Intervista e plotë: “As Vaçe Zela s’e ka pasur zërin e Parashqevisë”

Aug 30, 2015 | 23:33
SHPËRNDAJE

Është e thjeshtë të kuptosh se e ka peng Parashqevinë. “E mori më qafë Hollivudi, thotë ai plot keqardhje.

Agron Krajka dhe Parashqevi Simaku
Agim Krajka dhe Parashqevi Simaku

Kompozitori Agim Krajka, që ka bërë histori në muzikën e lehtë shqiptare, është ndër të parët që shqoi talentin e jashtëzakonshëm të Parashqevi Simakut.

E mban mend fare mirë ditën kur ajo i trokiti në derë dhe i kërkoi që ta dëgjonte. “E mrekullueshme.

Ajo u bë shkak që unë të bëja disa këngë shumë të zgjedhura”, thotë kompozitori. Për të, nuk ka rëndësi fare jeta e saj personale gjatë viteve të diktaturës, “lidhjet apo zgjidhjet” e saj, që janë bërë temë e një debati të fortë mbi karrierën e këngëtareve të viteve ’80. Kompozitori tregon për suplementin “Unë gruaja” njohjen me Parashqevinë, bashkëpunimet, por edhe disa fakte të panjohura nga 6 muajt e parë të këngëtares në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo u strehua pikërisht në shtëpinë e Krajkës, me të cilin filloi edhe të këndonte nëpër lokale… Paskëtaj erdhi ëndrra hollivudiane, që, fatkeqësisht, nuk e çoi asgjëkund Parashqevinë…

Është hapur një debat këto ditë mbi këngëtaret “big” të viteve ’80- ’90, që disa prej tyre nuk i kanë merituar çmimet e para që u janë dhënë. Një ndër to, është përfolur edhe Parashqevi Simaku. Cili është vlerësimi juaj për këtë këngëtare?

Unë nuk po nisem nga çmimet, por nga portreti artistik i Parashqevi Simakut. Vështirë është që t’i vijë Shqipërisë një zë aq i bukur, aq i kontrolluar, e aq emocional, aq sa Parashqevi Simaku. Ka qenë një përjashtim. Parashqevia ishte tmerrësisht mbajtëse emocionale e këngës. Shpeshherë kishte edhe këngë që në thelb nuk kishin aq emocion, por Parashqevia arrinte t’u jepte jetë. Për mua është një nga zërat më të rrallë që ka pasur Shqipëria, për aq sa e kam njohur unë. Deri tani nuk i ka ardhur një zë i tillë vendit tonë, në të ardhmen nuk e di a do t’i vijë…

Si jeni njohur me Parashqevi Simakun?

Që në fillimet e saj, pasi kishte bërë pak emër në Kavajë e Durrës, erdhi një ditë në derë dhe më tha: Jam Parashqevi Simaku, të lutem profesor, a mund të më dëgjosh njëherë? Ishin vitet ’80. E dëgjova. E mrekullueshme. Ajo u bë shkak që unë të bëja disa këngë shumë të zgjedhura. Një nga ato ka qenë “Sonet për veten”, ia kisha shkruar vetes sime, me poezi të Jorgo Papingjit. Për mua, kur e mbaroi këngën Parashqevia, ishte një simfoni… Parashqevia ishte e pavetëdijshme sa gamë të madhe kulturore kishte për zhanret e muzikës që ishin në Shqipëri. Ajo e këndonte muzikën e lehtë a thua se ishte e specializuar, por ama të nesërmen këndonte “Qamilen” dhe të rrëqethte mishin. E “qante” edhe muzikën tiranase, ndërkohë që këngëtarët e tjerë nuk merrnin kurajën ta këndonin, përveç Afsa Zyberit. Parashqevia e zotëronte skenën. Si anën vokale, por edhe emocionale. Ishte unike, sa kohë këndoi në Shqipëri. Ah, gjërat e tjera pastaj që thuhen, jo jeta private e saj, jo lidhje me këtë apo atë, mua nuk më duhen fare. Sepse lidhjen nuk e shpiku ajo, as zgjidhjen. Ishin emocionet e moshës, të rinisë dhe ajo kishte të drejtë që të zgjidhte një simbol shpirtëror dhe kjo gjë nuk ka pse të ngatërrohet me muzikën. Sepse i shoh këngëtaret e sotshme, kanë një shkallë të madhe degjenerimi vokalisht. Nuk po mbahen aspak me vokal, por me shalë, të pasme e me gjoks silikoni. Ndaj sa vjen dita dhe i rritet vlera një këngëtareje si Parashqevia, Lindita Theodhori, për të mos shkuar deri te Vaçe Zela e ikona të tjera të skenës. Ato këngëtare që kanë qenë asokohe, nuk e merrnin kollaj emrin “këngëtare”, as të dilnin dot në festival, as të merrnin çmime, sepse kishte një kontroll gati barbar në të gjitha drejtimet. Këngëtaret që arrinin të dilnin në festival ishin si ato pikat e vajit të futura në një fuçi të madhe me ujë, që dilnin në sipërfaqe. Dhe Parashqevia ishte një pikë vaji…

A ka marrë ndonjëherë çmime të pamerituara?

Unë mendoj që nuk ka marrë asnjëherë çmim të pamerituar. Madje, ajo nuk ka marrë çmime që ka merituar. Kjo, po. Unë e kam mbajtur edhe në Amerikë, ndenji gati 6 muaj te shtëpia ime, në vitin 1990. Dhe ajo vuante nga diçka, sepse një pjesë të rëndësishme të trurit e kishte bosh për probleme të tjera.

Në ç’kuptim e kishte bosh? Parashqevia, siç e thashë, ishte unike si artiste, por njeriu nuk jeton vetëm me këtë fakt. Truri duhet vënë në lëvizje, si do jetosh, menaxhosh talentin etj.

D.m.th nuk ishte praktike?

Jo, se nuk ishte praktike, por mendonte se do të dilte ashtu siç dëshironte ajo. Amerika ishte vend tjetër, krejt tjetër gjë nga Shqipëria. Unë u gëzova shumë kur erdhi në shtëpinë time në Amerikë dhe i thashë: “Parashqevi, shyqyr që erdhe në shtëpinë time, eja t’i rikthehemi qoftë këngës së vërtetë shqipe popullore, qoftë muzikës së lehtë, këngëve të mia”. Ç’është e vërteta, atje investonin shumë shqiptarët për Parashqevinë, sidomos ata të Kosovës. Kishin mundësi financiare të papara dhe ishin të gatshëm të paguanin shuma të mëdha për Parashqevinë. Por ajo nuk më dëgjoi. Më tha: “Jo, do të iki në Hollivud”. I them: “Do të ikësh në Hollivud, çfarë do të bësh atje? Hollivudi është një sferë e gjigantëve të filmit, dakord edhe e këngëtarëve, por është xhungël. Në Hollivud edhe të qëndrohet edhe për të pastruar e larë xhamat, por ti nuk je e asaj grade. Nuk ke çfarë bën atje. Tjetër gjë, nëse ty të ka ftuar ndonjë personazh i njohur nga Hollivudi, që kërkon të investojë për ty. Por që të shkosh kështu, pa pasur ndonjë gjë konkrete, sikur nuk vete…”. Ajo vazhdoi në të sajën: “Do ta provoj njëherë”. E luta disa herë bashkë me time shoqe, por Parashqevia vetëm kundërshtonte. Në fund të fundit, nuk kishim çfarë të bënim më. Nuk kishim të drejtën morale që ta ndalonim. Kështu, Parashqevia shkoi në Hollivud dhe si artiste u harrua. U martua me një shqiptaro-amerikan atje, që i binte kitarës. Nuk dëgjova më asgjë për Parashqevinë. Jo vetëm nga Hollivudi, por as nëpër qarqet artistike shqiptare në Amerikë apo gjëkund tjetër.

Jeni ritakuar më që prej asokohe?

Vetëm një herë në vitin 2007, në Nju Jork. Sepse që nga viti ’90 e deri në atë vit që e takova unë, u hesht për Parashqevinë.

U hesht sepse donte ajo që të mos shfaqej, apo se nuk e kërkoi kush si artiste?

Shqiptarët e donin Parashqevinë. Kur erdhi në fillim në shtëpinë tonë dhe punuam ca kohë me të nëpër lokale, ishte mjaft e suksesshme. Unë kisha orkestrën, ku pata mbledhur muzikantët më të mirë që erdhën asokohe nga Shqipëria. Pra, u bëmë një grup ku kërkesat vinin lumë. Paguheshim 500 dollarë për një natë, por dollari kini parasysh sa vlente në atë kohë. Mirëpo, ajo bëri ca para disa muaj dhe donte patjetër Hollivudin. U largua prej nesh. Në Hollivud, ajo mori fund. Kur e takova gati dy dekada më pas, siç e thashë më lart, pashë një Parashqevi të transformuar, krejtësisht të mbaruar. Pyesja veten: Si ka mundësi, kjo është Parashqevia që njoh unë?

Pse mendoni se i erdhi ky transformim?

Duke përjashtuar anën artistike, që ishte talent i rrallë, nuk diti të administronte jetën e vet. Ndoshta ishte arti i saj që këtë pjesën bosh mos ta ndiente, duke ia administruar punët të tjerët dhe ajo vetëm këndonte. Por në Hollivud, nuk pati kush ta administronte. Amerika është Amerikë dhe nuk të fal.

Po kur u kthye nga Hollivudi, pasi nuk realizoi dot ëndrrat e saj, pse nuk u angazhua me aktivitetet artistike apo dasmat e shqiptarëve?

Sepse kishin kaluar shumë vite, gati 20 vjet. U harrua, nuk e kishte emrin si dikur. Ndërkohë që këngëtarë të tjerë kishin ngritur famë dhe i kishin krijuar lidhjet për aktivitete artistike dhe dasma.

Nuk na treguat nga takimi që patët me Parashqevinë në vitin 2007, a ju tha se ishte penduar që ishte larguar nga Nju Jorku drejt Hollivudit, apo ndonjë detaj tjetër?

Ajo nuk pati se ç’të thoshte, folëm shumë pak dhe dukej qartë se e kishte kuptuar gafën që kishte bërë ndaj vetes së saj. E pagoi shtrenjtë vendimin që mori në 1990, sepse u bë pak narciziste nga dashuria e madhe që kishin shqiptarët e Nju Jorkut për të. Kujtonte se do ta donit njësoj edhe në Hollivud. Dhe çfarë bëri atje? Mori një burrë që i binte kitarës, bëri një djalë që e pastë me jetë dhe kaq. Hollivudi e mori më qafë dhe më vjen shumë keq që e them këtë! Humbi atje…

Kur bënit një këngë, e bënit direkt duke pasur në mendje zërin e Parashqevisë?

Kur shkruhet një këngë duhet të njohësh vokalin e këngëtarit, mundësitë teknike të saj/ tij, anën emocionale etj. Por, Parashqevia e kishte treguar veten se cila ishte.

Nëse do të bëje një listë me 3 këngëtaret më të mira nga vitet ’60-’90, si do t’i rendisje?

Dua të theksoj që as Vaçe Zela nuk e ka pasur zërin e Parashqevi Simakut. Por Vaçja kishte pikë të fortë anën emocionale. Edhe kur i ikte zëri, nuk e merrte vesh njeri. Edhe kur fliste, Vaçja dukej sikur po bënte muzikë. Vaçja ishte artiste edhe kur bërtiste, edhe kur ishte me grip, edhe kur ishte ftohur etj., por kishte taktikën emocionale që e ngrinte në kupë të qiellit këngën. Por, Parashqevia kishte vokalin artistik më të mirë sesa Vaçja. Ndërsa anën emocionale e nxirrte në pah vetëm kur kishte edhe vokalin. Kanë qenë të ndryshme si këngëtare me njëra-tjetrën.
vijon…

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura