Intervista/ “Pakoja e madhe” do të shkonte për PPP”- Buxhuku: Si po gllabërohen paratë e shqiptarëve. Amnistia fiskale s’mund të bëhet pa miratimin e partnerëve

Jan 12, 2023 | 18:12
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Gjergj Buxhuku i kujton qeverisë se nisma të rëndësishme si amnistia fiskale, përfshirë edhe pasaportat e arta dhe ligjërimin e kanabisit, që prekin drejtpërdrejt interesat strategjike të shteteve partnere, nuk mund të bëhen pa miratimin e tyre.

Collage Maker-12-Jan-2023-07.50-AM

Amnistinë fiskale, kreu i Konfindustrias e sheh si shumë më tepër për pasuritë dhe kapitalet e zeza të korrupsionit politik, sesa për paratë e emigrantëve dhe burimet e tjera, që nuk i ka penguar dhe as i pengon askush të hyjnë dhe përdoren lirshëm në vend. Gjergj Buxhuku thotë për gazetën Panorama se “Pakoja e madhe” e qeverisë për qytetarët është shumë e vogël kundrejt 500 milionë eurove shtesë në buxhet. Sipas tij, nëse s’do kishte zgjedhje me 15 maj, “Pakoja e madhe” do të shkonte për PPP, koncesionet dhe prokurimet pa gara ose me gara të shitura me vlera, deri në qindra milionë euro për rrugë, që gllabërojnë pa fund para të shqiptarëve. “Prandaj, le të kënaqemi me kaq pak. Se mund të kishim edhe aspak!”, shprehet z. Buxhuku.

Z. Buxhuku: Si e konsideroni “Pakon e madhe” të qeverisë? Një dhuratë e partisë me paratë e shqiptarëve?

Të gjitha llojet e financimeve nga buxheti i shtetit, në çdo kohë dhe nga çdo qeveri, bëhen vetëm nga para publike. Pra, të taksave, që u merren qytetarëve. Pavarësisht, se ironikisht shiten si dhurata të qeverive për popullin. Edhe rasti në fjalë nuk bën përjashtim. Qeveria do të kishte merita vetëm, nëse financime të tilla janë rrjedhojë e mirëmenaxhimit të buxhetit dhe mosrritja e pagesave të taksave për qytetarët. Por, nuk është ky rasti në fjalë.

Megjithatë, unë do ta vlerësoja një veprim pozitiv, që mund dhe duhet të ishte përdorur më shpesh dhe mbi të gjitha në vlera shumë më të mëdha, sesa “Pakoja e ashtuquajtur e madhe”. Në fakt del, që “Pakoja e madhe”, është shumë e vogël ndaj 500 milionë eurove shtesë në buxhet, që shqiptarëve u janë marrë nga qeveria gjatë vitit 2022 nga rritja dramatike e çmimeve inflacioniste dhe bordeve të transparencës. Është një grimcë ndaj asaj, që duhej dhe mundej. Por, më mirë një herë, sesa asnjëherë!

Mendoni që ka lidhje kjo ndihmë e qeverisë me zgjedhjet vendore të 15 majit?

Në kushtet e krizës globale rishpërndarja e parave “cash” do të duhej të merrte vlerën e një politike oksigjenuese ekonomike lehtësuese, e përdorur më sukses në vendet e zhvilluara, gjatë viteve 2021-2. Por, në Shqipëri siç duket këto përvoja në interes publik nuk kanë asnjë vlerë. Vendimmarrjet politike kujtohen të bëjnë “dhurata” qytetarëve me paratë e tyre, vetëm kur afrojnë zgjedhjet, sikurse janë ato vendore të 2023.

Në rast, se nuk do të kishim fushata zgjedhore, me shumë gjasa edhe “Pakoja e madhe”, sado e vogël është, përsëri do të shkonte për PPP, koncesionet dhe prokurimet pa gara ose me gara të shitura me vlera, deri në qindra milionë euro për rrugë, që gllabërojnë pa fund para të shqiptarëve dhe nuk mbarojnë kurrë, tunele, që prishen pa mbaruar si kalaja e Rozafës, djegës imagjinarë, që nuk ndizen asnjëherë, TEC-e bangladeshas, frankeshtajna mjedisorë, tenderë 3,4,5 herë më të shtrenjtë se të BE, etj. Prandaj, le të kënaqemi me kaq pak. Se mund të kishim edhe aspak!

Qeveria synon të miratojë brenda vitit nismën për amnistinë fiskale dhe atë për pasaportat e arta, të cilat shihen me skepticizëm nga BE-ja. Pse ky nxitim i qeverisë?

Shqipëria, fatkeqësisht dhe fatmirësisht njëkohësisht, është vend me sovranitet të kufizuar. Mos harrojmë, që jemi një shtet me sistem ekonomik dhe politik, që vetëm në formë kanë lidhje me tregun e lirë dhe demokracinë. Varësia e ekonomisë nga monopolet e biznesit politik, informaliteti i gjerë, korrupsioni masiv, sidomos “i kapjes së shtetit/state capture” si dhe prurjet e kapitaleve me burime të dyshimta dhe kriminale, janë rritur në mënyrë dramatike çdo vit, që kalon, në 30 vitet e fundit.

Kjo ka sjellë pashmangshëm edhe kapjen e vendimmarrjes politike, të institucioneve publike, të drejtësisë, si dhe mos lejimin e ndërtimit dhe shuarjen praktikisht të çdo shenje demokracie të mirëfilltë. Pikërisht nga monopolet e bizneseve politike. Në këtë kuptim, nisma të tilla të rëndësishme si amnistia fiskale, përfshirë edhe pasaportat e arta dhe ligjërimin e kanabisit, që prekin drejtpërdrejtë interesat strategjike të shteteve partnere tutore tona, parimisht as nuk duhet të merreshin dhe as nuk mund të kryhen teknikisht pa miratimin e tyre. Dhe aq më pak me kundërshtimin e qartë të partnerëve strategjikë. Në kushte normale kjo do të ishte një akt vetëvrasës politik për nismëtarët dhe shumë i dëmshëm për vendin.

Por, përse Kryeministri Rama dhe qeveria këmbëngul për miratimin e nismave të sipërpërmendura edhe pse qartësisht mungon mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë?

Nëse, e kryejnë, atëherë mendoj, se shpjegimi duhet të kërkohet vetëm nën frikën e ndonjë ndryshimi të shpejtë të pritshëm të vendimmarrjes politike. Dhe kjo, si rrjedhojë e strategjive të ndërkombëtarëve. Nga brenda vendit nuk kanë frikë. Sipas mendimit tim, amnistia kësaj radhe, nga politika në thelb synohet të jetë shumë më tepër penale, sesa thjesht fiskale. Shumë më tepër për pasuritë dhe kapitalet e zeza të korrupsionit politik, që ndodhen, janë krijuar dhe krijohen çdo ditë në vend, sesa për paratë e emigrantëve dhe burimet e tjera, që nuk i ka penguar dhe as i pengon askush të hyjnë dhe përdoren lirshëm në vend.

Kjo të çon në përfundimin, se është pikërisht frika, që dëshpërimisht shtyn vendimmarrjen politike të sotme, të shpresojë se sa është ende në kohë të krijojë kamerdare ligjore shpëtimi të vetën për pasuritë e korrupsionit nesër. Sepse, amnisti fiskale “de facto” pa ligj të posaçëm në Shqipëri është kryer dhe kryhet çdo ditë. Arsye tjetër mund të jetë edhe interesi i grupeve të biznesit politik për të përfituar nga burimet informale të kapitaleve me qëllim ruajtjen me çdo kusht te normave të fitimeve të larta për të zëvendësuar pakësimin e burimet normale të një ekonomie qartësisht në rënie. Gjithashtu, duhet kuptuar, se edhe grupet e fuqishme të nëntokës, që janë në shumë raste pushteti real institucional në territore të gjera gjeografike, mund të ushtrojnë trysni për siguruar mbrojtje ligjore nga përballjet me strategji ndërkombëtare. Strategji, që mesa duket kanë filluar të zbatohen dhe mund të ndryshojnë realitetin vendimmarrës të sotëm në vend, duke i rrezikuar drejtpërdrejt. Mbase, janë edhe të tre arsyet e mësipërme bashkë.

Nismat qeveritare merren ndërkohe, që edhe opozita brenda vendit është tepër e përçarë. Po ashtu, edhe lufta e Ukrainës me Rusinë ka prishur ekuilibrat botërorë. Mendoni, që edhe këto zhvillime do përdoren për miratimin e nismave ligjore?

Pikërisht! Kushtet e mësipërme siç duket janë përllogaritur nga nismëtarët e ekzekutivit si koha e duhur për të mos pasur kundërshtimin e fuqishëm të partnerëve ndërkombëtarë. Shto këtu edhe vrimat e korrupsionit, që nuk mungojnë edhe në shtetet demokratike partnere. Të gjithë e pamë se çfarë ndodhi me deputetët e BE-së në Bruksel, së fundmi! Ndërsa, për faktorët politikë të vendit nuk shqetësohen.

Nuk ka asnjë arsye në fakt për të pasur. Këtu dua të sqaroj diçka. Përplasja e vërtetë politike në Shqipëri ka filluar dhe do të jetë gjithmonë e më e fortë në vazhdim, jo ndërmjet partive politike, por grupeve kundërshtare të biznesit monopolistik politik tashmë të krijuara. Deri më sot, paqja e tensionuar e tyre është arritur, vetëm, sepse burimet ekonomike, financiare, natyrore dhe të mirat publike të shpërndara bujarisht nga vendimmarrja politike, kanë mjaftuar për ti kënaqur përgjithësisht të gjithë grupet monopoliste. Por, modeli ekonomik shqiptar i monopoleve ka ulur shumë eficiencën e përdorimit të burimeve të mëdha natyrore, gjeostrategjike, financiare dhe njerëzore të Shqipërisë.

Ekonomia kombëtare është varfëruar dhe nuk prodhon më burime rritje të mjaftueshme. Pakësimi objektiv i burimeve publike të dhuruara grupeve monopoliste, rrezikon përplasje me pasoja të paparashikueshme ndërmjet tyre. Sistemi anti-treg dhe autokratik i ndërtuar në Shqipëri është i tillë, që i kthen përplasjet e tyre në vetë asgjësuese me njëri-tjetrin të tipit “Far West”. Shumica dërrmuese e monopoleve të sotme të biznesit politik shqiptar janë të paafta të mbijetojnë në kushtet e tregut të lirë normal, konkurrencës, si dhe vendimmarrjeve të një sistemi demokratik antikorrupsion. Të gjithë bashkë monopolet, nëntoka dhe përfaqësuesit politikë të tyre, janë penguesit e vërtetë të vonesave ,proceseve integruese të vendit në BE. Sistemi i ngritur do të shkrihej shpejt.

Sa shqetësuese është për bizneset e vendit dhe të huaj korrupsioni që ka përfshirë sistemin gjyqësor, prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, ekonomia informale dhe ndryshimet e shpeshta të sistemit të ligjeve?

E shpreha edhe me sipër, se problemi kryesor i bizneseve, veçanërisht industrive dhe sipërmarrjeve prodhuese është rrënimi gjithmonë edhe më i dukshëm i konkurrencës në treg. Grupet monopoliste të biznesit politik me metoda antitreg, gjendjeve monopol, prokurime korrupsioniste “state capture” të investimeve buxhetore, zaptimin e burimeve natyrore, financiare, licencimeve, PPP, koncesioneve, përdorimin e agjencive publike si private, etj., prodhojnë dhe zotërojnë shuma kolosale parash, që në kushte normale është e pamundur të krijohen. Shto këtu edhe sasitë e mëdha të parave informale të të gjitha llojeve, që vijnë nga jashtë dhe prodhohen nga brenda. Në këtë pikë merr fund loja e ndershme në treg.

Gjithmonë e më shumë me metoda “dumping” sipërmarrjeve të ndershme, që kanë shumë vite në treg rrezikohet tu merret lehtësisht biznesi. Shembuj të tillë kanë filluar të shtohen dhe kjo është shumë shqetësuese. Nëse, kjo gjendje vazhdon mund të rrezikojmë të kalojmë plotësisht nga ekonomia e përqendruar socialiste shtetërore e para 30 viteve në ekonominë monopoliste private. Ose më qartë nga diktatura komuniste ne diktaturën e monopoleve! Problematike për bizneset është edhe paaftësia institucionale e bërjes dhe zbatimit të politikave në mbështetje të prodhimeve dhe industrive vendore. Korrupsioni i sistemit të drejtësisë dhe paqëndrueshmëria me zbatimin e keq të ligjeve nga ekzekutivi është tjetër problem. Për tu shënuar është edhe paaftësia ose mosdashja institucionale e ndërtimit të politikave tregtare, që mund të përballojnë agresionin “dumping” të mallrave dhe shërbimeve të huaja ndaj atyre vendore. Aq më shume kjo është e dukshme tashmë, që Shqipëria ka filluar procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Katër vjet pasi i shpalli të paligjshme lojërat e fatit, Kryeministri Rama tha se aktiviteti kishte vazhduar njësoj në të zezë, duke pranuar dështimin e qeverisë për ndalimin e aktivitetit, si dhe legalizimin e basteve online. Rama premtoi mbylljen e tyre, ndërkohë që tani rihapen. Pse ky ndryshim…?

Personalisht nuk jam kundër rifillimit të biznesit të lojërave të fatit. Është më mirë të ligjërohet një proces, që shteti nuk kishte as mundësinë dhe mesa duket as dëshirën ta mbyllte realisht. Problematik është fakti, se përse vendime të tilla merren pa asnjë vlerësim të thelluar paraprakisht. Shpresoj, që të mos ketë qenë një strategji e menduar, që një biznes miliardash tu merret disave dhe tu jepet disa të tjerëve. Kjo do të ishte shumë e rëndë. Për të shuar çdo dyshim për sa më sipër, qeveria mund të kthente ligjërisht biznesin e lojërave të fatit, sipas shembullit të shteteve demokratike të BE dhe më gjerë, në monopol publik për sa i përket pronësisë dhe menaxhimit. Mendoj, se kjo do të ishte mënyra më e mirë, duke pasur parasysh edhe ngjarjet tragjike të kohëve të fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura