INTERVISTA/ Neurokirurgu Henry Marsh: Pse duhet të jesh i ndershëm me pacientët

Nov 5, 2018 | 16:23
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ “Është e vështirë të jesh i ndershëm në një shoqëri të pandershme dhe njerëzit mund të të urrejnë për këtë”. 

henry_3114474k

I vetëdijshëm se nuk do të kishte qenë e lehtë, autori i bestsellerit “Mos bëj dëm”, Henri Marsh, ka zgjedhur të mos heshtë, duke rrëfyer përvojën e tij të gjatë me pacientët, sepse të pranosh gabimet, sipas tij, të bën më të besueshëm në sytë e tyre.

Vetëm pak ditë pas promovimit të librit “Rrëfimet, jeta si kirurg i trurit”, neurokirurgu me famë botërore ndan me lexuesit disa mesazhe të rëndësishme jo vetëm mbi raportin që mjekët duhet të krijojnë me pacientët, por edhe për sistemin shëndetësor.

“Në vendet ku qeveria nuk ka shumë para, pacientët do të duhet ta paguajnë vetë mjekun. Në këto kushte, sa më shumë trajtime që do të bëjnë mjekët, aq më shumë përfitime do të kenë. Disa doktorë, por jo të gjithë, janë më të interesuar që të bëjnë më tepër para dhe jo çfarë është më e rëndësishme për pacientët e tyre”, pohon Marsh. Libri i tij i fundit “Rrëfimet, jeta si kirurg i trurit” është një dëshmi e jetës dhe punës së tij si kirurg. Kjo vepër është sjellë në shqip nga prof. Mentor Petrela dhe prof. Florian Dashi në logon e shtëpisë botuese “Minerva”.

petrela

Profesor, çdokush që lexon veprat tuaja ju njeh edhe ju. Njihet me të vërtetat tuaja, me sukseset, por njëherazi me ato çka nuk kanë shkuar fort mirë në jetën tuaj, mëdyshjet, frikërat, pasiguritë. Keni zgjedhur që të jeni i vërtetë me lexuesin njësoj si me pacientët tuaj. Sa i vështirë ka qenë ky “Rrëfim” dhe sa e vështirë është përballja me veten?

Është një paradoks që të pranosh dobësitë e tua. Duhet të jesh shumë i fortë për ta bërë këtë, duhet të kesh një vetëbesim të brendshëm që të ngrihesh para publikut dhe të thuash që unë si doktor kam bërë gabime. Tani jam pjesërisht i tërhequr, por kur flisja në të kaluarën me pacientët, nuk u thosha që unë bëj gabime. Libri im i parë është publikuar përpara se unë të dilja në pension nga puna ime në Londër. Ndodhte që shumë pacientë vinin në klinikë me librin me vete. Unë shpesh iu thosha që ta lexonin librin pas operacionit. Kur takon një doktor, nëse do të kishe mundësi të zgjidhje një cilësi të tij, unë mendoj që pjesa më e madhe e pacientëve do të kishin zgjedhur ndershmërinë. Pacientët kanë nevojë t’u besojnë doktorëve dhe si mund t’i besojmë dikujt që nuk është i ndershëm. Në mënyrë paradoksale, në kulturën angleze një doktor i cili pranon që bën gabime është më i besueshëm sesa një doktor i cili thotë: unë nuk bëj gabime. Por në disa kultura, nuk e pranojnë këtë gjë. Mjekët, sipas tyre, nuk duhet të bëjnë gabime, pasi nëse gabojnë, nuk do të kenë asnjë vlerë. Unë jam i famshëm në Angli sepse shkoj në punë me biçikletë dhe jam e sigurt, që nëse do të punoja në një vend si Singapori, ku pacientët presin që një mjek të shkojë me një makinë të shtrenjtë si “Mercedes” apo “Rolls-Royce”, një doktor që do të shkonte me biçikletë nuk do të ishte i mirë. Por kultura angleze është ndryshe dhe unë mendoj që pacientët e pëlqejnë faktin që unë shkoj në punë me biçikletë.

Jeni ndjerë të tradhtuar ndonjëherë nga kjo ndershmëri?

Më vijnë ndërmend dy pacientë. Marrëdhëniet e mija me ta ndryshuan, por kjo nuk ka ndodhur shumë shpesh. Pjesa më e madhe e pacientëve dhe familjarëve të tyre më kanë falënderuar për ndershmërinë time.

Kirurgët kanë kujtesë të dobët, thoni ju. Është kështu apo kështu do të donit të ishte?

Ndërsa unë e sjell këtë fakt, e sjell si një shaka. Pjesa më e madhe e kirurgëve, siç jam unë, mbajnë më tepër mend fatkeqësitë sesa sukseset e tyre. Unë në libër them që doktorët e famshëm kanë më së shumti kujtime të këqija. Nëse ke shpikur një mënyrë të re operacioni dhe je bërë i famshëm, me shumë mundësi do të thotë se ke vrarë dhe dëmtuar shumë pacientë para se të bëhesh i famshëm. Shumë mjekë do ta kishin lënë përgjysmë këtë mënyrë përqasjeje për të qenë të suksesshëm. Për të arritur suksesin duhet që mjekët të jenë të ftohtë dhe të ruajnë distancën nga pacientët e tyre. Shembulli më kuptimplotë në lidhje me këtë është kur u zbulua trajtimi i përshtatshëm i leucemisë për fëmijët. Për këtë ishte e nevojshme të kryheshin shumë eksperimente. Shumë fëmijë vuajtën pasojat e tmerrshme nga ky trajtim. Dhe një pjesë shumë e madhe e mjekëve kritikuan ashpër atë ekip mjekësh, të cilët po eksperimentonin në këtë lloj kimioterapie, duke thënë se ata fëmijë po vdesin, por ajo që po bëni ju, është se po ua bëni vdekjen edhe më të vështirë. Po është fakt, që pas shumë vitesh, ky trajtim rezultoi i suksesshëm. Është më e lehtë të ushtrosh këtë profesion të mjekësisë nëse ke një zemër të ftohtë, por tani mjekësia nuk funksionin më kështu. Ne nuk duhet të marrin vendime në një mënyrë eksperimentale.

Të mbetemi te marrëdhënia me pacientët, sa i rëndësishëm është kapërcimi i empatisë, afeksionit për një mjek, veçanërisht për një kirurg?

Është shumë i rëndësishëm, por është një çështje balance. Nëse je shumë emfatik, nuk mund ta bësh këtë punë, por nëse je një doktor i mirë, është shumë e dhimbshme. Sado i mirë të jesh, një pjesë e pacientëve të tu do ta humbin betejën me jetën. Kjo është një nga aspektet më të rëndësishme të mjekësisë sot, ku të duhet të jesh i sjellshëm dhe i ndjeshëm dhe në të njëjtën kohë i drejtë në vendimet klinike që do të marrësh. Dhe nëse një pacient dëmtohet nga një vendim që ti ke marrë, është shumë e vështirë për një doktor që t’ia pranojë edhe vetes që ka bërë gabim. Kështu që, ndershmëria mund të jetë shumë e dhimbshme. Ne përdorim një shaka në Angli kur një pacient ndërron jetë pas operacionit. Ne themi që operacioni ishte një sukses, edhe pse pacienti ka ndërruar jetë.

Është fakt që sëmundjet tumorale janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, mund të thuhet e njëjta gjë për rastet e suksesit? Si qëndron ky raport?

Nëse mund ti referohem kirurgjisë së trurit, kanceri është një sëmundje e moshës së tretë. Me rritjen e jetëgjatësisë, edhe numri i pacientëve është më i lartë. Tumori i trurit është një formë e rrallë e kancerit, krahasuar me kancerin e gjirit, mushkërive apo edhe kancerin e zorrës së trashë. Por është një nga format më të shprehura te moshat e reja. Në pesë vitet e fundit nuk kemi pasur progres në trajtimin e pacientëve të prekur nga tumoret e trurit. Kjo për dy arsye. Së pari, tumoret e trurit rriten brenda trurit dhe është e vështirë të përcaktosh një kufi të qartë midis trurit të shëndoshë dhe tumorit. Ende sot nuk mund të hiqet plotësisht tumori. Arsyeja e dytë është diçka që njihet si barriera gjak-tru, hematoencefalike. Gjaku që shkon në tru, shkon nëpërmjet një filtri dhe ky filtër e bën të pamundur që kimioterapia të përshkojë në tumor.

Për vendet e botës së tretë ju rendisni si arsye edhe diagnostikimin e vonë….

Me tumoret beninje diagnoza e hershme ka rëndësi. Por me tumoret malinje dignoza e vonë nuk bën ndonjë diferencë të madhe. Kancerat janë gjithmonë fatalë, sado herët ta diagnostikosh.

Për ta tejkaluar këtë dhe për të folur pak për frustrimet e neurokirurgjisë, çfarë peshe kanë ato?

Frika më e madhe gjatë karrierës sime ka qenë një rritje e burokracive në shërbimin shëndetësor anglez. Ky është një problem mbarëbotëror. Kjo sepse shërbimi shëndetësor në botë po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, veçanërisht nëse ke një shërbim shëndetësor siç e kemi ne në Angli, të bazuar mbi taksat. Politikanët në vendin tonë janë gjithmonë her metikë për të rritur taksimin për të mos pasur kosto elektorale. Ndonëse politikanët premtojnë që do të kenë më tepër efikasitet në shërbimin shëndetësor dhe besoj se kjo i demoralizon shumë doktorët. Në termat e punës klinike, pra mjekësore, po unë shpeshherë kam dështuar, por nga ana tjetër kam pasur edhe shumë suksese. Unë kam shpëtuar shumë jetë njerëzish. Nëse një operacion do të ishte gjithmonë i suksesshëm dhe nuk do të kishte pasur asnjë gabim, nuk do të kishte asgjë special në të. Triumfuesi është ai që pranon gabimet dhe dështimet dhe pjesa më e vështirë është të pranosh dështimet dhe të jetosh me dështimet e tua. Është fakt që në jetë ne mësojmë më shumë nga dështimet sesa nga sukseset, por problemi është se si mjek rezultati i dështimeve tona është i tmerrshëm. Si rrjedhojë, ne e gjejmë të vështirë të jemi të ndershëm. Por nga ana tjetër, ne nuk do të mësojmë asnjëherë nëse gënjejmë veten.

Mjekët sot janë “robër” të një burokracie rregullash, thoni ju, me të cilat nuk pajtoheni aspak. Cilat janë plagët në sistemin shëndetësor, marr shkas këtu edhe nga përvoja juaj në vende të botës së tretë?

Lekët. Në vendet ku qeveria nuk ka shumë para, pacientët do të duhet ta paguajnë vetë mjekun. Në këto kushte, sa më shumë trajtime që do të bëjnë mjekët, aq më shumë përfitime do të kenë. Disa doktorë, por jo të gjithë, janë më të interesuar që të bëjnë më tepër para dhe jo çfarë është më e rëndësishme për pacientët e tyre. Sigurisht nuk ka një përgjigje të thjeshtë për këtë problem. Është me rëndësi standardi i lartë profesional, por në shumë nga këto vende politikanët janë të korruptuar dhe shumëkush mendon që nëse politikanët janë të korruptuar, pse unë duhet të sillem ndryshe, të paguaj taksa, që do të shkojnë për përfitimin e tyre. Problemi i korrupsionit në të gjithë shoqërinë ka një impakt të jashtëzakonshëm edhe në mjekësi. Ky problem përfshin edhe sistemin gjyqësor. Kjo është një nga arsyet se përse unë u gëzova shumë kur dëgjova që në Shqipëri po bëhen përpjekje serioze për të pastruar sistemin gjyqësor. Ajo që ne në Angli e quajmë ligji i të drejtës, është pjesa më e rëndësishme për lirinë e individëve, përfshirë edhe një mjekësi të mirë. Por megjithatë mbetet një sfidë e vështirë sepse ti nuk mund të instalosh një sistem të drejtë në pak javë apo në pak muaj. Për shumicën e mjekëve të rinj paga dhe e ardhmja profesionale është e vakët, thoni ju.

Eksodi i largimeve është i pranishëm edhe në Shqipëri, sikundër keni vënë në pah edhe ju nga përvoja juaj në Nepal…

E vërtetë. Mendoj që është një problem globalizimi dhe nuk ka përgjigje të thjeshta për këtë. Është gati e pamundur për të ndaluar doktorët që të lëvizin nga vendi. Personalisht, nuk kam asnjë zgjidhje për këtë fenomen, por në tetë vitet e fundit që unë vizitoj Shqipërinë, në çdo vizitë shoh që gjërat vijnë duke u përmirësuar. Mbase gjërat duken keq, por sigurisht do të shkojnë më mirë. Ndihem realisht optimist për këtë. Por shërbimi shëndetësor është një problem në të gjithë botën.

Do të doja që të ndanit me ne edhe qëndrimin tuaj për eutanazinë?

Argumentet kryesore kundër eutanazisë janë kryesisht fetare. Mjekësia moderne na lejon ne që të parashikojmë vdekjen. Përpara mjekësisë moderne, ti nuk mund ta dije se kur do të vdisje. Mjekësi moderne do të thotë që ne mund t’i mbajmë për një kohë më të gjatë pacientët gjallë, por me cilësi jete më të keqe. Shumë ndjenja historike dhe tradicionale nuk mund të aplikohen në botën moderne. Por është një subjekt tepër i vështirë. Ne jemi të gjithë të trembur nga vdekja, ne të gjithë e kemi shumë të vështirë për të menduar dhe folur për të. Personalisht, mendoj që ajo që njihet si vdekje e asistuar është shenjë e një shoqërie të civilizuar. Dy shenjat e një shoqërie të civilizuar, sipas meje, janë biçikleta dhe vdekja e asistuar. Por ka një paradoks, vetëvrasja nuk është kundër ligjit, atëherë pse është kundër ligjit të asistosh dikë që të bëjë diçka që nuk është kundër ligjit.

Besoj është momenti për t’ju bërë të njëjtën pyetje, që ia keni bërë edhe ju vetes. A do t’ju mungojë puna juaj si kirurg?

Unë ende operoj, por nuk operoj më shumë nga sa kam bërë më përpara. Të them të vërtetën, nuk ia ndjej aq shumë mungesën. Unë e dashuroj të operuarin, shpresoj të kem qenë një kirurg i mirë, por është një profesion shumë stresues dhe pas 40 viteve ndihem mirë që të mos e kem më atë stres. Por ende dashuroj mjekësinë, më pëlqen të jap mësim dhe shpresoj të mund ta bëj këtë edhe më gjatë. Problemi është që unë mërzitem shumë shpejt. Nganjëherë e ndjej veten si një xhiroskop kur mundohem të mbaj ekuilibrin për të qëndruar në këmbë.

Jeni zhgënjyer ndonjëherë?

Kam qenë i deprimuar dhe për këtë kam folur edhe në librin tim. Kur kam qenë i ri, kam qenë një pacient psikiatrik. Unë jam një person emotiv, kam pasur uljet dhe ngritjet e mia.

Në mbyllje, do e ndani me ne qëllimin e vërtetë të jetës, çfarë e bën atë kuptimplotë, apo do të na duhet ta kuptojmë mes rreshtave të librit?

Nga eksperienca ime, por dhe nga evidencat e kërkimit shkencor, disa vende janë më të lumtura se disa vende të tjera. Danimarka për shembull është një vend ku njerëzit janë më të lumtur në raport kjo me vendet e tjera. Çfarë është më e rëndësishme, është familja, të pasurit miq të mirë dhe gjithashtu të kesh një punë që ka kuptim për ju. Nuk po flas për një punë të mirëpaguar, por për një punë që ka kuptim, në të cilën ti ndien një qëllim në jetën tënde. Kjo është një arsye se përse mjekët janë me shumë fat dhe njerëz të privilegjuar. Për mendimin tim, mënyra më e mirë për të qenë i lumtur është të bësh njerëzit e tjerë të lumtur. Ka qenë një shkrimtar shumë i famshëm anglez, i cili thotë që askush nuk është përherë i lumtur. Lumturia në të kaluarën ka kaluar, lumturia në të ardhmen nuk ka ardhur ende dhe në të tashmen ne shqetësohemi gjatë gjithë kohës nëse jemi të lumtur apo jo. Askush nuk është realisht i lumtur. Unë nuk e di sigurisht si do të vijë vdekja ime, por nëse do të isha duke vdekur dhe truri im do të ishte duke funksionuar pa pasur të ardhme, por vetëm një të kaluar, në të cilën do të shikoja një makinë të madhe dhe shumë para, asgjë nga këto nuk do të kishin kuptim. Por nëse do të kisha një familje të mirë dhe do të isha një baba i mirë, nëse do të kem ndihmuar njerëzit e tjerë dhe kontribuar sadopak për ta bërë botën një vend më të mirë, kjo do të ishte lumturi. Ka me miliona mënyra për ta bërë botën më të mirë. Mund të mbjellësh pemë, mund të bëhesh një politikan i mirë apo edhe gazetar duke edukuar njerëzit. Edukimi dhe mësimi janë gjëra të rëndësishme në jetë. Një nga problemet në Shqipëri është se nuk ka një sistem edukimi të mirë. Kështu që njeriu duhet ta jetojë jetën jo duke menduar çdo ditë për vdekjen, por duke menduar se çfarë po lë pas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura