INTERVISTA E PLOTE/ Rrëfimi i kambistit që i rrëmbyen 100 mijë euro: Grabitësit me maska ishin veshur si policë

Jul 29, 2015 | 7:15
SHPËRNDAJE

Kambisti 61-vjeçar, Cen Hyseni, i cili u dhunua dhe u grabit nga dy persona të maskuar mesditën e djeshme në afërsi të Rinasit, tregon detajet e ngjarjes dhe dyshimet e tij rreth autorëve.

Ai i ka të dukshme plagët e sulmit, pasi vazhdon të jetë i gjakosur dhe në anën e majtë të kokës ka një fashë, pasi u mjekua në urgjencën e Fushë-Krujës. Hyseni tregon se ishte nisur nga dyqani i tij “Exchange” në Laç në drejtim të një qendre tregtare në autostradën Tiranë-Durrës, ku do të dorëzonte një shumë prej 100 mijë eurosh dhe 500 mijë lekësh të rinj.

ceni

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, pak minuta pasi kishte përfunduar dëshminë e tij në Komisariatin e Fushë-Krujës, kambisti shprehet se kishte edhe një pistoletë me vete, të cilën e mbante me leje, por nuk ka pasur mundësi në asnjë moment që ta përdorte. “Njëri nga autorët më goditi në kokë me tytën e automatikut. Pasi u gjakosa, e kuptova se nuk kisha asnjë mundësi të shpëtoja paratë dhe thashë të dorëzohem të paktën të shpëtoja vetë. Por nuk më lanë mundësi as që të zbrisja vetë nga makina, pasi më tërhoqën me forcë dhe më zbritën në tokë”, tregon 61-vjeçari.

Ndërsa kur e pyesim nëse ka ndonjë dyshim rreth autorëve të grabitjes, ai thotë se nuk i ka parë pasi ishin të maskuar, madje hedh dyshime se mund të jenë afër tij edhe në momentin që ne po flisnim me të.

Nga ku ishit nisur para se të ndodhte ngjarja?
Nga dyqani im, që e kam në Laç.

Kur u nisët nga andej?
Po ka qenë pak para mesdite kur jam nisur. Orën e saktë tani nuk e mbaj mend.

Ku do të shkonit?
Do të shkoja te një qendër tregtare në autostradën Tiranë – Durrës, ku do të çoja paratë që kisha me vete. I mora nga dyqani dhe do t’ia dërgoja një personi te qendra tregtare.

Sa para kishit me vete?
Po mbi 100 mijë euro kisha. Në bagazh kisha futur 100 mijë euro. Kisha dhe 500 mijë lekë të rinj që i kisha futur në një çantë, bashkë me një pistoletë që e kisha me leje për shkak të biznesit që kam dhe i kisha vendosur brenda në makinë, në sedilje.

Vetëm po udhëtonit?
Po, po vetëm

A kishe frikë që lëvizje vetëm me një shumë të tillë parash?
Të them të drejtën edhe kisha frikë, por kisha lëvizur edhe herë të tjera dhe nuk më shkonte mendja që mund të ndodhte një gjë e tillë.

Me shuma të tilla kishit lëvizur edhe më parë?
Kaq shumë jo, por deri në 50 mijë euro kam pasur në makinë edhe më parë. Nga 10 mijë deri në 50 mijë euro. Ishte hera e parë që kisha një shumë kaq të madhe me vete në makinë. 

Vutë re ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë rrugës? 

Në fakt dyshova në dy momente se po më ndiqnin, por duke e humbur mendjen dhe duke bindur veten që mund të mos e ketë njeri me mua, vazhdova rrugën drejt Rinasit. 

Nga cila rrugë po udhëtonit? 

I rashë nga rruga që lidhet Fushë-Kruja me Aeroportin e Rinasit. Për më shkurt dhe meqenëse dilja direkt në autostradë ku ishte edhe qendra tregtare që do të shkoja unë.

Thatë që dyshuat se po ju ndiqnin. Çfarë vutë re gjatë rrugës? 

Po pashë një makinë të dyshimtë që më parakaloi nja dy herë. Pasi më parakalonte, ulte shpejtësinë dhe më lejonte mua që ta parakaloja. Kështu bëri dy herë, derisa pastaj ndodhi ajo që ndodhi. 

Si ndodhi ngjarja? 

Pak para se të arrija te kryqëzimi i Rinasit, kjo makina që po ju thosha, më parakaloi dhe më preu rrugën duke ndaluar para meje për të më penguar që të vazhdoja. Me shpejtësi zbritën dy persona të armatosur dhe m’i drejtuan armët. 

Si ishin këta persona? 

Ishin të veshur me rroba ushtarake, më saktë si puna e uniformave që kanë Forcat Speciale të Policisë. Kishin maska dhe kapele në kokë, njësoj si forcat speciale. Në fillim mendova se ishte vërtet policia që më ndaloi dhe po mendoja me vete se çfarë bëra që më ndaluan. 

Çfarë armësh kishin? 

Automatikë kishin, “Kallashnikov”, të dy. Madje qëlluan me armë. Nuk e mbaj mend mirë se më kapi paniku. Unë mendova se qëlluan në ajër, por më duket se kanë qëlluar në drejtim të makinës. Siç më tha policia, në xhamin e parë të makinës kishte tri vrima plumbash. 

Po më pas, çfarë bënë? 

M’u afruan dhe filluan të bërtisnin që të zbrisja nga makina, në të kundërt do të më vrisnin. M’u afruan te xhamat anësorë të makinës, njëri nga ana ime, tjetri nga ana e sedijes së pasagjerit dhe me tytat e armëve më thyen xhamat. 

Bëtë rezistencë? 

Në fillim po, sigurisht, se nuk është e lehtë t’u dorëzosh njerëzve kaq lehtë një shumë të tillë parash. Por kur panë që unë po rezistoja, njëri nga ata, ai që ishte nga ana ime, më goditi në kokë, në anën e majtë, siç e shikoni. 

Me çfarë ju goditi? 

Me tytën e automatikut më goditi. Pasi u gjakosa, e kuptova se nuk kisha asnjë mundësi të shpëtoja paratë dhe thashë të dorëzohem, të paktën të shpëtoja vetë. Por nuk më lanë mundësi as që të zbrisja vetë nga makina, pasi më tërhoqën me forcë dhe më zbritën në tokë. 

Ju thatë që kishit edhe një pistoletë që e mbanit me leje. Nuk patët mundësi të reagonit? 

Ku kisha kohë unë të reagoja! Madje ishte gjëja e fundit që më shkoi ndër mend të bëja se pata frikë se do më vrisnin nëse do të bëja ndonjë lëvizje. 

Pasi ju zbritën në tokë çfarë ndodhi? 

Më lanë aty në tokë. Vetë hipën në makinë dhe vazhduan rrugën me shpejtësi. 

Me makinën tuaj? 

Po, me makinën time. Makinën e tyre e lanë aty në mes të rrugës. 

Ju çfarë bëtë? 

Telefonova në sallën operative të Policisë. Fillimisht u lidha me Policinë e Rinasit. Më pas me atë të Tiranës. Kur u shpjegova vendin se ku ndodhesha, më thanë që ishte zonë e Policisë së Fushë- Krujës dhe ishin nisur ata për të ardhur në vendngjarje. 

Keni ndonjë dyshim se cilët mund të jenë autorët e kësaj ngjarjeje? 

As nuk e kam idenë fare. Madje edhe tani që po flas e kam me frikë se mund të jetë kushdo. Madje mund të jenë edhe këtu rrotull nesh. Siç ju thashë, ata ishin me maska dhe nuk arrita t’ua shoh fytyrat në asnjë moment.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura