Intervista/ Nga Sado Koshena e gruaja e komandantit Toto Hosi, te qëndistarja e flamurit, Historiania: Jo vetëm me burra, kush ishin katër gratë e Luftës së Vlorës

Sep 3, 2020 | 11:25
SHPËRNDAJE

Fatlinda Shkurti, historiane1ANILA DEDAJ/Pushtuesit italianë luftonin për territore të reja, ndërsa shqiptarët për të mbrojtur atdheun. Ndoshta qe ky shkaku i asaj fitoreje të Luftës 3-mujore të Vlorës njëqind vjet më parë, ku vendësit kishin vetëm mbështetje morale nga disa prej forcave të huaja dhe flakën e dashurisë për tokën e tyre.

Lufta e Njëzetës konsiderohet nga historianët si më vendimtarja për fatin e Shqipërisë, si Rilindja e Pavarësisë, që ishte e shpallur vetëm prej 8 vitesh. Për këtë ngjarje me peshë të historisë sonë u mbajt dje në Vlorë konferenca shkencore “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e pavarësisë”, ku morën pjesë Presidenti Ilir Meta, akademikë, historianë etj., si dhe Kryeministri Rama në ceremoninë përshëndetëse.

Për më shumë se një shekull, ndonëse lidhur me këtë ngjarje përmenden komandantët e burrat luftëtarë, disi më në hije janë lënë gratë, të cilat siç shpjegon historiania Fatlinda Shkurti për “Panoramën”, kanë pasur një rol vendimtar në mbështetje të luftës në prapavijë, por edhe në front.

Cili ka qenë roli i grave në përgatitjen për këtë luftë dhe gjatë saj dhe sa është njohur në tekste historike veprimtaria e tyre?

Në Luftën e Vlorës, pjesëmarrja dhe roli i grave ishte shumë i rëndësishëm dhe domethënës. Ishin ato gra që do të përgatisnin dhe ndihmonin burrat e bijtë e tyre në këtë luftë. Zekrie Krasta iu përgjigj thirrjes së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Vlorës dhe me dymbëdhjetë infermiere erdhi në këto brigje, ku zhvilloheshin betejat e ashpra dhe doktorët Shezai Çomo e Ali Mihali i çuan në spitalin e Kotës, ku u shërbyen 780 luftëtarëve të plagosur. Në literaturën historike që flet për Luftën e Vlorës mësojmë se në Llogora ishte përqendruar një batalion bersalierësh dhe Batalioni IV alpin, të cilët ishin të pajisur me artileri e armë speciale…. Në luftimet e rrepta të Llogorasë morën pjesë edhe gratë e Dukatit, por u shqua për guxim e trimëri të rrallë Sado Koshena.

Lufta e Vlores-foto

Çfarë e dallonte Sado Koshenën nga gratë e tjera që morën pjesë në luftë?

29 maj 1920. Sadoja ishte 65 vjeçe. U krijua çeta e Dukatit. Vullnetare e parë, Sadoja, me tre djemtë e saj. Ago Agaj shkruan: Fuqitë tona në Llogara patën një ndihmë morale e materiale të pashoqe: gratë e Dukatit u lëshuan me vrull e guxim të pashoq, u ngarkuan me fishekë dhe sa kohë që zgjati përpjekja, ato vazhduan t’u shpinin në ballinë (frontin e luftës) e pa u ruajtur nga plumbat që u vinin si breshër. Shembulli i këtyre grave u dha shumë guxim burrave dhe s’është as e para dhe as e fundit herë që gratë tona tregojnë një heroizëm, që nderon racën shqiptare dhe si më dukët mua, -thotë autori, – është themeli i ekzistencës tonë si komb. Dukati u nderua nga gruaja sypatrembur, trimëresha Sado Koshena, për të cilën shkruhet: Ajo u derdh prapë me trimëri të rrallë. Ishte grua shtatmadhe e zemërçelike, të cilën muza popullore e ngriti në piedestalin e pavdekësisë. “Për çlirim të Shqipërisë. Për Vlorën e Labërinë/Për nënën që u dha sisë/U ngritën burra e gra/Mbi të gjithë: Sadoja/ Kudo shtiu, bosh s’i ra/S’ish grua, po ezhdërha/Mbi armiq bëri hata. Ka edhe materiale të tjera që flasin për rolin aktiv të kësaj gruaje dhe në përgjithësi të gruas shqiptare në Luftën e Vlorës. Sado Koshena ka marrë pjesë edhe në LANÇ, ajo vdiq në moshën 100-vjeçare në vitin 1955.

Pati figura të tjera femërore që spikatën?

Flutura e Llogoreve – Rubi Hosi nga Bolena ishte e shoqja e komandantit trim, Toto Hosi, i cili vdekjen do ta bënte simbol të trimërisë labe. Po nga kjo trimëri kishte marrë edhe e shoqja, prandaj s’i rrihej larg tij, larg vëllezërve që luftonin. Lufta e Vlorës nuk dihej sa do të zgjaste e ajo një ditë u duk në front poshtë Drashovicës. Motra, – kështu i thërrisnin bolenasit. – Si dole ti këtu? – e pyetën. Ajo shkarkoi bukë e ujë për luftëtarët. Ata edhe u mërzitën, por edhe u gëzuan për të. Po sikur të vritej? Luftimet vazhduan në Sherishtë, Kallafet, afër Kaninës. Luftëtarëve u pëlciste buza për ujë. Rubia fluturonte nga llogorja në llogore, nga burimi te pozicionet, me vockën në krahë e me okaren në dorë. U jepte ujë luftëtarëve… Pyeti për të shoqin. “Ra si heronjtë”, – i thanë. Ajo briti nga hidhërimi… u ngrit vrer e zjarr në fytyrë e kërkoi armën. Të gjithë shtinin nga llogoret. Edhe Rubina. Shtinë, vranë e shkulën armiqtë nga pozicionet. Muza popullore e përjetësoi këtë luftëtare trime.

Mandej është heroina Qeriba Derri, e cila lindi më 1905 në Matogjin të Smokthinës. Mbeti jetime e kaloi një fëmijëri të vobektë. Në vitet 1911-1915 ishte nxënëse e Halim Xhelos në shkollën e fshatit Matogjin. Vizioni i këtij burri demokrat e patriot do t’i printe në jetë demokrates së shquar. Luftës së 1920-ës, demokratja e re i dha ndihma të ndryshme. Që aty nga fshati malor mblidhte ushqime e veshje për luftëtarët që luftonin qafave të Vlorës… Veprimtaria e saj ka vazhduar edhe pas Luftës së Vlorës, 1930- 1939 në Francë, ku u dallua për veprimtari atdhetare dhe u lidh me rrethet patriotike, u kthye në atdhe dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, derisa u pushkatua në prill të viti 1944. Rapsodët, ata gojëtarë të kujdesshëm e të pashterur, na kanë lënë mjaft këngë të vlefshme për këtë luftë heroike dhe një prej tyre dëshmon qartë për ndihmën që iu dhanë gratë luftëtarëve”. Eni shoqe t’u ndihmojmë/Vëllezërve që lëftojnë/ T’u shpiem uj’e fyshekë/T’u hapim nga një hendekë.

Marigo Posio
Marigo Posio, qëndistarja e flamurit

Pra, gratë nuk e ndihmuan luftën vetëm materialisht. Ato morën edhe vetë pjesë në luftë me pushkë në krah.

Kur i pa gratë maleve me pushkë në krah, agjenti i Italisë, Ulise Bozua, i cili vajti në Drashovicë si i deleguar për të rënë në marrëveshje me krerët e mbrojtjes kombëtare, iku prej andej i tmerruar dhe u kthye te padronët e tha: O mbret, qysh do ia bëjmë na/Albania është e fortë/ Lëftojnë burra dhe gra.

Ç’mund të thuhet për bashkëpunimin e Marigo Posios, qëndistares së flamurit me luftëtarët vlonjatë?

Qëndistarja e Flamurit, Marigo Posio, e lindur në Korçë në vitin 1878. Që në vogëli deklamonte poezi rilindëse, u mësonte shokëve shkrim e këndim. Në fillim të shekullit të XX, turqit ndiqnin atdhetarët korçarë. Kështu që, familja e Marigosë erdhi në Vlorë më 1904. U lidh me patriotët vlonjatë, të cilët shpejt e quajtën zonja atdhetare. Veprimtaria e saj spikati në dy drejtime: luftën për çlirim e përparim dhe emancipimin e femrës shqiptare. Banesa e saj u bë shtëpi-shkollë, një klub tjetër krahas asaj të Labërisë. Ndihmoi edhe në Luftën e Vlorës e pas saj…/ Panorama.al
Marigo Posi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura