INTERVISTA/ Lul Berisha: E vërteta e lidhjes sime me Emiljano Shullazin

Apr 25, 2016 | 9:08
SHPËRNDAJE

Lulzim Berisha, i cilësuar nga prokuroria dhe policia si kreu i “bandës së Durrësit” dhe i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lartë ka reaguar pas shkrimit të botuar dy ditë më parë në “Shqiptarja.com” se ai dhe Emiljano Shullazi janë bashkuar në një grup të vetëm. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Lulzim Berisha shprehet se nuk ka asnjë njohje me Shullazin.

Lul Berisha-ShullaziSipas tij, emrin e Emiljano Shullazit ai e ka hasur për herë të parë në procesin gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, ka pohuar se kundërshtarët e tij e kishin kontraktuar Shullazin si individ për ta ekzekutuar Berishën, kundrejt një pagese prej 200 mijë euro.
Zoti Berisha, nëpërmjet një materiali të publikuar ekskluzivisht në faqet e gazetës sonë ditën e premte, jeni njohur me disa akuza nga institucione të shtetit shqiptar, që ju përfshijnë personalisht ju. Cili është reagimi juaj?

E lexova shkrimin e botuar në gazetën tuaj, ku unë citohem (referuar një raporti të pretenduar, të marrë nga ministria e Brendshme shqiptare), si një nga krerët e një organizate kriminale, në bashkëpunim me shtetasin Emiliano Shullazi dhe kunatin tim (burrin e motrës), Plarent Dervishaj e individë të tjerë, që nuk po i përmend. Natyrisht, megjithëse i rrahur keq nga jeta e deritanishme, nuk mund të mos ndjej neveri, përbuzje, urrejtje, keqardhje, për vërtetësinë dhe mënyrën e publikimit të këtij lajmi. Është në funksionin e medias gjurmimi e publikimi i lajmit, por është edhe në detyrimin e saj të verifikojë burimin, vërtetësinë para se ta publikojë atë.

Konkretisht, pse mendoni që publikimi i lajmit është i gabuar?

Pretendohet se ky lajm është marrë nga një raport i ministrisë së Brendshme. Natyrisht, ju nuk jeni të obliguar të publikoni autorin e informimit, por duhet ta botoni raportin tërësisht, siç është i shkruar, për të larguar dyshimin se kemi të bëjmë me një spekulim, në rrethanën që ai nuk botohet, por vetëm citohet. Nëse ju nuk e botoni raportin, ashtu siç pretendoni që e dispononi, duke u mbrojtur me argumentin se ‘është sekret’ apo me ndonjë motiv tjetër, në rrethanën kur unë jam i cenuar drejtpërsëdrejti në rrugë tejet antiligjore, do të më duhet që të ndjek rrugën gjyqësore për administrimin e tij, gjë që nuk e dëshiroj.

Pra, sipas jush, nuk ekziston një raport i tillë?

Edhe nëse raporti i cituar ekziston, a duhet të botohet ai, në rrethanën siç është shkruar, si informacion nga një burim informativ, i pashoqëruar me prova apo indicje, që ta konfirmojnë atë? Policia e Shtetit e ka në objekt të punës së saj gjurmimin preventivues të veprimtarisë kriminale, por hartimi i një raporti apo informacioni të tillë, patjetër që duhet të shoqërohet me provat e përfituara deri në momentin e hartimit të tij, ndryshe Policia e Shtetit, duke hartuar raporte të tilla, pa elementin provues, shkel ligjin, mbi të cilin funksionon, si dhe shndërrohet në një institucion shpifës dhe demonizues, sipas manierave personale të atyre, që punojnë në të.

 Pse e thoni këtë?

Unë jam arrestuar në prill të vitit 2006 dhe vazhdoj të jem pa ndërprerje në burgim, për shkak të procedimit, gjykimit dhe dënimit si subjekt i veprës penale, të parashikuar nga nenet 78 e 25 të Kodit Penal, sipas ligjit të kohës, për faktet penale objekt-akuze. Jam i dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë. Në shkrim aludohej se Gjykata e Lartë, pa të drejtë, ka ndryshuar vendimet e dy niveleve të Gjyqësorit të Krimeve të Rënda, që më kishin deklaruar fajtor e dënuar me burgim të përjetshëm. Në fakt, jam unë ai, që ndihet i dëmtuar nga ai vendim, pasi jam deklaruar fajtor e dënuar pa të drejtë për fakte e rrethana të paprovuara në rrugë gjyqësore, për të cilat edhe vetë ajo Gjykatë ka mbajtur një standard të dyfishtë në çmimin dhe vlerësimin e atyre provave të administruara në gjykim.

Në këtë situatë që ndodhem, citohem si kreu i një organizate kriminale, me objekt veprimtarie kriminale në shumë drejtime. Me Emiljano Shullazin as nuk njihem dhe nuk kam patur asnjëherë kontakt; jo sot, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë i lirë. Emrin e tij e kam ndeshur në procesin gjyqësor, që zhvillohej ndaj meje, ku ish-i pandehuri Coli, njëherësh bashkëpunëtor i Drejtësisë dhe burim i vetëm i fabrikimit të atij procesi, e implikonte si individ, me të cilin kundërshtarët e mi kishin kontaktuar për të më vrarë mua, kundrejt pageses prej 200 mijë eurosh. Ky fakt është cituar nga media e shkruar në kohën e procesit gjyqësor ndaj meje, por është cituar edhe këto ditë, pas arrestimit të Shullazit. Që këtu fillon paradoksaliteti i vërtetësisë së atij raporti të cituar nga ju në shkrim: Unë bashkëpuntor me individin që qe pretenduar se ishte kontaktuar për të më vrarë? Nuk ka asnjë provë, rrethanë apo indicje, që të provojë këtë pretendim, të hedhur në raport.

Po për lidhjet me individë të tjerë, të cituar në raport, ç’mund të thoni?

Kontaktet me kunatin, pjesëtarë të familjes apo lidhjeve shoqërore, që më vizitojnë, apo edhe mund të kem kontaktuar në telefon, anatemohen në raport, me sfond bashkëpunimi kriminal. Mbi ç‘bazë e në cilat prova apo burime mbështetet kjo? Citoni vetëm një indicie dhe iu jap të drejtë. Nuk kam asnjë lidhje me faktet penale që citohen e pretendohen në shkrim. Nuk ka asnjë çështje penale, të filluar ndaj meje apo individeve të tjerë, pjesëtarë të familjes, të afërm apo lidhje shoqërore të miat, që përmenden në shkrim, me përjashtim të pjesëtareve të familjes Shullazi apo Gilman Danit që, siç përmenda më sipër, as nuk i njoh.P ërgojohen në shkrim vuajtja e dënimit në Durrës apo dalja me leje. Me vendim të formës së prerë të Gjykatës, vuajtja e dënimit për mua është caktuar në një burg të sigurisë së zakonshme. Në bazë të ligjit përkatës për organizimin e vuajtjes së dënimit, kam plotësuar kriterin ligjor për të dalë me leje.

Sipas jush, raporti është hartuar nga njerëz keqdashës personalisht ndaj jush? Apo për shkaqe të tjera?

Në rrethanën kur nuk ka asnjë vërtetësi në atë raport për implikimin tim në aktivitet kriminal, mbetet për t’u sqaruar fakti i mënyrës së hetimit,nxjerrjes dhe botimit të këtij raporti në këtë moment, motivet dhe qëllimet. Në gjykimin tim, jam i bindur se ata që drejtojnë Policinë janë vetë të bindur në pavërtetësinë e këtij raporti përsa i përket pozitës sime. Nëse do të ishte ndryshe, nga ana e tyre do të ishin kryer veprimet e nevojshme, për vënien time para Drejtësisë, siç nuk nguruan ta bëjnë edhe në vitin 2006. Edhe në atë kohë u zbatua i njëjti skenar. Në rrethanën kur nuk kishte prova për penalizimin tim, deklarimet e “bashkëpunëtorit të Drejtesisë“ Coli u botuan nga prokurori i çështjes në media për të sensibilizuar opinionin për rrezikshmërinë time kriminale e margjinalizuar pozitën time në atë procedim e gjykim. Dhe ja arriten qëllimit. Në atë kohë kam botuar një intervistë, në të cilën sqaroja pafajësinë time dhe prapavijën e errët, që shoqëroi procedimin dhe dënimin tim. Argumentet e mia në atë intervistë janë ende aktuale dhe janë sqaruese edhe për prapavijën e shkrimit të botuar nga ju. Ndaj ju ftoj ta ribotoni, në mënyrë që lexuesi të njihet me të vërtetën dhe ta bëjë vetë analizën e fakteve.

Pra, kush do të ishte prapa një veprimi të tillë?

Prapa këtij veprimi janë të njëjtat qarqe dhe të njëjtat motive. Ndërsa atëherë sponsori formal i botimit të deklarimeve të Colit në media ishte prokurori i çështjes dhe elita e drejtuesve të Policisë së Shtetit, që kërkonte të përligjte arbitraritetin e atij procesi, tani janë falangat e tyre, të mbetura në Policinë e Shtetit, që duke shfrytëzuar rastin “Shullazi”, për të goditur ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin, kërkojnë të më intimidojnë edhe mua, të afërm apo lidhje shoqërore të miat,si bashkëpunëtorë me të, vetëm e vetëm për t’i shërbyer djallëzisë së tyre, pasi nuk jam palë me ta. Siç nuk kam njohur Shullazin apo lidhjet familjare ose shoqërore të tij, të proceduar bashkë me të, nuk kam pasur rast të njoh as ministrin aktual të Brendshëm dhe as kryeministrin, e jo më të bashkëpunoj me ta në rrugë kriminale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura