Intervista provokuese e Koço Kokëdhimës për televizionin grek

Feb 2, 2016 | 22:07
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima në një intervistë për televizionin grek “Janina” flet për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë dhe për trajtimin e minoritetit grek në jug të vendit. Kokëdhima, paraqitet nga televizioni grek si deputet me ndikim të madh tek Kryeministri Edi Rama. Intervistën disa portale greke e kanë cilsësuar “provokative”.

Kokedhima-interviste-TV-grek-620x365

Çfarë problemesh ekzistojnë në marrëdhëniet greko-shqiptare?

Ndër të tjera deputeti Kokëdhima tha: Është e pakuptimtë që në Greqi është akoma në fuqi një ligj absurd, siç është ligji i luftës me Shqipërinë. Ai nuk është vetëm një atavizëm i praktikave dhe i ndërtimit të legjislacionit të shkuar në Greqi, por është edhe një ligj që praktikisht pengon shumë qytetarë shqiptarë, ose çamët, që të përfitojnë të drejtat e tyre përmes teknikave ligjore në Greqi.
Një çështje tjetër e pazgjidhur në marrëdhëniet tona është edhe marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë. Kjo marrëveshje sigurisht që duhet të rinegociohet në bazë të të gjitha praktikave që ekzistojnë sot midis vendeve kufitare detare në Europë dhe në botë, në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të dy vendeve tona. Në projektmarrëveshjen e mëparshme nuk janë respektuar të drejtat e Shqipërisë. Prandaj edhe Gjykata Kushtetuese vendosi që ta anulojë këtë marrëveshje.

A e aprovon qeveria shqiptare pretendimin e çamëve për përfitimin e pasurive në Greqi dhe cilën mënyrë propozon ajo për përfitimin e këtyre pasurive?

Kokëdhima: Unë do të shfaq opinionin tim për këtë çështje dhe nuk do të flas në emër të qeverisë shqiptare për një çështje të tillë. Për këtë pyetje specifikisht do të duhej të jepte një përgjigje Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Por unë mendoj se çamët kanë të drejta dhe jo pretendime. Kanë të drejta, të cilat nuk duhen refuzuar apo paragjykuar politikisht. Këto të drejta duhen gjykuar si të drejta njerëzore dhe atyre duhet t’u jepet mundësia që t’i mbrojnë këto të drejta në mënyrë tekniko-ligjore, si të gjithë qytetarët e tjerë grekë ose jo grekë.

Ekziston një opinion i rënduar se në Shqipëri shkelen të drejtat e minoritetit grek. Si e vlerësoni ju këtë çështje?

Kokëdhima: Ne e vlerësojmë minoritetin grek në Shqipëri si pjesë të pandarë të popullit shqiptar, që ka jetuar dhe ka ndarë gjithçka me popullin shqiptar, ka qenë bashkë me të edhe në ditë të mira, edhe në ditë të këqija. Dua t’ju them edhe një provë të faktit që qeveria e Shqipërisë e ka trajtuar minoritetin grek me shumë drejtësi dhe barazi. Në reformën territoriale të vitit 2014, ne miratuam dy bashki të minoritetit. Jo vetëm që nuk kemi lënë fshatra të minoritetit jashtë, por përkundrazi, kemi lënë fshatra shqiptare brenda këtyre bashkive.

A e rrezikojnë celulat terroriste të ISIS-it në Shqipëri paqen në Ballkan?

Kokëdhima: Shqipëria ka shumë gjëra për të mësuar nga popujt e tjerë. Por për tolerancën fetare dhe etnikë janë popujt e tjerë që duhet të mësojnë nga Shqipëria.
Sa u përket formacioneve terroriste të ISIS-it dhe luftëtarëve me origjinë shqiptare të rekrutuar në vendet e Ballkanit, unë besoj se ata nuk janë atje për arsye të tjera, përveçse si njerëz të rekrutuar për interesa ekonomike. Unë besoj që janë njerëz që kanë shkuar atje për pagesë. Unë nuk mendoj se kanë shkuar atje nën flamurin e radikalizmit islamik. Ne kemi nevojë të zhvillojmë ekonominë dhe t’u japim të ardhme njerëzve, t’u japim shpresë dhe mbështetje të gjithë këtyre të rinjve dhe të rejave që nuk kanë asnjë perspektivë dhe asnjë mjet jetese. Varfëria dhe papunësia janë rreziqet reale të paqes dhe të qetësisë në Ballkan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura