Intervista/ Pikëpyetjet rreth Covid-19, paralajmërimi i shefes së OBSH në Tiranë për testet e antitrupave: Diagnoza do jetë e mundur vetëm…

May 15, 2020 | 17:27
SHPËRNDAJE

Dr Bettina MenneADA HAZIZOLLI/ Përfaqësuesja e OBSH për Shqipërinë, Dr Bettina Menne, rendit dy faktorë, të cilët kanë ndikuar në “realitetin e ri” të krijuar nga COVID-19, ku disa vende janë goditur më fort dhe disa të tjera kanë qenë më imune, përfshirë këtu Ballkanin Perëndimor. 

Në një intervistë dhënë për gazetën, përfaqësuesja e OBSH-së për vendin tonë thotë se krahas faktorëve demografikë, rol ka pasur edhe faza e epidemisë.

“Shkalla e vdekshmërisë së rasteve mund të jetë e ndryshme nga një vend në tjetrin për shkak të faktorëve demografikë, për shembull, ndryshimet në strukturën moshore të popullsisë, ose faza e epidemisë. Pacientët që vdesin nga sëmundja, kanë qenë infektuar mesatarisht 2-3 javë më parë, kështu që vendet që janë në fazën më të hershme të epidemisë, mund të fillojnë të kenë vdekje në ditët dhe javët e ardhshme”.

Lidhur me hipotezën që ky virus ka qarkulluar në fillim të këtij viti, mandej edhe në dhjetor të vitit që shkoi, Dr Bettina Menne thotë që nga ritestimet është e mundur se do të gjenden më shumë raste të hershme. Ndërsa e konsideron me rëndësi kryerjen e testeve serologjike për të kuptuar shkallën e sulmit në popullatë, përfaqësuesi i OBSH-së inkurajon funksionimin e tyre dhe përdorimin e mundshëm për qëllime diagnostikuese.

Vende si Franca dhe Suedia kanë raportuar kohët e fundit se rastet me COVID-19 kanë qenë të pranishme që nga dhjetori 2019. Edhe në Shqipëri ekzistojnë hipoteza nga mjekët se virusi qarkullonte më herët, në janar dhe shkurt. Cili është mendimi juaj?

Dimë se ka qenë një punim që përshkruan një rast të mundshëm të COVID-19 në Francë në dhjetor. Gazeta raportonte se mostrat e marra në 27 dhjetor ishin pozitive për COVID-19, çka ishte më herët se rastet e para të raportuara në Francë, në janar. Në këtë punim, autorët theksonin se ky mund të ishte një rast i rremë pozitiv, por nëse jo, është e mundur që ky individ të ketë pasur COVID-19 në dhjetor, një muaj para se të raportohej rasti i parë në Francë. Kemi nevojë për më shumë informacion në lidhje me këtë rast të veçantë, nëse konfirmohet, përfshirë historikun e pacientëve dhe rrethanat e testimit, për të kuptuar më mirë këto rezultate. Është e mundur që do të gjenden më shumë raste të hershme pasi vendet bëjnë ritestim të mostrave nga pacientët, të cilët ishin të sëmurë në dhjetor, janar ose më herët. Shfaqja e parë e simptomave nga grupi i zbuluar ishte në fillim të dhjetorit. Është e rëndësishme të përmendet se disa vende tani po përdorin sëmundjet e ngjashme me gripin në sistemin e tyre të survejancës SARI-s (Sëmundjet e Rënda Akute Respiratore), i cili është krijuar në më shumë se 100 vende dhe ato po kërkojnë raste të tjera nëpërmjet këtyre sistemeve, ndonjëherë edhe prapa në kohë, si pjesë e përgjigjes ndaj epidemisë.

Mendoni se duhet të bëhen teste serologjike për të gjithë popullatën për të pasur një pasqyrë të situatës reale në përballje me këtë infeksion?

Me të dhënat e kufizuara të disponueshme deri tani, OBSH nuk rekomandon aktualisht përdorimin e testeve diagnostikuese të shpejta për zbulimin e antigjenit në kujdesin ndaj pacientit, megjithëse inkurajon kërkimin për funksionimin e tyre dhe përdorimin e mundshëm për qëllime diagnostikuese. Ekziston një tjetër test që zbulon praninë e antitrupave në gjakun e njerëzve, që besohet të jenë infektuar me COVID-19. Antitrupat prodhohen përgjatë ditëve dhe javëve pas infektimit me virusin. Forca e përgjigjes së antitrupave varet nga disa faktorë, të cilat përfshijnë moshën, gjendjen nutricionale, ashpërsinë e sëmundjes dhe medikamente apo infeksione të caktuara, që deprimojnë sistemin imunitar. Kjo do të thotë që diagnoza e infeksionit COVID-19 bazuar në përgjigjen e antitrupave, shpesh do të jetë e mundur vetëm në fazën e rikuperimit, kur janë shteruar shumë prej mundësive për ndërhyrje klinike, ose ndërprerje të transmetimit të sëmundjes. Testet për të zbuluar përgjigjet e antitrupave ndaj COVID-19 në popullatë do të jenë thelbësore për të mbështetur zhvillimin e vaksinave dhe për të na ndihmuar të kuptojmë shkallën e infeksionit mes njerëzve që nuk janë identifikuar nëpërmjet gjetjes së rasteve aktive dhe survejancës; shkallën e sulmit në popullatë dhe shkallën e fatalitetit të infeksionit. Sidoqoftë, për diagnozën klinike, teste të tilla kanë dobi të kufizuar, sepse nuk mund të diagnostikojnë shpejt infeksionin akut në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme për të përcaktuar dekursin e trajtimit.

Shqipëria renditet e fundit në Europë për nga numri i testimeve, së bashku me Ukrainën. A duhet të bëhen më shume teste?

OBSH për rajonin e Europës ka punuar ngushtë me një rrjet laboratorësh të caktuar në rajonin europian të OBSH-së për të siguruar që çdo vend të ketë kapacitetin dhe burimet e nevojshme për të bërë testime të shpejta, për të raportuar dhe për t’u përgjigjur rasteve të dyshuara të sëmundjes. Për këtë është ofruar mbështetje qysh në fillimin e shpërthimit epidemik për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetin e testimit, për të lehtësuar dërgesën e vazhdueshme të reagentëve dhe kiteve të testimit, për të ngritur kapacitetet e stafit laboratorik dhe për të garantuar sigurinë e cilësisë së testeve të kryera. OBSH për rajonin e Europës dhe partnerët kanë hartuar një listë të 6 laboratorëve ndërkombëtarë në rajon që do të funksionojnë si laboratorë rajonalë të referencës për të mbështetur laboratorët që funksionojnë në vend. OBSH vazhdon të punojë me të gjitha shtetet për të identifikuar nevojat dhe për të rritur kapacitetet e testimit, ndërsa kjo pandemi vazhdon.

COVID-19 ka krijuar një ndarje të botës, në atë që është “goditur” më shumë nga kjo pandemi dhe në atë që ka qenë më e mbrojtur. Në gjykimin tuaj, cilët janë faktorët që mund të kenë ndikuar?

Shkalla e vdekshmërisë së rasteve nuk është konstante, ajo mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme gjatë një epidemie, nëse, për shembull, zbulohet se ka shumë raste më të lehta sesa mendohej fillimisht. Shkalla e vdekshmërisë së rasteve gjithashtu mund të jetë e ndryshme nga një vend në tjetrin për shkak të faktorëve demografikë, për shembull ndryshimet në strukturën moshore të popullsisë, ose faza e epidemisë. Pacientët që vdesin nga sëmundja kanë qenë infektuar mesatarisht 2-3 javë më parë, kështu që vendet që janë në fazën më të hershme të epidemisë, mund të fillojnë të kenë vdekje në ditët dhe javët e ardhshme. Së fundmi, ndjeshmëria e zbulimit të rasteve do të sjellë ndryshime dhe sistemet kombëtare të survejancës mund të shfaqin aftësi të ndryshme në zbulimin e rasteve.

Kur parashikohet të ketë një protokoll mjekimi për COVID-19?

Është e pamundur të parashikohet, por Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët kanë filluar provën klinike ndërkombëtare të solidaritetit, për të ndihmuar në gjetjen e një trajtimi efektiv për COVID-19. Më shumë se 100 vende i janë bashkuar Provës Klinike të Solidaritetit dhe më shumë se 1200 pacientë janë përzgjedhur në mënyrë rastësore nga pesë vendet e para, për të vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e katër barnave dhe kombinimeve të barnave. Prioriteti ynë global është të sigurojmë që vendet që kanë një barrë të madhe të sëmundjes të kontribuojnë të parat, sepse ato mund të ndihmojnë për të gjetur përgjigjet më shpejt, por të gjitha vendet janë të ftuara të marrin pjesë, përfshirë edhe Shqipërinë. Shqipëria iu bashkua nismës me Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Suedinë.

Së fundmi, ka nisur puna për vaksinën ndaj COVID-19 dhe mendohet që vitin tjetër do të jetë gati. Do të ndahet nga qeveritë kjo vaksinë apo nga OBSH?

Për momentin, është tepër herët të thuhet se si do të bëhet shpërndarja e vaksinave. OBSH do të sigurojë që, ndërkohë që zhvillohen barnat dhe vaksinat, ato do të ndahen në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet dhe njerëzit. Një nga pyetjet që do të kërkojë përgjigje prej ekspertëve botërorë në grupin e punës të OBSH – vaksina R&D për Vaksinat COVID-19 – themeluar në shkurt 2020 është se si OBSH mund të lehtësojë aksesin e barabartë të furnizimit të përshtatshëm të vaksinës. Grupi i parë i aktorëve shëndetësorë globalë (BMGF, CEPI, Gavi, Global Fund, UNITAID, Welcome Trust, OBSH) dhe partnerë të sektorit privat dhe aktorë të tjerë, kanë filluar një bashkëpunim historik, global dhe me afate kohore për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe aksesin e barabartë global në teknologjitë e reja thelbësore të shëndetit COVID-19, të quajtur ACT Açelerator.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura