INTERVISTA/ Duka tregon arsyet se pse nuk rinovon me De Biazin

Jul 22, 2015 | 18:08
SHPËRNDAJE

Notë për trajnerin e Kombëtares. Parashikim për paraqitjen e radhës të kuqezinjve. Përllogaritje matematikore për kualifikimin në Francë dhe gjithçka tjetër. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka treguar gjithçka në një intervistë në TVSH.

Presidenti i FSHF Armando Duka
Presidenti i FSHF Armando Duka

Kreu i qeverisë së futbollit në vend ka treguar gjithashtu edhe arsyen përse nuk i rinovon ende kontratën trajnerit të Kombëtares.

“De Biazi ka ende kontratë deri në qershor 2016…”, shprehet ndër të tjera kreu i FSHF-së. Duka flet për ndeshjen që do të zhvillohet në tetor ndaj Serbisë, ndërkohë që tregon edhe marrëdhënien e tij me Platininë pas ngjarjeve të 14 tetorit në Beograd dhe sidomos pas deklaratave të numrit një të UEFA-s në lidhje me ngjarjen.

A e meritonim vendimin e KAS-it, apo na ndihmoi Zoti?

I gjithë opinioni mediatik duhej sqaruar se nuk ishte faji i Shqipërisë. Duhej argument i fortë juridik për të arritur një rezultat pozitiv. Personalisht, kam besuar gjithmonë se do t’ia dilnim, por nëse nuk ke argumentet e duhura ligjore, nuk ke se çfarë t’i bësh. Ne ishim të sulmuar dhe të mbrojtur vetë në të njëjtën kohë në Beograd. Ka pasur shumë hamendësime mbi atë çfarë ndodhi dhe shumë nuk kanë thënë as të vërtetën. Ndoshta, dikush nga dëshira e madhe që ne duhet të fitonim, ka qenë i paarsyeshëm në publikimet e tij, por unë edhe 100 herë do të veproja siç kam bërë deri më tani.

Pati edhe akuza të UEFA-s kundër delegacionit të FSHF-së…

Jo, më shumë sesa UEFA, akuzat erdhën nga “brenda”, u sulmuam për seriozitetin e studios ligjore të kontraktuar nga ne. Studio ligjore është më e mira për sport, pavarësisht se shumëkush e komentoi si të lodhur. Për çështje sportive e provoi edhe në këtë rast se është më e mira.

Nuk është ndeshja e radhës, por është ndeshja e radhës më e debatuar. A do të ketë tifozë serbë në ndeshjen e kthimit me Serbinë?

Aty nuk duhet të ketë as tifozë fanatikë shqiptarë dhe për këtë nuk besoj se do të ketë tifozë serbë. Duhet të jenë tifozët familjarë. Tifozëve do t’u kërkohet nga ana jonë që të vijnë me familjet e tyre. Kush vjen me fëmijët, do të ketë një ulje në biletë.

Dritan Shakohoxha ka bërë një intervistë me Ismail Morinën, të njohur dhe si Ballist Morina, gjithashtu është nisur edhe një fushatë për ta ndihmuar. A është hero ky personazh?

Unë dua të theksoj se çdo gjë që është e parregullt, nuk duhet bërë. Nëse “baneri” do të sillte pasoja pozitive, do të ishte një veprim i mirë. Ne mund edhe ta kishim fituar atë ndeshje se po luanim mirë. Por, nga ana tjetër, emocionalisht edhe neve na lehtësoi, na shpërtheu në njëfarë mënyre, sepse kishte shume tension në atë ndeshje. Pati gjeste jo etike, sharje që përpara se të hynim ne stadium. Ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të tensionit.

Kualifikimi në Europian. Jemi më pranë tani, apo në 1986-ën, me golat e të madhit Ben Minga?

Që ne të kualifikohemi, shanset tona tani janë 70%. Unë besoj që me 1 pikë në Danimarkë do t’ia dalim dhe do ta realizojmë diçka të tillë.

A keni keqardhje për shortin e Europianit?

Shorti i Europianit është shumë mirë. Më vjen mirë që e kemi Serbinë në grup, sepse duhet të normalizohen marrëdhëniet dypalëshe.

Aktualisht, jemi në vend të tretë në Grupin I, pas disa ndryshimesh të shpeshta. Mos është një “gol” i UEFA-s ky?

Jo, kjo është rregullorja. Nëse do të luanim për Kupën e Botës do të ishim ne në vendin e dytë dhe jo Danimarka. Ata janë aty për një gol të shënuar në fushën tonë, megjithatë kemi edhe një ndeshje për të luajtur në Danimarkë.

Si e komentoni heshtjen e UEFA-s pas vendimit të KAS-it?

Qëndrimin e kanë mbajtur në seancë, nuk kanë pse ta komentojnë, apo pse të kenë hasmëri, siç shumëkush pretendon. Ata duhet ta shohin këtë vendim si të drejtë.

A ndryshojnë financat e FSHF-së në rast se kualifikohemi?

Jo shumë, por diçka ka. Megjithatë, është shumë më i vogël përfitimi financiar para atij shpirtëror.

Ne e financojmë pak futbollin apo jo?

Jo, ne jemi me vetëfinancim, nuk financohemi. Kontributi qeveritar është zero. Ne ia dalim me të ardhurat tona dhe të ardhurat si anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s. Ka mbi 10 vjet që nuk marrim asgjë nga shteti.

Çfarë note nga 1-10 do t’i vendosnit trajnerit De Biazi?

Mund t’i vë notën tetë, po ishallah nuk po e sheh këtë intervistë (qesh). E meriton se është i përkushtuar në 100% të kohës së tij. Unë kam eksperiencë me trajnerë të huaj si: Dosena, Brigel, Han, Kuzhe, etj., por De Biazi është ndryshe, është shumë i përkushtuar. Edhe në qoftë se ka ekipi një stërvitje në orën 5 pasdite, ai vjen që në 09:00 dhe bën çdo gjë gati. Deri para se të vinte De Biazi, unë njihja çdo talent shqiptar, por që kur ka ardhur ai, unë mund të rri i qetë, pasi ai njeh edhe 12-13- vjeçarët që janë talente. Ai është vetëm pak emocional në drejtimin e 90 minutave të ndeshjes. Nëse nuk do të kishte këtë, do t’i vija notën 10.

Përse nuk rinovoni kontratën me të?

Sepse do të shpërqendroheshim. Duhet të përqendrohemi para ndeshjes me Danimarkën. Trajneri është në kontratë deri në 2016. Ai është profesionist.

De Biazi është një trajner shumë i kërkuar dhe karizmatik. Nuk keni frikë se largohet?

Kam dëgjuar për ofertën nga një klub tjetër për De Biazin dhe kam folur personalisht me të dhe ai ma ka pohuar edhe vetë një gjë të tillë, por kam marrë edhe përgjigjen e tij se nuk lëviz nga stoli i Shqipërisë dhe nuk ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë dhe sepse do respektojë kontratën me Shqipërinë. Madje, kur më tha shumën e madhe të ofertës, i thashë: “Eja shkojmë bashkë në Arabi” (qesh).

Kombëtarja ka shtuar edhe 4 lojtarë të rinj nga Zvicra…

Do të kemi të reja në shtator, do të kemi të reja edhe në fushë. Besoj se në strategjinë tonë kemi një parim: “Duhet të luajnë vetëm shqiptarë në ekipin tonë”. Kjo pasi ekipi ynë duhet të përçojë mënyrën sesi e përcjellin shqiptarët garën e futbollit. Ne nuk duam për shembull një brazilian në ekipin tonë. Ekipi duhet të përcjellë mesazh, pasi të gjithë janë përfaqësues të kombit tonë. Unë ekipin e preferoj me shqiptarë.

Sikur të donte të luante Pero Pejiç me Shqipërinë, nuk do ta lejonit?

Jo, nuk do ta merrja. Kemi Balën shumë më të mirë. Kemi një djalë të ri, i cili sapo është federuar me Interin, Rei Manaj.

Talent i mundshëm i Kombëtares?

E rëndësishme është që të vlerësohen futbollistët mbi 20 vjeç. Edhe ne përfshihemi shpesh që t’i sistemojmë talentet e rinj.

Ka gjasa që ndeshja me Serbinë të mos luhet në Shqipëri?

Asnjë shans.

Ndërkohë, si i keni marrëdhëniet me Platininë?

Unë shfrytëzoj çdo lloj marrëdhënieje për të bërë më të mirën për futbollin shqiptar. Pas Beogradit, i kam thënë që gaboi. Ai nuk duhej të fliste ashtu. Ai mund të bënte një deklaratë politikisht korrekte, të thoshte: “Dënoj dhunën”. Ai gaboi në qëndrim, por nuk besoj se ka gjë më Shqipërinë. UEFA na ka ndihmuar.

Do ta votonit nëse kandidon për presidencën e FIFA-s?

Duhet të shoh konkurrentët e tjerë dhe pastaj mund të të them diçka. Raportet e krijuara, të paktën në dijeninë time, janë përgjithësisht raporte sportive, jo raporte shtetërore. Ne kemi një marrëdhënie korrekte me të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura