Intervista/ “Dritë mbi Camajn dhe Koliqin”, Primo Shllaku- Auron Tares: Ja si i shërbyen vendit. Do ishin asgjesuar po të ishte për Sigurimin. E sfidoj…

Jul 8, 2020 | 14:43
SHPËRNDAJE

primo shkallu-Koliqi-Cabej-auron tareANILA DEDAJ/ “Dritëhijet” që shkrimi 37-faqësh me autor Auron Taren hedh mbi veprimtarinë e shkrimtarëve Ernest Koliqi dhe Martin Camaj si informatorë të agjenturave të huaja duket se ka shqetësuar mjaft studiues.

Shkrimtari Primo Shllaku, gjithashtu studiues i Camajt, thotë se ky punim, që kërkon një gjykim të ftohtë akademik, bën gabimisht që këto figura të shikohen si antiatdhetare, ndërkohë që roli i tyre ka qenë krejtësisht i kundërt, duke bërë përpjekje të shumta për zhvillimin e vendit. “Antikomunizmi është shenja më e fortë e atdhetarizmit”, shprehet Shllaku, duke theksuar se dy shkrimtarët nuk kanë shkruar as edhe një rresht kundër kombit. Ndonëse Tare, referuar dokumenteve arkivore, pretendon bashkëpunimin edhe me Sigurimin e Shtetit në vend, Shllaku e mohon diçka të tillë.

Primo-Shllaku-1

“Nëse do të ishte për Sigurimin, ata do të ishin asgjësuar”, shton më tej, duke kritikuar qasjen e Tares ndaj këtyre të dhënave arkivore. Sipas Shllakut, ky botim i studiuesit nuk është i rastësishëm, mirëpo ai e fton Taren të hulumtojë edhe për të tjerë shkrimtarë, duke vënë theksin tek autorët e realizmit socialist, të cilët, sipas tij, i shërbyen propagandës. “Meqenëse ka një zell të madh, dhe është bërë ‘kumbaro’ i madh i këtyre punëve unë e sfidoj të gërmojë edhe në arkivat e Francës”, thotë Shllaku.

Profesor, si e konsideroni shkrimin e botuar së fundmi të Auron Tares, “Dritëhije mbi Camajn dhe Koliqin”, të cituar si studim në “Peizazhe të fjalës” të akademikut Ardian Vehbiu?

Nuk bëhet fjalë për një studim, por për një koleksionim dokumentesh të deklasifikuara nga CIA, tek të cilat mund të ketë akses cilido, që ka një lloj objektivi për t’u marrë me të tilla problematika. Auron Tare ka shumë kohë që e gris këtë histori, dhe kësaj here doli me një “paketë” kundër tre autoriteteve të letërsisë dhe gegnisë shqiptare; Ernest Koliqin, Martin Camajn dhe Krist Malokun. Si të thuash, ai ka kryer një cikël të fortë, dhe këtë e ka përdorur si një silurë të madhe për t’a hedhur botës shqiptare, letërsisë, artit vendas. E gjitha kjo me kërkesën e dukshme për një rishik radikal, sepse sipas tij, këtu kemi të bëjmë me një krim që sipas kodeve penale do të kërkonte dënim.

Megjithatë, unë nuk besoj se ai i ka falsifikuar, shpikur apo sendërtuar ato dokumente. Por, problemi i vlerësimit të kontributeve letrare dhe personaliteteve të caktuara gjatë Luftës së Ftohtë duhet t’i nënshtrohet një analize të rreptë. Madje, kjo nuk duhet të ndodhë vetëm me këta emra, por edhe me shkrimtarët e realizmit socialist, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, e “shpura” e tyre, që me veprat e tyre kanë “shpëlarë” trurin e disa brezave (sepse ne kemi rënë të gjithë dakord se letërsia e soc’realizmit ishte propagandistike).

auto_12camaj1552375839-728x430

Ndonëse Auron Tare, që në krye të shkrimit, shprehet se distancohet nga vlerësimi i veprës së tyre letrare, ai vë në diskutim qasjen që ka pasur Ministria e Kulturës, vitet e fundit ndaj këtyre dy shkrimtarëve, duke u dedikuar konferenca të veçanta, në të cilat konsiderohen si  “njerëz që vunë letërsinë dhe atdheun mbi veten” …

Ministria e Kulturës ka qenë e detyruar të tregohet “zemërgjerë” ndaj tyre, pasi gjendej nën një presion të dyfishtë. Nën presionin e ardhjes së Koliqit dhe Camajt, të cilët nuk kishin mundur të hynin në Shqipëri deri në 1990-ën, dhe kërkesës së vazhdueshme të publikut shqiptar për rishikimin e autorëve të realizmit socialist. Kështu, në mënyrë shumë oportuniste dhe pa vendosur kritere hierarkish, madje pa caktuar as kritere letrare, ministritë së bashku me Akademinë e Shkencave kanë vendosur t’i fusin të gjithë, në mënyrë masive. Mirëpo unë mendoj se ka vend për diferencime, si në hierarki ashtu edhe në kontribute, por edhe në cilësinë e letërsisë, për të kuptuar se sa kalimtare apo afatgjatë është një vepër e caktuar.  Sa e lidhur me epokën e krijimit apo universalitetin është.

Tare në shkrimin e tij risjell në vëmendje bashkëpunimin e Camajt me oficerët e Sigurimit, sa i përket dëshmive kundër një grupi jezuit gjatë arrestimit në 1948-ën, sa dijeni keni rreth këtyre fakteve?

Unë i kam njohur të afërmit e Camajt, familjen e tij. Kam ndenjur me ta për seanca shumë të shkurtra, sepse ishte mendimi se ata ishin familje e arratisur. Mirëpo mua ata asnjëherë nuk më kanë thënë se Camaj ka qenë në burg, ndaj unë asokohe, skam pasur si ta dija.

Mirëpo duhet reflektuar rreth faktit që ky njeri është rekrutuar nga regjimi komunist për t’u futur si agjent në fshatrat, apo rrethet e tij, veçanërisht për të ndihmuar në përmbysjen e synimit tw tyre, për të arrestuar Gjon Destanishën. Pra Camaj, vendosi firmën, doli prej burgut dhe u arratis. Mirëpo, ai i lajmëroi këta persona se sistemi kërkonte ti arrestonte. Dhe prej këtu nis fatkeqësia. Fatkeqësia fillon nga një firmë e vendosur diku, ndonëse nuk ke kurrfarë aktiviteti me Sigurimin. Ndaj, pse të mos e fillojmë diskutimin më ndryshe. Përse Auron Tare në punimin e tij specifik, nuk e ka filluar me arsyet që e nxitën këtë njeri të arratisej. Pra, nëse ai do të ishte i favorizuar apo bashkwpuntor, mund të dilte jashtë vendit, si të tjerë, por jo të arratisej.

E gjithë saga nis në 1945 me Enver Hoxhën. A do të kishin ikur Martin Camaj dhe Koliqi nëse do të ishin bërë zgjedhje të ndershme? Patjetër që jo! Sepse Koliqi dhe Camaj kanë vdekur me nostalgjinë e madhe për atdheun…

220px-Ernest_Koliqi_(1938)

Auron Tare, për një implikim të mundshëm të Camajt me UDB-në, sjell në vëmendje të dhëna si; mbështetjen financiare që ai pati për studimet, punësimin në radio “Beograd”, anëtarësimin në Komitetin e Prizrenit të kontrolluar nga UDB, apo lehtësinë me të cilën u largua në Romë…

Studimi që ka pasur Camaj, ka qenë pjesë e politikës së atij shteti, që le ta themi, nuk ka qenë në situatën ekonomike të Shqipërisë. Pra, atje ku shkoi, Camaj zgjodhi të studionte,të formohej, dhe nëse shteti jugosllav nuk do tia kishte plotësuar këtë, ai do të bënte atë çka bëri disa vite më vonë, do të largohej gjetkë.

Sa i përket punës së tij në radio “Beograd” mendoj se kjo duhet vërtetuar me dokumente arkivore. Dhe nëse ka qenë realisht kështu është e justifikueshme. Martin Camaj, dukshëm një intelektual “in erba”, kishte dy zgjidhje; ose të pranonte të bënte jetën që bëri, ose të kthehej pas, ku fati i tij merret mend. Dhe mos mendoni se regjimi Titist nuk ka kthyer shqiptarë pas. Në vitin 1972, ky regjim ka kthyer shumë shqiptarë.

Veprimtaria, puna, lidhjet e Martin Camajt sipas jush, a i kanë sjellë ndonjë dëm vendit? Si studiues i tij, shikoni elementë që tregojnë se Camaj i ka bërë keq atdheut?

Mendoj se Camaj i ka bërë keq vetëm Auron Tares (qesh)… Por i ka bërë dëm si të thuash letërsisë së realizmit socialist, hierarkisë ekzistuese të shkrimtarëve deri në vitin 1990… Pra në këtë livadh letrar një ditë vërehet një gur i madh. Ishte Martin Camaj që kishte mbërritur në shtëpinë e tij, duke shkaktuar një tronditje të hierarkisë. Kjo edhe për faktin se letërsia e tij, pavarësisht edhe disa veprave të dobëta, nuk u ndot ideologjikisht nga realizmi socialist.

Përsa i përket shkrimit të Tares, duke iu referuar studiueseve (ndonëse nuk citon emra të veçantë), ai thotë se veprat e Camajt nuk konsiderohen si letërsi antikomuniste. Ç’mendoni ju për këtë?

Vepra letrare e Camajt, në frymën e saj ishte opozitare e komunizmit, por për të, letërsia nuk mund të ishte shërbëtore e komunizmit, sikundër e kanë praktikuar shkrimtarët tanë. Camaj e dinte fort mirë, se aroma e politikës letërsisë i bën keq. Ai e ndjente se sa jetëshkurtër do të ishte një letërsi e tillë që vinte nga Shqipëria, si pasqyrë e politikave dhe kurtheve të një force moniste, që kërkonte të mbijetonte.

Ju keni insistuar për një reagim të Akademisë së Shkencave. Cili është pozicioni që ky institucion duhet të marrë sipas jush?

Sapo e lexova shkrimin e Auron Tares, kuptova, se ndonëse ai është një person që nuk ka asnjë lidhje me Akademinë, e kishte ngritur nivelin e diskursit, në një nivel akademik.  Shkrimi i tij u botua në portalin e Ardian Vehbiut, i cili është një nga “novicët” e Akademisë, dhe unë mendova se këtu krijohet një lidhje që shkon përtej Tares. Akademia e Shkencave ndodhet me dashje apo pa dashje e implikuar në këtë çështje. Unë kam qenë një nga kritikët më të fortë të saj, ashtu siç kam përshëndetur ndryshimet që janë bërë. Mirëpo tani po shtroj pyetjen, cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Akademia “e re”, me kryetarin  dhe anëtarët e rinj?! Mua më rezulton se e kanë filluar me silurime, por unë jam në pritje të fjalës së tyre. Me siguri që ata nuk do të ulen deri tek përgjigja ndaj meje, përndryshe do të ishin me të vërtetë ata akademikë që na duhen.  Pra unë, si studiues i Camaj, kërkoj mendimin e këtij institucioni, pas daljes së këtyre dokumenteve. Mirëpo Tare, thotë vetë, se duhet të presim të hapen arkivat e Beogradit. Atëherë, priti të hapen. Madje, meqenëse ka një zell të madh, dhe është bërë “kumbaro” i madh i këtyre punëve unë e sfidoj: I them nëse është “burrë” dhe ka “këllqe” e lidhje të forta, të gërmojë edhe në Arkivat e Francës.

Mesa dihet në Arkivat e Francës, nuk ka të dhëna mbi Camajn dhe Koliqin, rreth kujt personaliteti i duhet të hulumtojë Auron Tare sipas jush?

Unë i them vetëm këtë: Nëse ke kurajë, gërmo në Arkivat e Francës!

Zoti Shllaku, ndonëse të dokumentet arkivore për Camajn, janë të varfëra. Më shumë të dhëna paraqet Tare, lidhur me bashkëpunimin e Koliqit me agjentura të ndryshme si ajo italiane, gjermane, amerikane etj… Ç’frarë tregojnë këto sipas jush?

Rasti i tij është më kompleks. Koliqi ka një bashkëpunim me logotenencën fashiste, pasi pranoi të drejtojë Ministrinë e Edukimit. Dihet fakti se ai ka pasur oferta të tjera për ministri më të rëndësishme, për shkak të nivelit intelektual të pashoq, mirëpo zgjodhi Ministrinë e Arsimit, sepse për të edukimi ishte pjesa më apolitike, pjesa më e shëndoshë e një shoqërie. Dua të kujtoj këtu, se me ta marrë këtë pozicion ai “skremoi” trupën mësimore shqiptare, që asokohe ishte së paku numerikisht tepër e varfër dhe i çoi një pjesë në Kosovë. Ky moment, sipas pohimeve të shumë studiuesve shqiptarë të Kosovës, ishte tepër pozitiv dhe me peshë për ardhmërinë e Kosovës. Pra sa i përket qasjes së tij ndaj Kosovës, ky është një tregues. Kemi të bëjmë me një akt kombëtar shumë rilevant, me një vepër që e çmon edhe shteti tjetër, pjesë organike e këtij trupi që është kombi shqiptar. A ka qenë Koliqi bashkëpunëtor?! Ai ka qenë ministër i një qeverie, dhe cila është ajo qeveri që nuk bashkëpunon?!

Mandej nëse flasim për bashkëpunim të shkrimtarit , Tare e ilustron lidhjen  e Ernest Koliqit, me Shërbimin e Inteligjencës Gjermane, dhe oficerë të lartë nazistë, edhe me faktin se kur Petro Marko, u arrestua në Romë nga Gestapoja gjermane, ky i fundit mundi ta shpëtonte vetëm përmes “një telefonate” …

E vetmja dashakeqësi e dukshme e Auron Tares qëndronte në këtë pikë. Pra ai thotë, kaq e fortë ishte lidhja e tij me fashistët dhe nazistët saqë arriti të shpëtonte Petro Markon. Pra, nga ajo që shkruan Tare mbetet e paqartë: A bëri mirë që e shpëtoi? A ishte Petro Marko, një njeri që duhej shpëtuar, apo duhej lënë në mshirë të fatit të tij?

Si ndikon publikimi i këtyre dokumenteve në raportin e lexuesit me këta dy shkrimtarë?

E kam thënë, se këto çështje nuk duhen trajtuar në dyert e rrjeteve sociale. Pra, e përsëris, imagjinoni se çdo të ndodhte nëse një studiues të distancohej “me nji të rame të shkopit” nga Pashko Vasa apo tre vëllezërit Frashëri për shkak të detyrave të tyre të larta gjatë Perandorisë Osmane.  Prat re vëllezërit Frashëri nisur nga këto pozicione në një perandori përgjegjëse së paku për çeuropianizimin e botës shqiptare, ai ishin bashkëpuntorë? Sigurisht, që jo! Asnjë prej ne s’di që ata të kenë “vrarë” sulltanin, mirëpo ata janë mbështetur në atë pushtet për të ndihmuar vendin e tyre. Ne e dimë shumë mirë, që me ndërhyrjen e Naim Frashërit erdhën shumë libra të ndaluar, në rrugë të tërthorta për hapjen e shkollave. Pra këta nuk e kanë dëmtuar vendin, por kanë ndihmuar në zhvillimin e tij.

LEXO EDHE:

Auron Tare: Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, “të pazbuluar” si informatorë të agjenturave të huaja: 250 dollarë në muaj…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura