Intervista/ Ndreu: Te Kamza gjeta lirinë, grupi që kam nuk ka nevojë për afrime në janar

Dec 6, 2017 | 17:10
SHPËRNDAJE

Ramazan Ndreu i bën “skanerin” Kamzës. Trajneri është më shumë se i kënaqur me punën e lojtarëve të tij, por thekson se çelësi i suksesit është bashkëpunimi dhe liria. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” tekniku e pranon se sezoni nisi për të mbijetuar, por tashmë uria është rritur, synojnë majat. Aq e vlerëson grupin e tij, saqë me bindje e thotë që nuk mendon për afrime në janar.

ramadan ndreu

Si ndihet një trajner kur drejton një ekip që si debutuese renditet mes pretendentëve?

Sigurisht që ndihem mirë. Por, që të jem i sinqertë, këto rezultate vijnë falë punës së shkëlqyer të të gjithë futbollistëve. Nëse nuk do kishim angazhim maksimal, tani nuk do të ishim në këto pozita. Një pjesë lojtarësh, pavarësisht se kanë nivelin dhe eksperiencën e duhur, në fushë kanë dëshmuar forcë dhe karakter. Këtu u referohem djemve të rinj, të cilët garantojnë të ardhme. Ndaj po u them një “bravo” të madhe, për punën e shkëlqyer.

Pasi keni drejtuar ekipe si Kastrioti dhe Laçi, tashmë jeni pjesë e Kamzës. Na tregoni pak, si po shkon kjo aventurë?

Këtu te Kamza ndihem shumë mirë, pasi ka liri. Dhe kur nuk has pengesa në punën tënde, sigurisht që ke ecuri. Kryetari i bashkisë dhe presidenti asnjëherë nuk më kanë ndërhyrë. Kurrë nuk më kanë thanë se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëj. Por në këtë aventurë, sigurisht që një pjesë të “faturës” e ka edhe fati. Na ka ndihmuar shumë.

Pse po funksionon kaq mirë ky ekip dhe këtu duam një përgjigje paksa më teknike?

E thashë dhe pak më lart. Skuadra është e gërshetuar mjaft mirë mes elementit të ri dhe atij me eksperiencë. Dhe ju e dini tashmë që në ekip kemi kaq shumë lojtarë që numërojnë vite e vite në Superiore dhe kanë qenë titullarë madje. Gërshetimi i këtyre dy elementëve ka qenë dhe efikasiteti i kësaj skuadre. E theksoj se jemi këtu sot falë kësaj pune tonë dhe nëse vazhdojmë kështu, shpresojmë që të ruajmë edhe ritmin.

Ramadan Ndreu

I druheni “vetëkënaqësisë”?

Pres që skuadra të reflektojë edhe kur gabon. Ndodh që të rrëshqet këmba dhe varet si të merr vazhdimësia. Prandaj gjithnjë kam kërkuar nga ekipi që të evitohet optimizmi i theksuar dhe euforia. Të ecim me këmbë në tokë. Gjithsesi, deri në këto momente, jam i kënaqur nga cilësia e lojtarëve dhe përkushtimi i tyre. Kam besimin e tepruar, aq sa mund të mendoj që, me këtë grup lojtarësh, do ta përballojmë me sukses presionin e Superiores.

E nisët për mbijetesë dhe rrugës u ngjitët të 2-ët. Si përfundim çfarë synon Kamza nga ky sezon?

… dashuria vjen duke u shtuar, që pas prezantimit të parë. Në fakt, gjithçka nisi me atë mendimin për ta mbajtur skuadrën në elitë. Shëtitjen s’e mendonim që ta keni të qartë. Por, thellë brenda vetes ishim ambiciozë. Ne ndërtuam nga e para dhe me mjaft kujdes ekipin, ndaj uria nuk na mungonte. Ky ishte një avantazh i madh. Sigurisht që kërkojmë të rrisim edhe bukurinë e lojës përveç rezultatit, ashtu siç e kemi treguar dhe në ndeshjet e fundit. Jemi një grup që jo vetëm mbrohet, por arrin të krijojë lojë dhe të sulmojë.

Sa larg mund të shkojë ekipi juaj?

Jam optimist se kjo skuadër në çdo ndeshje do të rritet, pra do të luajë gjithnjë e më mirë, deri në mbyllje të këtij viti kalendarik.

Po mendoni për merkaton, cilat janë rolet që kanë nevojë për ndërhyrje?

Mendoj se kjo skuadër ka nevojë vetëm për konsolidim, për bashkëveprim me njëri-tjetrin. Mendoj se nuk ka nevojë për ndërhyrje.

Kamza5

Sa korrekt kanë qëndruar drejtuesit e klubit me ju si trajner. Po me lojtarët?

Bashkëpunimi që drejtuesit kanë mes tyre dhe, mbi të gjitha, me ne si staf dhe lojtarët. Bashkëpunimi i shkëlqyer presidentbashki-lojtarë-staf ka bërë të mundur dhe suksesin e skuadrës sonë. Mendoj se ky bashkëpunim do të vijojë edhe më tej për të kurorëzuar çdo arritje të ekipit tonë. Gjithçka, të paktën për këtë vit, është e mbyllur, ku do presim festat e vitit të ri me qejf.

Dimë që klubi nuk është treguar “kursimtar” për fitoret dhe ka dhënë shpërblime…

Pa diskutim ka pasur shpërblime, madje mund të them se janë dhënë 3-4 herë. Por është edhe një tjetër për t’u marrë. Por këto janë gjëra të vogla, sidomos kur të gjithë e dimë korrektësinë e drejtuesve. Pavarë- sisht shpërblimit që ne u premtojmë, lojtarët hyjnë në fushë me bindje për të luajtur. Lojtarët e mi kanë dëshirën e madhe që të luajnë futboll.

Pasi i mposhtët në Gjirokastër, këtë të diel e prisni Luftëtarin në shtëpi. Si e parashikon Ndreu këtë duel?

E kam thënë edhe më parë se çdo ndeshje ka specifikën e vet. Çdo skuadër që është poshtë nesh në renditje tenton që të na marrë pikë. Ndeshje të lehta nuk ka, por ne do të kërkojmë vetëm fitoren.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura