Intervista/ Nertila Koka i rikthehet ekranit nga kuzhina: Po bëj atë që dua dhe…

Feb 23, 2019 | 11:03
SHPËRNDAJE

Nertila-Koka1wANI JAUPAJ

Sot pasdite do të vish nga shtëpia më tha mamaja, ka bërë një reçel me mollë shumë të mirë dhe ka qejf ta provosh”. Batuta e Borës, personazhi që luan Nertila Koka në filmin “Duaje emrin tënd” nuk ka qenë dhe aq skenar.

Në moshën kur luante filmin, ende studente në Akademinë e Arteve për aktrim, Nertila nuk kishte asnjë marrëdhënie me enët e kuzhinës, përveçse me pjatën. Në kohën që jetonte në Shqipëri, bashkë me të në shtëpi do të ishte ose mamaja e saj, ose mamaja e të shoqit, Sokolit, për të gatuar. Kur u larguan, bashkë me gjithë gjërat e reja që duhet të mësoheshin, Nertila duhet të mësonte edhe të gatuante.

A nuk është e drejtë që njerëzit që të bëjnë të lumtur të duash t’i bësh të lumtur?

Janë të gjithë të një mendjeje, që ushqimi është një nga rrugët e mirëqenies dhe pjesëtarët e familjes janë të parët që të vlerësojnë për këtë. Ishte për këta të fundit që Nertila Koka, shumë vite më parë, nisi sfidën e gatimit me veten.

Receta e saj e vetme, dikur, ishin petat, tashmë ka shumë pak vende të botës prej të cilëve nuk ka një recetë. Janë të paktë edhe njerëzit që pasi kanë provuar një ushqim të gatuar prej saj, të mos i kërkojnë recetën. Pjatat e para i ka bërë për dy vajzat e saj, Anin dhe Sarën.

T’i mësonte ato me perime ishte pak e vështirë, për të gjitha nënat është, prandaj mënyra e vetme ishte që të krijonte gatime tërheqëse, duke krijuar receta me bazë perimesh, por edhe me erëza apo përbërës të tjerë që i “maskojnë” ushqimet e domosdoshme, por jo dhe aq ftuese për qiellzën.

Më tej, historia është zhvilluar vetë sepse detyrimi familjar u kthye shumë shpejt në pasion dhe në këtë pikë çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Ja ku jemi sot kur prej pak ditësh Nertila Koka ka hapur kanalin e saj në “Youtube”, “Le të gatuajmë me Nertila Koka”, ku do të shohim çdo të hënë një recetë të re prej saj. Nëse bëni subscribe, regjistroheni pra, do të jetë më e thjeshtë për të mos humbur asnjërën prej tyre. Nertila ka një listë të gjatë për ato që do të servirë.

E ka nisur me bukën, atë që e bën vetë dhe fare thjeshtë, ka vijuar me supën e peshkut dhe nesër (e hënë) do të shohim recetën e radhës. Prej përvojave kulinare që ajo ka zhvilluar nga udhëtimet e saj të shumta, kuriozitetit që duhet të jetë i madh në këtë fushë dhe qiellzës së mirë, tashmë mund të jetë më e thjeshtë të vendosni se çfarë do të gatuani nesër… Edhe ndërsa shpjegon recetën (edhe në telefon kur realizojmë këtë intervistë), Nertila Koka ka ëmbëlsinë e zërit dhe të buzëqeshjes që kishte dikur, në film a në skenën e këngës, tipare këto që nuk janë aq të zakonshme për kuzhinierët, prandaj kënaqësia duke e ndjekur, shkon përtej recetës. Nga këndi i saj i dashur i shtëpisë, Nertila na tregon vetë për pasionin që po shndërrohet në një kënaqësi të shumëfishtë, sepse ajo pa menjëherë që njerëzit e deshën sikur mos të ishte larguar asnjëherë nga ekrani…548

Si ndodhi që gatimi u shndërrua në një impenjim publik?

Ka shumë kohë që vajzat e mia këmbëngulin që ta ndaja edhe me të tjerët, jo vetëm me to, pasionin për të gatuar. Unë gatuaj përditë dhe mendoj që nuk duhet ta bëjnë vetëm nënat, por kushdo që do të bëjë të lumtur dikë, është një nga gjërat përmes së cilës mund të japësh dashuri.

A ka qenë gjithnjë gatimi pasioni juaj apo është bërë gjatë kohës?

Jo, nuk ka qenë, është bërë me kohën. Së pari, si domosdoshmëri e më pas u kthye në dashuri, bashkë me lulet, edhe kujdesi për to është një tjetër pasion i imi. Kur kam shkuar jashtë shtetit, në vitet ’90, dija të bëja vetëm petat sepse ato më pëlqenin. Unë kam jetuar ose në shtëpi me mamanë, ose me mamanë e Sokolit, tim shoqi, më pas, ishin ato që merreshin me këtë gjë. Befas u gjenda vetëm në këtë pikë dhe duhej të mësohesha. Nuk ishte fare e lehtë, merrja time më në telefon sepse, edhe nëse dija përbërësit e një gatimi, nuk dija radhën e punës, çfarë të hidhja më parë e çfarë më pas, ata që gatuajnë e dinë që kjo është e rëndësishme. Kam shfletuar sa e sa libra kuzhine që tashmë janë pluhurosur pak jo vetëm sepse tani nuk është më e nevojshme të shoh receta të gatshme, por edhe sepse interneti ka lehtësuar punë.

Tashmë pjesë e ndihmës së internetit për gatimin jeni edhe ju… Po, dhe në të vërtetë nisi pikërisht për të ndihmuar të gjithë ata që gjenden sot në rrethanat që kam qenë unë dikur, por edhe sepse janë aq shumë njerëzit që më kërkojnë receta, sa bashkë me vajzat menduam ta bëjmë më të thjeshtë. Megjithatë, qoftë edhe një njeri të ndihmoj, për mua është kënaqësi. Ushqimi është shumë i rëndësishëm për familjen, përveç se ushqehesh shëndetshëm, u jep të tjerëve kënaqësi. Mirëpo, për ta bërë këtë duhet të jesh kreative, të eksperimentosh, të provosh gjëra të reja. Recetat që udhëzojnë sot në internet janë ndihmë, të cilën duhet ta zhvillosh vetë më pas. Për shembull, nëse ka truke për t’i bërë fëmijët të hajnë zarzavatet, nënat do të jenë shumë të kënaqura.

Cila do të jetë origjina e recetave që do ndani me shikuesit?

Ju vetë, cilat pëlqeni? Për shkak të udhëtimeve, thuajse në të gjithë botën, që kemi bërë, edhe recetat janë të pafundme, nga kudo, sidomos nga Turqia, kuzhinën e së cilës unë e pëlqej dhe jam munduar t’i riprodhoj ato që kam ngrënë atje. Kudo ku shkoj, tashmë bëj të njëjtën gjë, përpiqem që të gjej se me çfarë është gatuar dhe të hamendësoj radhën e punës. Sapo kthehem në shtëpi bëj prova, i rifreskoj, pra, i bëj pak personale duke ndryshuar erëzat, duke i dhënë shijen time. Edhe në recetat që do ndaj me njerëzit, të njëjtën gjë do të bëj, recetat janë të gjitha të personalizuara në një mënyrë, të studiuara e të risjella sipas versionit tim, megjithatë, frymëzimi është kryesisht Turqia, pastaj do të ketë receta shqiptare, aziatike, pak më pak italiane, meqenëse mendoj që jemi mjaftueshëm familjare tani me to. Sidoqoftë, çdo gjë që do të vijë, do të ketë dorën time, do jetë e rikrijuar

Kush merret me pjesën teknike të videove? Xhirimin, montazhin?

Vajza e madhe, Sara. Ajo ka studiuar për ekonomi, por merret shumë me mediat sociale dhe tashmë është në fushën e menaxhimit në modë. Ajo është kujdesur për të gjitha, duke qenë edhe e njohur me fushën. Kemi bërë disa video që janë gati tashmë dhe do të hidhen çdo të hënë.

A nuk është pak?

Në fakt, kjo ishte një përvojë krejtësisht e re për mua dhe duke qenë e tillë, ishte e paparashikuar. As që e kisha idenë që do ishin aq shumë njerëz që do më shihnin apo shkruanin mesazhe. Mendova që do hyjnë 5 apo 6 vetë, ndërsa videoja e parë ka kaluar tashmë 40 mijë shikimet. Ishte vërtetë e papritur, për mua dhe vajzat. U ndjeva mirë sepse, përveçse si ndihmë, e pashë si mirëpritje të shikuesve, nuk më kanë harruar, më duan. Kështu që për momentin do të jetë kështu, më tej do shohim. As në fantazitë e mia nuk e mendoja që njerëzit do të ishin kaq të dashur. Përpiqem të komunikoj me ta të paktën një herë në ditë duke iu përgjigjur mesazheve.

Përse zgjodhët “Youtube”-n?

Mendoj që ajo është platformë më e mirë.

A mendoni që një ditë këto video të shkurtra të bëhen emisione gatimi në televizion?

Do të ishit e gatshme për këtë? Unë jam shumë serioze në këtë gjë që kam marrë përsipër dhe nëse dikush do të ishte aq serioz sa unë për një projekt të tillë, nuk do t’i thosha jo.

Sa kohë nga dita juaj zë gatimi?

Nuk gatuani përditë për orë të tëra, apo jo? Jo, patjetër që jo! Për gjërat e zakonshme, ato me të cilat jam mësuar, nuk harxhoj më shumë se një orë. Për bukën, të cilën e bëj gjithmonë vetë, nuk harxhoj më shumë se tre minuta, sepse ajo bëhet vetë më pas. Por varet nga ajo që do gatuaj, nuk kam një përgjigje konçize. Nëse do të impenjohem për të bërë një recetë të re, atëherë do të kaloj me të ndoshta edhe gjithë ditën apo dy ditë. Përkushtimi kohor ndryshon nga ajo që jam duke bërë.

UNE GRUAJA
Nertila-Koka1 d474c426-1532-4f88-8b25-438b262e6957-770x433 nertila-5 nertilaaaaa-350x460

Nertila-Koka-Panorama

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura