INTERVISTA/ “Nuk jam këtu me pushime”- Yuri Kim: Reforma në Drejtësi ka sukses kur të mos ketë politikanë që kërkojnë ndjekje penale me emra specifikë

May 13, 2022 | 9:47
SHPËRNDAJE

ENI VASILI/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, apelon për drejtësi të pavarur, eliminim të krimit dhe korrupsionit, si dhe sundim të ligjit. E ftuar mbrëmë në emisionin “Open” në “News 24”, Kim foli për reformën në drejtësi dhe pandëshkueshmërinë, teksa iu përgjigj akuzave të opozitës së po kalon kufirin diplomatik.

280744193_368037965351367_300825529324344977_n

Por, ambasadorja bëri të qartë se askush nuk duhet të gabojë dhe se ajo përfaqëson Presidentin e SHBA-së dhe flet në emër të tij. Nisur nga ky fakt znj. Kim thotë se “do të vazhdojmë t’iu kërkojmë llogari atyre që janë përfshirë në korrupsion”.

Diplomatja amerikane vlerëson reformën në drejtësi, por çdo pushtetari të korruptuar i kujton se nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit. Yuri Kim flet edhe për shpalljen “non grata” të Berishës, teksa shprehet se nuk do të ketë zmbrapsje të vendimit as në rast të ndryshimit të qeverive në SHBA.

Ajo u shpreh se deri më sot 200 persona janë shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe asnjë prej tyre nuk është anuluar. Kim foli edhe për dorëheqjen e ish-kryedemokratit Lulzim Basha.

“Jo. Siç e dini, ne nxorëm një deklaratë kur z. Basha dha dorëheqjen, duke shprehur respekt për vendimin e tij”, tha Kim.

Ajo iu përgjigj edhe kritikave të opozitës për ndërhyrje në punët e brendshme të partisë dhe qëndrimet jo të forta ndaj aferave të qeverisë. Yuri Kim vuri në dukje se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha nivelet e qeverisë.

Znj. Ambasadore, a është Shqipëria në rrugën e duhur për ngritjen e institucioneve të drejtësisë?

280741460_368695995285564_9101535476879098410_n

Kjo është një rrugë shumë e vështirë por ne besojmë se jeni në rrugën e duhur dhe e shihni këtë të reflektuar në raportimet tona, e shihni të reflektuar në progres-raportet e BE-së. Sigurisht, edhe një herë, nuk do të thotë se çdo gjë është 100% dhe çdo gjë shkon sahat.

Është e qartë që ka fusha ku duhet përparim dhe prandaj themi se, për shembull për reformën në drejtësi, nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po bën përparim. Kur korrupsioni të eliminohet dhe njerëzit të ndjejnë se e merr një vend pune sepse je i kualifikuar, jo sepse je nipi i këtij apo atij dhe vajza e këtij apo atij, gruaja e këtij apo atij dhe burri i kësaj apo asaj, por e merr bazuar në merita.

Ky vend ka kaq shumë talent dhe ne si ShBA urojmë që korrupsioni, krimi i organizuar, gjykatat e korruptuara të eliminohen në mënyrë që potenciali, madhështia e popullit shqiptar të çlirohet, në mënyrë që të jeni edhe një mik më i mirë dhe një partner më i mirë për ne.

Kryeministri Rama ditët e fundit ka bërë disa deklarata, akuza le t’i quajmë, kritika të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që të hetojnë kundërshtarët politikë, Berisha dhe Meta. Çfarë do ta konsideronit ju këtë, një shkundje ekstreme, të justifikuar, apo ka diçka që nuk shkon te ndarja e pushteteve, një shkelje nëse mund ta quajmë të tillë?

Fola për këtë pak ditë më parë, kur ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e SHBA-së është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë.

Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, te prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.

Por, a po e delegjitimon fakti që nuk ka ende një bilanc nga SPAK-u për çështjet e korrupsionit që ju i përmendët pak më parë si një nga mënyrat për ta shpëtuar vendin dhe për ta bërë mik të denjë edhe të SHBA, mungesa e arrestimit të peshqve të mëdhenj, siç ambasadorët e tjerë përpara jush deklaruan se do të ndodhte?

Kam sjellë disa fakte, sepse mendoj që ka shumë njerëz që, për çfarëdo arsyesh, duan të thonë që reforma në drejtësi po dështon, ose që SPAK nuk po funksionon. Do t’ju them se në bisedat e mia me shqiptarë të zakonshëm, jo njerëz me tituj të bukur apo vila të bukura a shtëpi të bukura, por shqiptarë të zakonshëm. E dini ç’më thonë? Se besojnë në punën e SPAK-ut dhe që më në fund shohin rezultate reale të vijnë nga reforma në drejtësi.

E dini pse e thonë këtë? Sepse ja faktet: Çështjet kundër grupit të Emiljano Shullazit, kundër grupit Avdyli, ky është grupi i Shijakut, grupi i Petrit Sulejmanit, grupi i Esat Mehmetit, grupi i Admir Hoxhësdhe grupi Ndoka u dënuan me vendime të formës së prerë. Grupe të tjera kriminale të rrezikshme janë nën hetim dhe gjykim. Grupi i Durrësit, grupi famëkeq i Durrësit është në Gjykatë.

Kur thoni se shkojnë pas të vegjëlve, ju vë në dukje këtë: Ish-ministri i Brendshëm, ishprokurori i Përgjithshëm, dy ish-kryebashkiakë janë dënuar me vendim të formës së prerë. S’ka pikëpyetje, janë dënuar. Një ish-ministër i Mjedisit, një deputet në detyrë dhe shumë zyrtarë të tjerë, në ministri të ndryshme janë nën hetim për çështjen e inceneratorëve.

Gjykatës dhe prokurorë u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë për kundërvajtjen penale të korrupsionit, s’po përmend emra, mund t’i kërkoni vetë. Gjykata e Shkallës së Parë dënoi të gjithë strukturën qendrore të shtetit që kryente prokurimet publike në emër të të gjitha institucioneve shtetërore, kjo ka lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit. Janë në gjyq për korrupsion, shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë të të ardhurave.

Të tjerë Gjykatës dhe prokurorë po ashtu janë nën hetim. Tri kryebashkiakë janë në gjyq tani. 190,000 metra katrore tokë në Gjirin e Lalzit u konfiskuan. Disa çështje të tjera penale janë nën hetim për shpërdorim kryer kundër pronave të tjera publike. Po ju them disa statistika vetëm nga viti 2021: u kryen 715 procedime penale kundër 519 të dyshuarve; 239 persona të akuzuar u çuan në gjyq, nga të cilët 84 për krim të organizuar, 96 për korrupsion, 59 për kundërvajtje të tjera; u dënuan 230 të pandehur, nga të cilët 94 për krim të organizuar dhe 136 për korrupsion dhe kundërvajtje të lidhura me të; asete me vlerë mbi 70 milionë euro janë konfiskuar dhe transferuar tek shteti për t’u përdorur nga publiku.

Këto janë fakte reale. Këto janë fakte reale dhe nëse i krahason këto të dhëna me të mëparshmet, mendoj është shumë e qartë se po ndodh përparim dhe njerëzit e zakonshëm e kuptojnë këtë.

Pritshmëria është shumë e madhe nga SPAK-u, sepse pandëshkueshmëria ka qenë shumë e madhe në Shqipëri. Ndaj priten zyrtarë të lartë. Gjithçka ju listuat është e vërtetë, shumë ish-funksionarë ndër ta, kush prej tyre ju do ta konsideronit peshku i madh që plotëson atë pritshmëri të madhe të qytetarëve për zyrtarë të lartë, aktualë, jo ish?

Mendoj se ky është një proces dhe merr kohë. Përsëris, reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po shohim përparim. Do t’ju pyes: kur ishte hera e fundit që dy ministra të partisë qeverisëse u futën në burg? Kur ishte hera e fundit? Më duket se s’ke ndonjë përgjigje të mirë për këtë.

Kur ishte hera e fundit që deputetë janë hetuar dhe iu janë konfiskuar pronat? Nuk më duket se ke ndonjë përgjigje të mirë as për këtë.

Dhe e di që tani, prirja është që të përpiqesh të numërosh sa nga kjo anë dhe sa nga ajo anë dhe mendoj që ajo që SPAK-u dhe elementët e tjerë të institucioneve të reformës në drejtësi duhet të tregojnë është që janë të pavarur, që funksionojnë me integritet, dhe se po zbatojnë ligjin. Sundimin e ligjit. Askush mbi ligjin.

Në fakt, Kryeministri Rama siç e thashë pak më parë, duket se paska një mendim tjetër në lidhje me këtë. Do ta quanit që po ushtron presion politik ndaj SPAK-ut?

Mendoj se ka mënyra të ndryshme për të shprehur mbështetje për reformën në drejtësi dhe mendoj që e kam shprehur pikëpamjen e SHBA për këtë çështje shumë qartë.

Futemi në situatën e krijuar tani mes jush ose më saktë DASH-i dhe Z. Berisha. Së fundi, një peticion online i disa qytetarëve shqiptarë i është drejtuar DASH-i, duke thënë se përfaqësuesja e SHBA-së, pra ju, duhet t’i përmbahet statusit diplomatik dhe peticioni mbyllet me thirrjen, “Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough!”. Cili është opinioni juaj…?

Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin.

Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë, mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu. Unë përfaqësoj Presidentin e SHBA dhe flas në emër të ShBA.

Mendoj që Sekretari i Shtetit, Presidenti kanë qenë shumë të qartë për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit dhe, në fakt, qershorin e kaluar, Presidenti Biden nxori një deklaratë që shprehej se lufta kundër korrupsionit është interes i sigurisë kombëtare të ShBA, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ndaj, mos gabojë kush, do të vazhdojmë t’iu kërkojmë llogari atyre që janë përfshirë në korrupsion.

Çështja tjetër është kjo, nëse është pjesë e kufirit tim diplomatik këtu. Patjetër që është. Unë nuk e sajoj vetë përshkrimin e punës time. Unë kam një numër objektivash specifike që më kërkohet të arrij, si përfaqësuese e SHBA dhe unë jam një nëpunëse publike e përkushtuar. Do të vazhdoj ta bëj punën time sipas udhëzimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Nga një pjesë e opozitës, dy janë kritikat që ju drejtohen: që ju kërkoni të caktoni drejtuesit e saj me ndërhyrjet tuaja, duke ndërhyrë në punët e brendshme të opozitës, dhe nuk keni mbajtur qëndrime të forta ndaj aferave të qeverisë. A keni një koment për këtë?

Mendoj se gabohen, me gjithë respektin, janë gabim. Ne nuk u themi njerëzve se për cilin të votojnë, qoftë në zgjedhje apo brenda në parti. Ajo që ne bëjmë është të japim faktet dhe bëjmë të qartë se cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Por në fund, si drejtohet dhe cili e drejton këtë vend është një vendim i popullit shqiptar.

Po, por sipas të gjitha gjasave, më 22 maj, Z. Berisha pritet të zgjidhet kryetar i PD-së. Si e prisni këtë rikthim të Berishës?

Qëndrimi i SHBA-së për personat të cilët janë shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë është shumë i qartë. Prandaj nuk do ta përsëris sërish.

Por, a mund të na thoni se cilat do të ishin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga Berisha?

Qëndrimi i SHBA mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë.

Z.Berisha ka deklaruar se dizenjimi mund të anulohet nëse ndryshon administrata në Shtetet e Bashkuara. Sa e vërtetë është kjo?

Mbi 200 persona janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsioni domethënës dhe iu është ndaluar hyrja në SHBA, atyre dhe familjarëve të tyre. Nga këta, zero raste janë zmbrapsur. Nuk mendoj se është realiste të mendosh se një ndryshim i qeverisë do të ndryshonte disi faktet. Faktet janë të qarta dhe mendoj se çdo shqiptar i kupton faktet.

Gjithsesi, u zhvilluan disa zgjedhje të pjesshme lokale më 6 mars. Një kritikë tjetër që ju bëhet gjithmonë nga kjo pjesë e opozitës ka të bëjë me votën e 6 marsit. Nga kjo vote iu dha prej demokratëve një mbështetje Komisionit të Rithemelimit dhe z. Berisha. Gjithmonë nga kjo pjesë e opozitës vjen kritika se ju jeni kundër vullnetit të demokratëve, pra shumicës së tyre. Keni një koment?

Mendoj se votuesit shqiptarë kanë të drejtën që t’i marrin vetë vendimet e tyre. Ne do të shpresonim që ata do t’i merrnin vendime te tyre, duke marrë në konsideratë të gjitha faktet e disponueshme.

A keni ju një koment apo qëndrim për dorëheqjen e ish-kryetarit, z. Basha?

Jo. Siç e dini, ne nxorëm një deklaratë kur z. Basha dha dorëheqjen, duke shprehur respekt për vendimin e tij.

Raporti i fundit i DASH-it për vendin tonë thotë se korrupsioni është i pranishëm në çdo degë të qeverisjes. Së pari, në një vështrim të përgjithshëm, si e gjykoni ju qeverisjen e z. Rama?

Ashtu siç e thashë më parë, ka shumë hapësira përparimi midis SHBA-së dhe Shqipërisë. Por, ka edhe hapësira në të cilat ne duam të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë për përmirësim. Korrupsioni është një prej këtyre çështjeve.

Nuk mendoj se çudit askënd ajo që shkruhet në raportet tona, që korrupsioni është një problem në të gjitha nivelet e qeverisë. Ndaj mendoj se ka veprime që duhet të vazhdojnë të ndërmerren dhe të shpeshtohen për t’u përballur me këtë problem. Po shohim diçka të tillë dhe mund t’ju siguroj se ShBA do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me qeverinë, opozitën, OJQ-të, me cilindo që është palë, për t’u përpjekur për përmirësimin e situatës.

© Panorama.al

Te lidhura