Intervista/ Rama për “Il Mattino”: Europa ka humbur në egoizëm

Aug 30, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

Në një intervistë për gazetën italiane “Il Mattino”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shprehet se Evropa ka humbur në egoizëm dhe sot BE-ja është më shumë taktike dhe më pak strategjike.

Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama

Rama i referohet krizës së emigrantëve në Mesdhe duke vënë në pah hendekun dramatik që ekziston në Evropë, e cila thotë ai “prej kohësh ka humbur në egoizëm, nacionalizëm, taktika politike dhe elektorale që konsumohen në vende të veçanta anëtare në BE”.

“Do të thoja se ka një mungesë në rritje të gatishmërisë për të respektuar vlerat autentike. Më pak strategjike dhe më shumë taktike, viktimë e vetë-interesit për shkak të llogaritjeve të brendshme të kombeve të veçanta”, shprehet Rama gjatë intervistës.

I pyetur nëse Shqipëria ende është e interesuar për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ai thotë se, “aspirata evropiane nuk është e lidhur me një periudhë të caktuar historike, por është një projekt i madh, ndoshta ëndrra më ambicioze që njerëzimi ka qenë në gjendje të krijojë”.

“Tragjedia që po ndodh në Mesdhe sigurisht nuk është një arsye për të braktisur projektin, por mundësi për të rinisur një Evropë që shkon përtej financave, idesë se një numër shtetesh janë bashkë vetëm për arsye ekonomike dhe komoditet individual”, thotë Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura