INTERVISTA/ Moikom Zeqo rrëfen si e trajtoi regjimi tërmetin e ’79: Shteti sot u gjend injorant e i papërgatitur

Dec 12, 2019 | 12:40
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në qytetin e Durrësit, dëshpërimi është ulur këmbëkryq. Ekspertëve shqiptarë u janë bashkuar edhe të tjerë nga vendet ballkanike apo vende si Franca, Italia e Zvicra dhe bilanci i shtëpive të dëmtuara e atyre për t’u rrënuar rritet çdo ditë.

MOIKOM ZEQO (MAJTAS) AKSIONI PAS TERMETIT
MOIKOM ZEQO (MAJTAS)
AKSIONI PAS TERMETIT

Mbi 270 objekte të pabanueshme, më shumë se 34 shtëpi drejt shembjes dhe bashkë me numrin e tyre rritet dhe ankthi e të ftohtët e stinës në qytetin bregdetar. Euriditi Moikom Zeqo thotë se merita për pasqyrimin e ngjarjes i takon po asaj medie, së cilës i hakërrehen sot politikanët e kreu i qeverisë. “E fyejnë, flasin me tone urrejtje, mirëpo duket se kërkojnë vazhdimisht të jenë në qendër të vëmendjes mediatike”.

E shqetëson poliedrikun kjo mbingarkesë e ekranit me figura të politikës e personazhe të tjera që kërkojnë vëmendje, ndërkohë që tragjedia është mes popullit, te historitë e viktimave, të pastrehëve, në ato çadra të brishta që i kërcënon dhe një fllad i lehtë. Puna e politikanëve sipas tij, duhet të jetë më shumë pas reflektorëve e përtej fjalëve dhe ky ishte një rast fatkeqësie, ku këto figura mund dhe duhet të kishin bërë më shumë. “Të gjithë deputetët janë të pasur, më thoni një rast kur ndonjë prej tyre ka dhuruar 100 apo 200 mijë euro për të lënduarit. Ky tërmet tregoi se të gjitha partitë e establishmentit të vjetër janë të dështuara. Më ka habitur edhe qëndrimi i opozitës, së paku për kredo politike të kishte bërë diçka të rëndësishme për tërmetin, pasi mundësitë i ka”, shton Zeqo.Aksioni i nxjerrjes nga rrenojat tre trupave te Miramare

Duke treguar për rastin e ’79-ës, kur tërmeti me epiqendër në Mal të Zi rrënoi mbi 17 mijë shtëpi, arkeologu tregon se edhe shtypi i asaj kohe e pati në qendër të vëmendjes ngjarjen. “U realizuan disa dokumentarë, por zhanri që mbizotëroi qe reportazhi. I jepej një hapësirë e gjerë njeriut të thjeshtë, punës vullnetare, jo më kot sot më shqetëson ky shfrytëzim mediatik i politikanëve, që në këtë situatë katastrofike duket sikur kërkojnë edhe më shumë të jenë në qendër të vëmendjes”. Poliedriku tregon se njësoj si këto ditë, edhe gjatë atij episodi tragjik diktatori Enver Hoxha dhe ishKryeministri Mehmet Shehu u gjendën pranë të prekurve nga tërmeti. Ndërsa asokohe qeveria shqiptare i refuzoi ndihmat nga jashtë, Zeqon e shqetëson sot edhe sjellja diplomatike e qeveritarëve tanë, si në rastin e daljes publike të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në krah të Kryeministrit të vendit.

“Dako është shpallur ‘non grata’ në Amerikë, kreu i qeverisë është figurë politike, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se ambasada amerikane e vëzhgon”, thotë ai. Ndërsa sizmologët pohojnë se tërmetet po vijnë drejt shuarjes dhe se probabiliteti për një tërmet pasues me magnitudë të fortë është i papërfillshëm, Zeqon e shqetëson situata posttërmetore dhe mënyra sesi do të menaxhohen fondet e dhuruara, ku sipas tij, nuk do të mungojnë as spekulimet.Foto reportazhi nga Thumana- Familjaret kthehen per kujtime mes rrenojave (10)

Profesor, tërmeti i 26 nëntorit zbuloi para syve të shumicës Shqipërinë dhe në veçanti qytetin tuaj, Durrësin, si një zonë sizmike. Si një studiues i historisë prej antikitetit, ç’mund të na thoni për tërmetet më të forta që janë shënjuar në territorin tonë?

Pa dyshim që tërmeti i 26 nëntorit trazoi jo vetëm dhimbjen tonë, por në njëfarë mënyre vuri në një provë të epërme edhe politikën. Tërmeti, i cilësuar me magnitudë 6.4 i shkallës rihter, ka qenë pa dyshim një nga tërmetet më të mëdha të historisë në Shqipëri. Nëse përmenden tri tërmetet e famshme të Durrësit, i pari shënohet në shekullin I para Krishtit dhe si dëshmi e tij janë disa letra të Ciceronit, filozof dhe burrë shteti romak. Mandej pason tërmeti i shekullit IV, i cili në një kronikë anonime përkufizohet si një ndëshkim i Zotit ndaj mëkateve të qytetarëve. Kurse tërmeti i tretë, që daton në shekullin XIII ka, qenë pothuajse shkatërrimtar për qytetin e Durrësit. Mirëpo, për sa u përket kohërave moderne, tërmeti i 26 nëntorit ka plotësuar të ashtuquajturin cikël të 3 tërmeteve, deri tani vendimtar për vendin tonë. Tërmetet që e kanë paraprirë kanë qenë ai i ’67-ës dhe i vitit ’79. Lidhur me tërmetin e fundit, që shkaktoi mbi 50 viktima, në këto ditë mund të arrihet në disa konkluzione paraprake, por jo përfundimtare. Për konkluzionet përfundimtare mund t’u referohemi vetëm studimeve, të cilat janë ende në proces dhe do duhet të trajtojnë jo vetëm kushtet në të cilat ndodhi tërmeti, por edhe aspektet njerëzore; mënyrën sesi ne e përballuam, mungesat që hasëm, gabimet njerëzore që u evidentuan etj.rrenoja termet2

Gjatë këtyre javëve është vënë re se shumica e njerëzve janë gjendur të painformuar për qytetet e ngritura pranë vendeve me aktivitet të lartë sizmik…

Në të gjitha studimet që ka bërë Instituti i Sizmologjisë përmendet fakti se Shqipëria konsiderohet si një vend me aktivitet të madh sizmik. Përpos kësaj, edhe në studimet europiane të sizmologjisë, 3 tërmetet e Durrësit përfshihen ndër tërmetet më të mëdha që kanë rënë në kontinentin tonë. Të gjitha këto informacione janë të detajuara në literaturën e Betim Muços, madje ai edhe doktoratën e ka kryer mbi temën “Karakteri sizmik i tokës sonë”. Përpos kësaj, pas tërmetit të ’79-ës u morën shumë masa, qoftë ligjore me ndryshimet që u bënë në legjislacion, ashtu edhe në aspektin e kërkimeve shkencore. Institutit të Sizmologjisë iu dhanë mjaft detyra studimore dhe është bërë edhe një hartë e specifikuar e gjithë rajonit të Shqipërisë për sa u përket zonave me aktivitet sizmik, po ashtu ka ngjarje që dëshmojnë historikun e qyteteve. Për shembull, gjatë vitit ’72, kur po bëheshin përgatitjet për 60-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa hapej piedestali për skulpturën e madhe te Sheshi i Flamurit, unë kam qenë aty së bashku me kolegun tim arkeolog, Damian Komatën. Në thellësi zbuluam skeletet e disa anijeve të vjetra, çka tregon se aty ku sot është Sheshi i Flamurit, më herët ka qenë ujë. Edhe britaniku Eduard Lir, në pikturat e tij Vlorën e ka pikturuar me pelikanë, ndërsa sot s’ka më të tillë. Madje, edhe në ditarin e tij kur tregon për të thotë: “M’u bë sikur pashë një mur të bardhë, kur u afrova pashë se ishin pelikanë, të cilët u ngritën në ajër”.

Bazuar në konkluzionet paraprake që ju përmendët, nëse bëjmë një krahasim të tërmetit të ’79-ës me atë të 26 nëntorit për sa u përket viktimave, dëmeve materiale dhe mënyrës së menaxhimit të situatës, ç’mund të thoni?

Tërmeti i 26 nëntorit pati dëme shumë të mëdha, veçanërisht në zonat kënetore të Durrësit, ku janë bërë ndërtime. Dëmtime ka edhe në qytete si Tirana, Lezha etj., po ato më shkatërrimtaret qenë në Thumanë, plazhin e Durrësit etj. Kjo, sepse këto troje konsiderohen si të dobëta, ndaj edhe ndërtimi në këto hapësira kërkon masa më të forta, krahasuar me një truall të mirë. Në ’79-ën pati gjithashtu rrënime të shumë ndërtesave, mbetën jashtë deri në 46 mijë persona, por humbjet njerëzore nuk ishin kaq të mëdha, edhe për faktin se ndërtesat nuk ishin kaq të larta. Asokohe kishte shtëpi një apo dykatëshe, por jo pallate të larta. Pra, është edhe i ashtuquajturi gabim njerëzor, që lidhet me ndërtimet në zonat kënetore ose në atë të plazhit. Unë shtroj pyetjen: Nëse do të ishin shmangur këto ndërtime në këto troje të dobëta, a do të kishte kaq shumë viktima nën gërmadha? Natyrisht që jo! Profesor, nëse ndalemi te trajtimi mediatik që i është bërë ngjarjes në ’79-ën, çfarë ju vjen ndër mend? Trajtimi mediatik i ngjarjes ka qenë masiv asokohe dhe përqendrohej më shumë te familjet e prekura, vullnetarët që shkonin për të ndihmuar e më pas momentet kur këta persona futeshin në shtëpitë e rindërtuara. Ka mbizotëruar shumë reportazhi, gjini sot e lënë disi mënjanë. Është e kuptueshme që ndikimi politik ndihej. Pasqyrohej vazhdimisht se si vendi socialist ia dilte mbanë me forcat e veta edhe në një situatë të tillë, pasi nuk merrnim ndihma nga të huajt. I kam parë me sytë e mi në ’79-ën pamjet në Baçallëk të Shkodrës, si dhe në Mal të Zi, ku ishte epiqendra. Më duhet të them se shtëpitë, së paku në fshatrat e Malit të Zi, ende sot janë të parregulluara. Tërmeti i ’79-ës u pasqyrua për një kohë të gjatë në media dhe në mënyrë intensive. Po aq interesantë janë edhe dokumentarët që u realizuan qoftë nga televizioni, ashtu edhe nga Kinostudio. Por sigurisht që ndiheshin notat e optimizmit, sakrificave të mëdha që bëheshin, pasi pushteti në atë kohë e shfrytëzoi ngjarjen edhe për politikë, për t’i treguar botës se si një qeveri e popullit bën diçka të kësaj përmase për popullin. Në vendngjarje kanë qenë edhe Enver Hoxha e Kryeministri Mehmet Shehu, vizita të cilat “Zëri popullit” e mediat e tjera i kanë pasqyruar.

Në fotot e shkrepura gjatë periudhës së komunizmit, në plazhin e Durrësit vështirë se hasen ndërtime. Po ashtu, ndërtesat e larta mungonin edhe në zonat e larta. Pse asokohe janë shmangur këto ndërtime?

Sepse ne kemi pasur institute të kërkimeve shkencore. Jo vetëm atë të sizmologjisë, të themeluar nga Betim Muço, një nga sizmologët më të mirë, që së bashku me sizmologë të tjerë si Eduart Sulstarova kanë çuar përpara studime me shumë vlerë, por edhe institute të tjera, përfshirë dhe laboratorin për matjen e rezistencës së tokave, të cilat Berisha i mbylli në 2007-ën. Sot, duke mos i pasur këto institute, u krijua një boshllëk i madh injorance. Edhe shkenca nuk bëhet me injorancë, por e lufton atë. Pra, ne kemi shtuar injorancën dhe kemi sulmuar dhe larguar shkencën, kjo ka qenë një nga parimet e zeza të qeveritarëve tanë.

Pas tragjedisë, qeveria nisi menjëherë kërkimin e njerëzve, ku pati mbi 45 të shpëtuar. Si e shikoni menaxhimin e situatës?

Mund të them se tërmeti i 26 nëntorit e gjeti shtetin të papërgatitur. Numri i qenve të specializuar për raste të tilla qe minimal dhe i pamjaftueshëm për të identifikuar njerëzit nën rrënoja në një kohë sa më të shkurtër. Flasim për një institucion, të quajtur institucioni i emergjencave, drejtuesin e të cilit shumica ende nuk e njohin (Haki Çako, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile). Në media dalin pareshtur politikanë, përse nuk ka dalë edhe ai që është në krye të sektorit të emergjencave në Shqipëri? Një shtet si i yni, që ka shpenzuar fonde shumë të mëdha e që sot ka biznesmenë ndërtimi shumë të fuqishëm, pse nuk ka menduar për sektorin e emergjencave? Kjo është pyetja fatale për qeverinë.

Kryeministri Edi Rama pas tërmetit shkoi në vendngjarje. Si e shikoni pozicionimin e tij në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe rolin e medias në menaxhimin e situatës?

Në menaxhimin e situatës, unë mendoj se ka pas dy motive kontradiktore. Nga njëra anë, kreu i qeverisë ka qenë çdo ditë në terren e kjo nuk duhet mohuar, ndërsa nga ana tjetër është ndierë kriticizmi i tij i vazhdueshëm kundër mediave, kur mediat në fund të fundit kanë qenë ato që na kanë njohur me situatën. Media ka bërë një punë të patjetërsueshme, pa to ne nuk do të mund të ishim njohur me përmasat e katastrofës, rrënojat, viktimat etj. Në situata të tilla, natyrisht ka edhe elemente të panikut, elemente të shfrytëzimit, të “fake news”-it, këto janë fenomene që ndodhin në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, por përgjithësisht qëndrimi i mediave ka qenë korrekt. Është hera e parë, sipas meje, kur mediat u vendosën tërësisht në shërbim të një ngjarjeje. Kështu që, nuk e quaj të drejtë hakërrimin e kryetarit të qeverisë ndaj medias. Përpos këtyre, më ka bërë përshtypje dalja publike e ishkryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në krah të Kryeministrit. Dako është shpallur “non grata” në Amerikë, kreu i qeverisë është figurë politike, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se ambasada amerikane e vëzhgon.

Çfarë doli në dukje pas tërmetit për sa i përket aspektit ekonomik, por edhe atij social në vendin tonë?

Ky tërmet tregoi dy faktorë të thekshëm, thelbësisht të dallueshëm: Brenda një Shqipërie duket sikur ka dy Shqipëri. E para është Shqipëria e popullit, rinisë, solidaritetit, e cila është shumë mallëngjyese e që na tregon ne si një popull me virtyte, një popull që në momente rreziku dhe emergjence kemi prirjen e mirë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kësaj i duhet shtuar solidariteti brenda kombit shqiptar, që u reflektua duke nisur nga Kosova dhe viset e tjera që ka shqiptarë. E mandej është Shqipëria tjetër, ajo e politikanëve dhe e njerëzve mediatikë. Unë kam një pyetje: A i shmangën mediat, qoftë edhe për një ditë, këto figura politike? A munguan këta politikanë qoftë edhe për ndonjë ditë në ekran? Jo, ata ishin aty. Ishin aty jo rastësisht, por pasi e kërkojnë vëmendjen e mediave, pavarësisht se i hakërrehen. Pra, këto dy Shqipëri nuk përputhen. Shqipëria e administratorëve të saj, e politikanëve, e qeverisësve, Shqipëria e opozitës së bashkuar, që gjatë kësaj situate katastrofike ka dalë komplet blof. Unë nuk di asnjë veprimtari të organizuar nga Basha (së paku të ketë qenë e dukshme), përveç disa shfaqjeve televizive, të cilat s’tregojnë tjetër veçse ritualin e fjalimeve të domosdoshme në këto raste.

Shembja e shtëpive, e pallateve të larta të realizuar jo brenda parametrave, pasoi me thirrje publike të qeveritarëve për ndëshkimin e mundshëm të fajtorëve. Pyetja që lind është: A duhet të ishin marrë më parë masat dhe a duhet të trajtohen si bashkëfajtorë ata që kanë dhënë lejet, apo që s’kanë bërë kontrollet e duhura?

Mendoj se ndëshkimi duhet të fillojë nga ata që kanë diçka në dorë. Duhet analizuar çështja: Pse u mbyllën institutet që lidheshin me sizmologjinë. Pse qeveritë e prishën dhe nuk e morën në konsideratë sektorin e emergjencave, që duhet të jetë i konsoliduar për çdo shtet serioz. Po ashtu, duhet përpiluar lista e njerëzve që kanë bërë ndërtimet jashtë standardeve dhe e atyre që kanë dhënë lejet e ndërtimit. Këtu numri i fajtorëve është shumë i madh. Jo më kot e theksoj se brenda kësaj Shqipërie ka dy Shqipëri; ajo e popullit dhe Shqipëria e qeveritarëve. Unë nuk di ndonjë qeveritar që të jetë vrarë nga rrënojat e pallatit ku jeton… a ka ndonjë qeveritar apo pasanik që është dëmtuar nga tërmeti? Unë nuk di. Është e vërtetë që mund të kenë pasur biznese që u janë prishur, por jo shtëpitë e tyre, nuk janë rrezikuar familjet e tyre. Pse? Sepse shtëpitë e tyre janë me parametra shumë më të mira sesa ato të popullit dhe ata që e pësojnë janë njerëzit e thjeshtë. Dhe kjo është një çështje që kërkon analizë të thellë. Do ishte shumë mirë që të bëhej një ligj në Parlamentin e Shqipërisë për përmirësimin e emergjencave dhe fondet për momentin e emergjencës të ishin të konsiderueshme. Po ashtu, instrumentet për raste të tilla emergjence duhet të ishin më të sofistikuara. Nuk e kam fjalën vetëm për qentë e specializuar, por edhe për mjetet, makineritë që bëjnë hapjen e gërmadhave etj.

Sizmologët në shumicën e deklaratave pohojnë se probabiliteti që lëkundjet të shuhen është i madh. Temperaturat janë të ulëta, njerëzit e mbetur pa shtëpi kanë nevoja bazike çdo ditë, si mendoni se do të menaxhohet situata?

Unë mendoj se periudha posttërmetore do të jetë e ndërlikuar në shumë aspekte, edhe nga pikëpamja politike. Nuk e di nëse kjo klasë politike do të ketë fuqi që t’i vërë gishtin kokës, të ndërgjegjësohet për situatën, kam dyshime. Përpos kësaj, ka edhe një tjetër problem: Si do të menaxhohen paratë e donacioneve, që u dhanë për të prekurit nga tërmeti. Kam frikë se nuk do të mungojnë spekulimet nëse paratë shkojnë për çështjen e tërmetit, për të cilën janë dhuruar. Pastaj mendoj gjendjen popullore, njerëzit nuk do ta kenë aq të thjeshtë të futen në shtëpitë e reja, sepse krahas banesës, është i domosdoshëm edhe mobilimi. Shumica e këtyre familjeve janë shumë të varfra, nuk e kanë të lehtë të sigurojnë qoftë edhe një lavatriçe, frigorifer, televizor etj. Mua më shqetëson fakti nëse politika shqiptare në këto rrethana emergjence do të ketë guximin dhe largpamësinë për të krijuar një klimë tjetër, apo lufta politike që u duk sikur u shua për pak do të ringjallet përsëri. Kam frikë se situata posttërmtore, gjendja pas kësaj katrahure do të jetë më e rëndë…

Krahas dhimbjes që shkaktoi humbja në njerëz dhe rrënimi i banesave, tërmeti cenoi edhe trashëgiminë materiale, kulla e Durrësit pësoi dëmtime të mëdha…

Kulla B është pranë shtëpisë ku unë kam lindur në Durrës, ngjitur me shtëpinë e Aleksandër Moisiut. Rrëzimi i saj më ka trishtuar shumë, pasi ka qenë një nga kullat më solide. Kështjella bizantine e Durrësit është nisur të ndërtohet nga perandor Anastasi, por në të vërtet muret janë bërë nga perandor Justiniani në shekullin VI. Anna Komnena në shekullin XI shkruan se “muri që bashkon kullat është kaq i madh, sa në të mund të ecin ngjeshur 4 kalorës”. Gjatë tërmetit ka pësuar një çarje të madhe nga maja e kullës deri në pjesën fundore dhe është rrëzuar. Tani duhet menduar për restaurimin e saj, por që të bëhet diçka e tillë duhet që të prodhohen tjegulla të madhësisë që prodhoheshin në periudhën bizantine të shekullit VI. Vështirësitë e restaurimit të kullës së Durrësit shtohen edhe për faktin se në sektorin e monitorimit të restaurimeve, që drejtohet nga Ministria e Kulturës, mungojnë specialistët. Disa prej tyre, personalitete të vërteta shkencore, si Emin Riza, jetojnë ende, por askush nuk kërkon mendimin e tyre. Kështu që, çështja e restaurimit të këtyre monumenteve të kulturës ka koston e saj, por mbi të gjitha kërkon specialistët e duhur për rindërtimin e murit.

Ç’mund të thoni për rolin e njerëzve të artit e të kulturës në rimëkëmbjen nga kjo tragjedi?

I vlerësoj ata që janë angazhuar, do doja që të kishte një solidaritet më të madh dhe nga njerëzit e letrave, pasi letërsia në njëfarë mënyre është krijuar edhe për të mbajtur gjallë shpresën. Shkrimtarët, që kryesisht flasin vetëm për politikë, le të shprehen edhe për njerëzit e thjeshtë, pasi tragjedia është te populli.

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura