INTERVISTA/ Nga rinovimet tek objektivat, flet “Bosi” Kahn: Bajerni është një kockë e fortë

Jan 27, 2022 | 22:46
SHPËRNDAJE

Tani po flet “Bosi”! Në një intervistë të zhvilluar për “Bild”, CEO i Bajernit të Mynihut, Oliver Kahn, ka folur për situatën në shtëpinë e kampionëve. COVID-i, titulli dhe merkatoja, ish-kapiteni i bavarezëve ka një përgjigje për të gjitha.

kahn

Përse dështoi rinovimi me Zylen?
Bisedimet me të kanë kohë që po zvarriten dhe kjo jo për fajin tonë. I kemi bërë një ofertë Niklasit, këtë ai e ka refuzuar duke na thënë se në fund të sezonit dëshironte të largohej.

Edhe presidenti u mundua, por me sa duket, ai kërkon një aventurë të re. Kështu e ka futbolli, duhet të respektojmë çdo vendim që merret nga një lojtar yni.

 

 

Lojtari u ankua për nënvlerësim, është e vërtetë?
Oferta që i bëmë lojtarit ishte e mirë. Të gjithë kemi parë atë çfarë ka bërë ai në këtë sezon dhe në ato që kanë kaluar. Ai ka qenë dhe është një lojtar shumë solid, luan me zemër dhe në mbrojtjen tonë ka qenë një faktor i rëndësishëm.

Por të gjithë duhet ta kuptojmë që në këto kohë të vështira, edhe ne kemi limitet tona financiare. Ndonjëherë nuk mund të gjetet gjuha e përbashkët nga të dyja palët, kjo është pjesë e punës që bëjmë.

Por, në fund është lojtari ai që vendos, kështu ndodhi dhe me Alabën.

Kush do të jetë zëvendësuesi i tij?
Jemi duke parë çdo mundësi që do të na përshtatej. Për momentin nuk ka asnjë emër pasi në pozicionin e Niklasit kemi lojtarë shumë të mirë. Por nëse do të vijë një mundësi e mirë, do të veprojmë menjëherë.

Ju shqetëson fakti që shumë lojtarë po largohen me parametra zero?
Kjo nuk po ndodh vetëm te Bajerni i Mynihut. Lojtarët që ikin me parametra zero janë kthyer në modë. Këto janë të gjitha pasojat e pandemisë, të paktën një prej tyre.

Por kjo ka dhe diçka të mirë, në krahun tjetër shumë skuadra kanë mundësi të marrin lojtarë të mirë pa para, ndoshta dhe ne do të kemi të njëjtin fat.

Për një skuadër si Bajerni, kjo anon më shumë nga ana pozitive.

Si është situata me Tolison?
Ai ka vuajtur shumë nga dëmtimet, por tani është rikthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm. Koha po tregon se është një lojtar me shumë cilësi, i denjë për këtë skuadër.

Jam shumë i lumtur për të, të shohim se çfarë do të vendosë lojtari deri në fund të sezonit.

Sa ju gëzon rikthimi i tifozëve?
Ishte një hap i parë, 10 mijë tifozë është një shifër e madhe krahasuar me 0. Lojtarët nuk do të jenë vetëm. Shpresoj që situata të ndryshojë dhe në javët në vazhdim numri i tyre në stadium të rritet.

Nëse rregullat do të zbatohen me rigorozitet, atëherë nuk shoh asnjë arsye përse tifozët të mos rikthehen të plotë në stadium.

Sipas të dhënave, nuk ka asnjë indicie që ata (tifozët) të jenë shkaku kryesor për përhapjen e virusit.

Si shkoi takimi me ministrin e Shëndetësisë?
Shfrytëzova udhëtimin në Berlin për të folur me ministrin. Është një situatë jo e lehtë për të gjithë, kjo na e bën më të vështirë për të kuptuar masat që merren.

Mendoj që një ditë do të duket edhe drita e diellit në fund të horizontit. Shpresa për të dalë nga kjo pandemi është e madhe.

Mundohem të jem sa më i saktë me parashikimet pasi nuk dua të dal në asnjë konkluzion.

Çfarë u diskutua konkretisht?
U mundova të merrja një përgjigje se përse në sporte të ndryshme lejohen 750 tifozë, në një tjetër 1500 dhe në disa të tjera 15 mijë dhe pse të gjitha këto sporte kryhen me dyer të mbyllura.

Ky sistem për mua nuk ka asnjë kuptim. Doja të dija për planet që ka qeveria për të ardhmen e futbollit, avantazhet e të luajturit jashtë dhe rreziku që vjen nga prania e tifozëve, shumica e të cilëve është e vaksinuar me dy doza.

Si mund t’i përshkruani 6 muajt e parë si drejtor ekzekutiv?
Kam ardhur në janar të 2020-ës, edhe pse në një rol tjetër. Përjetova të gjithë kohën e pandemisë. Kjo më ka ndihmuar të përgatitem për detyrën e re.

Karl Hainc Rumenige më ka ndihmuar shumë, më ka treguar se sa ndryshe është të punosh për Bajernin në fushë dhe në zyrë. Kemi arritur të bëjmë progres në shumë gjëra dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë.

Si është situata e rinovimit me disa prej yjeve të skuadrës?
Të gjithë e dinë se për kë bëhet fjalë. Nuk ka rëndësi nëse është Manuel Nojer, Robert Levandovski apo Tomas Myler. Të gjithë janë lojtarë që kanë shkruar histori me Bajernin. Kuptohet që qëllimi ynë është të rinovojmë me të gjithë këta lojtarë. Rinovimi i tyre është primar në axhendën tonë.

Si është situata me Levandovskin?
Robert Levandovski është një fenomen, jo vetëm falë golave të tij të cilët janë si buka e përditshme për skuadrën tonë. Niveli që po tregon vit pas viti është për t’u admiruar.

Mund ta imagjinoj shumë mirë që Robert të luajë në këto nivele edhe për 3-4 sezone. Ai garanton 25-30 gola në sezon. Në njëfarë mënyre ai është një sigurim jete për skuadrën tonë.

Do të bëjmë çdo gjë që Leva të vazhdojë karrierën në Mynih me skuadrën tonë.

Jeni interesuar për Halandin?
E kam thënë shumë herë që nuk më pëlqen të flas për lojtarë që janë në kontratë me një klub tjetër. Çdo fjalë imja do të keqpërdorej.

Do të merrni hapa ligjorë për tifozët të cilët nuk lejohen në stadiume për shkak të masave?
Duhet ta kuptojmë që disa gjëra nuk kanë sens. Rregullat nuk kanë sjellë asnjë ndryshim dhe për këtë arsye nuk i shoh ato si primare.

Përse të vazhdojmë kështu?
Qeveria dhe ekspertët duhet të ulen sërish për të folur për këtë gjë. Në fillim të pandemisë kemi qenë të parët që kemi respektuar masat dhe kjo pasi e dinim që do të ishte për të mirën e njerëzve, edhe pse financiarisht futbolli mund të falimentonte para një sezoni.

Sa do t’ju ndihmojë marrëveshja e re me “DAZN”?
Këtë nuk mund ta them këtu. E drejta televizive për futbollin nuk është e lirë. Nuk mund të them asgjë nëse oferta e “DAZN” është e ulët apo e lartë, për këtë do të konsultohem me ekspertët.

Fakti që tifozët nuk e kanë pritur mirë, më bën të dyshoj për disa gjëra. Ashtu siç e thashë, do të flas me njerëz të tjerë dhe do të bëjmë vlerësimet tona.

Mendoni se njerëzit po largohen nga futbolli?
Mundohem të jem gjithmonë i kujdesshëm, besoj në gjithçka që shoh vetë, edhe pse shifrat për momentin janë të qarta.

Sigurisht që nëse në stadium janë 100 tifozë të Bajernit dhe 1900 të Hertës, spektakli nuk është i garantuar. Por nuk mund të them për një largim me dashje të tifozëve. Shoh që ata nuk kanë zgjedhje tjetër.

Do të rinovojë Salihamixhiç?
Kam shumë vite që punoj me Brazon. Kemi një marrëdhënie të ngushtë, më pëlqen shumë të punoj me të. Jam befasuar se sa shpejt ai është bërë një njeri i rëndësishëm i klubit tonë.

Nëse do t’i hidhnim një sy listës së lojtarëve që janë te ne, mund të dallosh punën e bërë nga ai.

Mund ta mendoj shumë mirë një bashkëpunim me të edhe për vitet e ardhshme.

Sa ju ka befasuar Nagelsman?
Juliani është një njeri shumë i relaksuar kur e sheh nga jashtë, por brenda vetes ai zien. Ajo që ka rëndësi për ne është mënyra se si punon.

Jam befasuar, sa shpejt ai ka hyrë në mendjen e lojtarëve duke i bërë ata ta ndjekin në idetë që ka për lojën.

Mund ta dallosh në fushën e lojës, mënyrën e lojës që Juliani ka implementuar në klubin tonë.

Akuzoheni për prezencën e pakët në media…
Është gjithmonë një çështje e interpretimit të punës që bën. Kam shumë detyra, që nuk bëhen në publik. Nuk mund të marr gjithmonë një kamerë dhe të publikoj punën që bëj.

Çfarë mendoni për reformën e Champions-it në 2024?
Kur sheh ndeshjet e Champions-it, mund të kuptosh që ky format ekziston prej shumë vitesh. Është diçka që e kemi adhuruar prej vitesh dhe t’ju them të drejtën se jemi mësuar.

Ideja është që formati të ndryshojë në atë mënyrë që gara të bëhet sa më interesante.

Për momentin nuk duam t’i shohim gjërat negativisht, edhe pse do të jenë ndryshe. Më pëlqen të surprizohem për mirë.

Si është pozicioni juaj për limitet e pagave?
Mendoj që ishte shumë e nevojshme për të vendosur një limit për sa u përket pagave dhe shumave që shpenzohen. Kjo është jetike për një klub, nuk mund të shpenzosh shuma të mëdha për dikë që është i panjohur vetëm se ka një menaxher të mirë.

Futbolli vjen nga rezultatet, sa më të mira të jenë, aq më të larta shifrat.

Bajerni ka arritur të bëjë disa ndryshime në këtë fushë duke marrë pëlqimin e të gjithëve. Është një model që është menduar mirë nga ekspertët tanë dhe që po jep frytet e tij.

Mund të luajë Manuel Nojer deri në moshën 40- vjeçare?
Po, s’kam asnjë dyshim për këtë gjë. Manueli është duke thyer shumë rekorde duke mos lënë asgjë për të tjerët. Njëherë i thashë që mund të na linte një rekord apo tjetrin.

Por ai është ashtu siç është Bajerni i Mynihut kur vjen puna te trofetë, i pamëshirshëm. Edhe pse ka fituar kaq shumë trofe, nuk ka treguar asnjë shenjë ngopjeje. Këtë mentalitet e kanë shumë pak lojtarë.

Ai ka shumë ego, sidomos në një moshë të tillë, kërkon të tregojë se është ende në gjendje për të luajtur në turne të mëdhenj. Champions-i është një motivim më shumë për të. Këtë e kemi parë dhe te Bufoni që është ende duke luajtur.

Unë isha ndryshe, kur shkova 38 vjeç, i thashë vetes që nuk kam më nerva për këtë punë, do ta lë fare. Dhe ashtu bëra. Por mendoj që Manueli është ndryshe dhe kjo është mahnitëse.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura