Intervista e rrallë, kur Sabri Godo fliste për dashurinë

May 11, 2017 | 19:32
SHPËRNDAJE

Këtë intervistë  me Sabri Godon, atëherë kryetar i Partisë Republikane, Rudina Xhunga e ka realizuar në janar 1996.

Sabri-GodoDritare.net e sjell të plotë këtë intervistë të bukur, nga të rrallat e këtij stili, që ka dhënë ndonjëherë Sabri Godo./dritare.net

Nga Rudina Xhunga

Vesi dhe virtyti për ju janë fjalë të përgjithshme, apo e keni një përcaktim personal?

do njeri e ka një moral të vetin. Thuhet se e mira dhe e keqja janë relative. Ti mund të jesh stalinist ose fashist dhe kjo për ty është e mirë. Kurse për mua janë murtajë. Ti mund ta quash korrupsionin, pasurim normal, unë e quaj vjedhje. Vesi për ty mund të jetë virtyt, kurse për mua anasjelltas. Çështja është të verifikosh kodin tënd moral me parimet e pranuara përgjithësisht nga njerëzimi dhe në bazë të kësaj të përcaktosh vesin dhe virtytin.

Në cilin prej veseve tuaja ndiheni më komod?

Meqë përpiqem të zhduk vesin, s’kam si të ndihem “komod” brenda tij.

Cili prej virtyteve tuaja ju sjell më shumë vetëkënaqësi?

Kur luftoj me bindje të plotë për një të vërtetë, duke mposhtur frikën, atëherë ndjehem plotësisht njeri, për fat të keq, kjo nuk ndodh dendur.

Mos është kujdesi i tepërt ves?

Kujdesi i tepërt është sa i dobishëm aq edhe i dëmshëm. Shekspiri thotë: “Dhe derdhet e gjitha , nga frika se mos derdhet”. Kujdesi i tepërt nuk është ves, nëse nuk të pakëson guximin. Tërë puna është të caktosh kufirin e saktë ndërmjet kujdesit dhe veprimit të nevojshëm.

Jeni njeri dyshues, apo besoni apriori?

Besoj njerëzit dhe gjërat siç vijnë duke ia lënë seleksionimin kohës. Disa herë kam përpjekur kokën nga besimi i tepërt. Duket se në këtë pikë jam i pakorrigjueshëm. Veçse nuk ndihem keq që jam i tillë. Kjo më jep avantazhin që të tjerët të jenë gjithnjë moralisht borxhlinj ndaj meje.

Një ditë do të vdisni nga mërzia, apo nga frika?

Lidhjet e mia me jetën janë ende të forta, sidomos për shkak të detyrimeve që kam ndaj të tjerëve. Por më në fund edhe unë do të vdes, nga “mërzia”, trazuar me kureshtjen e madhe dhe frikën: “Tmerri i asaj diç pas vdekjes, rrugës së gjatë prej nga s’na kthehet kurrë udhëtari”.

Ç’tipar juaji e detyron zonjën Godo të ankohet dendur?

Gruaja është ankuar tërë jetën se merrem me punën e të tjerëve, duke lënë pas dore shtëpinë. Besoj se ky problem është derë më derë dhe ka të bëjë me “karakterin ndërkombëtar” të grave.

Gruaja ime është në një dilemë, sepse ndërsa ankohet për këtë çdo ditë, në të njëjtën kohë duhet të pranojë se shpirtërisht jam burri më i lidhur me punët e njerëzve të shtëpisë. Më vjen mirë që më dhatë rastin t’ia them asaj këtë nëpërmjet gazetës. Ajo lexon dy herë çdo artikull që shkruaj.

Bashkëshortja dhe vajzat e Sabri Godos, gjatë dekretimit të tij nga Presidenti me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Ç’peshë ka pasur dashuria në jetën tuaj dhe a keni pasur në vite përcaktime të ndryshme për të?

Dashuria ka pasur një peshë të rëndë në jetën time. S’di të dashuroj pak e me kufij.

Ç’thoshin dikur vajzat për sytë tuaj dhe a mendojnë kolegët dhe gazetarët se keni ende një shkëlqim të çuditshëm?

Ashtu si çdo mashkull, të cilët janë të gjithë budallenj në këtë pikë, kam besuar në rini se sytë e mi mund të depërtonin në çdo zemër. Por tani shoh në pasqyrë se më ka humbur shkëlqimi i syve. Nëse kolegët politikanë shikojnë ende shkëlqim në sytë e mi, ky do të ishte një lajm i mirë.

Politika për ju është pasion, ves, apo pikëpyetje?

Është pikëpyetje, deri sa nuk e shikoj dot si profesion. Po edhe pa të nuk bëhet, se është e lidhur me jetën e përditshme. Atëherë le të themi se është edhe ves.

Ç’vend ka zënë Sabri Godo këtë javë në Hit –Parade të politikës?

Nuk jam indiferent ndaj të qenit në hit-parade të politikës. Kjo lidhet me egoizmin personal, por edhe me nevojën praktike. Kur shquhet kryetari, shquhet disi edhe partia. Pra është e lidhur me punën që kam marrë përsipër. Veçse di mirë edhe atë, që dalja në krye ka çmim të rëndë. Xhek Londoni thotë se qeni që tërheq slitën në ballë , i ka shpatullat gjak, prej kafshimeve të qenve mbrapa.

Cila është ajo mërzia e madhe që herë ju bën të mendoni se shpejt do e braktisni politikën?

Gjëja më e mërzitshme është kur të flasin vazhdimisht për gabime që nuk ke bërë. Politika bëhet e neveritshme sidomos për faktin që të shumtët e njerëzve që merren me të, nuk e shohin si një mision shoqëror, po thjesht si biznes me fitim të shpejtë e mundim të paktë.

Momentet tuaja të lumtura përkojnë me letërsinë, familjen, apo politikën?

Kam çaste lumturie, kur shkruaj një faqe libri të vërtetë, çaste kënaqësie kur mbaj një fjalim të ndershëm e që u shkon njerëzve në shpirt, çaste prehjeje e gëzimi të ndritur kur shoh rreth vetes familjen e shëndetshme fizikisht dhe moralisht. Lumturitë e mia, nëse mund t’i quaj kështu, s’kanë një kuadër të fiksuar.

Sabri Godo me vajzat

A jeni aq supersticioz sa t’u besoni ëndrrave?

Për shkak të intensitetit të punës, ëndrrat që shoh natën më shlyhen nga kujtesa në orën 8 të mëngjesit. Në disa raste jam i impresionuar së tepërmi nga ngjarjet që janë vërtetuar pas ëndrrave. Fjala vjen, kur shoh në ëndërr ujëra të shumta e di se do të vërtetohet ndonjë ngjarje politike me rëndësi. Herë të tjera kam mbetur i zhgënjyer. Kam lexuar te Frojdi për ëndrrat. S’kam një ide të qartë rreth tyre. I quaj një farë misteri. Besoj se kam të zhvilluar sensin e parandjenjës, domethënë të vërtetimit të ëndrrave me sy hapët. Po kështu ka një çoroditje, për shkak të dimensioneve plus ose minus të kohës së vërtetimit të parandjenjave.

Me kalimin e viteve tek njeriu shtohen veset, apo virtytet?

Me kalimin e viteve te njerëzit veset mund të marrin dy drejtime, të thellohen tmerrësisht për nga e keqja, ose njeriu me pjekurinë e tij lirohet prej tyre dhe bëhet përherë më i mirë. S’ka dyshim se ekziston lidhje e pandarë ndërmjet veseve dhe viteve.

Thonë se ju këndoni bukur?

Më pëlqen muzika e piktura, ndofta edhe më tepër se letërsia. Por jam njeriu më i stonuar dhe s’mund të këndoj diçka pa i tmerruar të tjerët dhe jam i pazoti të vizatoj diçka më mirë se një fëmijë 7 vjeç. Kjo më ka munduar tërë jetën. Kam pyetur edhe mjekët rreth kësaj çudie dhe më kanë dhënë përgjigje të ndryshme.

Sabri Godo është një njeri i lirë, apo ethja e pushtetit e ka zënë rob?

Dua pushtet për të zbatuar një ide, ose për të zgjidhur diçka. Përpiqem të zhduk pengesat pa shkaktuar te të tjerët thyerje e dëmtime. Gjatë rrugës kërkoj ndihmësit dhe po t’ia dal në krye, ndjehem mirë ta ndaj pushtetin me të tjerët, në një raport miqësie e bashkëpunimi. Kjo është e vështirë. Andreoti i Italisë ka thënë se pushtetin e duan ata që s’e kanë provuar. Përfundimisht pushteti është një barrë. Njerëzit vërtet të lirë janë vetëm ata që nuk duan pushtet.

Besoni në kulturën përtej politikës, ose të paktën në një përpjekje të përafërt?

Besoj me gjithë shpirt në kulturën përtej politikës. Vetëm një mendje e errët do ta shikonte kulturën si një mjet të politikës. Nëse ju jeni vënë sinqerisht t’i shërbeni kulturës, duke u shkëputur nga banalizimet politike, nuk mbetet veç t’u bëj urimet më të mira./dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura