INTERVISTA/ “Nxjerrja e Ushtrisë në rrugë është kompetencë e Kuvendit, kryeministri po sfumon…”- Juristi shpjegon ligjshmërinë e akteve normative

Mar 24, 2020 | 17:09
SHPËRNDAJE

Vladimir Meci-aktet normative Bleona Metushi/ Zbatimi me korrektesë i ligjit për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe të atij për mbrojtjen civile, sipas juristit Vladimir Meçi, do të na e lehtësonte luftën kundër pandemisë së coronavirusit.

Teksa shprehet se tashmë e vetmja zgjidhje është respektimi i masave të marra nga Qeveria, Meçi shton se masat duhet të ishin marrë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe duhet ta bënte Kuvendi. Aktet normative, të nxjerra nga Qeveria këto ditë, në disa raste, siç është nxjerrja e Forcave të Armatosura, kanë marrë kompetencën e Kuvendit, shprehet juristi.

Sipas tij, për ligjshmërinë e këtyre akteve, do të duhet që formalisht të shprehej që po veprohet nën kushtet e “forcës madhore”. “Me aktet normative është lejuar dhe ndërhyrja e Forcave të Armatosura ( Policisë Ushtarake ), e cila është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë”, thotë Meçi.

Ky i fundit flet ashpër edhe për aktorët e politikës, që kanë neglizhuar “problemet kardinale” të vendit, duke anashkaluar strukturat që di të duhet të parandalonin dhe menaxhonin sot pandeminë.

Avokat Meçi, lidhur me situatën e krijuar në vend nga epidemia e coronavirus-it, si i shikoni aktet normative të nxjerra nga Qeveria?

Po ju përgjigjem pyetjeve tuaja duke dalë pak nga skemat, po ia lejoj vetes këtë shmangie duke qenë në kushtet e karantinës, ndaj do të doja të jepja disa konsiderata të përgjithshme që lidhen me situatën aktuale. Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016, ka miratuar një ligj shumë të mirë për situata si kjo e tanishmja: ligji 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”. Por askush nuk e ka vrarë mendjen për ligjin, as deputetët, as zoti President që na tregon shkeljet kushtetuese dhe paralajmëronte se po të shpallte Qeveria gjendjen e jashtëzakonshme për coronavirusin, do e bënte këtë për të sabotuar mitingun e tij të 2 marsit. Kemi një opozitë impotente dhe mediokre që sa kohë ishte në Parlament luftonte me “Babale” dhe që nuk i kërkoi asnjëherë llogari Qeverisë për problemet kardinale që e shqetësojnë vendin dhe shoqërinë. Dhe qershia mbi tortë, kemi një Kryeministër të cilit i intereson protagonizmi dhe ka sfumuar apo anashkaluar të gjitha strukturat që duhej të ishin në këmbë dhe të paralajmëronin e të merrnin masa për këtë situatë në të cilën ndodhemi.

Konkretisht, çfarë parashikon ky ligj dhe si do të ndihmonte në luftën ndaj epidemisë?

Ligji parashikon në mënyrë të plotë dhe shumë të qartë se si duhet të parandalohen situata të tilla si dhe krijimin e strukturave përgjegjëse që duhet të krijoheshin për parandalimin e më pas përballimin e një situate emergjence siç është kjo e krijuar nga coronavirusi.

Ndërmjet strukturave që duhet të ishin krijuar, është edhe Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Epidemike, i cili është një shërbim shëndetësor i specializuar nën monitorimin e Institutit të Shëndetit Publik, e që ka detyrën që në kohë reale të evidentojë çdo ngjarje të jashtëzakonshme dhe të ndërhyjë për të parandaluar, kontrolluar dhe eliminuar ato. Po kështu janë dhe strukturat e tjera përgjegjëse , si Shërbimi Kombëtar i Sëmundjeve Infektive.

Nëse këto struktura do të ishin funksionale, qysh në dhjetor të vitit të kaluar do të kishin marrë masat e nevojshme për evidentimin e rrezikut eventual që mund të vinte nga shfaqja e virusit në Kinë. Masat janë të përcaktuara me shumë saktësi në ligj, ndaj duhej që të merreshin ato masa me qëllim që të mos ishte nevoja që moszbatimi i ligjit të krijonte nevojën e nxjerrjes së akteve normative të Qeverisë. Duke u rikthyer tek legjislacioni ekzistues, më duhet të përmend dhe një tjetër ligj, atë me nr.45/2019 “Për mbrojtjen civile”.

Edhe ky është mjaft i qartë. Zbatimi i tij me korrektesë së bashku me ligjin tjetër, atë me numër 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, me siguri që do të na e bënin më të lehtë kalimin e kësaj situate, e cila po përkeqësohet dita ditës. E njëjta gjë ndodhi edhe me tërmetin, të gjitha qeveritë me radhë e kishin injoruar këtë fenomen natyror dhe pasojat që mund të sillte. Natyrisht, tani mund të mos jetë koha për të ngritur probleme të tilla dhe duhet tu nënshtrohemi masave të marra nga Qeveria , Kryeministri, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër.

Financiarisht, si do të ndihmonte zbatimi i këtyre ligjeve në përballimin, menaxhimin e pandemisë?

Kujtoj këtu, se sipas dy ligjeve të sipërcituara, Qeveria duhej të kishte marrë masa për sigurimin e fondeve të nevojshme për përballimin e situatës, sikundër po të zbatonte detyrimin që rrjedh prej tyre, duhej të kishte siguruar me kohë gjithçka ishte e nevojshme për diagnostikimin falas të të gjithë popullsisë. Megjithatë, në këtë situatë jemi të detyruar që tu bindemi masave të jashtëzakonshme të Qeverisë pasi nuk kemi tjetër zgjidhje. Veç kësaj na duhet ta kalojmë këtë situatë dhe pas saj le të bëjmë analizat juridike a politike. Tani kemi një imperativ: Të mundim të keqen!

Çfarë është një akt normativ dhe a mund të merrte Këshilli i Ministrave këto vendime drastike, nëpërmjet këtyre akteve?

Akti normativ është një akt juridik me fuqinë e ligjit, të cilin e nxjerr Këshilli i Ministrave në rast nevoje dhe urgjence për marrjen e masave të përkohshme. Kjo e drejtë e Këshillit të Ministrave rrjedh nga dispozita kushtetuese e nenit 101, por kjo dispozitë vendos njëkohësisht detyrimin që akti normativ t’i dërgohet menjëherë Kuvendit dhe në rastin kur Kuvendi nuk është i mbledhur, ai duhet të mblidhet brenda 5 ditëve.

Kushtetuta përcakton gjithashtu se kur Kuvendi nuk e miraton aktin normativ brenda 45 ditësh nga dalja e tij, atëherë akti normativ e humbet fuqinë. Është Kushtetuta ajo që përcakton “Gjendjen e luftës”, “Gjendjen e jashtëzakonshme” dhe “Gjendjen e fatkeqësisë natyrore”.
Në rastin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë së coronavirusit, Këshilli i Ministrave ka shfrytëzuar për nxjerrjen e aktit normativ dispozitën e nenit 174 të Kushtetutës së Republikës që bën fjalë për fatkeqësi natyrore apo aksident teknologjik. Sipas kësaj dispozite Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
Kjo e drejtë, është e justifikuar në rastin e tërmetit. Ndërsa, në këtë rast, duhet të ishte Kuvendi i Shqipërisë ai që duhej të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Të gjithë flasin për luftë që duhet fituar, pra kemi një “armik” i cili rrezikon jo vetëm jetët tona, por edhe sigurinë publike. Veç kësaj, me aktet normative është lejuar dhe ndërhyrja e forcave të armatosura ( policisë ushtarake ), e cila është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithsesi, duhet të deklarohet formalisht në cilindo nga këto aktet normative që po miratohen, se situata kualifikohet si rast i forcës madhore, pra sipas rastit të krijohet mundësia që të aktivizohet në marrëdhëniet juridiko civile klauzola e “forcës madhore” sipas kontratave respektive dhe/ose Kodit Civil. Gjithashtu, duhet të mbahen parasysh limitet që përcaktohen në Kushtetutë se deri ku mund të cenohen apo shkelen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.

Si e shikoni shoqërinë pas kësaj pandemie, e konsideruar shpesh si “Lufta e tretë botërore”?

Jeta pas kësaj do të jetë ndryshe, ajo që do të prodhojë kjo pandemi, do të jetë çlirim energjish pozitive. Pak a shumë e krahasueshme me periudhën e pas luftës së dytë botërore. Njerëzit do ndërgjegjësohen për limitet e tyre, për nevojën e të qenit bashkë. Ndryshe nga “the day after” e epidemive të murtajës, e nëse deri tani i kishin lexuar pasojat e një “lufte bërthamore” nëpër libra, apo kishin parë në filma se si mund të transformohet një pjesë e shoqërisë në “zombie”, tani po e përjetojnë këtë realitet….ndaj unë mendoj që ajo që presim, pas fitores mbi këtë të keqe, do të jetë rikualifikimi i vlerave njerëzore. Do të kemi më shumë se kurrë nevojë për njëri-tjetrin, pavarësisht distancës fizike, pozicionit gjeografik, racës apo përkatësisë fetare a etnike./ PANORAMA.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura