Lindita Theodhori i përgjigjet Gjergj Lekës: Ki kujdes, jam e rrezikshme

Aug 25, 2015 | 13:28
SHPËRNDAJE

INTERVISTA/Lindita Theodhori një nga këngëtaret për të cilat foli kantautori Gjergj Leka në intervistën dhënë për “Panorama” reagon për akuzat e bëra në adresë të saj, duke e quajtur Lekën burre ordiner. 

Ajo thotë se ai ka nevojë të vizitohet te ndonjë mjek dhe meqë ka thënë se Lindita është e rrezikshme, duket të ketë kujdes prej saj: “Dua t’i them, ki kujdes, sepse jam e rrezikshme. Ai njeri ma shpif, burrë ordiner”.

E diela e fundit nuk ishte si gjithë të tjerat për të. Që në orët e para të mëngjesit e kanë zgjuar telefonatat e miqve që i thoshin se një kolegu i saj kishte thënë diçka të pahijshme në lidhje me të kaluarën e këngëtares, shkruan sot Dita, e cila publikon interviste me kengetaren. 

Lindita dhe Vace Zela
Lindita dhe Vace Zela

E ndodhur përballë një fakti të tillë ajo ka mbetur e shokuar dhe pa fjalë.

Theodhori nuk di ta shpjegojë motivin dhe arsyen se përse janë thënë ato fjalë dhe përse është hedhur baltë mbi figurën e saj.

Ajo ndihet e prekur, dhe shpreh shqetësimin se po kaq të prekur ndihen edhe dashamirësitë, miqtë dhe fansat e saj.

Ajo tregon se jo vetëm ajo ndihet e fyer, por edhe familjarët.

Madje shton më tej se ka dy djem të rritur dhe ata kanë përdorur frena shumë të forta për t’u përmbajtur ndaj fjalëve që ka thënë Leka për nënën e tyre.

lindita-theodhoriPavarësisht viteve ajo është aktive me koncerte dhe këngë të reja. Lindita nuk ka ndaluar asnjëherë së kënduari. Ruan një stil vajzëror në veshje dhe ka një fizik për t’u admiruar.

Unë s’mund të merrem me të tjerët dhe s’mund të mbyll gojën e askujt. Por është e turpshme të merresh me jetën e tjetrit.

Si Linditë kam një natyrë, që gjërat e shëmtuara dhe ato që nuk më interesojnë nuk u kushtoj asnjë sekondë kohë.

Unë merrem me gjërat e bukura, ato që të zbukurojnë jetën. Por në këtë rast duhet të them patjetër diçka sepse është cenuar jeta ime, personaliteti im, karriera dhe familja ime.

E konsideroj një veprim vulgar, një shfaqje skandaloze të atij njeriu dhe një veprim të ulët për atë palo burrë, të cilit nuk dua t’ia përmend as emrin.

Ma shpif, nuk di ç’të them tjetër, por thjeshtë ma shpiiif. Njeri i pështirë. I ndotur. Burrë ordiner!” shprehet ndër të tjera Theodhori ne intervisten per Dita. 

-Zonja Lindita si ka qenë kjo e diel për ju?

E tmerrshme. Nuk kisha përjetuar ndonjëherë një ndjenjë të tillë. Ecja rrugës dhe më ndalonin njerëzit e më thonin: po ai idioti ç’ka thënë ashtu për ju! Nga njëra anë ndihesha mirë që ishin solidarë me mua nga ana tjetër, më vinte shumë keq që po gjendesha në një pozicion të tillë, ku nuk dija çfarë të thoja sepse nuk e shpjegojë dot ato fjalë që janë thënë ndaj meje.

-E njihni ju Gjergj Lekën?

Për hir të vërtetës nuk kam ndonjë njohje personale, por e njoh pak nga larg, pavarësisht se ai është marrë me krijimtari. Jemi përshëndetur nja dy herë rastësisht, dhe jemi përshëndetur me dashamirësi. Por vetëm kaq. Madje së fundmi në “Këngët e shekullit” jemi takuar me shumë përzemërsi!

-Ju thoni që nuk e njihni atë, ndërsa ai ka folur për ju dhe ka thënë që në rininë tuaj keni qenë e “rrezikshme”. Çfarë komenti keni?

Unë s’mund të merrem me të tjerët dhe s’mund të mbyll gojën e askujt. Por është e turpshme të merresh me jetën e tjetrit. Si Linditë kam një natyrë, që gjërat e shëmtuara dhe ato që nuk më interesojnë nuk u kushtoj asnjë sekondë kohë. Unë merrem me gjërat e bukura, ato që të zbukurojnë jetën. Por në këtë rast duhet të them patjetër diçka sepse është cenuar jeta ime, personaliteti im, karriera dhe familja ime. E konsideroj një veprim vulgar, një shfaqje skandaloze të atij njeriu dhe një veprim të ulët për atë palo burrë, të cilit nuk dua t’ia përmend as emrin. Ma shpif, nuk di ç’të them tjetër, por thjeshtë ma shpiiif. Njeri i pështirë. I ndotur. Burrë ordiner!

-Z.Leka shprehet se ju dhe disa kolege tuajat në kohën e sistemit njëpartiak nuk keni qenë thjesht këngëtare, por e keni fituar famën në rrugë të tjera…

Shiko Entela. Unë do ta quaja absurde atë që ka thënë ky njeri, që meriton konsideratën më të ulët. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një njeri i lig. Ka hedhur baltë mbi punën time dhe mbi karrierën e një artisteje që ka më shumë se 40 vite në skenë.

Talenti dhe puna më kanë ngjitur këtu ku jam sot. Jam një artiste e dekoruar me disa tituj, si Artiste e Merituar, Mjeshtre e Madhe e Skenës. Këtë respekt e kam ndjerë në të gjithë Shqipërinë, e ndjej edhe sot këtu ku jam duke pushuar, në qytetin e Vlorës. Sinqerisht ndihem e fyer dhe me atë njeri do i zgjidh punët nëpërmjet drejtësisë. Ka cenuar rëndë personalitetin dhe jetën time private.

-Në gjykimin tuaj, pse iu ka përmendur Leka në rrëfimin e tij?

Këtë gjë mund të dijë vetëm ai, dhe për këtë duhet pyetur ai. Madje jam habitur. Kur jam kthyer nga Londra për herë të parë para shumë vitesh e kam takuar rastësisht dhe jemi përshëndetur me një konsideratë të jashtëzakonshme. Ai me atë që ka thënë nuk ka ofenduar vetëm mua, por të gjithë artistët. Nga ai brez sot janë të pakta ato këngëtare që janë ende aktive. Si mund të flas një njeri për dikë që ka mbi 40 vjet në skenë?! Jam shumë dakord që media është e lirë dhe mund të shkruajë gjithçka, por kur bëhet fjalë që cenohet dinjiteti dhe personaliteti i një personi dhe një artisteje në moshën time, më duket e pabesueshme. Se gjuha kocka s’ka, por kocka thyen, ndaj njeriu duhet të ketë kujdes kur flet se ka pasoja.

-Zonja Lindita, si ka qenë jeta juaj, karriera juaj përpara viteve ’90? Ju keni qenë vërtet një vajzë e bukur dhe kjo duket edhe sot për hir të së vërtetës. A ju ka ndihmuar pamja për të ecur në karrierën tuaj?

Unë kam qenë një vajzë e bukur edhe me një zë që e njohin të gjithë. Jo për t’i bërë qejfin vetes, por jam shumë punëtore dhe këmbëngulëse. Puna që kam bërë më ka sjellë deri këtu, ku sot e kësaj dite vazhdoj edhe pas 40 viteve të merrem me këtë profesion. Unë në asnjë rast të vetëm nuk kam pasur nevojë dhe s’ka ndërhyrë askush për mua. Këtë e them në mënyrë kategorike. Por nuk e mohoj që isha një vajzë që vështrohesha, dhe që isha në qendër të vëmendjes.

-Po këto akuzat për lidhjet me drejtues të Sigurimit…

Unë kam qenë e martuar me një burrë që e kam dashur dhe më ka dashur shumë. Kam pasur dhe kam një familje ideale që e dinë të gjithë pa përjashtim. Sigurisht që s’dua t’i futem fare rrugës së reagimit sepse unë kam dy djem që janë krenarë për mamanë, por po ta them që ai njeri i ka bërë shumë dëm vetes. Unë do të cilësoja si turp të merresha me atë njeri që flet me atë gjuhë. I ndyrë!

-Po si ka mundësi që ka folur në atë mënyrë në adresën tuaj?

Unë mendoj se ai është një njëri i papërgjegjshëm. Ai duhet patjetër të vizitohet te një mjek. Ai ka nevojë për doktor. Në emrin tim, të bashkëshortit, Maqo, dhe dy djemve, Marsel dhe Devi, kërkoj nga ai që të dalë dhe të kërkojë falje publike, në të kundërt me të do të shihemi në dyert e drejtësisë pasi kjo histori nuk mbaron këtu. Siç ka thënë ai që unë paskam qenë e rrezikshme në atë kohë, unë dua t’i them që, ki kujdes, sepse Lindita është më e rrezikshme nga ç’mendon ai.

-A keni patur ju kontakte me udhëheqësit e regjimit të asaj kohe?

Unë kam pasur kontakt me të gjithë dhe s’kam pasur kontakt me asnjë. Kam marrë pjesë në aktivitete me të gjithë anëtarët e Byrosë, përveç Enverit. Ne kemi qenë një grup këngëtarësh që ishim në thuajse në çdo eveniment. Por talenti im, puna, zemërgjerësia, edukata ime s’ka pasur nevojë për ndihmën e askujt. Ai person që ka thënë ato fjalë për mua, po i them që ka bërë shumë gabim. Do të pendohet një ditë. Po kush e bëri që Agim Krajka të më jepte këngën “Kafe Flora” kur unë isha vetëm 17 vjeç?! Kush?! Po ç’janë këto!?

-Po me Enver Hoxhën keni patur kontakt?

Jo, nuk kam pasur kontakt. Por më kujtohet që në Festivalin 11 ku këndova “Kafe Florën” ai ka thënë një kompliment shumë të veçantë për mua: “Na u desh një vajzë e vogël nga Myzeqeja që të na tregojë se si këndohet bukur një këngë”.

-Ashtu si ju, zoti Leka ka folur edhe për këngëtaren Parashqevi Simaku…

Më vjen shumë keq. Ka pasur çfarë ka pasur, është e drejta e saj sepse ka qenë një vajzë beqare. Ajo ishte sharmante dhe s’mund të thuhen ato gjëra për të.

Ajo ishte një këngëtare e zonja. Pastaj ai thoshte që e kemi marrë në Kavajë teksa lante rroba në një pus, por ç’është kjo fjalë, pse njerëzit që vijnë nga rrethet nuk kanë të drejtë të ecin në jetë!? Po ç’është ky paragjykim, po pse duhet të lindësh në Tiranë që të bëhesh artiste se nuk e kuptoj?!

Sa e vështirë ishte në ato vite të bëjë karrierë?

Sigurisht që ishte e vështirë. Ne kalonim në shumë sita në atë kohë. Nëse nuk përmbushje parametrat nuk mund të dilje dot në skenë. Duhej shumë punë. Sot është më e thjeshtë, mund të bëhet këngëtar kushdo, pasi sot nuk ka kritikë.

-Keni nostalgji për atë kohë?

Sigurisht që kam. Kemi kaluar shumë mirë. Kemi kaluar sfida, kemi bërë art. Kam nostalgji dhe mall për njerëzit më të cilët kam punuar në ato vite, për Krajkën, për Kujtim Laron, për Emën që e kam pasur si motër apo dhe për Liljanën. E për shumë të tjerë…

-Ka patur xhelozi mes artistëve në atë kohë?

Sigurisht që ka pasur. Çdokush ka dashur të ishte më përpara se të tjerët. Por brenda mundësive tona, dhe kemi qenë me këmbë në tokë. Unë kam bërë maksimumin për të bërë atë që mundesha. Dhe mesa shoh e kam bërë shumë mirë. E them me krenari që doja të isha e para, pse jo.

-Keni qenë ndonjëherë e ndrydhur për shkak të sistemit?

Të them të drejtën jo. Unë kam qenë e vogël se s’kisha bërë as 17 vjeçe kur kam dalë. Unë jam ndjerë rehat me gjithë konsideratën e lartë që kisha si nga instancat e larta edhe nga qytetarët e zakonshëm. Festivali i 11-të më dha shtysë të jashtëzakonshme për të vazhduar përpara. Ai vit ka qenë një kthesë e fortë në jetën time.

-A shkonit ju në pritjet që bënin udhëheqësit e asaj kohe?

Sigurisht që po. Madje ne e kishim me krenari. Kam qenë në të gjitha festat e shënuara, nga dita e Dëshmorëve, festat e Nëntorit, Viti i Ri, etj.

-Keni qenë ju një vajzë ‘rebele’ në atë kohë, që bëje ç’të doje?

Nuk do ta konsideroja rebele veten. Por zakonisht kam bërë atë që kam dashur. Veshjet ishin të kufizuara, por unë kam veshur atë që doja. Unë edhe sot vesh shumë gjëra si atëherë. Kur më thonë a je xheloze për këto këngëtaret e sotme për mënyrën se si dalin në skenë… Unë them jo. Asgjë s’ka të bëjë me moshën, por ka të bëjë me shijet, me të bukurën. Unë vishem ashtu siç dukem më bukur.

-Po për muzikën e këtyre viteve çfarë mendimi keni?

Mendoj se rrymat që vijnë duan kohë, që më pas të përcaktohen edhe këngëtarët. Këtë nuk e kam vetëm për në Shqipëri, por e kam për të gjithë botën. Mua s’më pengon asgjë që të bëj muzikën që dua unë, pavarësisht nga rrymat.

-Po me Vaçen si i keni patur marrëdhëniet?

Unë e kam pas mikeshë të mirë. Më ka ardhur dhe i kam shkuar në shtëpi. Kemi gatuar për njëra-tjetrën. Ajo ishte një këngëtare e madhe. Por Vaçja ishte Vaçja dhe Lindita ishte Lindita. Nuk mund dhe s’ke se si t’i ngatërrosh.

-Ju ndjeheshit e përkëdhelur në atë kohë?

Unë ndjehem edhe sot e përkëdhelur.

-Jeni penduar për ndonjë gjë gjatë atyre viteve?

Në mënyrë absolute për asgjë nuk jam penduar. U fejova e re 20-vjeçe dhe u martova e re dhe kam qenë gjithmonë shumë e lumtur. Kam një burrë që i dedikoj suksesin e jetës time, Maqon. E prekur thellë në shpirt, përfitoj nga rasti t’i shpreh gjithë dashurinë dhe respektin që kam për të. Po ashtu kam dy djem të mrekullueshëm, që na kanë bërë krenarë si prindër. E kam ndërtuar me shpirt dhe me duar këtë familje që kam sot.

-Po bashkëshortin e keni pasur xheloz?

Asnjëherë nuk është bërë xheloz. Nuk më ka bezdisur asnjëherë, sepse në asnjë rast nuk ka pasur as më voglin problem në jetën tonë bashkëshortore. Nuk e kuptoj dot se nga është nisur ky person dhe me çfarë qëllimi, që ka bërë ato pohime kundër meje dhe artistëve të tjerë. Deri më sot nuk ka lindur asnjë person të shkel emrin tim dinjitoz. Nuk ka fuqi as ai, askush, të përbaltë emrin tim që ka mbi 40 vjet në skenë. Është një emër i ndërtuar me djersë, mundime dhe sakrifica. Këtu dua të falënderoj edhe njerëzit që më njohin si nga afër dhe si artiste. Kurrë nuk do të jem e lodhur t’u shërbej sepse janë ata që më kanë shërbyer mua gjatë këtyre viteve. Madje solidaritetin e tyre e kam ndjerë shumë këto ditë dhe i falënderoj nga zemra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura