INTERVISTA/ Djali i Mehmet Shehut rrëfen njohjen me Kadarenë në vitet ’70: Çfarë më thoshte babai, si më pyesnin në burg nëse ishte…

Feb 4, 2021 | 12:38
SHPËRNDAJE

ismail kadare-bashkim shehu“Për mua është nder që kam qenë nxënës i Kadaresë”. Kështu shprehet shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, edhe pse jo pak herë është kritikuar nga i ati, Kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, madje do të merrej edhe në pyetje, në hetuesi, për Kadarenë. Studiuesja Alda Bardhyli, e cila sapo i ka sjellë lexuesit, përmes shtëpisë botuese “Onufri” librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë e gjatë me shkrimtarin e madh në 85-vjetorin e lindjes, ka zhvilluar një intervistë me shkrimtarin Bashkim Shehu, për njohjen me Kadarenë, arsyet pse i ati, Mehmeti, e kishte ndaluar disa herë të shoqërohej me të dhe pyetjet në hetuesi. “…Midis viteve 1979 dhe 1981, në dy raste, pa ndodhur asgjë e atillë si ajo e ‘Pashallarëve të Kuq’ dhe asgjë tjetër e veçantë nga ana e Kadaresë, im atë më thirri dhe më tha që të kisha kujdes e të mos e vazhdoja atë miqësi, t’i qëndroja Kadaresë më larg, të mos e takoja dendur, sepse, sipas tij, Kadareja kishte edhe mendime të gabuara, ose, sipas një shprehjeje të asaj kohe, kishte ‘lakra në kokë’”, tregon Shehu.

ALDA BARDHYLI

Si e kujtoni njohjen me Ismail Kadarenë?

Herën e parë jemi takuar në shtëpinë e Piro Mishës, në një mbrëmje miqsh, ku dëgjonim muzikë dhe vallëzonim herë pas here e bisedonim. Ishte fundi i vitit 1973. Ndonëse këto mbrëmje ishin të ndaluara, ishin të vetmet mundësi për t’u dëfryer disi në një atmosferë lirie. Pak kohë më parë i kisha dhënë Piros një tregim të shkurtër. Pasi e lexoi, më pyeti nëse mund t’ia jepte Ismail Kadaresë dhe unë, sigurisht, pranova me shumë gëzim. Isha tetëmbëdhjetë vjeç. Edhe Kadareja ishte mjaft i ri, ndonëse tashmë i kishte shkruar disa nga kryeveprat e tij dhe ishte ndërkombëtarisht i afirmuar. Ai pandehu se tregimi ishte i Piros dhe në atë mbrëmje i tha se i kishte pëlqyer. Atëherë, Piro i tregoi se nuk ishte i tiji dhe se e kisha shkruar unë. Më thirri të afrohesha. Kadareja më tha se i kishte pëlqyer dhe më bëri disa sugjerime, kryesisht në lidhje me vrojtimin e detajeve dhe përshkrimin e tyre. Më vonë, më çoi fjalë se, po të doja, mund t’i jepja tregime të tjera që t’i lexonte. Ashtu bëra dhe ca e nga ca u miqësuam. Njëkohësisht, Kadareja më jepte dorëshkrime të tij që t’i lexoja. Ky mirëbesim dhe ky besim në shijet e mia ishte, sigurisht, një nder për mua. Dikur filluan mes nesh edhe biseda haptas kundër regjimit.

Në librin “Vjeshta e Ankthit”, ju përshkruani qëndrimet e babait tuaj ndaj Kadaresë, duke çuar te shkrimtari edhe dyshimet që kishte regjimi, se ai mund të ishte një agjent?

Ajo që kam përshkruar te “Vjeshta e Ankthit” përbën, si të thuash, kulminacionin e diçkaje të përsëritur. Herën e parë ndodhi kur Kadareja sapo kishte shkruar poemthin me titull “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, – ky ka qenë titulli origjinal, ndërsa tani njihet si “Pashallarët e Kuq”. Atëherë, im atë më tha që me Kadarenë të mos takohesha më, por, më pas, e ndryshoi këtë qëndrim, kur ndryshoi edhe qëndrimi pushtetar. Disa vite më vonë, midis viteve 1979 dhe 1981, në dy raste, pa ndodhur asgjë e atillë si ajo e ‘Pashallarëve të Kuq’ dhe asgjë tjetër e veçantë nga ana e Kadaresë, im atë më thirri dhe më tha që të kisha kujdes e të mos e vazhdoja atë miqësi, t’i qëndroja Kadaresë më larg, të mos e takoja dendur, sepse, sipas tij, Kadareja kishte edhe mendime të gabuara, ose, sipas një shprehjeje të asaj kohe, kishte “lakra në kokë”. Ndërsa në vjeshtën e vitit 1981, pra, në një periudhë kur Kryeministrit Mehmet Shehu po i afrohej fundi dhe ai, sidoqoftë, e shihte që s’i kishte punët mirë, përsëri më tha që me Kadarenë të mos takohesha më. Në këtë rast, më tha, ndër të tjera, se Kadareja dëshironte që Shqipëria të lidhej me vendet e Perëndimit.

Pse u trembej regjimi takimeve tuaja me Kadarenë?

Këtu duhen dalluar dy gjëra nga njëra-tjetra: pse nuk donte im atë që të kisha miqësi me Kadarenë dhe pse nuk donte Enver Hoxha. Në rastin e parë që tregova, pra, në rastin e “Pashallarëve të Kuq”, mund të them se ishte frika e tim eti se mos ndikohesha nga mendimet e Kadaresë, të cilat im atë i shihte ose i hamendësonte si të dyshimta në raport me regjimin. Për dy rastet e mëpasshme, besoj se ka shprehur një dëshirë të Enver Hoxhës që të mos shoqërohesha me Kadarenë. Rasti i fundit, ai i vjeshtës së vitit 1981, mund të jetë njëra ose tjetra, ose një përzierje e të dyjave. Por pse nuk donte Enver Hoxha që unë të kisha miqësi me Kadarenë? Ma merr mendja se kjo ka të bëjë me një çështje më të gjerë: me çështjen pse Enver Hoxha e toleronte Kadarenë, që ishte një shkrimtar qartazi heterodoks. Dhe shpjegimi im është se Enver Hoxha e shihte shkrimtarin e madh si mundësi që të përjetësohej vetë në një monument letrar, që askush tjetër s’e kishte talentin që t’ia ngrinte dhe e donte këtë mundësi vetëm për vete. Pra, kishte në këtë mes njëfarë xhelozie nga ana e Hoxhës. Ndërsa Kadareja, po të perifrazojmë Eskilin, i hidhte herë pas here ndonjë thërrime nga gostia e tij homerike: ky ishte haraçi që duhej të paguante Kadareja për të realizuar qëllimet e tij artistike dhe emancipuese.

Në rrëfimet e tij, Kadare ka treguar mbi hetimin gjatë kohës kur ishit në burg nga ish-zv/ministri i Brendshëm, Rexhep Kolli, i cili kërkonte prej jush të mësonte diçka më tepër mbi Kadarenë?

Rexhep Kolli kërkonte të dinte nëse Kadareja kishte qenë bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut sipas fantazive të Enver Hoxhës, fantazi që, me sa duket, ky i fundit i besonte. Kështu, Rexhep Kolli, asokohe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në mos gaboj, më pyeti nëse Kadareja kishte shkuar ndonjëherë jashtë shtetit i dërguar nga Mehmet Shehu dhe nëse në një rast të tillë Mehmet Shehu i kishte dhënë Kadaresë ndonjë porosi. Nga ana tjetër, pata qartazi përshtypjen se njerëzit e Sigurimit e dinin që mendimet e Kadaresë binin ndesh me regjimin e tyre, por interesimi i tyre, ose më mirë i atij që i urdhëronte, synonte gjetiu: shkurt, Hoxhës i interesonte të dinte nëse Kadareja kishte arritur deri atje sa të bëhej bashkëpunëtor agjenturor i të saposhpallurit poliagjent.

Çfarë do të sillte miqësia me Kadarenë te ju si krijues i ri në ato vite?

Siç e thashë, më ka ndihmuar, duke dhënë mendime për dorëshkrimet e mia dhe kjo ishte një ndihmë e paçmueshme për mua si fillestar. Ndërkaq, ekzistonte natyrshëm rreziku i epigonizmit, por edhe kjo më ka ndihmuar, sepse përbënte një sfidë që të krijoja një fizionomi letrare timen. Por, mbi të gjitha, për mua është nder që kam qenë nxënës i Kadaresë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura