INTERVISTA/ Drejtoresha për ish-të përndjekurit: Në mars marrin paratë për trashëgimtarët

Feb 24, 2015 | 14:51
SHPËRNDAJE

Ndarja e parave për trashëgimtarët do të nisë në muajin mars të këtij viti.

Drejtoresha e politikave për ish-të përndjekurit, Ermira Shtino

Sipas drejtoreshës së politikave për ish-të përndjekurit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Ermira Shtino, me fondin e vënë në dispozicion për këtë kategori pritet të përfitojnë rreth 5 mijë trashëgimtarë. Për shkak të pamjaftueshmërisë së fondit, duke kujtuar që janë 6 milionë dollarë të adresuar për këtë kategori, do të bëhet fillimisht ndarja e këstit të parë për ata që nuk janë trajtuar më parë me dëmshpërblim, më pas ndarja e këstit të dytë.

Ndërkohë për këstin e tretë trashëgimtarët duhet të presin vitin 2016.

“Me ndryshimet e fundit ligjore, ecuria e shpërndarjes së fondeve për kategorinë e trashëgimtarëve është disi më e ulët dhe nuk mund të flasim ende për këst të tretë apo të katërt për këtë kategori brenda vitit 2015. Brenda muajit mars 2015, Ministria e Financave do të nisë shpërndarjen e fondit edhe për trashëgimtarët”, tha Shtino.

Sakaq, për kategorinë e ish-të përndjekurve që janë gjallëve, kësti i katërt do të mbyllet brenda muajit prill, për të vijuar më tej me ndarjen e pagesës së pestë.

Si po shkon procesi për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve nga regjimi komunist? Kur pritet të mbyllet kësti i katërt për kategorinë e ish-të përndjekurve që janë gjallë?

Me formulën e zbatuar pas miratimit të ndryshimeve ligjore të vitit 2014, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për avancimin me hapa shumë të shpejtë të procesit të dëmshpërblimit, proces i cili ka mundësuar shpërndarjen brenda një kohe shumë të shkurtër të këstit të tretë për përfituesit e kategorive parësore, nisjen e shpërndarjes së këstit të katërt në fund të vitit 2014, proces i cili pritet të përfundojë brenda muajit prill 2015. Gjej rastin edhe një herë të rikujtoj përfituesit parësorë për paraqitjen e certifikatës personale pranë Ministrisë së Financave.

Sa para do të duhen për këtë këst?

Nisur nga fakti se tashmë një pjesë e përfituesve të këstit të katërt janë paguar në fund të vitit 2014, fondi i nevojshëm do të jetë rreth 9 milionë dollarë.

Paratë që mbeten do të përdoren për këstin vijues. Kur pritet të nisë kësti i pestë?

Në fund të vitit 2014 nisi shpërndarja e këstit të katërt dhe u kryen pagesat për rreth 470 përfitues të kategorisë prioritare. Procesi do të vijojë me pagesat e 2000 dosjeve të mbetura, proces i cili pritet të përfundojë brenda muajit prill 2015, kohë në të cilën do të nisë edhe shpërndarja e këstit të pestë.

Në lidhje me trashëgimtarët, mbi bazën e ndryshimeve të bëra në ligj është adresuar vetëm 30% e fondit, pra rreth 6 milionë lekë. Kur fillon ndarja e këtyre parave?

Me ndryshimet e fundit ligjore, ecuria e shpërndarjes së fondeve për kategorinë e trashëgimtarëve është disi më e ulët dhe nuk mund të flasim ende për këst të tretë apo të katërt për këtë kategori brenda vitit 2015. Prioriteti tashmë është i qartë për të gjithë: fatura më e madhe do të jetë për personat që e vuajtën të parët dhe i mbijetuan persekutimit dhe, vetëm pasi të shlyhet kjo faturë, fondi do të kalojë i gjithi për trashëgimtarët. Brenda muajit mars 2015, Ministria e Financave do të nisë shpërndarjen e fondit edhe për trashëgimtarët.

Me çfarë kësti do të vijohet? Pra, cilët do ta marrin të parët? Do të ketë një rend që do të ndiqet?

Do të vijohet njëkohësisht me pagesat e këstit të parë dhe këstit të dytë, për t’iu shtuar këtyre listave edhe përfituesit më të rinj, të cilët do të miratohen brenda muajit prill. Duhet mbajtur në konsideratë edhe fakti se shumë persona këstin e parë nuk e kanë përfituar për shkak të mangësive në dokumentacion.

Sa mund të përfitojnë nga ky fond?

Dihet tashmë se fondi në dispozicion është i limituar, duke arritur në shumën prej rreth 6 milionë dollarësh, duke mundësuar pagesat për një numër të përafërt prej 5000 përfituesish, të cilët nuk kanë përfituar ende këstin e parë apo këstin e dytë.

Nga Ministria e Drejtësisë mësohet se është gati një listë me rreth 300 emra, që futen rishtazi në proces. Kur pritet miratimi i tyre nga qeveria?

Ministria e Drejtësisë po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për të kryer verifikimet përfundimtare dhe mendohet që brenda muajit prill të kemi një vendim të ri të miratuar nga Këshilli i Ministrave për të mundësuar pagesën e këstit të parë edhe për këtë listë, e cila përfshin përfitues nga të dy kategoritë: parësore dhe trashëgimtarë të ish-të dënuarve.

Priten ndryshime të tjera në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve?

Grupi i punës me përfaqësues të institucioneve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financës po analizon ndryshimet ligjore, të cilat përsëri do të kenë në fokus skemën e përfitimit të atyre kategorive, të cilat kanë vuajtur në vetë të parë, duke përfshirë në këtë skemë edhe përfitues, dosjet e të cilëve fatkeqësisht nuk janë trajtuar ende nga ligji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura