Intervista/ “Pasaporta shqiptare për miliarderët!”- Flet Agim Nesho: E rrezikshme, do investojnë rusë, bjellorusë e kinezë

Aug 15, 2022 | 12:01
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Agim Nesho, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, kundërshton vendimin e qeverisë për t’iu shitur miliarderëve të huaj pasaportën shqiptare.

agim nesho

Ai thotë për gazeta “Panorama” se është një vendim i rrezikshëm pasi eksperienca e pak vendeve që kanë realizuar këtë skemë është se individët që investojnë janë shumica rusë, bjellorusë, kinezë dhe të tjerët nga Lindja e Mesme dhe ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Ishdiplomati përmend se në kushtet e kërcënimit rus ndaj rendit europian, rritet shqetësimi për problemet e sigurisë kombëtare.

Sipas Agim Neshos, qeveria shqiptare duhet të mos vlerësojë vetëm fitimet e momentit, por duhet të kishte bërë një studim të plotë të kost-analizës dhe çfarë fiton vendi. Ndaj, z.Nesho i kërkon qeverisë që të tërhiqet nga dhënia e pasaportës me koncesion teksa i kujton se kjo skemë është bërë e papranueshme nga Brukseli. Kjo, shprehet ish-ambasadori, tregon qartë që perspektiva europiane për qeverinë Rama është në plan të dytë.

Z.Nesho, si e konsideroni vendimin e qeverisë për dhënien me koncesion të shtetësisë shqiptare? Pse qeveria po e shet shtetësinë duke hequr dorë nga dhënia e saj dhe e gjithë procedura që i duhet dikujt për ta marrë atë kalon me koncesion. Çfarë fshihet pas këtij vendimi?

Ajo që fshihet pas këtij veprimi është paaftësia e plotë e kësaj qeverie për të pasur një plan veprimi për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri, futjen e teknologjisë moderne, përhapjen e vendeve të punës për të rinjtë shqiptarë që po largohen në masë nga vendi, në mungesë të perspektivës dhe shpresës.

A duhej bërë transparencë në këtë rast, pasi edhe vendimi ishte i cunguar…?

Transparenca duhet të ishte e nevojshme për çdo qëndrim apo veprim të qeverisë që ka të bëjë me interesat e popullit, por ajo ka munguar në çdo rast.

Besoni se vendimi ka të bëjë me dhënien e pasaportës për miliarderët që duan të investojnë në Shqipëri apo lidhet me ribërjen e tenderit për prodhimin e pasaportave shqiptare?

Në fakt, kjo skemë, e cila është bërë e papranueshme nga Brukseli, është një përpjekje për të mbledhur fonde nga individë të caktuar, të cilët në këmbim të pasaportës së vendit do të bëjnë një investim të caktuar. Eksperienca e pak vendeve që kanë realizuar këtë skemë është se individët që investojnë janë shumica rusë, bjellorusë, kinezë dhe të tjerët nga Lindja e Mesme dhe ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Ajo që shqetëson Bashkimin Europian është shpërdorimi i së drejtës europiane nga shtete që kanë marrë të drejtën e qarkullimit të lirë në hapësirën europiane. Për më tepër që nuk dihen qëllimet e këtyre individëve, që mund ta bëjnë për t’u shpëtuar taksave dhe drejtësisë në vendet e tyre, të pastrimit të parave etj. Në kushtet e kërcënimit rus ndaj rendit europian, rritet shqetësimi për problemet e sigurisë kombëtare. Qeveria shqiptare duhet të mos vlerësojë vetëm fitimet e momentit, por duhet të kishte bërë një studim të plotë të kost-analizës dhe çfarë fiton vendi. Në këtë sistem të korruptuar që ka në Shqipëri, edhe fitimet e mundshme do të jenë të limituara.

Çfarë rrezikon Shqipëria nga ky vendim? Cila është lidhja me propozimin e Kryeministrit Edi Rama për programin “Shtetësi nëpërmjet investimit”?

Shqipëria rrezikon shumë për arsye se Brukseli e ka parashtruar si kërkesë për të gjitha vendet që kanë hyrë në këtë skemë. Shumë vende po tërhiqen si Mali i Zi, Qipro, Bullgaria, ndërsa Malta është paralajmëruar nga Komisioni Europian që mund ta çojë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian. Ndërsa Shqipëria insiston në një moment kur vendet e tjera po largohen nga skema. Kjo tregon qartë që perspektiva europiane për qeverinë Rama është në plan të dytë.

Planet e kanabizimit të vendit, amnistisë fiskale, ‘pasaportat e arta’, projekte strategjike me vende jo-europiane, projekte të papranueshme me kriteret dhe vlerat europiane tregojnë që qeverisë Rama i janë errur sytë me projektin e Ballkanit të Hapur dhe çfarë i mundëson ai një regjimi autokratik si i tipit Rama-Vuçiç. Europa e Bashkuar për regjimet oligarkiko-kleptokratike të Ballkanit është një vetëvrasje. Prandaj punohet për projekte alternative. Ai që mbetet humbësi i madh është populli shqiptar, të cilit i largohet gjithmonë e më shumë perspektiva europiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura