INTERVISTA/ Isuf Kalo tregon prapaskenat e vetëvrasjes së Mehmet Shehut: Ishte negocim, i prishi skemën Enverit. Si e propozova Berishën për mjek në Bllok, por…

Jul 23, 2019 | 13:26
SHPËRNDAJE

“Nuk kam brerje ndërgjegjeje që kam kuruar Enver Hoxhën. Kam kuruar diktatorin, jo diktaturën”, është shprehur mbrëmë në emisionin “Debat” në “Channel One”, mjeku personal i diktatorit, Isuf Kalo.

isufi-770x433

Për më shumë se dy orë, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Roland Qafoku për tri dekadat e punës së tij, fillimisht si mjek i Klinikës Speciale e më pas si mjek personal i Enver Hoxhës. Kalo nuk pranon që t’i quajë “monstra” banorët e Bllokut. “Ata janë si ne, por me fate të ndryshme”, thotë Kalo.

Ai flet edhe për figurën e Mehmet Shehut, që, sipas tij, kishte kulturë anglosaksone. Ai është i bindur se ishKryeministri vrau veten si një negocim për të ruajtur familjen. Sa për Nexhmije Hoxhën, e konsideron një grua të përkushtuar dhe dinjitoze ndaj të shoqit.

Çfarë ishin banorët e Bllokut, kriminelë apo heronj?

Ishin si ne. Nuk pashë ndonjë njeri me dhunti të jashtëzakonshme, por me fat të ndryshëm nga ne. Kishte nga ata që ishin askushi dhe u bë dikushi dhe nga ata që ishin dikush, që ranë në humnerë. Përfshirja në këtë grup udhëheqës nuk ishte çështje meritash, inteligjence, performance, por zgjedhje që bazohej te kriteret e besueshmërisë dhe besnikërisë. Është gabim t’i përcaktosh si monstra, se do quhej si aksident gjenetik dhe lind dhe supozimi që ndodhi një herë e nuk mund të ndodhë sërish. Ata ishin të sjellshëm, të edukuar, qoftë dhe për fasadë, duke iu përshtatur moralit komunist.

Enver Hoxha ishte diktator, a e keni brengë që zgjatët jetën e diktatorit dhe diktaturën?

mehmeti-kalo-enveri

Nuk konkurrova për të qenë mjek i Enver Hoxhës. Më emëruan, mora një detyrë shtetërore, që unë e quajta fat. Unë Enver Hoxhën nuk e kam trajtuar si njeri të jashtëzakonshëm, por si pacient. Mjeku nuk ka një pacient të mirë dhe një të keq. Nuk kam brerje ndërgjegjeje. Atëherë isha krenar.

Nga libri më duket sikur keni brerje ndërgjegjeje…

Që Enveri ishte diktatori dhe regjimi ynë diktatorial, kjo dihej, por unë nuk mjekova diktaturën, por diktatorin. Ai mund të ishte kushdo. Ne mjekët nuk kemi ndjenjë ideologjike kur mjekojmë dikë. Nëse nuk do të ishte Enveri, do ishte një tjetër, sepse sistemi ishte i tillë. Diktatorë ishin dhe burrat në familje.

Kishte emocione kur e vizitonit?

Eksperienca e parë ishte shumë e sikletshme. Isha si në provë. Ai më kishte pranuar pa më provuar. Kishte besuar Hysninë dhe unë doja të kisha sukses. Shqetësimi i tij dukej si jo i rëndësishëm, por unë mendova që mund të ishte edhe më i rrezikshëm, pasi çrregullimet e zemrës mund të sjellin çrregullime të tubit të tretjes. Ishte ora 3 e natës. I kërkova ta vizitoj dhe ai pranoi. Unë dyshova se mund të ishte një ishemi e zemrës. I kishte të gjitha premisat: ishte obez, 65 vjeç me diabet, pinte shumë duhan, sedentar. I kërkova të bënim një elektrokardiogram. Nexhmija u skandalizua, se gjithnjë i ishte thënë që zemrën e ke top. Kur je në gjendje qetësie nuk evidentohej, ndaj kërkova.

Mallkuat veten të nesërmen?

E mallkova veten. Sepse nuk e dija se çfarë rruge merr. Duhej vënë në monitorim. Mjek tjetër jo dhe as mjete. Ishim të papajisur mirë dhe Nexhmija nuk donte të bënte zhurmë, alarm të mos thërrisnim mjekë të tjerë. Ishte e frikshme të mbaje një përgjegjësi të tillë. Fatmirësisht, Sulo u afrua të më ndihmonte dhe të thërriste dy mjekë. M’u ngroh zemra, se nuk isha vetëm. Të nesërmen filloi saga e kujdesit të tij.

I keni shërbyer dhe në shumë raste jeni njeriu që e keni rikthyer në jetë..

Jo vetëm unë, por dhe bashkëpunëtorët që ishin më të specializuar.

Bashkëshortja e Sokolit, Liljana, ju ka akuzuar se e keni helmuar Enver Hoxhën.

Kjo është histori e dhimbshme për mua. Është histori e mbyllur, që me sa duket ndodh në këto nivele. Është e paperceptueshme që Nexhmija, e cila u sakrifikua gjithë jetën, Sulua që ishte roje personale apo unë, të kryenim një veprim të tillë.

Në një orë mësimi, një nxënës naiv pyet si është e mundur që nuk ka pasur atentate apo tentativa për ta vrarë Enver Hoxhën?

Kjo është një pyetje që njerëzit duhet t’ia bëjnë vetes. Nuk di që Enver Hoxhës t’i jetë bërë tentativë vrasjeje.

A kishte sozi?

Nuk besoj se kishte nevojë. Në vlerësimin tim, Enveri nuk i jepte rendësi ruajtjes së tij, kishte besim në vetvete. Nuk vishte jelek antiplumb, hynte mes njerëzve. Ne, që shkonim fare pranë tij, nuk kontrolloheshim. Ishte bazuar mbi besimin dhe karakteristikat e njeriut që rekrutohej.

Figura e dytë që keni trajtuar në libër është Mehmet Shehu. Keni treguar shumë detaje. Nga 27 vjet Kryeministër u kthye në subjektin e një krimi makabër…

Pas vdekjes së Salinit, lindi nevoja që sekretarët e parë të ndërroheshin. Në atë kohë, Enveri kishte shumë funksione, kështu u tha të linte ca detyra dhe bëri Mehmetin Kryeministër dhe nga ky çast u bë personi nr.2, madje Enveri lejoi që pas fotografisë së tij të vinte atë të Mehmetit. Një dualitet pushteti që nuk ishte parë më herët. Nuk isha mjek i tij, por e kam vizituar edhe atë, edhe të ëmën, Sulltanen edhe Fiqiretin. Ishte figurë interesante, por ishte pa rezerva, shumë origjinal, nuk përpiqej të maskohej. Ishte spontan, zihej, pajtohej… Ishte shumë ndryshe nga mënyra si mendonte. Kishte kulturë anglosaksone, i prerë. Pyetja që kam pasur gjithnjë është se pse Mehmeti ishte aq i magjepsur pas Enverit dhe shpërfillës ndaj të tjerëve, bëhej pulë para tij? Ishte magjepsja që kishte nga ai. Enveri rrezatonte autoritet.

E keni takuar Silva Turdiun?

Jo. Nuk merrnim pjesë në ngjarje familjare, as në dasma. Në Bllok nuk bëheshin dasma me zhurmë, vetëm me farefis dhe shokë..

Ju e quani vetëvrasje, por për mendimin tim është gabim, ka fakte për këtë…

Nuk jam mjek hetues dhe nuk mbaj përgjegjësi. Kam folur disa herë me Fatos Hariton dhe më ka thënë 200% vetëvrasje. Fatos Harito nuk ka pasur asnjë interes. Nëse ekspertiza e letrës që ka lënë Mehmeti ka vërtetuar se është e tij, këtë nuk e ka shkruar vrasësi. Kjo i mbyll të gjitha. Vetëvrasja ishte një nga opsionet e fundit për të minimizuar ndëshkimin. Vetëvrasja nuk ishte nga frika, por akt negocimi: Unë po iki dhe kam këto kërkesa. Ai ishte njeri shumë racional. Mehmeti e vrau veten atë natë kur nuk kishte mbaruar procesi i tij. Po të njiheshin me siguri faktet nuk do të diskutonim sot.

Vëllai i Mehmetit, Duro Shehu është i bindur që ishte vrasje.

Unë nuk merrem në është vrasje apo vetëvrasje. Është eliminim. Përveç jetës, donin ta hiqnin nga historia. Fati i Mehmetit u vendos që në 15-ditëshin e parë të muajit shtator pas 5 takimesh me Enverin dhe Nexhmijen, që i kërkuan të dënonte të birin dhe të thoshte sikur nuk dinte gjë për fejesën për të qetësuar opinionin publik. Ai nuk pranoi. Këtu nisi procesi i eliminimit. Mehmeti u spostua dhe mua m’u tha që të merresha me Ramizin dhe jo me Mehmetin. Vrasja nuk i shërbente Everit se krijonte histori më pas. Ai mendonte eliminimin e ngadaltë. Këtë donte të bënte edhe me Kadriun. Por Mehmeti e prishi këtë skemë me vetëvrasjen dhe që një ditë do përfundonte keq. Sipas logjikës, zgjidhja më e mirë për të, nëse letra e tij do të merrej parasysh, ishte vetëvrasja. Dhe nuk e di pse Enveri nuk e maskoi si në raste të tjera vetëvrasjesh të kuadrove të lartë, për të cilët është thënë sikur është shkrehur arma, është mbytur, u sëmur…

Keni mbajtur më vonë lidhje me Nexhmije Hoxhën?

Nexhmije Hoxha është treguar shumë parimore ndaj sulmeve dhe shpifjeve që u ngritën ndaj meje, sikur kisha helmuar Enver Hoxhën. Nuk u bashkua me këtë kor dhe konfirmoi që shërbimi mjekësor është kryer në mënyrën më të mirë të mundshme. E kam falënderuar për ndihmën që na ka dhënë ne si staf mjekësor. Nexhmije Hoxha ka qenë një nga gratë më të devotshme që kam njohur për kujdesin shëndetësor ndaj të shoqit.

A jeni dakord me konstatimin e zotit Berisha se sot pushtetin e kanë ata që i kanë pasur etërit komunistë?

Unë nuk e kam cituar këtë. Kjo është fotoja e parë kur sapo ishte bërë PD. Kjo është në zyrën e PD, tek rruga  e Kavajës.

Sali-berusha-mjeku-Enveri

E ke kaluar pak tangent Berishën për atë punën e mjekut.

Historia ka qenë e lidhur me impaktin e parë që pati Hysni Kapo. Ishte një situatë që u sëmur dhe pati një çrregullim në zemër dhe Haki Toska ndërkohë që ishte në Vlorë dhe shpëtoi falë Anesti Kondilit që ishte një professor. Dy –tre kardiologë shkuan në Vlorë ndërkohë pësoi Hysniu dhe Enveri la porosi që të krijohet një grup që ta ndjeki Hysniun. Erdhi doktor Shyti, doktor Sami Kokaj, Kamberi që ishin në grupin tonë që bënin roje. Atëherë lindi nevoja për doktor dhe u futën në atë kohë në shërbim të Bllokut por jo si staf i përhershëm i Bllokut. Duhet të ketë qenë viti ’78. Unë e propozova Berishën. E morën Berishën si pjesë e grupit. Berisha qëndroi me grupin sa e kaloi atë fazë. Më pas u shkëput sepse ishte pedagog, por mbante kontakte .

Si ka mundësi që Nexhmie Hoxha bën një akuzë shumë të rëndë dhe të paprovuar duke thënë për zotin Berisha në një intervistë tekstualisht: “Në listën që më dërgoi Hysni Kapo ishte edhe Sali Berisha. Për çdonjërin kishte disa rradhë me të dhëna biografike . Kur lexova që Sali Berisha kishte vjehrrën serbe, ish partizane por me UDB unë në moment thashë: Larg nga lidhjet me serbët dhe aq më shumë me UDB.”

Tani Nexhmija ka folur mendimin e saj por kjo nuk është pjesë e librit tim. Unë kam thënë se kam dashur që Saliu të jetë aty dhe nuk u miratua. Pse nuk u miratua, nuk i kam hyrë kësaj pune. Unë vetë Saliun nuk kam pushuar së trajtuari si mikun tim dhe të kemi relacione pavarësisht se ç’është menduar për të . Saliu atë kohë ishte anëtar partie, ishte mjek i dalluar, kjo kishte rëndësi, por nuk ishte komunist.

Pse këtë foto ku jeni ju, Berisha dhe fëmijët e Enver Hoxhës pse nuk e keni vënë në libër?

Sepse është keqpërdorur. Ky është një moment intim në Volorekë, në Pogradec dhe ka të ngjarë të ketë qenë ditëlindja ime ose e ndonjë tjetri. Jemi shoqëri, kryesisht Saliu me të shoqen, Sokoli me të shoqen, është Valdete Sala, është ime shoqe aty.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura