Intervista e plotë/ Sadije Berisha rrëfehet për të dashurin e ri

Feb 7, 2016 | 6:20
SHPËRNDAJE

Pikërisht tani që është në qendër të vëmendjes, ku rrjetet sociale dhe mediat ziejnë për partnerin e ri të saj, si ish-Mister Suedia 2000, Sadie Berisha, e njohur edhe për pasionin e saj për gatimin, pasi ka publikuar edhe një libër kuzhine, vjen me një rrëfim për veten dhe për familjen e saj…

Familja e saj ka emigruar në Suedi ndërsa ajo ka lindur atje, ndërkohë që jetën shqiptare e ka njohur kur është rikthyer për pak vite në Tiranë. Sadia ka evituar pyetjet për divorcin me Shkëlzen Berishën, por nuk ngurron të tregojë se tashmë në krah të saj ka një partner që e do shumë dhe fëmijët reciprokë janë të lumtur për këtë ndryshim për mirë në jetën e tyre. Lexojeni këtë intervistë shumë interesante të një gruaje që është shembull i kurajos dhe pjekurisë, me të cilën e përballon jetën

sadija1Zonja Sadie, me çfarë pune merreni aktualisht në Suedi?

Deri në fund të dhjetorit unë kam punuar si dizenjatore interiore dhe si projektmenaxhere për ndërtim të shtëpive. Për momentin jam duke shikuar për disa biznese të tjera interesante, për të investuar dhe në një projekt të madh në të cilin kam qenë e përfshirë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kampi për emigrantët me një plan shumë të mirë integrimi, ndërsa kohën tjetër të paktë që kam, mundohem t’ia kushtoj përfundimit të librit tim, të cilin e fillova vitin e kaluar.

Dimë që gatuani shumë mirë, madje keni bërë edhe një libër gatimi në Shqipëri, a keni menduar ndonjëherë që gatimin ta ktheni në biznes?

Kuzhina dhe gatimi gjithmonë kanë qenë pjesë e jetës sime, sepse e kam mësuar nga nëna ime, por gjithashtu jam rritur në një familje që si biznes kanë pasur restorantet. Edhe motrat e mia gjithashtu janë shumë të mira në kuzhinë. Jam rritur me biznes restorantesh dhe investimi i parë i imi ka qenë në një kafe servis, ndërsa suksesi im në këtë biznes më shtyu në ndërtimin e një restoranti të madh së bashku me nipin tim dhe një nga personat më të njohur që merret me enterier në Suedi, Markoolio. Filluam me një restorant ku stafi ishte prej 30 personash. Kjo vazhdoi deri kur ngela shtatzënë me Medinan, që nuk ishte aspak e lehtë, por suksesi ishte më i madh se ai që prisja nga dita e parë e hapjes. E di se çfarë sakrifice duhet bërë për biznesin e ndërkohë të jesh gjithashtu kujdestare për dy fëmijë, por është një biznes shumë komfortabël dhe e dua shumë. Gjithashtu dua ndryshime në vetvete dhe të tentoj gjëra të reja, si dhe të mësoj gjithashtu. Besoj në eksperiencat e ndryshme të biznesit dhe të jetës në përgjithësi.

Gjithashtu edhe kafshët janë pasioni juaj, kujtojmë këtu historinë e kalit të cilin e morët me makinë nga Tirana deri në Suedi, çfarë kafshësh të tjera keni?

Unë kam jetuar me kafshë për një kohë të gjatë, por momentalisht jetojmë në një apartament dhe kemi vetëm një mace, Serafin, dhe një kalë që jeton në stallë jashtë qytetit.

Po fëmijët çfarë pasionesh kanë? Ju sa kohë kaloni me ta?

Medina dhe Laidon, që të dy marrin mësime në tenis një herë në javë dhe shkojnë gjithashtu në kërcime dance dhe mësime në piano. Jam e lumtur se të dy i duan sportet dhe ne gjithmonë tentojmë të shkojmë për ski çdo dimër. Medina parapëlqen leximin dhe sapo ka mbaruar librin ”The diary” nga Anna Frank. Laidon, përveç tenisit praktikon edhe futbollin dhe sapo ka filluar të marrë mësime edhe në kitarë. Ai admiron kuzhinën dhe ka një problem me të varfërit, sepse sapo sheh ndonjë në rrugë, ai u jep ndonjë para dhe dëshiron që t’i ftojë të gjithë për drekë në shtëpi. Kaloj shumë kohë me fëmijët, çdo mëngjes dhe darkë shtatë ditë të javës dhe çdo fundjavë e kalojmë bashkë, kam një kujdestare për ta vetëm në rastet kur dal për darkë me miq.

Palestra është gjithashtu një nga pasionet tuaja, si jeni me peshën momentalisht dhe a keni objektiva të tjera me fizikun tuaj?

Objektivat e mi me përmasat asnjëherë nuk kanë qenë për t’u bërë modele apo për t’u dukur te të tjerët, por vetëm për raste mjekësore jam shqetësuar dhe shpresoj që jam inspirim për nënat, të cilat dëshiroj të bëjnë të njëjtën gjë për të mirën e tyre. Unë asnjëherë nuk jam trajnuar më shumë se sa pranverën e kaluar dhe asnjëherë si dikush që këtë e ka stil të jetës. Por asgjë nuk vjen lehtë, duhet shumë punë për të pasur rezultate të mira. Pas trajnimit për pesë javë, unë mund të them definitivisht se asnjëherë më parë nuk jam ndier më e fuqishme dhe e shëndetshme, edhe kur kam qenë 20 vjeçe.

Shqipëria çfarë është për ju?

Shqipëria është vendi ku kam rrënjët, ka qenë gjithmonë në rrëfimet e prindërve të mi që më kanë treguar histori interesante. Një vend që kam pasur mundësi ta shijoj vetëm kur kam qenë 25 vjeçe, kur këmba ime për herë të parë ka shkelur atje, është e magjishme, plot energji dhe mundësi. Kam pas takuar disa persona me shumë talent, por që për fat të keq, për shkak të mentalitetit komunist apo korrupsionit, asnjëherë nuk kanë pasur shans të tregojnë rezultatet që kanë dhe më pas kanë shpërthyer me talentin e tyre në një vend tjetër.

Rikthimin në Shqipëri si e shini, thjesht si turiste apo e ëndërroni në mënyrë definitive mbase më vonë?

Për momentin nuk kam plane për rikthim në Shqipëri, por koha do të tregojë kur dhe nëse do ta bëj edhe një herë.

Fëmijët tuaj çfarë mendojnë për Shqipërinë, po për Suedinë?

Medina dhe Laidon i duan të dyja vendet. Të dy kanë lindur në Suedi, por kanë jetuar vitet e tyre të rëndësishme në Shqipëri, duan gjithmonë të kalojnë pushimet verore atje, por janë të lumtur që jetojnë në Suedi.

Si është jeta juaj në Suedi, nëse do t’i vinit një notë nga 1 në 10?

Jeta jonë sot në Suedi në një shkallë prej 1-10? Definitivisht do të thoja 10+ për momentin, sepse jeta nga momenti në moment mund të ndryshojë, por aktualisht po e shijojmë atë 10+ tonë.

Miqtë tuaj atje janë më shumë suedezë apo shqiptarë?

Në Suedi miqësia ime është më shumë me suedezë dhe pak miq shqiptarë që kam jetojnë në Shqipëri.

Shpesh keni dhënë mendime në Facebook për politikën shqiptare. Meqë jetoni në një vend model të demokracisë dhe mirëqenies, a mendoni se kjo klasë politike që kemi mund të udhëheqë vendin drejt një modeli suedez, sa besim keni?

Unë mendoj se dy vendet nuk mund të krahasohen, Suedia ka pasur gjithmonë një start të përparuar dhe ka një mentalitet shumë ndryshe. Shqipëria gjithashtu ka mundësi të mëdha për të shkuar në atë rrugë, nuk mendoj se modeli demokratik suedez mund të adaptohet në Shqipëri, për momentin ose kurdo qoftë. Shpresoj që Shqipëria të gjejë rrugën e duhur ku punohet dhe për njerëzit që jetojnë atje. Kur e kam shprehur qëndrimin tim në Facebook, ka qenë për shkak se jam emocionuar personalisht nga njerëz që më kanë telefonuar dhe më kanë dërguar mesazhe për ndihmë që të largohen nga vendi i korruptuar, sepse ndihen si një pikë në oqean dhe pa të ardhme apo shpresë të vogël, e duke mos qenë në gjendje t’i ndihmoj, kam shprehur reagimin tim dhe ndjenjën që kam pasur në ato momente. Unë di shumë pak rreth politikës dhe asnjëherë nuk kam qenë e interesuar për të, por më interesojnë njerëzit.

Në prag të ndërrimit të viteve, keni postuar një foto me një të dashur, i cili dukej dhe shumë sharmant, madje shkonit shumë si çift. Çfarë mund të na thoni më shumë? Si jeni njohur, çfarë profesioni dhe moshe ka zotëria?

Fotoja ishte bërë vetëm dy minuta para se të postohej në Facebook. Jemi takuar me njëri-tjetrin mes miqsh dhe për shkak të punës. Ai është një menaxher ndërtimi dhe ka kompaninë e tij të ndërtimit. Është 47 vjeç dhe ka dy fëmijë vetëm nga një vit më të mëdhenj se fëmijët e mi, një vajzë dhe një djalë. Të gjithë fëmijët tanë shkojnë shumë mirë së bashku, ai di të jetë një baba i mrekullueshëm dhe të gjithë e duan atë. Fëmijët e mi janë shumë të lumtur që e kanë atë në jetën e tyre, edhe unë gjithashtu.

Intervista sot në “Panorama Plus” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura