INTERVISTA/ “ERE nuk mbrojti konsumatorët! Vendimi të ‘testohet’ në gjykatë”- Eksperti i ekonomisë: Qeveria hodhi te qytetarët keqmenaxhimin e korrupsionit

Sep 29, 2022 | 13:13
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Eksperti i Ekonomisë Zef Preçi e cilëson vendimin e qeverisë për vendosjen e fashës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 800 kwh për familjet si një veprim që pasqyron panikun e saj ndaj krizës.

Zef Preçi
Zef Preçi

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Preçi shprehet se qeveria po hedh te qytetarët barrën e keqmenaxhimit dhe korrupsionit në sektorin energjetik. Njohësi i ekonomisë e cilëson vendimin e ERE-s si dorëzim pa kushte përballë presionit të qeverisë duke mos mbrojtur interesin qytetar, ndërsa ftoi që ai të dërgohet edhe në gjykatë, pasi beson se është i paligjshëm.

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë ngre shqetësimin se përse HEC-et private dhe PPP nuk i ka prekur kriza duke argumentuar se qeveria po kërkon të kursejë shpenzimet për të blerë energji në këtë sektor ku për diversifikim dhe shtim të burimeve ka investuar me pikatore. Për Preçin, qeveria do të vazhdojë të përdorë buxhetin e shtetit në koncesione dhe PPP të panevojshme, duke dëmtuar financat publike.

Z. Preçi, qeveria shqiptare vendosi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për familjet që konsumojnë më shumë se 800 KWh në muaj, Si e shihni ju këtë vendim?

Në vlerësimin tim, vendimi për të rritur çmimin e energjisë elektrike për familjet që konsumojnë mbi 800 KWh në muaj pasqyron panikun e qeverisë ndaj krizës ekonomike globale, për moderimin e ndikimeve të së cilës po ndiqet një rrugë e gabuar. Edhe pse ishte paralajmëruar në mënyrë alarmiste nga Kryeministri Rama, qysh para një viti, asnjë politikë i mirëfilltë në sektorin energjetik nuk ka marrë jetë. E kam fjalën për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmirësimin e menaxhimit sidomos në sistemin e shpërndarjes se saj, rishikimin me qëllim lehtësimi të strukturës së taksave mbi karburantet, etj.

Bën përjashtim vetëm propaganda që ka lulëzuar në vazhdimësi, por mjafton një shfletim i raporteve të enteve rregullatore të vendeve fqinje për të kuptuar se sekori ynë energjetik ka probleme serioze kryesisht të natyrës menaxheriale, të efektivitetit të investimeve të kryera në to, keqpërdorimit të fondeve buxhetore dhe kredive në këtë sektor, etj. Natyrisht “dorëzimi pa kushte” i ERE-s përballë qeverisë dëshmon se respektimi i metodologjive shkencore dhe ligjore për përcaktimin e çmimit është lënë mënjanë dhe se mbrojtja e konsumatorëve është një fjalë e huaj për këtë institucion. Mendoj se përdorimi i fuqisë së ekzekutivit në këtë rast ka komprometuar rëndë rolin institucional të ERE-s, por edhe ka siguruar një “mbrojtje” të mirë për prodhuesit privatë të energjisë elektrike (më shumë se gjysmën e prodhimit vendas me 2021) duke hedhur kështu të gjithë barrën e keqmenaxhimit të OSHEE mbi konsumatorët familjare dhe bizneset dhe duke ju siguruar të paprekura fitimet këtyre prodhuesve.

ere rritja cmimit-Enti-rregullator-Energjise11 ere rritja cmimit-Enti-rregullator-Energjise1

Nuk ju bën përshtypje që vetëm HEC-et private dhe PPP-të nuk i cenon kriza, ndërsa gjithë të tjerët duhet të paguajnë, nën “kujdesin” e qeverisë që këto dy grupe ku elita politike drejtuese ka interesa, të “vazhdojnë punën”? Ndoshta do të ishte mirë që vendimi fundit i ERE-s të “testohej” edhe në instancat përkatëse të gjyqësorit mbasi besoj se nuk mbështetet as në legjislacionin tonë në fuqi mbi procedurat për caktimin e çmimeve të reja të energjisë elektrike dhe as në përvojat e mira të institucioneve në të cilat vendi ynë është palë. Rritja e çmimit në mënyrë të drejtpërdrejtë për familjarët e palidhur me investimet e kryera, me reduktimin e humbjeve, etj., tingëllon edhe si një eksperiment i madh social, pasojat negative të të cilit askush nuk mund t’i parashikojë me saktësi.

Sipas jush pse arriti qeveria në këtë vendim dhe nuk dha zgjidhje alternative. A është kjo pjesë e nismës për kursimin e energjisë elektrike?

Nuk ka dyshim se qëllimi kryesor i rikthimit të fashës së konsumit të energjisë elektrike është shpresa se familjet do të konsumojnë më pak, se kështu qeveria do të alokojë më pak fonde për të importuar energji dhe se angazhimet e qeverisë për programin e saj të investimeve në infrastrukturë do të ecin njëlloj si më parë. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet që me gjithë krizën globale, fondet që alokohen në sektorët e prekur jepen me pikatore (p.sh. në bujqësi dhe në sektorin energjetik), ndërsa vazhdojnë të financohen, rrugë, ura e tunele, për të cilët më e pakta që mund të thuhet është se janë vepra publike të parakohshme, dhe ndonjë syresh edhe i panevojshëm.

Ndërkaq ndërmarrja e politikave publike që mundësojnë përpunimin e naftës së vendit, hapjen e minierave të qymyr-gurit, gazifikimi për qëllime komunale dhe industriale, si dhe përdorimin e avantazheve që krijon kalimi i TAP-it në territorin shqiptar, nxitja e përparimit të energjisë diellore dhe të erës, etj., mbeten thjesht ide për diskutime në bisedat e eksperteve, por nuk janë mjaftueshëm subjekt i politikave vendim-marrëse të qeverisë dhe veprimtarisë ligjbërëse të Kuvendit.

Çfarë kategorish prek ky vendim dhe sa do të ndikojë në ekonominë e atyre familjeve që preken, duke marrë parasysh krizën e përgjithshme ekonomike dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë?

Qarkullojnë vlerësime të ndryshme që rrëzojnë lehtësisht numrin prej 4% të familjeve që zyrtarisht thotë qeveria se do të preken nga rritja e çmimit: kufiri i caktuar me 800 KËh në muaj e sipër është ndërtuar mbi bazën një mesatarizimi të konsumit vjetor dhe kështu nuk është realist. D.m.th. numri i familjeve shqiptare që në periudhën e dimrit shpenzojnë mbi këtë nivel vlerësohet midis 80 dhe 100 mijë familjeve, pra një madhësi që nuk mund të injorohet në politikat publike që ndiqen. Posaçërisht kjo rritje e çmimit godet shtresën e mesme të shoqërisë, por edhe pjesën e varfër të saj.

Ndërkaq, korrupsioni, keqmenaxhimi i shpërndarjes së energjisë, etj., rrezikojnë të krijojnë një situatë në të cilën faturimi (më saktë duhet thënë mbifaturimi) të përdoret si një instrument për të shtuar fiktivisht (në kontabilitet) të ardhurat e OSHEE-së, d.m.th. që pagesa e një shërbimi të tillë publik të marrë trajtën e një takse të fshehtë që mbulon keqmenaxhimin dhe përdorimin politik të kësaj shoqërie publike. Në fakt, kështu ka ndodhur edhe më parë kur fasha e konsumit ka qenë vendosur mbas vitit 2003.

Edi rama dritat

Si kompensim qeveria mori vendim për rritjen e ndihmës sociale me 10 për qind dhe rritjen me 7.5 për qind të indeksimit të pagesave për pak. A mendoni se do të zbusë krizën për këto kategori?

Ky lloj “indeksimi” është sqaruar mjaftueshme edhe nga ekspertë të tjerë. Ajo që mund të thuhet është se indeksimi si një masë korrigjuese për të mbrojtur nivelin e jetesës (më saktë për ta mbajtur në nivelin e vitit të mëparshëm) duhet të bërë në mënyrë të përvitshme dhe nuk mund të jetë një “dhuratë e partisë” në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Së dyti, një indeksim i tillë duhet bërë për të gjithë qytetarët që marrin paga dhe pensione dhe jo vetëm për ata me aftësi të kufizuara (PAK).

Së treti, nëse vërtet qeveria do të luajë rolin e saj për të ndihmuar ndonjë grup social (për këtë duhet mbështetur), kjo duhet bërë duke respektuar përvojat e mira bashkëkohore që njihen dhe janë zbatuar që nga USA deri në Gjermani d.m.th. të aplikojë ndihmën direkte në “cash” (me të holla në dorë) se kështu krijohen mundësi reale që të mbështetet konsumi, rënia e të cilit godet të shtresat dhe ushqen krizën.

Çfarë pasojash mund të shkaktojë në ekonomi dhe sa pritet të ndikojë në konsumin e brendshëm?

Nuk dëshiroj të bëj parashikime pesimiste, por shumëçka varet nga rritja e mëtejshme e inflacionit dhe tkurrja apo ngërçi në ekonomi që duket se po shfaqet në këtë fundvit. D.m.th. rreziku i stagflacionit është më evident së kurrë. Në këtë kuptim, çfarëdo politikë ekonomike që nxit prodhimin vendas duhet parë si një politike që frenon inflacionin, çfarëdo politikë që nxit burimet alternative të energjisë i shërben këtij qëllimi. Po kështu, duke qenë se ekonomia funksionon si një e tërë dhe zhvillimet negative përcillen nga një degë në tjetrën, rikthimi i vëmendjes së qeverisë jo thjesht ndaj grupeve në nevojë, por në radhë të parë fokusimi i veprimtarisë së saj në politikat zhvillimore është më i nevojshëm se kurrë më parë.

Unë nuk po them “t’u qepemi kodrave dhe maleve” si dikur, por është e pafalshme për qeverinë në radhë të parë që të mbetet toka djerrë sepse mungon mbështetja ndaj fermerëve, që fermerët të mos kenë ku të shesin prodhimet e veta se mungojnë industritë agro-ushqimore që mund të rritin vlerën e prodhimit dhe mundësitë e tregtimit të tij brenda dhe jashtë vendit, që bizneset që disponojnë kapacitetet e nevojshme financiare të pengohen për të investuar në burime të tjera të energjisë (energjia diellore etj.). Kriza pritet të zgjasë sepse në rastin e ekonomisë shqiptare kemi një përzierje të keqqeverisjes, mungesës së vizionit dhe të prioriteteve në zhvillimin e saj me ndikimin e paevitueshëm të krizës globale të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe ristrukturim i tregjeve të energjisë të lidhura me këto zhvillime.

Çfarë masash do t’i sugjeronit qeverisë për të ndihmuar kategoritë që preken nga 4-fishimi i çmimit të energjisë?

Ndoshta nuk mbetet shumë për të thënë se i diskutuam edhe me lart, por pa një ripërcaktim të përparësive të shpenzimeve buxhetore të shoqëruar me shkurtimin e fondeve në disa drejtime të panevojshme nuk besoj se mund të gjenerohen burimet e nevojshme për këtë qëllim. Së dyti, mendoj se zhvillimet që ndikojnë nivelin e jetesës dhe sidomos përkeqësimin e tij në shtresat më vulnerable të shoqërisë meritojnë të monitorohen me kujdes nga institucionet përgjegjëse qeveritare.

Kjo me qëllim që ndërhyrjet envetuale të mos jenë të vonuara në kohë dhe të mos shihen të lidhura vetëm me interesat elektorale të partisë qeverisëse, etj. Ndërkaq, menaxhimi i tensioneve sociale, të paevitueshme në situata të tilla meritojnë vëmendjen maksimale dhe reflektimin institucional dhe demokratik nga ana e qeverisë dhe Kuvendit, si rruga e vetme që i kontribuon futjes së vendit në rrjedhat e zhvillimeve demokratike duke evituar kështu edhe kostot e panevojshme dhe krizat e reja që sjellin situata të tilla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura