Intervista/ Poeti Sadik Bejko: Si luftoi Moikom Zeqo për krijimin e PS-së, e pagoi në Plenumin IV

Jun 18, 2020 | 16:11
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Gjurmët e bardha që Moikom Zeqo la te miqtë e tij shfaqen në pikëllimin që rrjedh në zërin që dridhet, përlotjet që shënojnë harta të dhimbjes, ndërsa përpiqen të rrëfejnë sadopak nga eruditi.

Moikom Zeqo dhe Sadik Bejko
Moikom Zeqo dhe Sadik Bejko

Kjo ndodh edhe me poetin Sadik Bejko, i cili përpiqet të kapërdijë lotët për ndarjen e parakohshme të mikut e tij mëngjesin e 15 qershorit, ndërsa prej pak ditësh kishte mbushur 71 vjeç. Një gjysmë shekulli miqësi, prej së cilës për “Panoramën” ai sjell fragmente kujtimesh nga koha kur Zeqo ishte një gazetar i ri e me ambicie në poezi, largimit të tij për në Rrogozhinë prej modernizmit që kish shfaqur në letërsi, si dhe poliedrikun “në periudhën e lirisë”.

Bejko tregon se si i ruajtën marrëdhëniet e mira gjatë viteve të para ’90, kur të dy u angazhuan në politikë në dy partitë e mëdha “kundërshtare”, si dhe një mësim jete që i dha të birit për vlerat e miqësisë me Zeqon në dyert e Parlamentit gjatë vitit ’92. Si njeri i letrave, ai tregon shkrimtarin Moikom në diktaturë dhe demokraci, duke shprehur dëshirën që vepra e poliedrikut të studiohet dhe t’i kthehet e studiuar kulturës shqiptare.

Zoti Bejko, miq dhe kolegë prej dekadash me poliedrikun e ndjerë Moikom Zeqo. Si jeni njohur?

Moikom Zeqo ka qenë një i ri shumë i talentuar, i cili që kur ishte adoleshent ka shkruar dhe botuar poezi. Ishte 5 vjet më i ri dhe duke qenë se unë nisa të botoj me vonesë, mund ta quajmë veten tonë si poetë të një brezi. Ne hymë në letërsi gjatë vitit 1970. Në vitet që pasuan, nga 1971 deri në 1974, unë kam punuar në Radio Televizion në Tiranë, ndërsa Moikomi punonte në gazetën “Drita”. Ishte ndër gazetarët e rinj dhe në atë periudhë takoheshim pothuajse përditë. Përpos kësaj, ai kishte hyrë në rrugën e poezisë me seriozitet, me ambicie dhe me dëshirën për ta modernizuar poezinë shqipe, ose për të sjellë në Shqipëri atë frymë moderniteti, që në atë kohë mbizotëronte në të gjithë Europën, jashtë Shqipërisë. Sigurisht që kjo frymë moderniste, e cila kulmoi në vitet 1971-1973, të quajtura si “vitet e liberalizmit”, pësoi një goditje në Plenumin IV, ku edhe Moikom Zeqo mori goditjen e tij. Pra, si të thuash, ai “e pagoi” për cilësitë dhe ambiciet që solli për modernizimin e poezisë shqipe, për modernizimin e gjithë asaj që konsiderohet si letërsi dhe kulturë shqiptare. Kështu, u dërgua në Rrogozhinë. Gjatë kësaj periudhe, edhe unë pësova të miat dhe u dërgova në Tepelenë, megjithatë ne vazhdonim të takoheshim.

Moikom Zeqo gjate fjalimit ne Kongresin e 10-te
Moikom Zeqo gjate fjalimit ne Kongresin e 10-te

Si e përjetonte Zeqo këtë lloj ndëshkimi për qasjen e tij moderne në letërsi?

Në atë periudhë ishte e vështirë të flisje, vetëm mund të nënkuptoje. Mirëpo, ajo që duhet të përmend është fakti se Moikomi ishte një djalë me prirje politike dhe ideore të majta. Edhe ai, sigurisht që e ndiente se i takonte së majtës, por njëkohësisht ndiente se ajo e majtë e kufizonte për referencat që kishte. Moikom Zeqo ishte një njeri i kulturës, që kishte referenca që janë universale. Ai kishte kultin e fjalës së bukur, kultin e historisë, të kulturës shqiptare. Dhe kështu, ato vite ishin mbytëse, vrasëse në kuadrin e asaj politike, ideologjie të majtë jashtëzakonisht të ashpër. Moikom Zeqo, me ambicien e fuqinë shpirtërore që pati, diti të dalë përtej këtyre, duke ruajtur veten e tij si një njeri i kulturës.

Fillimi i viteve ’90 ju gjen të dyve të përfshirë në politikë, ndonëse Zeqon në radhët e PS-së dhe ju si pjesë e PD-së. Si e kujtoni Moikom Zeqon si politikan dhe sa ndihej impakti i një personaliteti të tillë në Parlament?

Kemi qenë bashkë në Parlamentin shqiptar gjatë viteve 1992- 1996, ai në Partinë Socialiste, unë parlamentar me Grupin e Partisë Demokratike. Pavarësisht drejtimeve politike, kemi qenë gjithmonë miq. Kemi dhuruar dhe lexuar librat e njëri-tjetrit dhe kjo miqësi ka vazhduar gjatë gjithë jetës sonë.moikom-zeqo

Moikom Zeqo ka në fibrën e tij “racën” e politikanit, por më shumë sesa politikan ai donte të ishte intelektuali publik. Intelektuali që mban qëndrime publike politike për të gjitha ngjarjet me rëndësi në një kohë të caktuar. Që në rininë e tij ka qenë i orientuar nga politika e majtë. Pastaj, sa u përket viteve të pluralizmit, ai luftoi fort që në fillime që Partia e Punës së Shqipërisë të kthehej në një Parti Socialiste. Ka dhënë kontributin e tij bashkë me emra si Dritëro Agolli për ta bërë këtë kthesë. Ndonëse Moikom Zeqo si intelektual i vërtetë ka përkrahur politikat e së majtës, ne e kemi ruajtur miqësinë. Kjo, sepse ishte një tjetër fill që na lidhte, ishte ai i poezisë, letërsisë, kulturës, që shënojnë interesa më të gjera sesa politika. Letërsia i takon një periudhe të pakohë, të përjetshme, ndërsa interesat politike, sikundër mund të mbrohen në kuadër të ngjarjeve të ditës, edhe shterojnë, “harxhohen” me kohën.

Po pas largimit nga politika, çfarë qëndrimi mbajti?

Edhe pasi dolëm nga Parlamenti, ai përsëri pati zërin e vet publik, pasi gjithmonë është afishuar me qëndrimet e veta. Sigurisht që, sa i përket profilit politik të Moikomit, ai ishte një intelektual i së majtës, sikundër edhe Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Pëllumb Xhufi dhe shumë figura të tjera intelektuale të së majtës shqiptare.

Për sa i përket krijimtarisë së tij letrare në sistemin komunist, a mund të thuhet se vepra e tij pothuajse e përjashton politikën apo ideologjinë e asaj kohe?

Unë mendoj se periudha e krijimtarisë së një shkrimtari, jo vetëm për Moikom Zeqon, por edhe për figura të tjera si Dritëro Agolli, Ismail Kadare etj., që kanë krijuar në atë kohë sidomos poezi, është patjetër e ngulur në kohë. Pra, ka patjetër referencat që i takojnë asaj kohe. Shkrimtari nuk mund t’u shpëtonte dot temave politike të ditës, “skarciteteve”, që ishin tema politike të ditës së socializmit të asaj kohe. Por përtej këtij “skarciteti” të detyrueshëm, me rëndësi është se çfarë mbetet, çfarë del përtej kohës. Dhe unë them se te Moikom Zeqo mbetet më shumë dhe letërsi më e mirë se ajo që koha e ka ‘skartuar’. Mbetet profili i tij prej shkrimtari, që donte ta modernizonte letërsinë shqipe edhe nën diktaturë.

E keni ruajtur miqësinë me të deri në ditët e fundit, si i kujtoni takimet apo bisedat e fundit me të?

Moikom Zeqo ishte një njeri jashtëzakonisht i ditur dhe bisedat me të ishin sa intime, personale, për familjet tona e njerëzit tanë të dashur që na rrethonin, aq edhe për poetët, shkrimtarët, shfaqjet kulturore, problematikat e atij që ne e quajmë si tranzicion të ashpër dhe shumë të vështirë. Moikomin e kujtoj si një njeri shumë të këndshëm në biseda, një intelektual që merrte frymë fort me ngjarjet e ditës dhe të jetës.

Prej afro 5 vitesh vuante nga leucemia akute, kishit biseduar në lidhje më sëmundjen e tij?

Kujtoj se e kam takuar në ditët e para, kur sapo i ishte shfaqur leucemia akute. Mendonte se mund të zgjaste deri në 10 vjet por kurthet e jetës janë të tilla, ndonjëherë fatale dhe ai nuk i bëri dot as pesë vjet (përlotet)… Megjithatë, Moikom Zeqo ishte një njeri me natyrë optimiste, “një makineri pune e vullnetshme dhe e frymëzuar” deri në fund. Unë jam krenar që kam pasur mik Moikom Zeqon! E kam menduar gjithmonë si një gjigant nga pikëpamja e shëndetit, pasi ai ka qenë notar (zhytej nën ujë) dhe një njeri shumë aktiv. Ka pasur një fizik për zili prej sportisti dhe nuk e mendoja kurrë këtë që ngjau. Siç ju thashë, jam më i madh në moshë dhe kam një pikëllim shumë të madh që ai u sëmur dhe u nda nga ne fizikisht…

Kritikë e shkrimtarë, kur flasin për veprën e Moikom Zeqos, e konsiderojnë atë si shkrimtar të së ardhmes dhe thonë se vepra e tij kërkon një lexues të një niveli të lartë. Cili është perceptimi juaj për krijimtarinë letrare të Moikomit?

Moikom Zeqo ka një krijimtari letrare shumë të pasur pas viteve 1990, në periudhën e lirisë. Shkrimet e tij janë eseistikë, monografi me studime për shumë shkrimtarë e figura të shquara, si: Lasgush Poradeci, Migjeni, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Naim Frashëri etj. Ai ishte jashtëzakonisht prodhimtar. Sa i përket Moikomit poet, ai është një prodhues fantastik i metaforave nga më të shkëlqyerat që mund të kenë qenë në letërsinë shqipe. Pra, jemi përpara një lartësie. Është lartësia e veprave të tij. Sigurisht, kur je në këmbët e një lartësie, nuk i rrok dot majat dhe pjerrësitë e saj. Duhet pak kohë të distancohemi, të ftohemi nga hidhërimi dhe njohjet që kemi pasur me të e mandej të gjykojmë për veprën e tij. Mendoj se e ardhmja do të flasë për veprën e Moikomit, studimet do merren me të. Krijimtaria e Moikomit është një lëmishte që duhet studiuar dhe t’i kthehet e studiuar kulturës shqiptare, për ta vendosur atë në vendin që i takon.

Së fundmi, nëse nga takimet me të do t’ju kërkonim të shkëpusnit një fragment që ju ka lënë më shumë mbresa, çfarë ju vjen ndër mend?

Ka ndodhur rreth viteve 1992-1993, kur ne ishim të dy në Parlamentin shqiptar. Njohja jonë ishte e hershme dhe ne e kishim ruajtur miqësinë, pavarësisht angazhimit në parti të ndryshme e asaj që na kishte ndodhur. Ishim të dy te dyert e Parlamentit, përpara Akademisë së Shkencave, kur gruaja ime dhe djali i vogël, që asokohe ishte afro 13 vjeç, na panë duke u përqafuar.

Bashkëshortja erdhi dhe e takoi Moikomin, pasi ne kishim njohje familjare, ndërsa im bir më tha: “O ba, ti takohesh me Moikom Zeqon, po ky është socialist”.

– Unë takohem se e kam Moikom Zeqon shok prej vitesh dhe do ta ruaj miqësinë me të, – i them.

– Betohu o ba, betohu që ti e ke shok Moikom Zeqon, – më përgjigjet im bir.

– Dhe unë i thashë: Po biri im, unë e kam shok Moikom Zeqon, pavarësisht nga ndasitë tona politike. Ne kemi një jetë të tërë që jemi shokë… Dhe ti, pavarësisht bindjeve, ruaji miqësitë me njerëzit!

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura