INTERVISTA/ Nga islami te “nëna serbe e Skënderbeut”, Mustafa Nano rrëfen reagimet pas provokimeve: Edukatori im ka qenë Kadare! Pse shumica e shqiptarëve janë mendjembyllur dhe fanatikë

Jun 29, 2021 | 12:59
SHPËRNDAJE

Mustafa nano-Skenderbeu-Nena_serbe

Përgjatë 3 ditëve (22-24 qershor) Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me World Vision Albania, zhvilloi Shkollën e Ligjit dhe Lidershipit- Dhërmi 2021. Maturantë nga e gjithë Shqipëria u mirinformuan mbi ofertën akademike, morën njohuri nga fusha të ndryshme të politikës, ligjit, lidershipit, si dhe dëgjuan rrëfime dhe këshilla të personaliteteve publike

Ky aktivitet i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare vjen fill pas Shkollës së Humaniteteve, që u mbajt në Llogara në fund të muajit maj. Në ditën e dytë të shkollës, i ftuar ishte gazetari, analisti dhe shkrimtari i njohur Mustafa Nano, i cili gjatë një interviste kolektive me studentët, rrëfeu karrierën e vet, të zgjedhurit mes pasionit dhe profesionit, të qëndruarit mes gazetarisë dhe letërsisë, si dhe të qenit një personazh publik që “provokon” dhe shkakton debat. I diplomuar në Inxhinieri Elektronike, por me një pasion të thellë për letërsinë, Nano, në moshën 37-vjeçare, ndërmori një rrugëtim të ri në jetën profesionale, duke u angazhuar si gazetar. Pas debutimit në këtë fushë, ai nuk e lëshoi më penën, fjalën televizive dhe shkrimin, duke u bërë editorialist, drejtues i disa emisioneve interesante, si: “Deja vu, “Provokacija” dhe tani “Arnautistan”, të cilët mbështeten mbi thelbin e intervistës, dialogut dhe refleksionit. Gjithashtu, Nano është autor i disa veprave publicistike dhe letrare, të sjella për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese e “UET Press”.

Duke parë gjithë rrugëtimin tuaj, si gazetar e shkrimtar, mendoni se keni arritur kulmin e karrierës suaj? Nëse po, cili ka qenë momenti kulminant?

Ne gazetarët kemi një avantazh, nuk jemi si futbollistët, që vjen një moshë e caktuar dhe duhet të varim këpucët në gozhdë e të ikim. Ne, derisa të vdesim, jemi gazetarë dhe unë e konsideroj këtë një profesion me fat, qoftë edhe në këtë kuptim. Kështu që më e mira prej meje është ajo që s’e kam bërë akoma, që e kam përpara. Si gazetar kam bërë disa programe televizive, që nuk kanë synuar audiencën maksimale. Unë nuk bëj pjesë te gazetarët që marrin pjesë në garën për audiencë, kush të kapë sa më shumë në shoqërinë shqiptare. Nuk më intereson kjo garë. Unë bëj programe që synojnë një brainstorming, që të trazojë mendjet dhe shpirtrat njerëzorë, aq sa mund të trazohen. Dua të emancipoj shoqërinë. Përgjithësisht, pretendoj unë, që bëj gjëra të fisshme. Ka gjithashtu kolegë të mi që bëjnë gjëra të fisme, por shumica e tyre bëjnë programe më popullore se programet e mia. Nuk më bëjnë xheloz. Unë programet e kolegëve të mi i shikoj. Kam zgjedhur këtë rrugë dhe kryesisht programet e mia i bëj në televizione jonacionale, të dorës së dytë. Kam audiencën time, lexuesit e mi.

Kohët e fundit kam pasur një lloj zhvendosje të aktivitetit intelektual, jam fokusuar më shumë te librat dhe kam përshtypjen që fokusi do të jetë gjithnjë dhe më i madh në këtë pjesë. Po shkëputem nga gazetaria, duke përjashtuar këtë televiziven, pasi është një gjë që më argëton, nuk ka kosto dhe do ta mbaj deri në fund. Statusi i autorit është një gjë që më “eksiton”, më mban në një gjendje vibrante. Në gjithë pjesën e jetës që më ka mbetur, do të kem një fokusim më të fortë te librat. Unë kam bërë edhe stand up comedy. Kam bërë nja dy shfaqje dhe kanë rezultuar të suksesshme. Është një gjë që do ta përsëris. Ato kanë qenë eksperiencat më të forta të jetës sime. Unë isha mësuar gjithë kohën në studion time, i vetëm, i lirë, dialogoja vetëm me veten. Në këtë eksperiencë, unë e pashë veten në skenë, një gjë që nuk e kisha menduar. Kjo më ka dalë jashtë skenarit të jetës sime. Kisha përballë një audiencë që më dëgjonte për më shumë se një orë. Kam pasur emocion në fillim, por kur kam provokuar të qeshurën e parë, ai ka qenë moment ‘orgazmatik’, nuk mund ta them me fjalë. Pastaj u shkriva, u shtendosa fare dhe mora situatën në dorë. M’u duk vetja sikur isha në kuzhinën time. M’u duk skena shumë familjare. Shkurt, në përgjigje të pyetjes, gjërat më të mira të miat janë ato përpara, nuk janë ato që shihni këtu, ose ato që kam bërë.

Ju si gazetar jeni marrë me trajtimin e temave të rëndësishme. Keni hasur presione dhe si kanë ndikuar më vonë te puna juaj?

Presione ka. Në radhë të parë janë presione që na i ushtron shoqëria, në të cilën ne jetojmë, që është një shoqëri e limituar, ka papërsosmëri. Presionet ushtrohen në format nga më të ndryshmet, që nga një njeri që të ofendon në rrugë, te komentet online. Një nga papërsosmëritë e shoqërisë sonë është se shumica e shqiptarëve janë mendjembyllur, fanatikë, misogjinë. Në një numër rastesh unë jam gjendur në qendër të sulmeve, të një fushate histerike kundër meje. Në një takim thashë, se: “Nëna e Skënderbeut është me origjinë joshqiptare, me orgjinë sllave, potencialisht serbe”. Ishte një gjë që e dokumentoja me dëshmi të hershme, që nga Marin Barleti etj. Dhe njerëzit më ndalonin në rrugë. Madje, një djalë më ka ndaluar në rrugë e më ka bërë të njëjtën pyetje. Në sytë e tij pashë shumë urrejtje dhe më vonë kuptova që ka shumë shqiptarë si ai. Kur thua gjëra që prishin rendin e njerëzve në mendjen e njerëzve, kur provokon, ti duhet të përgatitesh që do të kesh një lloj feedback-u, deri diku të egër. Njëjtë më ka ndodhur edhe me emrin e emisionit “Provokacija”, që është emër serb.

Unë e zgjodha sepse kur ishte ndeshja mes kombëtares shqiptare dhe serbe në Beograd dhe u krijua situata e banderolës, të nesërmen të gjitha gazetat dolën me titullin “provokacija”, pra, provokimi shqiptar. Ky term u bë familjar në Tiranë dhe filluan ta përdorin edhe gazetarët, pa të keq, në mënyrë sportive. Unë kam krijuar një marrëdhënie armiqësie me kosovarët, pas kësaj. Disa kosovarë mua më urrejnë e të mendosh që një pjesë e tyre mund të kenë mbiemra serbë. Një gjë e tillë më ka ndodhur edhe me myslimanët, pasi jam shumë kritik ndaj islamit. Myslimanët i dua, i kam xhan, por jam ateist, mbaj qëndrimet e mia. Kritikoj edhe doktrinën e krishterë, mirëpo myslimanët nuk ma falin qëndrimin ndaj tyre. Kam një marrëdhënie të vështirë me një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare dhe kam frikë se me shumicën e shqiptarëve. Por, të them të drejtën, nuk më intereson!

Shpeshherë, media dhe gazetarët kanë sjellë një frymë prishëse në gjuhën shqipe, duke futur fjalë të huaja, huazime që nuk i përkasin gjuhës sonë. Ju mendoni se këto fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera tregojnë një kulturë të gjerë të përdoruesit? A duhet që këto fjalë të bëhen pjesë të së folurës në përditshmëri?

Ka dy shkolla për këtë çështje. Është një shkollë puristë dhe daton që nga Naim Frashëri, e cila kërkon ta mbajë gjuhën shqipe të pastër nga turqizmat, angliçizmat. Ka edhe një shkollë tjetër, që nuk e pranon këtë ide, sepse sipas tyre nuk është kjo mënyra sesi gjuha cenohet, duke futur fjalë të huaja. Më shumë sesa fjalë, gjuha është strukturë, është lëndë, është sintaksë. Unë në libra bëj kujdes të mos përdor fjalë të huaja, ose të përdor vetëm në rrethana kur ajo fjalë e huaj është e pazëvendësueshme, është e rrallë. Libri është i rëndësishëm, mbetet dhe përveçse të jep informacion, dije, emocione, ka edhe një funksion në fushën e gjuhës. Unë mendoj që një nga funksionet e librit është që ta bëjë lexuesin të kuptojë se gjuha që po lexon është e rëndësishme. Në shkrimet në gazeta apo në ligjërimet e përditshme, apo në studiot televizive ku ne improvizojmë, përdorimin e fjalëve të huaja unë e shoh të falshme. Në aktivitetin intelektual, jam përpjekur të bëj një kombinim të të dyja shkollave. Jetoj me merakun që shqipen ta përdorim në mënyrë sa më të plotë dhe nëse ka fjalë në shqip, unë evitoj përdorimin e fjalëve të huaja. Pretendoj, se jam i pari autor që kam përdorur disa fjalë shqipe. Kam punuar me fjalorin e gjuhës shqipe dhe kam zgjedhur fjalë që tingëllojnë mirë. Sipas meje, fjalët duhet të kenë një tingëllim të mirë, të kenë kuptim dhe të jenë të qarta.

A është gjuha shqipe e pasur dhe a të lejon të mendosh, të arsyetosh, ndoshta të filozofosh, për çështje të thella?

Unë këtë bisedë e kam bërë me kolegë të mi, intelektualë, që nga Kadareja. Ai është i mendimit që shqipja është një gjuhë e pasur, nëpërmjet së cilës ti mund të shprehësh çdolloj emocioni human dhe të bësh arsyetime të thella. Kam përshtypjen që ky është një qëndrim patriotik, që pak përputhet me të vërtetën. Gjuha shqipe, sigurisht që është një gjuhë e plotë, por ka gjuhë që janë më të plota se jona, gjuhë që janë bërë kulturë prej shekujsh, si: frëngjishtja, anglishtja, italishtja, spanjishtja. Janë gjuhë më të plota sesa gjuhët e kombeve më të vegjël, që kanë një histori të vonë të kultivimit të gjuhës së tyre. Gjuhët e popujve të mëdhenj janë më të plota. Të ndihmojnë që të shprehesh të gjitha emocionet e mundshme humane.

Cili është personazhi më interesant që keni ftuar në emisione?

Kur kam bërë emisionin “Deja vu”, kam pasur disa biseda interesante. Kam pasur një bisedë me Tedi Papavramin, i cili është formuar për violinë në shkollën shqiptare dhe pastaj ka shkëlqyer jashtë. Është një nga më të mirët në botë. Unë zbulova që përveç violinës, ai kishte interesa, lexonte, kishte qëndrimet e veta mbi botën. Njerëzit që janë jashtëzakonisht të talentuar në një fushë, unë i përfytyroj të rrëmbyer nga ajo fushë dhe që nuk i lënë kohë vetes për të kultivuar talente që mund t’i kenë në fusha të tjera.

Cilin do të veçonit nga librat tuaj dhe çfarë e bën të veçantë?

Juve do t’ju sugjeroja “Hinterlandi i kuq”, sepse ka elementë autobiografikë. Unë shkruaj për periudhën kur kam qenë student në një provincë të humbur. “Hinterlandi i kuq” e quaj unë, sepse ishte një zonë, ashtu si gjithë Shqipëria, që ishte indoktrinuar në terma politikë. Ka qenë një eksperiencë shumë e fortë. Kush e ka lexuar, më ka thënë që nuk kam shkruar për Skraparin, por për provincën në përgjithësi dhe për komunizmin. Amik Kasoruho, një përkthyes shqiptar nga italishtja dhe anasjelltas, i cili nuk jeton më, e kishte pëlqyer aq shumë librin, sa pa më marrë leje e kishte përkthyer në italisht me synimin për ta botuar në Itali. Ai kishte qenë i përndjekur dhe më bëri komplimentin më të mirë për librin: “Kam parë te libri mënyrën më të mirë për të vizatuar komunizmin, një mënyrë asnjanëse, të ftohtë”.

Ju si shkrimtar, a keni ndonjë idhull?

Edukatori im i parë ka qenë Ismail Kadare dhe besoj edhe për të gjithë ata të gjeneratës sime. Unë kam filluar të edukohem si lexues në vitet ’70, kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe e vetmja gjë që i ikte klishesë komuniste ishte Kadare. Më pas, kam zbuluar edhe autorë të tjerë. Një nga autorët e parë që kam lexuar, pasi u shemb komunizmi, kur kam qenë në Itali, ka qenë Friedrich Nietzsche. Ai më ka tronditur, me forcën e fjalës, me fuqinë e mendimit, me aftësinë për të depërtuar thellë në dukuri, për të shkuar deri atje ku vetë ai do të thoshte: “Ku gjen pisllëk, ku gjen diçka që të provokon neveri”. Po ashtu, edhe gjatë komunizmit, ka pasur disa përkthime të mira, është përkthyer Marquez, Balzaku, Shekspiri, të cilët ishin autorë të rëndësishëm për të gjithë ata, që në kohën time donin të bëheshin shkrimtarë. Mua përgjithësisht më tërheqin autorë që stilistikisht janë të sofistikuar, janë të stërholluar. Mua më shumë më tërheq fraza e bukur sesa një ngjarje e treguar. Një frazë mund të më mbetet në mendje gjithë jetën, ndërsa fabulat i harroj. Stilin e një shkrimtari nuk e harroj kurrë.

Duke qenë se gjatë karrierës suaj, në momente të ndryshme jeni përqendruar në historinë e Shqipërisë, çfarë mendimi keni për ndarjen e territoreve shqiptare, kryesisht për Çamërinë?

Ajo që ka ndodhur me Çamërinë, është një plagë që kullon akoma. Mirëpo, unë mendoj se nuk ka një zgjidhje siç do ta doje ti apo siç do ta donim ne. Nuk ka për të pasur kurrë një zgjidhje. Në këtë kuptim, unë mendoj që po të isha politikan, do të kërkoja jo zgjidhjen e duhur, por zgjidhjen e mundshme. Zgjidhja e duhur do të ishte që gjithë çamët që janë shpërngulur me forcë, të riktheheshin, të merrnin tokat e tyre. Kjo më duket e pamundur, jo sot, por edhe pas shumë kohësh. Një zgjidhje e mundshme, do të ishte që çamëve, pronat e konvertuara në terma financiarë, t’iu kthehen nga shteti grek dhe me kaq të mbyllet kjo histori. Në negociata me grekët, pala shqiptare gjithmonë ka një pozicion inferior. Grekët, duke qenë në BE, kanë pasur në dorë të diktojnë zhvillime apo të frenojnë disa nga aspiratat tona, siç është ajo për anëtarësi në union.

Pra, na kanë kushtëzuar. Unë jam i pakënaqur nga grekët. Përgjithësisht kanë qenë të vetëdijshëm për pozitat superiore që kanë pasur në negociata me ne dhe këto pozita i kanë përdorur në një mënyrë që mua nuk më ka pëlqyer. Kam dashur t’i shoh si promotorët e zhvillimeve pozitive në Ballkan dhe nuk e kanë luajtur këtë rol. Shumë shqiptarë kanë përvoja të këqija, që nga vëllai im kur ka shkuar në vitin 1991 dhe më tregonte disa gjëra që nuk kanë ndodhur në vende të tjera. Ata që kanë shkuar në Itali kanë pasur eksperienca më të mira. Gjithsesi, në politikë dhe histori, zgjidhjet e mundshme kërkohen, sepse zgjidhjet e duhura janë pothuajse të pamundura.

Ju thatë që e keni nisur gazetarinë në moshën 37- vjeçare dhe pastaj vijuat duke qenë ndryshe nga pjesa tjetër, duke synuar përmbajtjen më shumë sesa audiencën. Pas kaq vitesh, deklaruat se po e lëshoni atë dalëngadalë, po e gjeni veten më shumë te libri. Cila ka qenë etapa më e vështirë, fillimi, mbajtja apo lëshimi?

Deri në momentin që ti e arrin diçka, mund të jetë edhe e lehtë, qoftë për shkak të talentit që ti ke, qoftë për shkak të fatit apo rrethanave, që në momente të caktuara mund të favorizojnë. Të nisurit vonë të këtij profesioni, unë e quaj avantazh, pasi kisha një lloj pjekurie që nuk e ke kur je 22 vjeç. U bëra i famshëm të nesërmen. Në harkun e pak muajve, unë e pashë veten diku tjetër dhe për shkak se isha i rritur, nuk e pata të vështirë të mësohesha me këtë status të ri. Ky ishte momenti kur unë kuptova se tani fillonte sfida, duhet të qëndroja si gazetar deri në fund. Dhe kjo nuk është e lehtë. Besoj se jo të gjithë ia dalin me sukses.

Si do ta përshkruani gjendjen aktuale të politikës në vend dhe mendoni se media është e pavarur nga politika?

Nuk mendoj se media është e lirë, është e varur nga politika, por ka gazetarë të lirë. Ka gazetarë që atë që thonë në publik, në studiot televizive, apo nëpërmjet një shkrimi, është një gjë që ata mendojnë. Nuk ka rëndësi etiketa që mund t’u vëmë. Fjala vjen, Skënder Minxhozi, është qartazi i majtë dhe nuk e fsheh këtë. Unë mendoj se thotë gjërat që mendon. Të tjerë janë Andi Bushati, Fatos Lubonja, Armand Shkullaku. Secili prej nesh mund të jetë kritik edhe për zgjedhjet që ata kanë bërë, por me sa di unë, zgjedhja që kanë bërë, është një zgjedhje në paqe me veten e tyre. Nuk është se ata shkruajnë apo thonë ato që do dikush tjetër. Po ashtu, ka programe të lira, si Fevziu, Çani, unë. Bëjmë programet që duam, nuk na ndërhyn njeri. Unë nuk e njoh ndërhyrjen nga padronët apo politika.

Këta gazetarë që ju thatë, se janë të ndarë politikisht, janë ideologjikisht të ndarë në të majtë dhe të djathë, apo rastësisht janë me një pjesë të pushtetit dhe kanë qëlluar që ndjekin PS-në apo PD-në?

Unë dëgjoj pak në retorikën e gazetarëve fjalime ideologjike, që mund ta dëgjosh dhe të thuash që është një person i majtë apo i djathtë. Gazetarët që përmenda thonë ato që kanë në kokat e tyre. Rreshtimet, jam i sigurt, që nuk i kanë ideologjike. Nuk kanë qëndrimet e tyre lidhur me botën që i rrethon, me qytetin, shtetin, gruan, fenë etj. Nuk marrin pjesë në debatet e mëdha që bëhen nëpër botë. Jam ndër të paktët që them mendimin tim për këto çështje dhe ndonjëherë jam bërë si ‘macja e zezë’. Kolegët tanë janë limituar te shprehja e opinioneve politike dhe kjo është një nga limitet e tyre. Por, ndërkohë që shkruan, duhet të shpjegosh në terma kulturorë, politikë dhe ideologjikë pse ti po mbështet një gjë të caktuar. Cili është motivacioni kulturor i qëndrimit që ti ke? Në studiot e mia jam përpjekur ta orientoj bisedën me kolegët e mi te ky nivel diskutimi. Shumica e kolegëve të mi nuk e kanë këtë vramendje, këtë kokëçarje.

Gazetaria ka momente me ulje dhe ngritje. Përpos arritjeve tuaja, cilat kanë qenë disa nga sfidat apo dilemat që keni pasur dhe si i keni tejkaluar?

Sfida më e madhe, dhe unë mendoj se çdo gazetar duhet ta ketë këtë aspiratë, është të emancipojnë shoqërinë së cilës i përkasin. Qysh në fillim, unë kështu e kam parë këtë profesion, edhe si një mision për të edukuar shoqërinë. Është një shoqëri relativisht e prapambetur, krahasuar me shoqëritë e tjera të emancipuara. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme, sepse nuk është e lehtë. Në përpjekje për ta emancipuar, ti e kap veten dhe kupton që ka ndodhur e kundërta. Nuk ke emancipuar ti shoqërinë, por të ka bërë shoqëria si veten. Shoqëria është si një përbindësh, është shumë komplekse. Shoqëria është një kurth i madh për të gjithë. Ne mund të shesim mend, të shëtisim botën, të lexojmë libra dhe të themi që nuk i përkasim shoqërisë. Nuk është e vërtetë. Në mijëra fije, të dukshme dhe të padukshme, ne jemi lidhur me shoqërinë së cilës i përkasim. Më shumë jemi si shoqëria sesa si librat që lexojmë. Ta sfidosh shoqërinë, se edhe po dështove, ke ndjesinë që po bën diçka të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e bukur, të sfidoni shoqëritë e prapambetura. Ju e keni këtë shans, sfidojeni!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura