Intervista/ Ilir Demalia: Pse binte në sy basketbollisti Rama te femrat e kohës, nëna e Ornela Vorpsit u divorcua sepse…

Apr 18, 2018 | 16:25
SHPËRNDAJE

E ka trandur jo pak opinionin publik, deklarata e Ornela Vorpsit për “dashurinë platonike” për Edi Ramën, në kohët kur ai ishte pedagogu i saj.

Aq shumë bëri përshtypje ky rrëfim i artistes dhe shkrimtares, e vlerësuar me jo pak çmime për veprat e saj letrare, saqë thuajse u harrua, që ajo erdhi në Tiranë për të hapur një ekspozitë në disa mediume, të arteve pamore. Shumica e “gjuajtën me gurë”, e quajtën “mendjelehtë”, ashtu siç pati edhe “përkrahësit” e saj, ndonëse Ornela Vorpsi nuk ka nevojë për avokatinë e ndokujt, pasi e ka lënë pas krahësh thashethemnajën shqiptare, që kur u largua nga Shqipëria. Me gjasë ajo është larguar drejt Parisit, duke lënë pas vetes debatin që hapi deklarata e saj.vor

Ilir Demalia, djalë Tirone, që i ka njohur edhe Ornela Vorpsin, edhe Edi Ramën në vitet ’80, rrëfen për “Panoramën” se çfarë përfaqësonin këto figura asokohe. Si ishte Edi Rama pedagog dhe i ri rebel dhe po ashtu Ornela Vorpsi, një e re që binte në sy për pamjen e saj. Demalia tregon edhe për fatin e familjes Vorpsi, siç rrëfen dhe fatin e familjes së tij. Nëse nëna e Vorpsit bëri një zgjedhje ndryshe nga ajo e nënës së Demalisë, është e vështirë ta gjykosh për rrethanat e kohës. Ajo që shqetëson Demalinë në gjithë këtë histori, është “keqpërdorimi” që i bëhet persekucionit. Duhet kuptuar se çfarë ka qenë persekutimi i vërtetë, që më pas ta tundësh si flamur dhe të përfitosh diçka prej tij.

Z. Demalia, artistja Ornela Vorpsi, e ftuar për një ekspozitë në sallën COD të Kryeministrisë, shkaktoi debat për deklaratën e saj të dashurisë ndaj Edi Ramës. A e njihni këtë histori në fund të viteve ’80?  A ka ndodhur siç ajo e përshkruan apo i përshtatet propagandës së sotme të Ramës Kryeministër?

Po u përgjigjem këtyre pyetjeve, për faktin se dje unë nxora një status në faqen time të “Facebook”-ut, në lidhje me një intervistë të saj, duke analizuar dy përgjigje. U keqinterpretua dhe u shpërdorua nga komentues, por le të kthehemi te pyetja! Unë u mora me të nderuarën Ornela Vorpsi, si njeri publik, si intelektuale dhe si artiste që u paraqit në Tiranë në një ekspozite me pikturat e saj në hollin e Kryeministrisë.

Për mendimin tim, ajo nuk u paraqit në nivelin e një artisteje, shkrimtareje, intelektualeje që jeton prej 25 vjetësh në Perëndim. Fatkeqësisht, nuk di pse, ra në nivelin e militantes Spiropali, që na e bëri Kryeministrin “Skënderbe”. Ornela u ndje në borxh nga mikpritja e Kryeministrit që i hapi hollin e Kryeministrisë për ekspozitë? Apo… Nuk di, por fakti që lëshoi një lajthitje të tillë si ajo që “Kryeministri shqiptar, Edi Rama sot, ka mahnitur Parisin, dje kur ishte emigrant, me kulturën, artin dhe oratorinë e tij” ishte jo e tepërt, por pa e tepruar, mund them tepër banale dhe i lehtë si mendim.

Jo për faktin se tregoi dashurinë e saj platonike që ka pasur me Ramën dje, por për faktin se është një gjë që edhe ajo vetë nuk e beson, se nuk mund të besohet që të çuditet Parisi nga Rama apo kushdo tjetër në çudinë e çudirave tona, si mitomani dhe falsitet elitar i fabrikuar.

Unë mendoj se Vorpsi e bëri për t’i shërbyer propagandës së Ramës, duke i kthyer borxhin për nderin që Rama i bëri me PR e tij, duke i vënë në dispozicion institucionin e shtetit me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në një kohë që Rama vendos 10 euro për kuksianët taksë rruge për të hyrë e dalë në shtëpitë e tyre, shpenzon dhe vë Kryeministrinë si institucion shtetëror, në dispozicion të miqve apo tekave të tij, me shpenzime dhe ceremoni qeveritare.

Kjo nuk është normale dhe e gjithë kjo farse është një gjë e shëmtuar në mendimin tim. Dikush duhet t’i kërkojë llogari këtij njeriu për shpërdorimin e institucioneve dhe parasë së shtetit për tekat e tij dhe miqve të tij. Eksperienca na ka mësuar se artistët, intelektualët, shkrimtarët që komprometohen me pushtetin për favoret që i jep ai, kanë kompromentuar artin e tyre dhe veten dhe nuk janë më të lirë.

I keni njohur personalisht?

Unë e kam njohur edhe Ramën e viteve ’80, edhe Ornelën si gocë e lagjes, por jo se kam pasur miqësi apo shoqëri me të. Ornela ishte një vajzë e re simpatike, që binte në sy dhe lakmohej nga djemtë e kohës, si tip me një entuziazëm dhe rebelim të moshës dhe kohës. Nuk di deri ku kanë shkuar marrëdhëniet e saj me Ramën, por di që shoqëroheshin, apo më saktë, i shoqërohej Ornela, Ramës. Gjithashtu, duhet thënë që Rama në atë kohë ka qenë i martuar me Matilda Makoçin dhe ka pas lindur dhe djali i Ramës, Gregori.

Nuk kam pse të mos besoj atë që tha e nderuara Vorpsi dhe besoj që ka qenë ashtu. Po a duhet të ishte kjo ajo çka duhej trajtuar si gjë kryesore, nga një artiste, shkrimtare, intelektuale, tashmë europiane?

Unë me Ramën i kam shpeshtuar takimet nga fundi i vitit ‘89 deri në korrik 1990, kur u largova nga Shqipëria. Ka qenë djalë rebel, imponues, mjeshtër i sofizmit që e ka edhe më të artikuluar sot, arrogant, pedagog, piktor, basketbollist, i biri i Kristaqit, dekan i Institutit të Arteve dhe nënkryetar i Kuvendit Popullor, pra, për kohën, Rama i kishte të gjitha kushtet si një njeri i ledhatuar dhe me fat, në qoftë se mund ta quajmë kështu këtë lloj fati…

Rama që unë njoh atëherë, me Ramën sot, është komplet i shpërfytyruar. Kurrë nuk mund ta imagjinoja Ramën rebel, avangardist, që tallej keq me provincialët dhe kasketat (veteranët), të rri aq rehatshëm në mes Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës. Sot Rama ngjason me konviktorët që vinin në fillim të shtatorit para viteve ‘90 me valixhe druri në Tiranë dhe ngatërronin hotel “Dajtin” me konviktin e studentëve.

Ornela Vorpsi rrëfeu dhe jetën e saj në Tiranë me baba të burgosur dhe nënën e bukur të divorcuar, por që ju zbuluat një tjetër prapaskenë. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe pse Vorpsit sot i duhet kjo “njollë” në biografi për rrëfimet e saj si shkrimtare?

Më vjen keq që u hap kjo temë, por mirë që u hap, jo për rastin Vorpsi, por në përgjithësi për abuzimin që po bëhet me persekutimin dhe inflacionimit që i është bërë nga shpërdorimi. Është e vërtetë që babai i Ornelës, një tironas zotni, është arrestuar për agjitacion e propagandë diku në vitin 1975-1976, në mos gaboj. Siç është e vërtetë dhe ndarja që erdhi me Lilin, mamanë e Ornelës, për hir të burgosjes së tij politike.

Nuk e gjykoj për kohën dhe tmerrin e asaj kohe ndarjen. Për hir të së vërtetës, Lili, e ëma Ornelës, ka qenë një grua e bukur dhe e lakmuar. Por unë di, dhe këtë opinion ka e gjithë lagjja ku kemi jetuar, se ka qenë një grua dinjitoze dhe me autoritet dhe me tepër klas, me gjithë hallin që i kishte rënë dhe brengat e saj, që i di më mirë se kushdo, ajo vetë. Nuk e gjykoj dhe nuk kam të drejtë të gjykoj për veprimin e ndarjes. Kohë të rënda.

Zoti Demalia, edhe ju keni pasur babanë të arrestuar në vitet ‘75. Ju bënë presion për ndarje?

Meqë e hape këtë temë, po ju them se kjo plagë dhemb akoma. Më mirë se unë, nuk mund ta kuptojë njeri Ornelën dhe nënën e saj, po e përsëris, një grua zonjë. Por duhet të kuptojmë dhe babanë e Ornelës dhe burrin e Lilit! Nuk di ç’të them, tragjedi. Pse duhet të viheshin njerëzit në prova të tilla?!!

Si vepruat ju dhe nëna juaj me babanë tuaj?

Po i bie shkurt. Unë isha pa mbushur 17 vjet kur u arrestua im atë, në 11 mars 1975. Im vëlla ishte pa mbushur 15 vjeç, nëna ime 40 vjet, një grua e bukur. E theksoj për të më kuptuar Ornela, se e kuptoj fare mire gjendjen e nënës së saj dhe atë kur u rrit. U thirr nëna ime me mua në Hetuesi, ku hetuesi i tim ati ishte Ali Korbi, kryetar i Hetuesisë së Tiranës. Ishte dhe Feçor Shehu, zëvendësministri i Brendshëm, i cili ishte shkaktari i arrestimit të tim ati. I kërkuan nënës që të ndante tim atë se ishte shpallur armik. Nëna ime, një tironse si vetë mirësia tironase, iu përgjigj: Unë nuk merrem me politikë dhe nuk di çfarë ka bërë burri im. Por unë nuk mund të rris dy fëmijë jetimë me babë gjallë.

M’u hakërruan mua, t’i bën mirë mos t’i ngjash Binakut! Unë, pa ditur gjë ç’po bëhej, por i tronditur nga gjendja në të cilën shihja nënën time, i thashë: Po, nuk do t’i ngjaj dhe do ta mohoj tim atë. Por më përpara do të pyes nënën time me kë ka shkuar që të di kush është im atë! Nënës sime i dridhej mjekra dhe lotët i grumbulloheshin në fund të saj… Përjashta! O zot, përse duhet t’i rikthehemi?!!! Plagë që dhëmbin ende. Dua ta mbyll, por nuk mund të lë pa thënë këtë detaj, tim vëlla, kur ishte 16 vjeç, e çuan në komunale të pastronte mutrat e rifuxhove me fshesë. Kur mori rrogën e parë, nuk ia dha mamasë, duke i thënë se do të shkonin të shikonin babanë në Ballsh, aty ku ishte i burgosur. Unë isha ushtar në xhenio, hapja tunelet e Poliçanit.

Nuk mendoj se persekutimet dhe vuajtjet në diktaturë duhet t’i paraqesim si heroizma dhe triumfe. E bëjnë këtë, pikërisht ata që nuk kanë vuajtur dhe manipulojnë me vuajtjen. Nuk di pse i duhet Vorpsit kjo dhe nuk e kuptoj! Nuk di si ndihet babai i Vorpsit, kur përdoret persekutimi tij ku, përpos burgut, humbi edhe familjen! Nuk di ç’të them dhe nuk dua të gjykoj. Por vuajtja, që pa dyshim ka pasur dhe Vorpsi, nuk duhet të na lejojë të manipulojmë. Duhet të kemi më të qartë persekutimin, se çdo të thotë. Kjo është arsyeja që plagët e atij regjimi vazhdojnë dhe dhembin dhe sot, sepse manipulojmë; duke menduar se përfitojmë, sillemi në këtë rreth vicioz.

Abuzohet dhe manipulohet shumë me persekutimin dhe këtu nuk e kam fjalën për Vorpsin, por e kam dhe për të, kur thotë se nuk i nxorën shkollën… Sigurisht, ka pasur probleme dhe plagë, por as nuk u çua të punojë në kanale, as në internim, shkollën e kreu normalisht dhe me meritat e veta, si vajzë me kërkesa dhe vullnet dhe ego. Por mendoj se duhet të kemi pak më shumë respekt për persekutimin dhe rezistencën që i bënë të tjerët atij, duke shkuar në internime, burgje, duke vdekur kampeve, si dhe rasti i Tepelenës, që u diskutua aq shumë këto ditë. Duhet të na bëjë të mendojmë mirë dhe jo t’i përdorim si fondacione përfitimi, siç bën ndonjë në krye të këtyre fondacioneve, kur thotë se jam e persekutuar se ma transferuan babin nga komiteti i Fierit në Sarandë. Banalitet!

Në këtë kontekst, pritshmëria për Vorpsin si një njeri i suksesshëm dhe e formuar në Perëndim, si artiste dhe intelektuale, ishte më e madhe, si model për të kuptuar të keqen dhe jo komprometuar me pushtetin, aq më tepër me një pushtet që ka shkatërruar dhe po shkatërron vendin si pushtet bandash. Si artiste dhe intelektuale, duhet të kapërcente dhe shikimin platonik të dikurshëm.

Në rrëfimet e saj në Tiranë, që kanë shkaktuar debat, Ornela Vorpsi thotë se me Ramën pedagog ishte i dashuruar gjithë Instituti i Arteve. Nga njohjet tuaja të asaj kohe, a ju rezulton një realitet i tillë? Çfarë përfaqësonte Edi Rama në fund të viteve ‘80 në Tiranë? Çfarë konstatoni sot pas 30 vitesh mbi këto rrëfime, ku spikat persekutimi i djeshëm në funksion të së sotmes?

Mendoj se gjërat duhet t’i vendosim në kontekstin e kohës. A ishin dashuruar me Ramën apo me rrethanat që i ishin krijuar Ramës nga familja apo lidhjet familjare? Rama kishte vlerat e tij dhe ishte njeri i kulturuar, po jo ndonjë gjë e jashtëzakonshme si miku i tij, p.sh., i ndjeri Klosi, prej të cilit Rama ka mësuar shumë. Rama është mjeshtër për t’i përdorur njerëzit për aq kohë sa i duhen për narcizmin e tij. Ishte sportist, pedagog e të tjerat siç përmenda më lart.

Te gjitha këto e bënin Ramën njeri të kërkuar, edhe për faktin se binte në sy si trupmadh, por edhe pse kishte karizëm. Por unë për një gjë nuk e kuptoj Ornelën dhe raste të tjera si Ornela, që këndej paraqiten të persekutuar dhe urrenin atë regjim, dhe në anën tjetër donin të futeshin në barkun e familjeve të pushtetit dhe elitës së pushtetit. Aq më keq, siç theksova më lart, Rama ishte dhe i martuar në atë kohë! Nuk e gjykoj këtë si moral, por mundohem ta zbërthej si psikikë, se më duket si sindromë e Stokholmit. Të ngatërruara keq këto punët tona, të cilat i ngatërrojmë dhe më keq, kur vazhdojmë gënjejmë dhe sot pa qenë nevoja. Duke banalizuar persekutimin e djeshëm sot, si lavdi familje dëshmori dje. Ne këtë mënyrë, inflacionojmë gjithçka dhe nuk kuptojmë asgjë, ngaqë duam të rrimë në këtë tallava rrahagjoksesh.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura