Intervista/ Nëna e Parashqevisë: Gjergj Leka, i papërgjegjshëm

Aug 26, 2015 | 12:40
SHPËRNDAJE

E shqetësuar si kushdo tjetër që do të dëgjonte një fjalë të keqe për fëmijën e vet, Zoica Simaku ka ndjekur debatin e ditëve të fundit që ka shkaktuar një intervistë e dhënë nga kantautori Gjergj Leka për gazetën “Panorama”.

ZOICA SIMAKU, NENA E PARASHQEVI SIMAKUT, DUKE RREFYER PER GAZETEN “PANORAMA” (MAJTAS) PARASHQEVI SIMAKU
ZOICA SIMAKU, NENA E
PARASHQEVI SIMAKUT, DUKE
RREFYER PER GAZETEN
“PANORAMA”
(MAJTAS) PARASHQEVI
SIMAKU
Ajo nuk do të kishte dashur të fliste për Parashqevinë në kushte të tilla, por është nënë dhe i shtrydhet shpirti tek dëgjon se si i përgojohet emri i së bijës. Asaj i vjen keq që është pikërisht Gjergj Leka që i ka artikuluar ato fjalë dhe, sipas saj, ai është një i papërgjegjshëm që do të vihet në qendër të vëmendjes, duke përgojuar kolegët.

“Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte”, thotë Zoica Simaku.

nena-simakuSa i takon të bijës, ajo thotë se Parashqevia gëzon shëndet të mirë dhe nuk është e vërtetë se është e sëmurë, madje ka zhvilluar edhe disa koncerte në Amerikë. Thotë se flet me të çdo ditë, madje vetëm dy orë para intervistës për “Panoramën”.

Znj. Zoica, kompozitori Gjergj Leka ka folur për karrierën dhe jetën personale të vajzës suaj Parashqevi Simaku. A keni dijeni?
Jemi njohur me deklaratat e kompozitorit Gjergj Leka dhe të them të drejtën, nuk i kemi pritur aspak mirë. Jam shokuar nga çfarë ai thotë për karrierën disavjeçare të vajzës sime, ashtu sikurse për jetën e saj personale. Të merresh me deklarata të tilla, nuk është gjë tjetër veçse humbje kohe, por si nënë jam prekur thellë nga ajo çfarë z. Leka ka thënë për Parashqevinë.

Leka në reagimin e tij deklaron se Parashqevi Simaku ishte e privilegjuar mes kolegeve edhe për shkak të pamjes fizike dhe jo vetëm për vokalin e saj…
Të jeni të sigurt se Parashqevi Simaku ka pasur dhe vazhdon të ketë një talent të jashtëzakonshëm në të kënduar. Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte. Jetën e saj artistike Parashqevia e ka ndërtuar falë punës, pasionit dhe talentit që ajo zotëronte. Artist më të mëdhenj se Gjergj Leka e kanë vlerësuar Parashqevinë ndër vite dhe vlerësimi me disa çmime të para i është dhënë në bazë të meritës e performancës dhe jo për bukurinë.

Leka ka deklaruar se Parashqevia nuk ishte më e mira në këngë, i është dhënë më shumë sesa meritonte. Si e komentoni?
Unë nuk jam kompozitore për të përcaktuar se kush ishte këngëtarja apo këngëtari më i mirë, por titujt dhe çmimet nuk besoj se kanë nevojë shumë për koment. Një juri vendoste dhe vlerësonte si performancën, këngën dhe artisten apo artistin që dilte në skenë. Kështu që më mirë se juria nuk mund të vlerësojë askush. As unë dhe as Gjergj Leka nuk mund të dalim mbi vendimin e profesionistëve apo preferencat e publikut, që sa herë që Parashqevia këndonte, e duartrokiste pa fund.

Leka e ka cilësuar Parashqevinë, ashtu sikurse edhe një kolegen e saj (Lindita Theodhori) si “këngëtare të Sigurimit”…
Me sa po kuptoj, Gjergj Leka do të jetë në qendër të vëmendjes dhe flet lart e poshtë, duke përgojuar kolegët. Mendoj se nuk është normale për një personazh si Leka të vërë etiketa për artistët. Po e them edhe një herë, Parashqevia e ka merituar plotësisht vëmendjen që i është kushtuar si artiste dhe këtë fakt nuk mund ta zhbëjë as Leka në deklaratat e tij.

Kur keni folur për herë të fundit me Parashqevinë?
Para dy orësh folëm (pasditen e djeshme). Vajza vazhdon jetën e saj të qetë së bashku me djalin e saj në SHBA. Parashqevia nuk është aspak e sëmurë, sikurse thuhet nëpër media, por ajo vazhdon jetën e saj shëndoshë e mirë. Parashqevia është shumë e kënaqur, sikurse edhe ne, pasi jeta po i ecën shumë mirë.

Flisni shpesh me vajzën tuaj?
Sigurisht. Ne flasim thuajse çdo ditë. Ajo ka shumë mall për të afërmit, shoqërinë dhe vendin e saj, ndërsa edhe ne kemi për të. Nuk mund të kalojë asnjë ditë pa folur. Për shkak të gjendjes sime shëndetësore jo shumë të mirë, Parashqevia ka raste që merr edhe nga dy herë për të më pyetur. Gjithashtu flet me nusen (kunatën e saj) dhe vëllain.

A keni diskutuar me Parashqevinë rreth deklaratave të Lekës?
Të them të vërtetën nuk kemi diskutuar rreth kësaj teme, sepse nuk dua që vajza ime të merakoset për shkak të deklaratave të papërgjegjshme të një kompozitori, i cili përgojon kolegët.

Ka dijeni Parashqevia për ato që janë folur në media?
Nuk e di. Ndoshta mund të ketë mësuar për ato që janë diskutuar në media kohët e fundit, por mua nuk më tha gjë kur folëm. Interneti e bën të mundur këtë, ndaj mendoj se Parashqevia mund ta ketë marrë vesh, por ndoshta, për të mos më shqetësuar, nuk më ka treguar.

Si është jeta e Parashqevi Simakut në SHBA?
Sikurse e thashë, jeta po i shkon shumë mirë. Parashqevia jeton me djalin e saj 11-vjeçar, i cili quhet Luka, në shtetin e Nju Jorkut, në SHBA. Vajza thotë se është e lumtur me jetën. Këtë fakt e kam konstatuar edhe vetë gjatë vizitave të mia në SHBA.

Me çfarë merret Parashqevia atje?
Parashqevia merret me aktivitete të ndryshme. Kohët e fundit ka zhvilluar edhe koncerte në Amerikë. Vajza i është rikthyer muzikës, pasionit të vjetër dhe gjithçka, sipas saj, po ecën në mënyrë perfekte. Ajo është e kënaqur, ndërsa ne të lumtur për sukseset e saj.

A keni për t’i thënë ndonjë gjë Gjergj Lekës?
Mendoj se nuk ka nevojë për përgjigje, pasi përgjigjet Gjergj Leka i ka marrë nga ata persona që e kanë vlerësuar dhe vijojnë të vlerësojnë jetën artistike të Parashqevisë. E thashë edhe më lart, të merresh me kthime përgjigjesh, nuk është gjë tjetër veçse humbje kohe. Por kur të tilla komente apo deklarata, quajini si të doni, vijnë nga një kompozitor si Leka, nuk ndihesh aspak mirë. Një artist nuk mund të bëhet faktor duke përgojuar kolegët e tij, vlerësimet për të cilët janë dhënë për vite me radhë, jo vetëm nga profesionistë, por edhe nga artdashës të muzikës së lehtë.

Kam përshtypjen se zhvillimet e fundit rreth kësaj teme ju i keni ndjekur, apo jo?
Patjetër. Bëhet fjalë për vajzën time dhe dua të informohem se çfarë thuhet. Zhvillimet i kemi mësuar nga gazeta “Panorama” Online. Jo pa qëllim pak më lart thashë se nuk ka nevojë t’i kthej përgjigje z. Leka. Kompozitori përgjigjet i ka marrë në komentet e qytetarëve dhe artdashësve, të cilët kanë komentuar në fund të shkrimit. Jam shumë e kënaqur me reagimin e lexuesve.

Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura