Intervista e plotë/ Flet ish-themeluesi i PD: Ata që thonë se ne na kishte vënë Ramizi…

Feb 23, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ish-themeluesi i PD-së, Neritan Ceka, tregon rolin që ka luajtur Partia Demokratike gjatë ngjarjeve të tensionuara të 20 shkurtit, kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës dhe më pas me ngjarjet e Shkollës së Bashkuar.

neritan ceka

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceka shprehet se ishte kërcënimi që i bënë përfaqësuesit e PD-së oficerëve të Shkollës së Bashkuar Ushtarake për të mos dalë në Tiranë për rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës.

20 shkurti i 1991-it, sa e rrezikshme ishte që të shkonim në një përplasje të përgjakshme apo konfrontim civil?

Unë mendoj se rreziku i përplasjes ishte që në dhjetor pati një përplasje mes studentëve dhe Policisë, pati një polarizim të menjëhershëm të shoqërisë shqiptare, mes atyre që ishin të interesuar për të mbajtur rendin komunist, sepse kishin përfitime prej tij, siç pati edhe një nervozizëm dhe padurim nga pala tjetër, e cila donte në mënyrë sa më të shpejtë të përmbyste rendin komunist, sidomos ndaj figurës së Enver Hoxhës, i cili gjendej kudo ndonjëherë, edhe në mënyrë provokuese.

A ka ndikuar PD te greva e studentëve?

PD nuk ka ndikuar te greva e urisë e studentëve. Kemi shkuar disa herë me Pashkon për t’i qetësuar studentët. Ne nuk ishim për ndërprerjen e grevës dhe kërkonim që greva të finalizohej, sepse ishte një kërkesë më se normale që t’i hiqej emri i Enver hoxhës Universitetit të Tiranës. Në këtë klimë mund të them se ngjarja e 20 shkurtit kishte dalë jashtë kontrollit të PD-së, e cila atë ditë ka qenë vetëm vëzhguese.

Doktor Berisha dhe unë kemi qenë në zyrën e tij kur morëm lajmin, që statuja e Enver Hoxhës u rrëzua. Natyrisht që po e ndiqnim ngjarjen, që populli po zbriste drejt sheshit dhe mesazhin “të shkojmë te Sheshi” nuk e ka dhënë PD-ja, por Rajmonda Bulku, e cila në atë kohë nuk ishte anëtare e PD-së. Dolëm të dy, me doktorin, secili në drejtime të ndryshme dhe e kemi ndjekur turmën.

Por që nga ai moment, PD u fut në lojën për të balancuar, sepse rënia e statujës solli edhe më shumë acarim dhe dita e nesërme ishte edhe më e rrezikshme. Nëse sheshi ishte i popullit dhe nuk kishte ndonjë konfrontim të rrezikshëm me forcat e Policisë dhe ato Speciale në numër shumë të vogël, që sulmonin dhe tërhiqeshin, në krahasim nga mijëra qytetarë. 21 shkurti ishte më i rrezikshëm. Nga njëra anë, kishte dalë populli, nuk e nxorëm ne, kishte ardhur për të parë se çfarë kishte ndodhur në 20 shkurt, kishin ardhur mbi 20 mijë vetë edhe nga rrethet.

busti2

Kur papritur u hap lajmi se kishte pasur disa të shtëna në Bllok dhe ishte bërë grusht shteti. Menjëherë tek Ura e Lanës u vendos Garda dhe Policia dhe nga ana tjetër u dynd populli nga sheshi “Skënderbej” drejt Bllokut. Por nuk ishte Blloku që po sulmohej, ka pasur një interpretim të gabuar. Asnjëherë nuk donte të sulmonte popullin, por donte të ruante lirinë që ishte fituar një ditë më parë, me hedhjen e statujës së Enver Hoxhës.

Legjenda e Bllokut u krijua më vonë, ka pasur të tjera tentativa për të hyrë në Bllok. Ka qenë një miting tjetër, disa kohë para 20 shkurtit, që u mbajt nga Ardian Klosi dhe Edi Rama në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”, por nuk arriti të realizohej.

Ju ku ishit në ato momente?

Lajmi i shkoi PD-së që turma po shkon drejt Bllokut. Nga PD u dërguan menjëherë 3-4 vetë, Agron Çika, Pëllumb Karameta, Bashkim Sala dhe disa intelektualë, që u gjendën aty, unë i gjeta te njerëzit edhe Edmond Budinën që kishin bërë një kordon dhe mbanin popullin. Unë, në fakt, pashë Gardën që doli, sepse isha drejtor i Muzeut Arkeologjik, tanket dolën dhe mora makinën dhe u nisa për të shkuar te PD në rrugën e Kavajës. Kur po kaloja urën, që të çon tek Drejtoria e Policisë, pashë rreshtimin e Policisë, ktheva makinën dhe shkova tek Ura e Lanës. Takova Karametën dhe më thotë se rreziku është që populli të çajë kordonin e Policisë dhe të kemi përplasje. Nga ana tjetër, dukej që kishte një vendosmëri për të qëlluar mbi turmën. Sidomos Garda, e cila ishte shumë e dogmatizuar.

Ka një rrëfim të një drejtuesi të Gardës në atë kohë, sipas të cilit nëse do të bëhej edhe një hap përtej kordonit të Policisë, do qëllohej mbi turmën?

Po ka qenë Dane Binaj, një oficer karriere, por shumë i dogmatizuar në atë kohë, e kam takuar gati 15 vjet më vonë dhe më ka thënë: Po të kishit bërë edhe një hap në Urën e Lanës, do t’ju kishim vrarë! Ishte një vendim që duket e kishin marrë.

Ju vajtët me porosi të Sali Berishës atje te protestuesit?

Jo, nuk kisha asnjë porosi, sepse në atë kohë nuk kishte celularë, unë nuk arrita të shkoja te PD-ja. Takova aty një oficer të Gardës, që e njihja prej kohësh, Sejdo Brahimaj, i cili në atë kohë kishte kaluar te Forcat Speciale. E pyes se ç’ka ndodhur? Ai më thotë se dikush ka dashur të hyjë me motor në Bllok dhe kanë shtënë rojet, është dhënë alarmi dhe ka dalë Garda. Është bërë grumbullimi dhe ne kemi marrë pozicionin, por jemi të paarmatosur.

Jemi në pozitë të vështirë më tha, po të kthehemi pas na qëllon Garda, po të ecim para përplasemi me popullin. I thashë kjo që thua ti, është e saktë dhe e vërtetë 100%?! E pyes, nuk është vrarë Ramiz Alia dhe pushtetin e ka marrë Nexhmije Hoxha me Sulo Gradecin dhe konservatorët?! Ai më tha se Presidenti është në zyrën e tij, ndërsa Blloku ka ikur i gjithi në Dajt. Nuk ka njëri në Bllok. I thashë se cila ishte garancia që ai më jepte, sepse doja që t’ia komunikoja popullit këtë. I thashë çfarë garancie më jep? Unë jam miku i Faik Dinos. Faiku ishte një miku im nga Mallakastra, që merrte pjesë në gërmimet arkeologjike. Kjo ishte një dhënie bese dhe garancie “alla shqiptare”, përmes miqve të përbashkët.

Për t’u siguruar që nuk kishte ndodhur grusht shteti, dërgova në Presidencë Bashkim Salën dhe Agron Cikën, që e takuan dhe u kthyen. I kërkova megafonin dhe i bëra thirrje popullit që të kthehej. Nuk më dëgjonte. Jo do shkojmë e do sulmojmë Bllokun. Në ato momente pashë gruan time që kthehej nga kopshti dhe kishte marrë djalin. Kur dëgjoi zërin tim në megafon, u afrua dhe po më thërriste. Unë i kërkova djalin. I thashë njerëzve me djalin në krahë, se atje nuk ka ndodhur grusht shteti, ne pushtetin nuk e marrim me forcë, por me votë dhe ju ftoj të kthehemi në shesh dhe të festojmë fitoren që arritëm dje.

Nëse ju mendoni se Garda nuk do qëllojë mbi ne, po shkoj unë i pari me djalin tim dhe le të bëhem unë dëshmori i parë i demokracisë. Kjo thirrje goditi, ndikoi dhe turma u kthye. Shkuam te sheshi, bëmë një miting. Më thonë që përsëri turma është drejtuar drejt Bllokut. Shkova prapë dhe tërhoqa turmën e dytë dhe shkova edhe për herë të tretë dhe e tërhoqa turmën përsëri. Situata nisi të çtensionohej. Pasdite shkuam në Kryeministri dhe kërkuam që të largoheshin tanket, sepse ato mund të ishin një provokim për popullin.

A u çtensionua situata pas kësaj tentative?

Jo, 10 ditët pas rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës kanë qenë ditët më të tensionuara duke qenë në prag të luftës civile. Rrezik i madh ishte reagimi në Shkollën e Bashkuar ku u mblodhën mbi 1 mijë vetë të armatosur, Brigada e Parë, Shkolla e Bashkuar, “Skënderbegasit” dhe shkolla e nënoficerëve të Zall Herrit, që ishin edhe më të dogmatizuar, të cilët kërkonin të çonin bustin e Enver Hoxhës që kishin në shkollë ta çonin aty ku kishte qenë statuja në sheshin “Skënderbej”. Këtu pastaj do të ishte e sigurt përplasja. Në atë ngjarje përsëri PD ka ndikuar, më ka çuar mua me porosinë e qartë që t’i thosha se ky është një grusht shteti që po bëni, sepse kishin shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqin dhe kishin kërkuar dorëheqjen e Presidentit Alia.

Donin të merrnin kontrollin e TVSH-së, të stacionit të trenit dhe të ndërtesave qeveritare. Ishin tiparet e vërteta të grushtit të shtetit. Unë u thashë se kjo që po bëni është grusht shteti. Atje ishte një fole e vërtetë grerëzash, oborri i shkollës nga prapa ishte mbushur plot, mbaheshin fjalime dhe këndoheshin këngë për Enver Hoxhën, mbi tarraca ishin vendosur mitralozë të lehtë dhe të rëndë. Reparti 326, sampistët që quheshin ishin aty, sot janë bërë të gjithë biznesmenë të suksesshëm ndërsa në atë kohë ishin të gjithë të dogmatizuar. Isha me Agron Çikën dhe rrugës morën me Abdi Baletën, si jurist. Unë i transmetova fjalët që më kishte thënë Berisha dhe besoj se ndikoi ajo që unë u thashë, se nëse bëjnë këtë grusht shteti i pret gjyqi ushtarak.

Ata e kishin provuar gjyqin ushtarak në kohën e Beqir Ballukut dhe Mehmet Shehut dhe ia kishin frikën. Edhe Baleta si jurist i shpjegoi se ku po shkelnin ligjin. Të nesërmen, ata i rrethoi populli, ndërsa nga brenda shkollës u qëllua me armë, u vra një person, një vajzë u dëmtua nga plumbi në shtyllë kurrizore.

Pas kësaj situate nga Shkolla e Bashkuar kërkuan ndihmën e PD-së, për të qetësuar popullin që i kishte rrethuar nga jashtë. Shkoi Leka Meksi, Arben Imami që i kërkuan popullit të tërhiqej, por dhe Shkollës së Bashkuar që të largonte repartet e Policisë. PD ka luajtur rol zbutës të tensioneve.

Pati tensione në Vlorë, Kavajë dhe në fund të muajit u qetësua disi situata. Kjo ndikoi në klimën në vend dhe frikësoi fshatin, ia bëri të ardhmen të pasigurt, duke i detyruar të mos ndaheshin nga Partia e Punës, të cilën e votuan në zgjedhjet e 31 marsit.

Tentativat tuaja për të qetësuar situatën më vonë u interpretuan se ju ishit dorë e Ramiz Alisë. Si i përgjigjeni atyre?

Për të thënë të vërtetën, unë nuk kisha asnjë kontakt apo lidhje me Ramizin. Këta që kanë bërë këtë interpretim janë ata, që nuk kanë qenë atë ditë atje. Njerëzit që kanë qenë ato ditë atje, kanë menduar dhe mendojnë ndryshe. Asnjë nga ata nuk kishte shkuar për të sulmuar Bllokun, asnjë nga ata nuk kishte shkuar për të vrarë e për të djegur, siç mendojnë këta që nxjerrin këto teori dhe nuk kishte asnjë bllokmen në Bllok. Unë i pyes këta: Kë shkova unë të mbroja atë ditë?!

Bllokmenët ishin të gjithë në Dajt. Po të isha për Ramiz Alinë, Ramizin ne na interesonte që të qëndronte në pushtet, të mos largohej, sepse me atë kishim një lloj dialogu. Ndoshta do të ishte diktatori më i përshtatshëm për të lënë pushtetin dhe nuk na interesonte të ishte dikush tjetër, një dorë e fortë, me të cilin nuk dialogoje dot, të figurave të tilla të lidhura me Nexhmijen.

Kështu që kjo teori është një teori e atyre që nuk kanë qenë fare aty. Po ju sjell një detaj: Në kohën kur unë i bëja thirrje popullit që të tërhiqej, dikush, me një xhup të zi, qëlloi me gur në drejtim të Policisë. Ai ishte një provokator. Atij i janë turrur rreth 20 vetë për ta kapur dhe ai ka ikur me vrap dhe është futur në Hotel Dajti. Jam i sigurt se njëri nga këta është krijues i teorisë së Bllokut.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura