INTERVISTA/ Sadija: Çfarë më tregoi Dritëoi për gruan e tij ruse, momenti kur u nda me të birin

Jan 21, 2018 | 22:10
SHPËRNDAJE

Nga Eni Vasili

Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash syresh të cilat mëtojnë të sjellin para lexuesve profilet e disa prej zonjave të cilat në një mënyrë apo një tjetër e kanë shënuar fatin e qytetit. Një prej tyre është zonja Sadije Agolli, bashkeshorte e Dritëroit. Më ka magjepsur gjithmonë kjo bashkjetesë simbiotike e tyre duke me bërë kurioze për cka e ushqen . Të mirë, të mencur, të ngjashëm, thuajse të bërë një, kështu i kam perceptuar sa herë i kam takuar të dy gjatë vizitave në shtëpinë e hapur për të gjithë.

Sadije dhe Dritëro Agolli
Sadije dhe Dritëro Agolli

Me këtë rrëfim për dhimbjen që nuk ishte aty në momentin e fundëm  të njeriut që i dedikoi jetën Sadije Agolli më rrëfeu gjithashtu sekretin një dashurie që zgjati gati 55 vjet, sekret që e gjeni në këtë intervistë.

Intervista është një ekskluzive për portalin hapur.al dhe botohet me dy pjesë ne gazeten Panorama.

Dua të kthehem tani shumë vite më parë… si u njohët me Dritëroin…e mbani mend atë moment…

Takimi i parë me Dritëroin ka qenë në një aktivitet letraro-artistik në Fakultetin Histori-Filologji në fundvitin e 1962-së. Këto ishin aktivitetet që na gëzonin ne të rinjtë e asaj kohe, pasi mbylleshin me një mbrëmje vallëzimi. Dritëroi ishte i martuar me gruan ruse Nina dhe kishte një djalë 6-vjeçar Arianin. Kështu, kur vallëzova me Atë, m’u duk një burrë i pjekur dhe jo djalosh. Unë kisha mbushur 21 vjeç. Duke kërcyer tango, më tha: “Unë kërcej vetëm tango dhe vals, pasi fokstrot nuk kërcej dot, se nuk di të hidhem dhe kam frikë mos u shkel këmbët vajzave dhe ma marrin për të keq”.

Çfarë ju pëlqeu tek ai…çfarë ju tërhoqi…

Ishte i çiltër, bënte humor dhe dinte menjëherë të komunikonte me të panjohurit. Ky takim mund të harrohej, po të mos takoheshim përsëri në dasmën e Elena dhe Ismail Kadaresë në vjeshtën e vitit 1964. Dritëroi, në atë kohë, ishte beqar, pasi Nina, ishte larguar së bashku me  djalin Arian. Ndarja kishte ndodhur pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Ajo qante vazhdimisht për prindërit e moshuar, që jetonin në Peterburg, qante për vendin e saj, që nuk do t’i shihte më. Jeta u bë e padurueshme, prandaj të dy vendosëm që ajo të kthehej  së bashku djalin në Bashkimin Sovjetik. Sigurisht ka qenë e vështirë ndarja edhe me Ninën, edhe me Arianin, që nuk arrinte të kuptonte asgjë nga arsyet e vërteta të largimit. Por kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë për të dy.                                   Edhe unë nuk pranova të qëndroja në Rusi, pasi më propozuan edhe të punësohesha në gazetën ku kryeva stazhin e gazetarit. Atje e ndjeja veten të huaj. Edhe ajo, megjithëse ishte mësuese e anglishtes në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, e njdente veten gjithnjë të huaj dhe nuk përshtatej në mjedisin shqiptar.

Kështu më tregoi Dritëroi shumë më vonë, kur u martuam, historinë me gruan ruse dhe nuk e kemi përmendur më as unë, as Ai. Këtë kapitull të jetës Ai e kishte mbyllur dhe as unë nuk e ngacmova një plagë të rinisë së tij. Të kthehem tek pyetja juaj për njohjen time me Dritëroin.  Në Elbasan, në dasmën e Elenës ne ishim të ftuara si mikesha të saj, kurse në dasmën e Ismailit në Tiranë si shoqe-krushka. Ishte dasëm shkrimtari, me të ftuar shkrimtarë të moshave të ndryshme, por të pa shoqëruar nga gratë e tyre. Dasma, si të gjitha dasmat, ishte e gëzuar; Elena ishte shoqja e parë e kursit gjuhë-letërsi, që martohej me një poet-shkrimtar. Doli nuse shumë e bukur.  Gjithë shkrimtarët kërcenin me ne vajzat-studente të vitit të katërt të letërsisë. Dritëroi qëndronte në një tavolinë me gotë rakie përpara dhe herë pas here i dëgjohej zëri i lartë, duke ngritur dolli për çiftin e ri.

Shkrimtari Naum Prifti donte ta shkëpuste Dritëroin nga tavolina dhe vetmia dhe i propozoi ta njihte me një shoqen time, por Ai i kishte thënë: “Dua të njihem me atë shkodranen tjetër, se ka bel të hollë e vithe të kolme.”  Kështu, u shkëput Dritëroi nga tavolina dhe gota e rakisë, kërceu tango dhe vals, duke zhurmuar me zërin e tij të fortë.   Nga mesi i natës, kur u larguam nga dasma, Dritëroi na ftoi në shtëpinë e tij, që e kishte në Bulevardin “Stalin” siç quhej në atë kohë Bulevardi Zogu I, karshi ndërtesës së gazetës “Zëri i Popullit”. Hokatar e duke folur me zë të lartë zgjoi edhe prindërit e moshuar me vizitën e pazakontë të mesnatës. Kishte një dhomë-studio të bukur, me bibliotekë të pasur, me një akuarium me peshq të kuq të vegjël. Dritëroi, siç dukej e kishte të zakonshme këtë sjellje, pasi prindërit e tij nuk u zgjuan të alarmuar, kur hymë ne. Ditë më vonë filluan takimet tona në pasditet letrare në shtëpitë e Naum Priftit, Fatos Arapit, të piktorit Andon Kuqali, në kafenenë para konviktit të vajzave në rrugën e Elbasanit, në kodrat e qytetit të sapondërtuar Studenti, në kodrat e Liqenit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura