Intervista e plotë/ Eni Vasili: Si e komentoj puthjen e dorës nga ana e Ramës

Jan 16, 2016 | 14:12
SHPËRNDAJE

Ka filluar një vit të furishëm moderatorja e “Studio e Hapur” në “News 24”, Eni Vasili. E njohur për eksperiencën e saj, si dhe e papërfolur si një përkrahëse apo kundërshtare e ndonjë force të caktuar politike, studioja e Vasilit është shpesh streha e vetme që gjejnë politikanët, studio ku ata as nuk “masakrohen” dhe as nuk “përkëdhelen”.

eni 2Këtë sezon të ri televiziv, Eni e ka nisur me dy nga figurat më të rëndë- sishme në vend, intervistë me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, i pasuar një javë më pas nga Kryeministri Edi Rama.

Gjithashtu, gazetarja e njohur është këtë muaj në kopertinën e revistës “Elegancë” me një intervistë të gjatë, ku flet për punën dhe jetën private, e shoqëruar me një set fotosh, ku look-u është pak i pazakontë për sytë tanë, të mësuar tashmë me imazhin formal të një studioje televizive.

Puthja e dorës së moderators së njohur nga ana Ramës dhe disa detaje të tjera në prapakuinta, por edhe mendimi i Vasilit për politikanët shqiptarë do të trajtohen në këtë intervistë.

eni

Të martën që lamë pas ju kishit një intervistë me Kryeministrin Rama, aty ai dukej disi më i relaksuar në krahasim me intervistat e mëparshme ku vihej re tensioni dhe nervozizmi. Si mendoni, ishte merita e pushimeve në Miami apo e moderatores?

Nuk mendoj që Kryeministri ishte i relaksuar, për sa kohë patëm 120 minuta të tensionuara të një interviste, ku z.Rama pranoi të fliste edhe për çështje që i prekte për herë të parë. Disa minuta përpara intervistës, unë dhe shefi i qeverisë bëmë një pakt që të respektonim mendimin e njëri-tjetrit deri në artikulimin e plotë të tij, pa bërë debate ose replika si qëllim në vetvete apo për të bërë thjesht show, por në funksion të përmbajtjes dhe synimit të informimit e sqarimit të publikut.

Mendoj që në disa pasazhe ia arritëm, në disa të tjerë jo, por ishte një hap i parë drejt një lloji interviste që i shërben më tepër publikut, sesa matjes së audiencës. Fakti që Kryeministri e pranoi këtë pakt dhe e respektoi deri diku, mendoj që ka si shkak një sërë kritikash që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm mediatikë, ose jo, për mënyrën si performon në studiot televizive e sidomos në intervistat e formateve të emisioneve politike.

Mbi qasjen e Kryeministrit në disa raste të tensionuar deri në arrogancë ndaj pyetjeve dhe vetë gazetarëve që drejtojnë këto emisione, janë bërë disa shkrime dhe editoriale. Kujtoj që gjatë intervistës pararendëse me Kryeministrin, në përgjigje të insistimit tim për një përgjigje përfundimtare, Kryeministri m’u drejtua me shprehjen : “A je në metro?”, e cila më pas u bë titull i një editoriali të koleges Mimoza Koçiu.

Raste të tilla përgjatë këtyre kohëve ka pasur disa. Mendoj që tashmë Kryeministri po përpiqet të ketë një përformancë të re në raport me median dhe kjo u vu re edhe në darkën e fundvitit me median, ku në ndryshim nga një vit më parë, fjalimi i tij ishte pa thumbat e ironitë që përshkruan fjalimin pararendës

Gjesti i puthjes së dorës në fund të programit nga ana e tij u komentua shumë në media, ju si e interpretuat?

Thjesht si një gjest mirësjelljeje, një përshëndetje elegante dhe formale në shenjë respekti.

– Kemi dëgjuar se në darkën e Vitit të Ri, që Linda Rama organizoi për gazetaret, ju patët një debat me zotin Rama, ku i kërkuat të ishte më i sjellshëm, sidomos me femrat gazetare. A mendoni se puthja e dorës mund të ishte një reflektim nga ana e tij?

Është e vertetë që pata një dëbat të tillë në prani të të gjitha kolegeve gazetare të pranishme në atë darkë, Xhunga, Tare, Milori, Basha, Kurti etj. Shkëmbyem mendime e qëndrime me Kryeministrin rreth kësaj çështjeje për përgjegjësitë e gazetarëve apo të Kryeministrit në këtë kontekst. Shpresoj që debati të ketë kontribuar në performancën e “duruar”, që Kryeministri shfaqi gjatë intervistës.

– Ju në fakt, si gazetare me eksperiencë që analizoni më thellë, besoni në ndryshime të tilla, pra Rama do vijojë të thotë që media është “kënetë” dhe të tregojë anën e tij arrogante, apo mund të moderohet?

Nuk mendoj që Kryeministri mund të ndryshojë bindje, nuk e bëri këtë as gjatë intervistës ku vazhdoi ta quajë median “kënetë, vetëm me disa ishuj të palagur“. Besoj se ky qëndrim është një zgjedhje strategjike pasi ai dhe stafi i tij i PR-it janë përballur me një pakënaqësi në rritje të gazetarëve ndaj kësaj sjelljeje. Por, për sa kohë kjo shkon në raport të drejtë me interesin publik, personalisht mundem veç ta përshëndes .

– Përsëri në cilësinë e gazetares me eksperiencë, që njihni edhe praprakuintat e politikës, a ekziston mundësia që politikanët shqiptarë të pranojnë këshillat dhe sugjerimet, mbase edhe ndonjë akuzë dhe si pasojë të ndryshojnë ligjërimin publik, apo nuk lëvizin nga llogoret e tyre?

Do ta bëjnë për sa kohë të besojnë se kjo është në interesin e tyre të drejtpërdrejt. Pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë janë vanitozë dhe kanë një besim të pajustifikuar në intelektin e tyre, as me shkollat ku kanë studiuar e as me eksperiencat e punësimit që kanë pasur. Nuk arrijnë të dëgjojnë këshilla e sugjerime, përpos agjencive të huaja të PR -it, që zbarkojnë pranë selive, kryesisht në kohë fushatash. Në ato raste, mund të vini re se sa ndryshe buzëqeshin dhe sillen. Për fat të keq, ato ditë kalojnë shpejt. Nuk ka asnjë mënyrë që ata të modifikojnë qëndrimet e tyre nëse nuk ka një reagim publik të medias apo edhe qytetarëve. Dhe kjo është ajo që po ndodh,po reagojnë mediat, por edhe publiku. Në sondazhet tona, ne vërejmë qartë që ka politikanë, të cilët gjatë debateve në studio refuzohen tërësisht nga publiku. Ky, për ne autorët e ketyre emisioneve, është një mesazh i qartë. Publiku nuk u beson më dhe nuk i pëlqen.

– Duke u kthyer te rasti Rama, ai ju pohoi se kollarja që kishte vënë kushtonte 20 dollarë, ju besoni se edhe kollaret e tjera të tij kushtojnë po aq, ose kostumet p.sh., që sipas specialistëve të modës janë mjaft të shtrenjtë?

Mendoj që politikanët, gjykatësit, prokurorët, kanë një standard të pajustifikuar jetese. Besoj që në garderobën e kryeministrave, ministrave, ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve të 25 viteve të fundit, flenë veshje shumë të kushtueshme që do ushqenin shumë varfërinë e këtij vendi. Problemi nuk është në çfarë besojmë, por si ta faktojmë e si ta ndryshojmë këtë stil jete e mendësie të pandëshkueshmërisë.

– Tani që po flitet kaq shumë për korrupsionin, të cilin e tregojnë edhe objektet e shtrenjta që mbajnë punonjësit publikë, mendoni se ata nuk do kenë më kurajë për t’i mbajtur, apo është thjesht një valë dhe përsëri do të na kalojnë para syve me makinat e shtrenjta e kostumet firmato?

Varet sa thellë do të shkojë reforma dhe sa seriozisht e ka maxhoranca realizimin e saj. Nëse ajo do të jetë reale dhe do ta shkundë modelin e ndërtuar deri tani të disa politikanëve-bajraktarë, që sillen me pushtetin që u japin qytetarët për t’i administruar, si të ishin në pronën e tyre të trashëguar, sigurisht që panorama do të ndryshojë. Për këtë flet eksperienca e shumë vendeve të botës, që i kanë shkelur këto shtigje para nesh. Sigurisht është një proces që do dojë shumë kohë për t’u realizuar dhe për të ndërtuar një sistem të pastër drejtësie që na duhet të gjithëve, si streha që na garanton çdo të drejtë.

ERMIRA SHPETIMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura