INTERVISTA/ Flet ish-polici i Beratit: Si duan të më burgosin për një çadër

Apr 26, 2016 | 5:30
SHPËRNDAJE

“Nuk jam kriminel. Punoj për të mbledhur kanoçet për të mbajtur shtëpinë”. Dritan Telegrafi, 46-vjeçari nga Berati për të cilin Prokuroria këmbëngul që ta mbajë në burg për një çadër, tregon historinë e arrestimit të tij dhe si është e vërteta e akuzës së ngritur ndaj tyre.

Dritan Telegrafi duke folur për gazetën
Dritan Telegrafi duke folur për gazetën

“Nuk dua të vjedh, thjesht punoj natën se më vjen turp nga familja dhe miqtë e mi. Jam pa punë”, tregon Telegrafi në një intervistë për gazetën. Kundër qarkores së kryeprokurorit Adriatik Llalla, për të mos kërkuar masa ekstreme sigurie për vepra jo të rënda, e kundërta ka ndodhur në Berat.

Më poshtë lexoni historinë e Dritan Telegrafit, ish-punonjës policie në vitet 1992-1994.

Si ndodhi që ju u akuzuat për vjedhje?

Para 4 muajsh ka ndodhur, rreth orës 11 të natës, kur unë kisha dalë për të kërkuar kanoçe. E bëj këtë punë për të siguruar bukë për fëmijët. Dilja vetëm natën se ditën më shikonin miqtë dhe shokët e më vinte zor, se dhe kam dhe dy vajza. Në momentin që unë isha duke mbledhur kanoçe, më zë syri një çadër dielli që vendoset nëpër tavolinat e lokaleve. E mora dhe rrugës duke ikur për në shtëpi, tek ish-NSHG, më del para një tregtar ambulant që shet në treg frutaperime. Ai më kërkon që t’ia shes çadrën se i duhej në treg. Iu përgjigja se e shesh për 10 mijë lekë (të vjetër). Ai më tha se kishte vetëm 7500. E pranova dhe me ato para bleva 1 kg fasule, dy bukë, gjysmë kg sallam dhe kusurin piva një kafe për vete se isha i lodhur gjithë natën. Pasi i çova në shtëpi, pas 4 orësh që unë kisha shitur çadrën, për çudi më vjen policia dhe më thirrin. Dal jashtë dhe shoh punonjësit e policisë që i përshëndes, pa e ditur pse kishin ardhur. Ata më kërkuan që të shkoja me ta në komisariat se kishin një sqarim. Shkoj në polici i shoqëruar nga tre punonjësit, ish-kolegët e mi vite më parë. Kur hyj në komisariat, një oficer m’u drejtua me fjalët: Erdhe ti, hajduti i çadrës? Do të dënohesh! Iu përgjigja: Hajdut nuk jam, por punoj për bukën e gojës.

U arrestuat menjëherë?

Më dërguan në dhomat e paraburgimit. Aty më ra tensioni, por policët e shërbimit lajmëruan mjekun me shpejtësi dhe me mjekime e mora veten. Të nesërmen më morën me pranga dhe më çuan në Gjykatë. Për mirësinë e Zotit, një avokat erdhi të më mbrojë pa lekë. Trupi gjykues vendosi si masë “detyrim paraqitje”, por prokurori i çështjes ngrihet dhe thotë: Nuk jam dakord! Pasi mbaroi gjyqi, unë dola dhe ika në shtëpi. Nuk kaluan pak ditë dhe më vjen një shkresë nga Prokuroria e Beratit, ku thuhej se unë duhej të paraqitesha në Gjykatën e Apelit Vlorë për ndryshim vendimi, jo me detyrim paraqitjeje, por burg. Më datë 21 prill paraqitem në Vlorë te Gjykata Apelit për të marrë vendimin e Prokurorisë. Prokurori i çështjes ka kërkuar përsëri dënimin tim me burg për vjedhjen e një çadre. Trupi gjykues u tërhoq dhe më pas doli duke kërkuar sërish lirimin tim, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Beratit.

Si është gjendja juaj tani?

Unë kam shqetësimin e familjes sime, e cila është shqetësuar shumë. Kam vajza, të cilat do të shkojnë në shkollë dhe u vjen zor. Por unë e them prapë që nuk kam vjedhur, por kam punuar për të jetuar. Unë jam para një situate tejet të rënduar që për një çadër që e kam shitur para 4 muajsh, pronari i saj të kujtohet tani.

Si e përballoni jetesën?

Familja ime përbëhet prej 4 vetash dhe kërkojnë të ushqehen. I vetmi që kam punuar kam qenë unë. Nëpërmjet gazetës i kërkoj Bashkisë së Beratit që të më sigurojë një punë për vete dhe familjen time.

DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura