer dhe do jemi surpriza më e madhe e sezonit. Me të gjithë lojtarët jam bërë shok, është e vështirë të zgjedh midis tyre, kemi krijuar një grup mjaft kompakt dhe kam miqësi me të gjithë.

A nuk keni frikë për garancinë financiare, duke ditur edhe problemet e klubit Flamurtari në vitet e fundit?

Probleme me financat mund të ketë kudo. Nuk jam i shqetësuar për këtë. Shqetësohem që të jap më të mirën time çdo ditë në profesionin tim dhe janë të tjerë njerëz ata që shqetësohen dhe kujdesen për financat. Ne jemi një grup i konsoliduar dhe detyra ime është të jap më të mirën në fushën e futbollit. Kjo është arsyeja që më motivoi të lë Brazilin, familjen time dhe që të rritem si futbollist. Objektivi im është të bëhem çdo ditë më i mirë në këtë sport.

 

Sa informacione keni për Kategorinë Superiore, kush mendoni që i ka mundësitë më të mëdha për ta fituar titullin?

Para se të vija në Shqipëri kisha shumë informacion për kampionatin shqiptar. Është shumë kompetitiv dhe me ekipe cilësore. Fizikisht është kampionat i fortë dhe taktikisht gjithashtu. Shumica e ndeshjeve zgjidhen nga detajet. Unë besoj që ne si ekip në disa situata duhet të përmirësohemi, mendoj se duhet të kishim shënuar më shumë dhe atëherë do ishim më afër kreut të renditjes. Megjithatë, besoj se të gjithë ne do të japim më të mirën tonë ta rendisim Flamurtarin mes kryesuesve këtë vit.

Cili është futbollisti kundërshtar që ju ka vënë më shumë në vështirësi gjatë këtyre ndeshjeve që keni kaluar?

Është e vështirë të them një emër. Ne luajtëm disa ndeshje shumë të forta dhe jam përballur me disa lojtarë mjaft cilësorë.

Në çfarë pozitash e shikoni Flamurtarin këtë sezon?

Flamurtari ka një grup shumë të bashkuar që drejtohet nga një trajner me mjaft eksperiencë. Besoj që po luajmë një futboll të mirë. Objektivi ynë është të fitojmë çdo ndeshje. Shumë prej nesh jemi futbollistë me mentalitet fitues, që vijmë nga ekipe kampionë dhe kemi fituar trofe të ndryshëm. Duam të transmetojmë këtë mentalitet tek i gjithë ekipi. Duhet mentaliteti i fitimtarëve dhe do japim maksimumin për ta arritur këtë gjë në Vlorë.

Xhufo, flasim pak për karrierën tuaj në Brazil, si ka qenë fëmijëria juaj dhe në çfarë moshe e kini pasur impaktin e parë me futbollin…

Kam filluar të luaj futboll që në moshë fare të vogël. Ka shumë klube në Brazil, por gjithashtu ka shumë fëmijë që ëndërrojnë të luajnë në ekipe të mira, ndaj dhe dua të them që konkurrenca është mjaft e madhe. Jam shumë krenar për eksperiencat që kam pasur, pasi të vish nga një lagje e vogël e një qyteti të vogël e të luash me ekipe si Internacionali i Porto Alegres ose Sao Paolo nuk është pak. Karriera ime ka filluar në shkollën e futbollit Clube Escola Jaguare dhe në 2010 nga atje u transferova tek Internacionali ku luajta për 1 sezon. Nga aty kalova një periudhë të shkurtër tek ekipi i Rio Branco për t’u transferuar më pas te Sao Paolo. Nga Sao Paolo te Bahia për një sezon dhe, para se të transferohesha te Flamurtari, luajta për 3 sezone në Tetovë me Shkëndijën. Në 2010 tek Internacionali në ekipet zinxhir luaja përkrah dhe kundër mjaft emrave që sot janë yjet e ardhshëm të futbollit botëror.

Na thoni ndonjë emër…!

Kam luajtur si Oskar (ish-lojtari Çelsit), Fred që tani luan në Donetsk me Shakhtarin, Otavio i Portos, Alison portieri i Romës, që tani mbron portën e kombëtares braziliane, si dhe Huan Jezus, mbrojtësi i Romës. E njëjta gjë në ekipin e Sao Paolos në 2012-2013, kam pasur privilegjin të trajnohem e luaj përkrah yjeve të mëdhenj ndërkombëtarë si Lukas Moura, Kasemiro, Rodrigo Kaio e Lucas Evangelista. Ruaj kujtime të mrekullueshme, pasi ka qenë periudhë shumë rritëse për mua si njeri dhe si profesionist.

Keni një futbollist që ju inspiron?

Futbollistët që më kanë frymëzuar gjithmonë dhe që më pëlqen t’i imitoj në fushë janë: legjenda braziliane Rivaldo dhe ish-ylli i Fenerbaçes, Aleks De Souza.

Një koment të fundit në lidhje me gjykimin në këto 10 javë kampionat? Pse kaq shumë polemika rreth Flamurtarit?

Është e vështirë të flasësh për arbitrat, pasi mendoj që pamjet janë të qarta për çdo ndeshje. Fatkeqësisht ka gjëra që po ndodhin edhe jashtë fushës që s’duhet të kenë lidhje me futbollin. Normal, mendoj se, në disa ndeshje, jemi penalizuar padrejtësisht dhe sot mund të ishim në krye ose shumë pranë kreut. Pavarësisht këtyre gjërave, ne jemi të përqendruar për të dhënë më të mirën tonë.

ILDI MEROLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura