INTERVISTA/ I vranë djalin në sy të 3 fëmijëve: Do bëj vetëgjyqësi

Jul 28, 2015 | 0:30
SHPËRNDAJE

Familjarët e Brion Kaçorrit, që u vra me breshëri automatike 10 muaj më parë dhe gruaja e tij mbeti e plagosur rëndë, paralajmërojnë vetëgjyqësi nëse Drejtësia nuk do të japë dënimin e merituar. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 shtator të 2014-s, në fshatin Lufaj të Selitës në Mirditë. Babai i viktimës, Gjon Kaçorri, shprehet se Gjykata e Lezhës po zvarrit seancat në ngarkim të autorit të vrasjes, Azem Ukaj.

Lezhe, Gjon Kacorri Babai i Viktimes
Gjon Kaçorri, babai i viktimës

Pak ditë më parë, Kaçorri ishte në Gjykatën e Lezhës ku pritej të bëhej seanca e radhës, por ajo është shtyrë për të disatën herë. Ai u bën apel organeve të shtetit shqiptar që ta shohin këtë çështje, pasi sipas tij institucionet e Drejtësisë në Lezhë janë të korruptuara dhe po e detyrojnë atë që të shkojë drejt vetëgjyqësisë.

Z. Kaçorri, pse keni ardhur në Gjykatën e Lezhës?
Mua më është vrarë djali dhe nusja e tij është plagosur rëndë në shtator të vitit 2014. Në lidhje me këtë ngjarje ne si familjarë nuk na ka marrë askush në pyetje, as në Polici dhe as në Prokurori. Nuk është marrë për bazë asnjë pretendim i familjes time në lidhje me ngjarjen, ndërsa nusja, e cila mbeti e plagosur, nuk është pyetur fare në lidhje me ngjarjen. Si provë materiale janë marrë vetëm dëshmitë e autorit të ngjarjes, i cili është një kriminel i lindur.

Ju i keni ndjekur të gjitha seancat? Si ka qenë ecuria e tyre?
Kam ardhur në Gjykatën e Lezhës, pasi është seanca e pestë dhe asnjëra nuk është futur në sistem që të jetë transparente. Pra që këtu mua me lindin dyshimet për një proces të njëanshëm. Avokati në të gjitha seancat vjen në gjyq dhe thotë nuk jam i përgatitur. Nuk më duket normale që nusja e djalit, e cila mbeti e plagosur, nuk është thirrur fare për të dhënë dëshmi, duke qenë se ajo ka qenë dëshmitarja kryesore.

A jeni në dijeni të pretencës së dhënë nga Prokuroria?
Prokuroria e Lezhës e ka dhënë pretencën në mënyrë sekrete prej dy muajsh për autorin, duke kërkuar dënim me 35 vite burg. Por kjo është e papranueshme për mua. Autori ka bërë një masakër në familjen tonë. Më vrau djalin në sy të fëmijëve, duke plagosur rëndë edhe nusen e djalit. Duhet të dënohet përjetë.

Pas ngjarjes, dyshimet e para, në sajë edhe të dëshmisë së dhënë nga autori, ka qenë se vrasja ka ndodhur për çështje nderi. Cili është shkaku i kësaj masakre në familjen tuaj?
Nuk qëndron ajo çfarë ka thënë autori i ngjarjes, se vrasja ka ndodhur për çështje nderi, por për një sasi lekësh. Kanë qenë duke drekuar bashkë një ditë më parë djali me autorin dhe ky i fundit i ka kërkuar djalit tim dy milionë lekë. Por djali nuk ia ka dhënë. Autori e dinte se im bir i kishte lekët dhe në këto kushte ai të nesërmen ka shkuar te shtëpia dhe e ka qëlluar në sy të fëmijëve dhe gruas. Madje, edhe gruaja u plagos e shpëtoi mrekullisht. Ajo ende kurohet në Itali për shkak se nuk e ka marrë veten nga ngjarja. As Policia e as Prokuroria në lidhje me këto fakte nuk më kanë pyetur. Ata kanë vepruar në mënyrë të njëanshme.

Cili është apeli juaj?
U bëj thirrje organeve të shtetit shqiptar që ta shikojnë këtë çështje, pasi mua si prind po më detyrojnë që të bëj vetëgjyqësi, pasi nuk kam zgjidhje tjetër. Në Gjykatën e Lezhës është një korrupsion i gjallë dhe unë e kam humbur gjithë besimin te Drejtësia. Këtu nuk kryhet asnjë veprim po nuk pagove lekët. Kjo ngjarje ka shkatërruar një familje të tërë.

LEZHE/ ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura