INTERVISTA/ Herion Mustafaraj: Beni, fëmija brenda meje me të cilin krenohem

May 19, 2015 | 15:22
SHPËRNDAJE

Tashmë i ka kaluar të 45-tat, shumë eksperienca kanë mbushur jetën e tij, megjithatë ai vazhdon të jetë në mendjet e të gjithëve Beni. Ai Beni që dikur mësoi të ecte vetë. Herion Mustafaraj nuk ishte “çun mamaje” si Beni, madje eksperiencat e tij, qysh kur ishte fare i vogël, ndoshta e kanë rritur pak më herët.

Herion Mustafaraj në filmin “Tomka dhe shokët e tij”

I ndodhur në Tiranë për një produksion në “Vizion Plus”, si dhe shfaqjen “Rikonstruksioni i çiftit”, aktori po përballet edhe me të shkuarën e tij. Njerëz të njohur, vende… i sjellin në mendje kohët kur ishte “star”-i i vogël i Kinostudios. Në një intervistë të sinqertë për “Panorama”, Mustafaraj tregon për fillimet në botën e filmit, që në kohën e Benit, për të vijuar me rrëfime për jetën e tij personale, për prindërit e ndarë, babain e dënuar dhe se si filmi “Kur xhirohej një film” është mbështetur në historinë e jetës së tij. Jeta në emigracion dhe dëshira për t’u kthyer në Shqipëri, ku ai ka rrënjët e veta.

Duket sikur po rimerrni raportin me publikun dhe skenën shqiptare, pikërisht aty ku e keni lënë, te “Rikostruksioni”, ishte kjo një zgjedhje e menduar?

Nuk ishte në planet e mia të vija në Tiranë me “Rikonstruksionin e çiftit”. Nuk ishte kjo arsyeja pse jam këtu. “Rikonstruksioni i çiftit” lindi pasi pashë një shfaqje shumë të këndshme të Eliona Thomarajt, që është regjisore e shfaqjes. Meqë unë pranova të jem protagonist në këtë vepër, ajo zgjodhi ta lidhë retrospektivën e karakterit me retrospektivën e filmave të mi, duke përligjur jetën e këtij çifti, që njihen që të vegjël e, pasi kanë kaluar 25 vjet martesë, sheh si komportohen me njëri-tjetrin, si mund të gjejnë sërish dashurinë pasi fëmijët janë rritur, si kanë ndryshuar gjërat, ku ka mbetur ajo puthja e parë… Filmi i fundit që kam luajtur, ka qenë me metrazh të shkurtër me regji të Besnik Bishës: “Sinjali i dashurisë”, por “Rikonstruksioni” ishte filmi im më i njohur i asaj kohe, që u pëlqye nga spektatori, pasi përfshinte shumë problematika brenda tij. Kisha vite që nuk dilja në skenë. Publiku më mbante mend kur isha fëmijë e më në fund unë shfaqem i rritur dhe bie në dashuri, jo më me Tullumbacen, por me një vajzë tjetër, me të cilën do të ndryshoj jetën.

Thatë që nuk ju solli në Shqipëri “Rikonstruksioni”, cila ishte arsyeja?

Pas lëvizjes në Los Angeles, fillova t’i kthehem karrierës sime, pas një shkëputjeje 10-vjeçare nga kinemaja, për shkak se vendosa t’i dedikohem më shumë familjes, vajzës sime. Nisa të merrem me teatër në New York, ku jetoja. Pas kthimit në Los Angeles u përfshiva në dy filma, që shfaqen këtë verë, një në kinematë e Amerikës e tjetri tashmë është duke shëtitur nëpër festivalet botërore të filmave dhe shpresoj që në shtator të shfaqen edhe në Tiranë. Arsyeja që më solli këtu ishte realizimi i një dokumentari për Teta Xhanon, me “Albanian Cinema Project”, që po punon për ruajtjen e trashëgimisë kinematografike. Me ardhjen time këtu, m’u hapën horizonte të reja. Njerëzit më pritën me shumë dashuri, po ashtu edhe institucionet, që nga Teatri Kombëtar, te televizionet. Pata disa oferta e, meqë vendosa të rri disa muaj këtu, zgjodha të merrja pjesë në një format të ri televiziv të “Vizion Plus”, “Grand Hotel 2XL”. E pashë si një trampolinë të mirë, pasi është diçka mes teatrit dhe filmit. Një lloj rikonstruksioni me spektatorin, me skenën edhe me gjuhën. Pas 25 vjetësh diku ngec mendimi, të shket ndonjë fjalë anglisht… Kështu që ky projekt, komunikimi, mënyra si punohet, ishte një eksperiencë e re për mua, që nuk e kam hasur as në Amerikë.

Kanë kaluar shumë vite, e megjithatë ju njohin sërish si Beni, ju vjen keq?

Nuk më vjen aspak keq. Beni është ai fëmija i vogël që unë e mbaj kudo me vete e krenohem me të. Ai ngelet gjithnjë i vogël, edhe pse unë tashmë jam “gjyshi” i Benit.

Ishte teta Xhano, si i thoni ju, që ju zbuloi dhe ju riktheu sërish në Shqipëri, cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?

Ishte një njeri shumë i veçantë, një engjëll për ne fëmijët. Por unë shpresoj që të gjendet një tjetër teta Xhano këtu në Shqipëri. Një film si “Beni ecën vetë” tregon se sa nevojë kanë familjet shqiptare për prodhime të tilla, për të parë se si rriten fëmijët e tyre, ashtu si Beni, që nuk dinte asgjë dhe teta Xhano e mori nga kopshti dhe e ktheu në simbol të fëmijëve shqiptarë. Ashtu mund të ketë shumë në Shqipëri. Ashtu si ajo më dha një mundësi mua, një regjisore tjetër mund të zbulojë 10-15 të tjerë.

Sa ngjanit ju me Benin?

Unë nuk kam qenë fare si Beni. Kam qenë fëmijë i prapë dhe sot mendoj që karakterin e Benit e kam luajtur keq. E megjithatë, kam qenë i vogël dhe më lejohej të luaja keq. Personalisht preferoj filmat e luajtur më vonë, si “Tomka dhe shokët e tij”, sepse e njihja kamerën, këndet, isha më i lirshëm, punoja më me qejf, kënaqesha me punën, edhe pse teta Xhanos nuk i pëlqente më ky fakt. I pëlqente më shumë spontaniteti, padija, naiviteti im prej fëmije dhe vazhdimisht ma vinte në dukje, duke më thënë: “Po luan këtu! Unë nuk e dija se ç’do të thoshte atëherë. Më thoshte: Harroji provat! Luaj me shokët si di ti, harroje tekstin, thuaj ç’të duash!” Ajo nuk ishte thjesht një regjisore, por një grua e talentuar që dinte t’i jepte drejtim çdo fëmije. Më vjen keq që ende nuk ka dalë një regjisore që të merret posaçërisht me fëmijët. Kam punuar edhe me regjisorë meshkuj, si Fehmi Oshafi, te “Shoku ynë Tili”, por nuk kishte asnjë lidhje me punën e teta Xhanos. Ajo futej në jetën tënde aq shumë, saqë, kur mbarova filmin e tretë me të, ajo shkroi një skenar dhe realizoi një film mbi jetën time “Kur xhirohej një film”. Pra, kaq i thellë dhe personal ishte raporti ynë me të. Ka qenë një nënë e dytë dhe ndihem me fat që arrita ta njihja, që më ndihmoi të rritesha dhe të bëja një emër. Përveç Herionit, unë jam dhe Beni dhe Beni është Herioni, aq sa zor t’i ndash.

Herion Mustafaraj gjatë xhirimeve të filmit “Beni ecën vetë”

A kishte xhelozi mes fëmijëve?

Nuk mbaj mend të kem qenë xheloz ndaj shokëve të mi, sepse unë kisha pasur fatin të luaja Benin. Ai ishte filmi më i mirë për fëmijë asaj kohe… I vlerësoja shumë shokët e mi, sepse gjithnjë kisha menduar se janë më të talentuar se unë. Nuk isha xheloz, por këmbëngulës që atë që kisha arritur, të mos e lëshoja nga duart. Kur Enea Zheku erdhi te “Tomka”, m’u duk sikur takova perëndinë, pasi e kisha parë te filmi “Lulëkuqet mbi mure”, ku unë nuk mora pjesë, se isha shumë i vogël. U mahnita nga filmi dhe, kur Enea erdhi, i jam qepur nga pas, vetëm për të mësuar se nga i buronte ai organicitet dhe u bëmë shumë shokë e jemi edhe sot e kësaj dite. Po kështu kam ruajtur miqësi me Artan Puton, Genci Moshon. Kurrë nuk ka pasur xhelozi mes nesh. Kishim personalitetin tonë. Kurse tani e ndiej që ekziston xhelozia. Të gjithë që në fillim më pyesin: Kur do ikësh, ose ç’bën ti këtu…? Dhe harrojnë se ky është edhe vendi im dhe unë e dua, ndoshta më shumë se ata që jetojnë këtu, sepse më ka munguar. Kështu ndodh edhe kur jeton me një prind. Atë që të mungon, e do më shumë gjithë jetën. Këtë nuk mund ta dish nëse nuk e përjeton. Këtë kam përjetuar edhe unë duke qenë 25 vjet larg Shqipërisë.

Çfarë ju ka shënjuar më shumë kur ishit fëmijë?

Kujtimet janë pa fund, por më kujtohet takimi im i parë me famën. Premiera e filmit “Beni ecën vetë” u bë në ish-kinema “17 Nëntori”. Nuk e dija si do reagonin njerëzit. Salla ishte mbushur plot. Unë isha thjesht një fëmijë i zakonshëm, i shoqëruar me mamanë, askush nuk e dinte se kush isha unë. U ula në sallë dhe fillova të shihja reagimet e njerëzve. Njerëzit qeshnin me batutat dhe situata, që as ma merrte mendja se mund të qeshej. Një moment, një grua që kisha pranë, më sheh dhe thërret: “Ua Beni, Beni!”. Aq u desh që të shihte gjithë kinemaja. Gjatë filmit një dorë më vinte këtej, një andej dhe, kur ai mbaroi, unë nuk isha më Herioni, një fëmijë i panjohur. Më morën në krahë, më puthnin, më përqafonin. Nga ai moment unë nuk i përkisja më Herionit. Unë nuk bëja dot asnjë veprim të pakontrolluar. Ky ishte një ndryshim i madh. Erdhi një moment që nevrikosesha, kur vinin e më puthnin njerëzit… (siç e kemi ne shqiptarët që të puthim 10 herë). Ishte gjyshi që ma shpjegoi: “Herion, ty njerëzit nuk të shohin si vetja, por si Beni, si një figurë që e kanë parë në televizor. Ata të duan dhe ti duhet të tregosh mirësinë e atij karakteri dhe jo bezdinë”. Atëherë e kuptova.

HERION MUSTAFARAJ ME KINEASTEN XHANFIZE KEKO

Ishit i vogël, e megjithatë e ndienit peshën e ideologjisë?

Sigurisht. Në një moment të filmit unë duhet të qaja. “Përqendrohu, mendo ndonjë gjë të dhimbshme”, më tha teta Xhano. Po mendoja ndonjë gjë për të qarë të tipit: Po sikur të më vdesë gjyshi? Po sikur të humbas mamin, po sikur të mos e shoh më babin…? Në këtë moment, më vjen teta Xhano e më thotë: S’ke turp, po qesh! Xhaxhi Enver dhe Partia presin nga ti që të shohin filmin, e ti qesh!”. Aty më plasi të qarët dhe ajo menjëherë filloi xhirimin. Pra, edhe te fëmijët dihej që figura e Enver Hoxhës ishte e paprekshme dhe ne të gjithë duhet të përpiqeshim që partia të ishte e lumtur me ne, t’i shërbenim më së miri asaj. Dhe për një fëmijë ishte më se e natyrshme kjo, kur shihte që familja mendonte se xhaxhi Enver ishte udhëheqësi ynë i madh. Kur u rritëm, i kuptuam gjërat e donim të arratiseshim një orë e më parë.

Ndarja ideologjike juve ju ka cenuar edhe në rrafshin personal…

Te “Beni ecën vetë”, emri im nuk është Herion Mustafaraj, por Herion Spiro. Babai im ka qenë në burg dhe, në qoftë se unë do të mbaja mbiemrin e tij, nuk do të luaja në film. Pasi luajta rolin e Benit dhe u bëra i njohur, nuk më prekën dhe vendosa mbiemrin e babait. Pra, ideologjia ishte kudo. Familja e mamasë ishte me partizanët, ajo e babait ish-pronarë tokash, feudalë, me një baba të vrarë nga gjermanët, por që e quajtën spiun… Ime më ishte violiniste e famshme, kurse im atë futej në burg. Kjo ishte çmenduria e kohës. Duhej të gjeje në të të çara, se përndryshe digjeshe. Si fundja është edhe sot, duhet të jesh o me një parti, o me një tjetër.

Kështu erdhi ndarja e prindërve tuaj si rrugë shpëtimi?

Ndoshta ka qenë edhe kjo, por unë isha vetëm një vjeç kur ka ndodhur. Por pa dyshim që ka ndikuar. Prindërit e mamasë nuk ishin dakord që martesa e prindërve të mi të ndodhte, megjithatë ata u martuan dhe linda unë. Secili sot ka jetën e vet, kohërat kanë ndryshuar. E megjithatë, edhe atëherë, nëse gjeje mënyrën, të rinjtë nuk ndrydheshin që të bënin diçka. Të gjithë fëmijët që luanin dikur, sot janë bërë dikush…

Por ndoshta ju keni qenë me fat, sepse mund të kishit përfunduar me familjen edhe në ndonjë kamp internimi…

Po, po, edhe kjo ishte. Në sheshxhirime, unë shihja majtas e djathtas, atje ku nuk kapte kamera, fëmijë të zhveshur, të varfër, me bukë me vaj me kripë në dorë. Ata ishin Benët e vërtetë. E shihja se si ishte realiteti i vërtetë dhe, për këtë arsye, kur u rrita, mendova se ajo që ne promovonim, ishte një falsitet. Realiteti ishin shtëpitë e rrënuara, njerëzit e varfër… Kjo më vrau dhe e kuptova se nuk mund t’i shërbeja një kauze të tillë… Dhe, kur erdhi momenti, thashë po iki të bëj një gjë më të madhe. Ne shqiptarët nuk duhet të mburremi kur mbajmë flamurin. Mjafton të bëjmë punën tonë të lavdërueshme. S’ka nevojë as të këndojmë himnin e flamurit e as të bëjmë torta për të treguar që jemi liderë apo patriotë.

Herion Mustafaraj para Teatrit të Metropolit, ku po shfaqet komedia “Rikonstruksioni i çiftit”

Si lindi “Kur xhirohej një film”, si e ndienit veten ju, kur shihnit veten të luajtur nga dikush tjetër?

Ishte një histori e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht. Teta Xhano më tha se kishte marrë historinë e jetës sime për ta bërë film dhe gjithë familja mezi po e priste këtë. Ishte gjë e rrallë që të bëje një film për jetën e dikujt. Kjo kishte ndodhur vetëm për figura të mëdha. Atë natë që ishte premiera, teta Xhano jep një intervistë mbi nxitjen që kishte marrë për realizmin e filmit dhe thotë se “ishte jeta e një prej fëmijëve që kam pasur protagonist në film”… dhe në fund e mbyll se “këta fëmijë që vijnë nga familje të ndara, bëhen problem i shoqërisë në të ardhmen”. Kur dëgjova këtë, më kaploi një ankth i paparë. Në momentin që unë prisja që ajo të më lëvdonte, dëgjoj se unë do të isha problem i shoqërisë në të ardhmen. Më dolën lotët dhe u mbylla në dhomën time. Dëgjoj mamanë që mori në telefon teta Xhanon dhe e pyet se ç’ishin ato fjalë. Ajo ia kthen se po promovonte vlerat e familjes. “Por ti ke marrë jetën private të një fëmije që ty të ka nderuar dhe nuk është e drejtë ta mërzisësh atë, për të bërë demagogji”, i tha ime më. Kjo më ka shënjuar thellë dhe që atëherë nuk jam hapur më me askënd, sado i afërt të ishte, për jetën time private, sepse ndieja keqardhjen e njerëzve: “Ua Beni, i ke mamin dhe babin të ndarë? Ua sa gjynah!”…

Keni studiuar për trombë, si e gjetët veten në Lice, ishte zgjedhje e nënës suaj?

Kam pasur vesh muzike shumë të mirë dhe që fëmijë më pëlqente t’u bija veglave muzikore. Mamaja ime ka qenë mësuese violine e pianoje dhe ishte e natyrshme që edhe unë të merresha me muzikë. Por nuk isha edhe aq i zoti në lëndët shkencore, e meqë në lice ishin thuajse të njëjtat lëndë që kërkoheshin në Akademinë e Arteve, qe më e thjeshtë për mua. Aq më tepër që merrja ca njohuri, që do të më vlenin si aktor. Edhe në shfaqjen që kemi tani, “Rikonstruksioni i çiftit”, personazhi i bie pianos dhe kujton këngët e rinisë. Janë momente shumë prekëse… Muzika më ka ndihmuar shumë, më ka dhënë temporitëm, sensin e masës, madje në emigrim më ka ndihmuar të bëj para. Në 10 vitet e para kam bërë më shumë para me muzikë, se me aktrim. Jepja mësim, luaja me grupe të ndryshme… siguroja jetën me të.

Pse zgjodhët Amerikën?

Për ne kishte rëndësi të iknim nga Shqipëria, por jo se ku shkonim. Nuk kishim fare njohuri për botën. Kur shkova në Itali fillimisht, takova të afërmit italianë të babait, por pashë se ishte shumë e vështirë të bëje dokumentet. Kishin ardhur shumë emigrantë shqiptarë dhe imazhi që ne kishim krijuar, nuk ishte edhe aq i mirë. Gjeta mundësinë të shkoja në një fondacion për të bërë dokumentet për në Amerikë. Të gjithë më thoshin të gënjeja, që gjoja kisha bërë burg, por jo. Unë u thashë se doja një jetë më të mirë, kisha mbaruar Akademinë e Arteve, isha aktor dhe më pëlqente Amerika, Hollivudi, doja të jepja më të mirën time, në një kohë që në Shqipëri nuk e kisha më këtë mundësi, për shkak të ndryshimeve. Kështu ndodhi që ma dhanë vizën dhe u gjenda në Amerikë.

Ishte Amerika ashtu si e kishit menduar?

Gjithçka niste nga zeroja atje. Nuk ishte një shtëpi pushimi. Tani njerëzit e dinë se ç’është Amerika, shkojnë më të përgatitur. Këtë ua këshilloj edhe të rinjve, sepse ndodh që një ditë e gjejnë veten se kanë kaluar shumë kohë, si unë që kam jetuar më shumë në Amerikë se në Shqipëri. Kur kthehesh këtu, sheh se të gjithë shokët e tu kanë krijuar jetën e tyre dhe ti je i huaj, shesh se nuk të njeh më njeri dhe duhet të riprezantosh veten tënde.

E megjithatë, thonë se Amerika është vendi i mundësive, sa i shfrytëzuat ju këto mundësi?

Deri në moshën 22-vjeçare unë nuk e kisha menduar kurrë se do të dilja ndonjëherë nga Shqipëria dhe pas një viti u gjenda në tokën e ëndrrave. Kemi bërë sakrifica për të jetuar në një shtëpi të mirë, për të pasur një makinë të mirë…, e më pas ëndrrat zgjojnë njëra-tjetrën. Mendova përse të mos jetoja në Los Angeles… Të gjitha këto më morën disa vite. Punova në televizion, kinema, teatër dhe nuk u kam lënë asgjë mangët ëndrrave të mia. Krijova një familje shumë të mirë, kam një vajzë 13-vjeçare dhe uroj që ajo të bëhet artiste në të ardhmen. Ajo ndihet shumë shqiptare dhe ka një gjen artisti, që besoj se do ta çojë më tutje atë rrugë që unë çava, sado e vogël të jetë ajo…

E shihni më shumë veten në Shqipëri se në Amerikë tani?

Tashmë i kam kaluar 45 vjeç dhe nuk e kam më atë egon si 20 vjeç. Tani them, pse jo, që në një të ardhme të kem edhe unë rrënjët e mia këtu. Që i vogël i jam dedikuar artit shqiptar dhe nuk kam pse e humb një vlerë të tillë, thjesht për mirëqenien apo paratë që më ofron Amerika. Të qenët këtu më mbush më shumë shpirtërisht. Këtu duhet të punosh shumë për të arritur një pagë që andej mund ta fitoje me një ditë xhirimi, por kënaqësia shpirtërore është e pakufishme. Është nevojë e brendshme të gjesh rrënjët e tua, të takosh njerëz e miq që të kanë munguar… Kush nuk e ka jetuar, e ka të vështirë ta kuptojë këtë.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura