Intervista/ “Dy rrugët për të dalë nga kriza”, Moikom Zeqo: Shkarkimi i Metës, akt i rëndë për vendin

Jun 13, 2019 | 14:45
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë”, përsërit vazhdimisht mendimtari Moikom Zeqo.

zeqo

Sepse për të, e drejta “prej monarku” e kryetarit për të caktuar listën e deputetëve është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës atë vit. E shikon si hap primar për të zgjidhur ngërçin politik, krijimin e një establishmenti të ri, pasi 140 ligjvënësit aktualë të Shqipërisë i konsideron në nivelet më të mjerueshme dhe gati anonimë.

Situata aktuale tregon, sipas profesor Zeqos, se partitë i pret një vdekje e bardhë. Një rrudhje dhe rrezik zhdukjeje që do të prekë jo vetëm partitë e vogla që Partia Demokratike ka në koalicion, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe vetë Partinë Socialiste.

Mendimtari analizon për “Panoramën” aktualitetin politik, duke u ndalur ndër të tjera te shtyrja e datës së zgjedhjeve, Kryeministri “mandator”, protestat “jo në emër të popullit” dhe ndikimi që situata ka te negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Si kanë ndikuar në situatën aktuale ndryshimet kushtetuese që ndodhën në 2008-n?

Ndryshimet e kobshme të vitit 2008 bënë që lista e deputetëve të përcaktohet nga kryetarët e partive. Pra, këta të fundit kanë të drejtën prej monarku që të caktojnë listën e deputetëve. Mirëpo, kjo është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës. Kushtetuta, e cila njeh procesin e zgjedhjeve që lidhen me votimin, thotë që votat janë të lira dhe të fshehta. Të lira janë kur unë votoj lirisht për kandidatin që më bind, pra, do të thotë që duhet të ketë alternativa, duhet të jenë listat. Mandej, të fshehta. Po si mund të jenë votat të fshehta, kur ka një listë publike, që e dorëzon kryetari i partisë në procesin e votimeve?!

meta

Si mund të ketë votime të lira dhe të fshehta në një kohë kur kryetari ka krijuar listat. Mirëpo listat tregojnë se krijohet një klientelizëm politik. Dhe në vend që të krijohet një numër personalitetesh të vërtetë të politikës, pra, të vendimmarrjes, në listë përfshihen njerëz “të klonuar”. Dhe ne kemi një Parlament “të klonuar”. Ne jemi një republikë parlamentare me Kushtetutë parlamentare, çka do të thotë se në Parlament ne kemi përfaqësuesit e disa partive të elektorateve të ndryshme dhe nuk ekziston linja vertikale e ekzekutivit.

Kryetari i Parlamentit është një “spiker”, nuk është një kryetar për të komanduar. Natyrisht, aty është vendi ku votohen, ose jo, ligje, merren vendime etj.. Mirëpo, duke mos respektuar karakterin e mirëfilltë shumëpartiak të Parlamentit, ne në fakt jemi kthyer në një republikë kryeministrore. Pra, Kryeministri, i cili ka shumicën në Parlament, ka pushtetin e legjislativit, të ekzekutivit dhe mund të vendosë mbi gjithçka, sepse i ka numrat.

Dhe kjo alkimi e numrave erdhi pikërisht nga ndryshimet e kobshme të vitit 2008. Pra, në qoftë se nuk bëhet reforma për t’i modifikuar ato ndryshime, vështirë se do të kemi ndonjë të ardhme të madhe politike të Shqipërisë. Kjo sepse 2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë.

Shumica e ish-deputetëve të opozitës hoqën dorë nga mandatet, si mendoni se ndikon një veprim i tillë tek elektorati që i ka zgjedhur? A duhet që ata ta bënin opozitën brenda Parlamentit, apo jashtë tij?

Heqja dorë nga titulli juridik i deputetit të opozitës është një akt i paprecedent në Europë e në botë. Për t’u bërë deputet, për ta marrë këtë titull, është bërë një votim dhe mijëra njerëz kanë votuar. Kushtetuta parashikon që deputeti i një partie të caktuar, në momentin që merr këtë funksion ka lirshmërinë të quhet deputet i popullit, edhe nëse e shikon të përshtatshme të ndryshojë edhe parti. Sepse përfaqëson elektoratin e duhet të jetë më tepër besnik ndaj tij sesa ndaj partisë. Theksoj, se që të heqësh dorë nga titulli duhet të kesh një arsye të fortë, të jesh i sëmurë, në raste vdekjeje etj.. Mund të bëhet edhe një dorëheqje individuale, por dorëheqja kolektive do të thotë se nuk ke respektuar vullnetin e elektoratit që të ka votuar. Nuk është se e mblodhën këtë elektorat dhe morën pëlqimin e tij për të hequr titullin e deputetit, prandaj dorëheqja kolektive është antikushtetuese. Titujt juridikë të këtyre deputetëve krijojnë atë që quhet subjekt kushtetues i opozitës. Opozita nuk është një grumbull njerëzish që kundërshtojnë qeverisjen, opozita është një subjekt alternativ. Pra, në një moment është në opozitë, por në një moment tjetër duhet të jetë në pushtet, ndaj është një subjekt shumë i rëndësishëm.

Përse, sipas jush, palët politike nuk tentojnë rrugën e bashkëpunimit. Për interesa të kujt thellohet konflikti?

Në të vërtetë, duhet të ishte që maxhoranca dhe opozita të ishin komplementare. Pra, kritikat të ishin shumë të ashpra, por gjithsesi palët do të duhej ishin bashkëpunuese për hir të interesit të lartë kombëtar ose shtetëror, sepse tek e fundit janë të gjithë shqiptarë. Sipas meje, është shumë e gabuar retorika politike e skualifikimit të opozitës. Retorika që përdor Kryeministri: “Ne dhe Ata”. Ne të mirët dhe Ata të këqijtë! Kjo nuk është reale dhe as njerëzore. Pse? Sepse kushtetushmërisht titulli i një Kryeministri nga ana juridike do të thotë që duhet të qeverisë edhe ata që nuk e kanë votuar, dhe normalisht ne duhet të kishim një strukturë tjetër. Duhet që kryetarët e partive të mos ishin gjithmonë kryeministrat. Partitë mund të zgjedhin kryeministra dhe pa qenë kryetar partie, sepse nuk mundet dot, që edhe si kryetar partie, edhe si kryeministër të identifikohesh në luftën politike për të bërë këtë paradigmë: “Ne dhe Ata”. Nuk thuhet Ne dhe Ata, sepse janë të gjithë shqiptarë, pavarësisht kush ka të drejtë në debatin politik.

A ekziston rreziku që protestat të çojnë në një konflikt civil?

Kontradiktat politike nuk duhet të ndikojnë që mosbindja civile të shndërrohet në një konflikt civil. Nuk ekziston asnjë premisë që ky ekuacion të jetë i tillë, i dhunshëm. Mosbindja civile, siç e shpjegon edhe mendimtari amerikan Dejvid Thoro, nuk presupozon një konflikt civil, aq më tepër nuk presupozon një konflikt civil deri në përmasat e një revolucioni, për të rrëzuar me dhunë një qeveri të votuar.

Si ndikon e gjitha kjo situatë në hapjen e negociatave?

Padyshim që ndikon për keq, edhe hapja e negociatave ka një konvencionalitet politik. Për shembull, në qoftë se do hapen negociatat ky mund të jetë një proces që mund të vazhdojë shumë gjatë. Mos të harrojmë se dikur Bashkimi Europian ishte dakord për hapjen e negociatave dhe për futjen e Turqisë në këtë partneritet politik. Mirëpo, kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Pra, nuk është hapja e dritës jeshile konfirmimi që do të fillojnë negociatat. Ne nuk e dimë procesin e gjatë të negociatave se deri kur mund të vazhdojë. Por besoj se gjithë këto ngjarje krijojnë probleme të mëdha. Aq më tepër që edhe realiteti europian i BE-së është shumë i shqetësuar.

Së fundmi, Presidenti ka shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Si e shikoni ju një vendim të tillë?

Fillimisht, duhet të sqaroj se qëllimisht bëhet një ngatërresë nga propagandat e kundërshtarëve. Presidenti ka shfuqizuar datën e procesit zgjedhor, jo zgjedhjet. Ai nuk ka fuqi që të shfuqizojë procesin e të vendosë nëse do të bëhen apo jo zgjedhjet e pushtetit vendor. Nuk e lejon askush. A mundet që ai që përmes një deklarate të bënte me dije se data do të shtyhet? Diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë. E ka bërë edhe Nishani me kërkesën e Ramës. Por a duhej caktuar një datë e dytë? Mendoj se duhet të ishte bërë diçka e tillë. Nuk e di se çdo të ndodhë, por nuk besoj që do të ndodhë, ajo që trumbetohet e propagandohet, se do të mblidhen votat e do të fillojë procedura e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Kjo është një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Përpos kësaj, që të ndodhë diçka e tillë duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese. Nuk e besoj se do arrihet deri në atë pikë. Do ishte një akt shumë i rëndë për Shqipërinë një precedent i tillë.

A duhet konsideruar situata aktuale si alarmante?

Unë mendoj se kjo nuk është një situatë apokaliptike. Ne kemi kaluar dy situata apokaliptike në Shqipëri, shumë të rënda. Një ka qenë në 1997-n, ku pati armatosje e të vdekur. Një situatë që dukej pa zgjidhje. Ngjarja e dytë ka qenë ajo e grushtit të shtetit, të vitit ’98. Të dyja këto situata me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve mendoj se u zgjidhën. Kjo situatë nuk përbën një konflikt popullor. Protestat e një partie nuk mund të vërtetojnë ekuacionin që, “ne që po protestojmë jemi gjithë populli”. Nuk është gjithë populli dhe nuk mund të flitet në emër të të gjithë popullit nga një opozitë. Apo nga dy apo tre parti, s’ka rëndësi. Pra, nuk mund të kemi një identifikim të tillë. Është më tepër propagandë, nuk besoj kurrë se mund të ndodhë një konflikt, luftë apo revolucion civil, sepse flitet edhe për këtë.

Në një moment të tillë, a do të ishte një ide e mirë krijimi i një qeverie teknike?

Krijimi i një qeverie teknike, për mendimin tim, është një debat më shumë hipotetik. Nuk ka për të ndodhur!

Ju më herët thatë se kemi të njëjtën klasë të vjetër politike, ose “parapolitike”, a premtojnë ngjarjet e fundit ndryshime në këtë aspekt?

Ajo çka po ndodh, tregon se do të kemi një lëvizje. Unë vë re se edhe Basha flet me terma kundër establishmentit të vjetër. Mendoj se do të ketë një vdekje të bardhë të partive. Shumë nga këto partitë e vogla që ka në koalicion vetë Partia Demokratike nuk do të kenë më të ardhme. Do të ketë rrudhje shumë të madhe dhe rreziku i zhdukjes do të prekë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edhe vetë Partia Socialiste nuk e ka më qëndrueshmërinë e dikurshme dhe rënia e establishmentit të vjetër do të godasë vetvetiu. Pra, do të ridimensionohet edhe kjo parti e madhe. Ky proces ka ndodhur te fqinjët. Ndodhi në Itali dhe në Greqi. Në Shqipëri ndryshime të tilla ndodhin gjithnjë me vonesë, por në politikë mund të ripërsëriten fenomene që quhen analoge. Unë kam parë se si disa nga partitë simotra të PS-së janë kthyer në parti jo parësore. Për shembull, PASOK0-u në Greqi, nga parti e parë sot është katandisur parti e katërt. Po kështu ka ndodhur edhe në Itali, apo në Francë. Pse? Sepse në demokraci, partitë lindin dhe vdesin, në demokraci nuk ka lider. Lideri do të thotë, një njeri që udhëheq një popull të tërë. Ne nuk kemi më lider, kemi mandator! Pra, ne nuk mund të kemi ide nga ai që drejton një parti, apo ai që është kryeministër mandator. Sepse idetë kryesore, struktura mendore, janë në Kushtetutë. Vetëm Kushtetuta është ajo që udhëheq idetë kryesore.

Si do të duhej të sillej Kryeministri në këtë rast?

Rama duhet ta shikonte me pjekuri situatën, jo në mënyrë arrogante dhe absolutiste. “Ne dhe Ata”, ky ekuacion nuk të çon asgjëkund. Duhet t’i mëshojë kompromisit. Nëse kërkohen vërtet ndryshime të mira, atëherë puna duhet filluar nga 2008- ta. Duhen zhbërë ndryshimet e kobshme të atij viti, duhen reformuar. Nëse kjo ndodh, ka edhe premisa që të vijnë politikanë të rinj. Mos të harrojmë se kanë kaluar 30 vjet. Në qoftë se një politikan para 3 dekadash ka qenë 30 vjeç, sot është 60. Si s’kemi ne politikanë të rinj, apo forca politike të tjera. Ndryshimet e 2008-s përbëjnë një pengesë artificiale të krijuar nga politika e vjetër për të konservuar dhe galvanizuar vetveten.

Nëse flasim për opozitë zyrtare, disa deputetë të PD-së janë ende në Parlament. Sa mund të funksionojë, sipas jush, ky grupim i vogël deputetësh?

Nga pikëpamja juridike, kjo ecën. Por nëse flasim nga pikëpamja morale dhe politike, natyrisht që ky grupim s’mund ta përfaqësojë dot opozitën.

Cila është rrugëdalja, sipas jush?

Zgjidhjet janë dy. E përkohshme do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën. Përderisa kjo funksionoi në ’97-n e ’98-n kur rrethanat ishin më të rënda. Këtu situata do të zgjidhej shpejt. Ndërsa zgjidhja tjetër ka të bëjë me të ardhmen e politikës, dhe është prishja e establishmentit të vjetër politik dhe dalja e një establishmenti të ri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura