Intervista sekrete me Gjergj Kokoshin në nëntor 1945

Mar 30, 2014 | 15:32
SHPËRNDAJE

FOTO NGA ARKIVAT BRITANIKE ME SHENIMIN: OFICERE BRITANIKE DUKE NDARE NDIHMA USHTARAKE PER PARTIZANET
Opozita brenda komunistëve në ditët e para të qeverisjes së tyre në vitin 1945 ka qenë një faktor real. Këtë e dëshmojnë dokumentet në Arkivin Britanik të pasluftës, të hartuara nga misioni ushtarak britanik në Tiranë. Në një intervistë sekrete dhënë misioni britanik në Tiranë më 16 nëntor 1945, ministri i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës dhe një prej aktivistëve më të njohur të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Gjergji Kokoshi, flet për krijimin e një opozite brenda radhëve të komunistëve. Ai shprehet se të pavarurit mund të fitojnë rreth 20 vende në Asamblenë e re me 84 vende në zgjedhjet që priteshin të mbaheshin në datën 2 dhjetor të atij viti. Në këtë intervistë, Kokoshi shpreh arsyet se pse është kundër politikave të qeverisë së Enver Hoxhës, por shprehet se ka vështirësi në krijimin e një partie dhe programi politik. “Ndarja jonë është me themelet e politikës së jashtme të qeverisë. Ne jemi anti-sllavë dhe po shohim se si qeveria po na dërgon drejt Federatës Jugosllave”, shprehet në këtë intervistë Gjergji Kokoshi, i cili më tej shton se “ne shpresojmë që të fitojmë maksimumi 20 vende në Asamble. Disa të tjerë nga Fronti Demokratik do të jenë me ne në shpirt”. Një person i arsimuar në Perëndim dhe aktiv me Frontin Nacionalçlirimtar në luftë, Kokoshi nuk pranon politikat e dhunës së qeverisë së Hoxhës dhe për më tej, është tërësisht kundër kursit lindor të Enver Hoxhës dhe bashkimit me Federatën Jugosllave. Por, ajo që bie në sy në këtë dokument është fakti se kundërshtarët e Hoxhës brenda radhëve të lëvizjes kanë qenë të konsiderueshëm. Në një raport më të zgjeruar, britanikët në Tiranë analizojnë punën e qeverisë dhe rolin e opozitës. Sipas tyre qeveria e Hoxhës po krijonte pakënaqësi të shumta, si dhe lufton ashpër opozitën. “Gjithsesi, opozita nuk ka asnjë lider, nuk ka asnjë lloj propagande, si dhe nuk ka asnjë përfaqësues. Ekzistenca e saj është e padyshimtë dhe një faktor konstant, që ndikon në politikën e qeverisë, por që është tërësisht nën hije, për të mos thënë pasive. Politika e ndjekur, si në çështjet e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme, ka sjellë kundërshtimin e shumë prej simpatizantëve të saj. Një përfundim është se Fronti Demokratik ka tentuar të imponojë një sistem ekonomik, një rend të ri social dhe politik të jashtëm, që janë tërësisht të ndryshme nga tradita dhe që i ka ndjekur me shpejtësi të madhe dhe pa pasur në konsideratë kushtet e veçanta të Shqipërisë”, thuhet në raportin e vitit 1945. Gjergji Kokoshi do të burgosej më vonë dhe do të vdiste në burg. Ai guxoi të fliste si i pavarur në Parlament, ndonëse bindjet e tij ishin të majta.

DOKUMENTI NR. 1
Misioni ushtarak britanik në Shqipëri
Memorandum
Subjekti: Intervistë me Gjergj Kokoshin
16 nëntor 1945
Prezentë: Gjergj Kokoshi, Kapiteni M. Lyon, Majori E Maxwell Arnot dhe Shaban Bala Gjergji Kokoshi vizitoi misionin britanik ushtarak për të paraqitur programin e tij elektoral. Ai deklaroi:
1. Që është larguar nga Fronti Demokratik me kërkesë të tij, por që nuk u kundërshtua. Ai nuk ka bashkëpunuar me dr. Ivanaj.
2. Që kërkon të qëndrojë në Asamble si i pavarur si dhe kishte emrat e 20 të tjerëve, që kërkonin të njëjtën gjë. Por ai tha se listat e kandidatëve duhet të ribëhen, si dhe zgjedhjet të shtyhen për në shkurt të vitit 1946. Ata janë intelektualë të cilët përdorimin e revolucionin e shohin si masën më ekstreme
të mundshme.

Pyetje: A keni ndërmend të formoni një parti politike?
Përgjigje: Nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u organizuar dhe për të përgatitur një program të përbashkët.

Pyetje: A dëshironi të formoni një qeveri për të zëvendësuar qeverinë aktuale?
 Përgjigje: Ne shpresojmë që të fitojmë maksimumi 20 vende në Asamble. Disa të tjerë nga Fronti Demokratik do të jenë me ne në shpirt.
Pyetje: A përfaqësoni ju ndonjë element reaksionar?
Përgjigje: Jo. Kursi i progresit për Shqipërinë nuk duhet të jenë arrestohet. Unë jam socialist. Shqipëria është tepër e prapambetur dhe duhen ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara edhe me riskun që shumë njerëz mund të rrinë prapa. Fronti Demokratik ka bërë mirë që i ka ndërgjegjësuar njerëzit politikisht. Pyetje: A bini dakord që Fronti Demokratik ka ngritur një qeveri të drejtë dhe që ka bërë disa punë sociale dhe legjislacion progresiv? Përgjigje: Deri në njëfarë pike, por ndarja jonë është me themelet e politikës së jashtme të qeverisë. Ne jemi antisllavë dhe po shohim se si qeveria po na dërgon drejt Federatës Jugosllave.
Pyetje: A konsideroni ndokënd nga ekzili për t’u kthyer e për të marrë pjesë në zgjedhje?
Përgjigje: Ndoshta Hasan Dosti, por ne nuk duam asnjë nga regjimi i vjetër. Kjo dëshirë vetëm mund të na komprometojë.
Pyetje: Kush tjetër janë pas jush?

Përgjigje: Suad Asllani dhe Baltazar Benusi.
Pyetje: A jeni në dijeni që amerikanët dhe britanikët janë vetëm vëzhgues që dëshirojnë të shohin zgjedhje të lira dhe se s’mund të mbështeteni te ndërhyrjet fizike?
Përgjigje: Po. Nuk jam shumë i shqetësuar për mbrojtjen. Duhet të marr një vendim që ka të bëjë me një politikë të re dhe kjo më shqetëson për momentin.
Pyetje: A keni llogaritur opinionin publik në SHBA dhe Britani me formulimin e programin tuaj dhe me vendosjen e masave që keni ndërmend të merrni?
Përgjigje: Preferoj që kandidatët të jenë të pavarur dhe t’u qëndrojnë ideve të tyre pa një program partiak. Por. natyrisht i kuptoj disavantazhet.

Përfundime:

Kokoshi do të dorëzojë emrat e kandidatëve dhe kërkon që lista e kandidatëve të ribëhet, si dhe zgjedhjet të shtyhen për në shkurt të vitit 1946. Ai i kupton të gjitha aspektet e pozicionit të tij. Ai nuk do të dorëzojë emrat e kandidatëve te qeveria derisa britanikët të ndërmarrin hapa për rishikimin e zgjedhjeve. Gjergji Kokoshi duket një person me karakter të fortë, me kurajë personale, i arsimuar dhe me principe socialiste. Pa dyshim që do të jetë një aset për Asamblenë.

DOKUMENTI NR. 2
Situata e qeverisë dhe opozitës para zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945

1-Fronti Demokratik
Nëse qeveria do të kishte mbajtur zgjedhjet kur mori drejtimin në nëntor të 1944, atëherë nuk do të kishte dyshim që do të kishte fituar votat e shumicës dërmuese të popullit shqiptar. Në atë kohë, FNÇ ishte partia më popullore në vend. Që atëherë politika e ndjekur, si në çështjet e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme, ka sjellë kundërshtimin e shumë prej simpatizantëve të saj. Një përfundim është se Fronti Demokratik ka tentuar të imponojë një sistem ekonomik, një rend të ri social dhe politik të jashtëm, që janë tërësisht të ndryshme nga tradita dhe që i ka ndjekur me shpejtësi të madhe dhe pa pasur në konsideratë kushtet e veçanta të Shqipërisë. Kjo mund t’i atribuohet faktit që elementët e aftë dhe të avancuar të qeverisë janë edukuar jashtë vendit dhe i kanë bërë planet jashtë Shqipërisë. Në politikën e ndjekur, qeveria është treguar energjike dhe autokratike. Ka shpronësuar pronarët e mëdhenj të tokave dhe ka rindarë tokën e tyre, si dhe ka likuiduar klasën e tregtarëve. Një numër i dëmeve të luftës në komunikim dhe mjete të domosdoshme janë rikuperuar. Shkollat dhe spitalet janë rihapur. Marrëveshje janë bërë me UNRRA, me Jugosllavinë dhe Rusinë, ku buka për njerëzit është siguruar për këtë dimër. Çmimet e ushqimeve bazë janë vendosur nën kontroll nga qeveria. Nuk ka inflacion apo treg të zi. Një ushtri e fortë prej 60 mijë personash po mbahet dhe pajiset. Në përgjithësi qeveria ka punuar në kushte të vështira, ka vazhduar me detyrat rutinë në mënyrën më të mirë që ka mundësi dhe nuk ka arritur asgjë në veçanti që ia vlen të përmendet. Në politikën e jashtme ka bërë një sakrificë të konsiderueshme për sa i përket Kosovës me 600 mijë shqiptarët e saj për të mbajtur marrëdhëniet më të mira të mundshme me armikun historik, Jugosllavinë. Ka krijuar marrëdhënie miqësore me Rusinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë dhe Hungarinë. Me pak fjalë, e ka drejtuar Shqipërinë drejt bllokut komunist ballkanik. Është tërësisht anti-greke dhe deklaron se është e përgatitur të shmangë irredentizmin grek. Qeveria i frikësohet Britanisë me idenë se mund të rrezojë regjimin dhe shmang çdo bashkëpunim të ngushtë. Pavarësisht kësaj politike të brendshme apo të jashtme, i takon elektoratit të vendosë.

2- Opozita.
Në përfundim të luftës një numër i madh anëtarësh të organizatave të djathta u shpërndanë dhe u bashkuan me FNÇ, pas një amnistie. Ata që nuk janë pajtuar, qëndrojnë nën hije. Një numër i caktuar njerëzit në Veri i kanë rezistuar hapur FNÇ. Kjo rezistencë ka ndodhur për shkak se:
1-Janë elementë antisllavë
2-Janë pronarët tokash dhe fermerë të shpronësuar dhe tregtarë.
3- Janë një numër i madh katolikësh (një lider i tyre si Pater Anton Harapi është në burg).
4- Janë admirues dhe ndjekës personalë të mjaft prej njerëzve të cilët janë burgosur ose janë ekzekutuar. Këtu përfshihen edhe njerëz të papërlyer politikisht.
5- Ata që kundërshtojnë regjimin e ashpër ushtarak, policinë sekrete, si dhe propagandën e dyshimtë që mbështet regjimin aktual.
6-Qytetarët të cilët detyrohen për të ushqyer ushtarët e papunë të regjimit. 7-Ata që besojnë se politika ekonomike e komunistëve do të jetë katastrofë për Shqipërinë e varfër.
8-Si dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh që për arsye personale, sociale dhe ekonomike përjashtohen nga rendi i ri social.

Gjithsesi, opozita nuk ka asnjë lider, nuk ka asnjë lloj propagande, si dhe nuk ka asnjë përfaqësues. Ekzistenca e saj është pa dyshim një faktor konstant që ndikon në politikën e qeverisë, por që është tërësisht nën hije, për të mos thënë pasive. Tri grupet e organizuara të opozitës të njohura nga ne janë me kaq shumë të meta, sa shikojnë vetëm 3 mënyra për të rrëzuar regjimin.
1-Me revolucion dhe vrasjen e tyre.
2-Duke penetruar në Frontin Demokratik
3-Duke abstenuar zgjedhjet Zgjedhja e parë ka për të prodhuar mungesë rregulli dhe gjakderdhje, por jo qeveri alternative. Zgjedhja e dytë është një politikë afatgjatë e mbushur me vështirësi. Zgjedhja e tretë ndoshta është e mundur duke gjetur trukun e përshtatshëm.

ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura