Intervista/ “Debati për shqipen, artificial”, si e mbronte 20 vjet më parë Dritëro Agolli gjuhën nga “modernizmat”

Mar 11, 2021 | 13:59
SHPËRNDAJE

Agolli-dritero

Debati mbi gjuhën letrare shqipe, përdorimi i dialekteve, Kongresi i Drejtshkrimit e me radhë, ndizet herë pas here gjatë këtyre 30 viteve, që me ndërrimin e sistemeve. Në vitin 1999, me gjasë ka qenë një valë e tillë debati, mbi të cilin ka reaguar edhe i madhi Dritëro Agolli.

Në një intervistë të dhënë asokohe për revistën “Aks”, ai shprehej se arsyet që nxisin këtë debat janë pastërtisht politike.

Dritëroi e quante një debat artificial, që mëton të nxisë përçarje mes Jugut dhe Veriut, duke përdorur si argument gegnishten dhe toskërishten. Grupin e studiuesve që nxisnin këtë debat e që e mbanin veten për “modernistë”, ai i quante tërësisht konservatorë e që në të vërtetë shtyhen nga dëshira për të “rrëzuar idhujt”, dhe sipas tij s’do të ishte e lagët dita kur të ulnin Ismail Qemalin e të lartësonin Esad Pashë Toptanin, apo të mburrnin Hamza Kastriotin e të ulnin Skënderbeun.

“Ka grupe intelektualësh në Shqipëri, që është e vështirë t’i përcaktosh të çfarë krahu janë, të krahut modern apo të krahut të prapambetur. Në qëndrimet dhe në veprimet e tyre ata janë tepër kontradiktorë. Ata, fjala vjen, nga një anë bërtasin se duhet të hyjmë në Europë dhe mallkojnë Shqipërinë që ka mbetur primitive dhe nga ana tjetër recitojnë vargjet e Fishtës, ‘Moj Europë, oj kurvë e motit’”, thoshte ndër të tjera Dritëroi.

A ia vlen të hapet një debat për përdorimin e dialekteve, paralel me gjuhën letrare, apo në gjendjen e sotme kjo gjuhë ka nevojë për një diskutim të një natyre tjetër?

E them që në fillim se ky është një debat artificial, ose, më mirë, është mbeturinë e një debati që u hap në fillim të viteve ’90 dhe vazhdoi me disa ndërprerje rreth katërvjeçare. Ata që e hapën së pari këtë debat dhe ata që e ngacmojnë për ta ndezur janë kundërshtarë të normave letrare të gjuhës së njësuar shqipe dhe kërkojnë artificialisht dhe subjektivisht të vendosin kritere të tjera jashtë kohës dhe jashtë realitetit të sotëm gjuhësor.

Gjuha shqipe në gjendjen e sotme ka nevojë për diskutime të tjera të dobishme në kushtet ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë së konsumit, në rrethanat e hapjes me botën, kur presioni i gjuhëve të huaja sa vjen dhe po rritet, kur qindra mijëra shqiptarë hyjnë e dalin nga Europa si udhëtarë dhe si mërgimtarë, si tregtarë dhe si diplomatë, si studentë dhe si të martuar më të huaj.

Në këtë shoqëri botohen me dhjetëra gazeta dhe revista, me mijëra libra, katalogë dhe kartolina; dëgjohen dhe shikohen dhjetëra stacione radiosh dhe kanale televizive në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e huaja; shkruhen me makina shkrimi dhe me kompjuter me miliona shkresa zyrtare dhe vetjake dhe vendosen në faqe shtëpish, mbi porta restorantesh dhe kioskash me mijëra reklama dhe emërime të padëgjuara ndonjëherë. Në këto kushte, kërcënimet ndaj gjuhës shqipe për t’u ndotur me fjalë dhe me terma të huaja marrin përmasa të mëdha.

Çështja tani nuk shtrohet për të diskutuar se në sa dialekte duhet të shkruajmë, por si duhet ta mbrojmë pastërtinë e gjuhës letrare shqipe, këtë arritje të madhe të shekullit të njëzet, që është treguesi themelor i unitetit të kombit.

Ata që nxitin për të shkruar në dialekte jashtë normave letrare të gjuhës letrare të gjuhës së njësuar shqipe, përfaqësojnë ndonjë grup modern apo të prapambetur?

Ka grupe intelektualësh në Shqipëri, që është e vështirë t’i përcaktosh të çfarë krahu janë, të krahut modern apo të krahut të prapambetur. Në qëndrimet dhe në veprimet e tyre ata janë tepër kontradiktorë. Ata, fjala vjen, nga një anë bërtasin se duhet të hyjmë në Europë dhe mallkojnë Shqipërinë që ka mbetur primitive dhe nga ana tjetër recitojnë vargjet e Fishtës “Moj Europë, oj kurvë e motit”; nga një anë mburrin dhe citojnë filozofët dhe shkrimtarët modernë kozmopolitë, që ëndërrojnë shtetet pa kufij dhe pa dallim kulturash e gjuhësh dhe nga ana tjetër kërkojnë që gjuha shqipe të shkruhet në dy dialekte, në toskërishte dhe gegërishte. Doemos, përpjekjet e tyre kundër unifikimit të gjuhës janë të prapambetura dhe në përgjithësi primitive. Është një luftë e kotë pa asnjë shpresë për fitore.

Zhvillimi kapitalist në Shqipëri di t’i rrallojë dhe do t’i zbrazë nga popullsia shumë krahina në veri dhe në jug. Popullsia e tyre do të zbresë dhe do të dyndet në kryeqytet dhe në qytete të mëdha, veçanërisht në qendër të vendit. Ky proces ka filluar. Dhjetëra e dhjetëra mijëra banorë të Veriut e të Jugut sot janë vendosur dhe vazhdojnë të vendosen në Tiranë, në Elbasan, në Durrës, në Fier, në Shkodër e me radhë.

Komunikimi mes të folmeve, nëndialekteve dhe dialekteve do të shtohet dhe do të forcohet. Nga këtej do të dalin edhe ata që përpunojnë gjuhën, shkrimtarët dhe publicistët. Nëpër provinca të largëta do të mbetet edhe ndonjë rapsod që do të shkruajë në dialekt, por ky rapsod nuk do të ketë mundësi ta kthejë gjuhën letrare të njësuar në dialektin që ai shkruan vetë.

Edhe tani nuk e kthen dot në dialekt gjuhën e Lasgush Poradecit, Eqerem Çabeut, Jakov Xoxës, Sterio Spases, Shefqet Musarajt, Fatmir Gjatës, Mahir Domit, Androkli Kostallarit, Shaban Demirajt, Idriz Ajetit, Rexhep Qoses, Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Ali Podrimjes, Xhevahir Spahiut, Din Mehemetit, Azem Shkrelit, Skënder Drinit, Moikom Zeqos, Faslli Halitit, Brdhyl Londos, Zija Çelës, Dhori Qirjazit e shumë të tjerë.

Grupi që nxit për të shkruar me dialekte jashtë normave letrare të gjuhës së njehsuar është i prapambetur dhe konservator në mendime edhe në një drejtim tjetër. Ai nuk e shikon historikisht procesin e zhvillimit të gjuhës deri në unifikimin e saj dhe që nga unifikimi deri në ditët tona. Çdo fenomen ka një proces në lindje, zhvillim dhe pjekuri. Procesi i unifikimit të gjuhës ka një proces të pandërprerë.

Historikisht, që në kohërat e hershme shumë studiues të gjuhës u përpoqën për një gjuhë të njësuar letrare, duke kundërshtuar mendimet lokaliste krahinore për divergjin dhe duke nxitur fenomenet konvergjente të ecurisë gjuhësore. Kështu, “KomisiaLetrare e Shkodrës”, më 1916-1917, u përpoq të kodifikojë arritjet e Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare, të mënjanojë elementet dialketale që largonin dhe të afrojë atë çka e bashkonte këtë gjuhë. Siç dihet, këto vendime të “Komisisë Letrare të Shkodrës” u miratuan edhe në Kongresin Arsimor të Lushnjës më 1920-ën. Në përgjithësi, vendimet e këtij kongresi kanë qenë bazë e drejtshkrimit të shqipes deri më 1956-ën. Më vonë, me përparimin e pa ndërprerë të gjuhës, më 1967-ën u botuan “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Përfundimet e gjithë këtyre përpjekjeve që para e pas Kongresit të Manastirit të 1908-ës u kurorëzuan në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972-in, pas të cilit nisi epoka e gjuhës letrare të njësuar.

Në rezolutën e kongresit janë firmat e personaliteteve të letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe kulturës sonë si: Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Idriz Ajeti, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Shefqet Musaraj, Bedri Dedja, Fatmir Gjata, Henrik Lacaj, Jakov Xoxa, Jani Thomaj, Llazar Siliqi, Osman Myderizi, Sterio Spase, Xhevat Lloshi, Emil Lafe e dhjetëra të tjerë.

Tani në dhjetëvjeçarin që jetojmë na del një grup i vogël pa formuar ende identitetin e vet, pa koncepte në linguistikë, me nga një apo dy librushka të botuara ose asnjë dhe pa pikë modestie hidhet kundër kësaj armate që përmenda me Eqerem Çabeun, Lasgush Poradecin, Ismail Kadarenë, Shaban Demiraj dhe Rexhep Qosen në krye, se nuk qenkësh i një mendimi me ata për unifikimin e gjuhës. Po grupkëz, në fakt, është edhe kundër Faik Konicës, megjithëse mallëngjehet pas tij.

Faik Konica që më 1905 shkruante: “Një nga çështjet më të rënda të literaturës shqipe është pa fjalë çështja e themelimit të një gjuhe letrare”. Dhe më poshtë: “Gjer më sot, shqiptarët nuk kanë njohur si jetë të përbashkët, përveç jetën e katundit a të qytetit; prandaj, cilido ka qene i kënaqur me dialektin e rretheve ku rronte. Sot, shqiptarët zunë të rrojnë një jetë më të gjerë, jetën kombëtare. Ky zgjerim i madh në jetë na shtrëngon të zgjerojmë edhe gjuhën. Ky trup i ri, Kombi – ka nevojë për një organ të ri. Si do ta ndiejë shqiptari i Pejës se është nga një komb me shqiptarin e Filatit, kur të mos jetë një gjuhë e përbashkët mes tyre? Secilido që ka ca dërhem tru në kokë, kupton se më e madhja nevojë që kemi sot ne shqiptarët është për një gjuhë të përbashkët, letrare”.

Dhe pastaj Faik Konica vazhdon:

“Po le të themelojmë një gjuhë të përbashkët, më të cilën të shkruhen të gjithë librat, – dhe njeriu më i pagdhendur, duke parë kudo e kurdoherë fjalë të shkruara me një fytyrë, gjëra të thana në një mënyrë, do t’kuptojë mirë e do t’këndojë me gaz se veshi do t’i mësohet në pak kohë.

Si duhet bërë, pra, që të trajtojmë edhe ne një gjuhë letrare të përbashkët?

Në vise të huaja, si ortografia u bë pak nga pak, pas fuqisë së kohës dhe jo pas vullnetit të ca vetave të lidhur për të mësuar ortografi më parë se të shkruajnë, – ashtu edhe gjuha letrare nuk u zgjuath prej këtij e prej atij, por u pëlqye vetëm për një shkak a për një tjetër.

Në disa vende, dialekti i folur në oborr, prej mbretit e prej gjindjes së rritur mirë, arriti të bëhet dialekti i përgjithshëm; cilido për të shkruar si i rritur mirë, mundohej të flasë e të shkruajë si në oborr. Në shumë vise, goditi që ca shkronjëtorë të mëdhenj, duke i dhënë dialektit të tyre një shkëlqim të madh, e ngritën më sipër se dialektet e tjerë, dhe me kohë dialekti i tyre u njoh, a, për të përdorur një fjalë më të vërtetë, mbretëroi vetëm si gjuha e përbashkët e vendit. Po ne s’kemi oborr; dhe koha na mungon për të lënë dialektet që rriten gjersa më në fund, dialekti më i zoti, i zgjedhur natyrisht, të dalë më sipër se të tjerët e të mbretërojë si gjuha e përgjithshme e Shqipërisë.

A ka ndonjë tendencë politike në përpjekjet për ndarjen e gjuhës letrare në dialekte? Apo ka ndonjë arsye tjetër?

Unë do të dëshiroja që këto tendenca të mos ishin politike, por fatkeqësisht ato janë fund e krye të tilla. Në artikujt e botuar gjatë viteve 1991-1995 shkruhej haptazi se unifikimin e gjuhës e bëri të detyruar regjimi komunist dhe si i tillë duhej të shkatërrohej dhe të ktheheshim në epokën e dialekteve.

Kjo hynte në strategjinë e zbritjes në kuotën zero: të mohohej dhe të shkatërrohej çdo gjë e krijuar në këto pesëdhjetë vjet: në ekonomi, në kulturë, në letërsi dhe në arte, duke përfshirë edhe gjuhësinë. Në ekonomi u grabit, u shkatërrua dhe u dogj çdo gjë. Ekonomia nuk rezistoi. Ajo u shemb. Forcat të vetëquajtura moderne, demokratike iu përveshën letërsisë dhe bazës së saj, gjuhës. Këto forca “moderne” filluan të godisnin nga njëra anë letërsinë e krijuar gjatë një gjysmë shekulli, duke ngritur lart flamurin e antirealizmit socialist dhe duke përgojuar gjithë shkrimtarët e mëdhenj për të ngritur mediokrit; nga ana tjetër ashpërsuan luftën kundër unifikimit të saj, duke mbajtur edhe këtu flamurin e luftës ndaj komunizmit, që paskësh bërë këtë unifikim dhe nuk e paskësh lënë gjuhën të zhvillohej sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Ky grupkëz modern ndërsa në luftën kundër letërsisë përgojonte shkrimtarët, në luftën kudër gjuhës përgojonte studiuesit e gjuhës. Por në luftën kundër letërsisë dhe gjuhës ky grupkëz u mund dhe u largua nga beteja me brekë nëpër këmbë. Kjo është dukuria e parë e tendencës politike në luftën kundër gjuhës letrare të njësuar.

Dukuria e dytë e tendencës politike për ndarjen e gjuhës letrare të njësuar është akoma më reaksionare. Kundërshtarët e saj, duke goditur unifikimin e gjuhës, si tipar i parë i unitetit kombëtar, duan të godasin bashkimin e kombit, duke e ndarë atë në Toskëri dhe në Gegëri. Dëshirojnë që këto dy pjesë të Shqipërisë të jenë dy gjuhë letrare, të jetojnë secila më vetë dhe te kenë dy kultura të veçanta dhe mbase të formojnë një federatë. Këtu shfaqet më haptazi mendimi reaksionar dhe primitiv i këtij grupthi, që një herë paraqitet mes ekstravagancës moderne të kazinove të Europës dhe një herë tjetër del nga shpellat e maleve arbërore me kurrizin e mbështjellë me lëkurë dashi dhe cjapi.

Dukuria e tretë e tendencës për prishjen e gjuhës letrare të njësuar, që mbase ka më pak nuanca politike, është realiteti që duan të krijojnë mes Naim Frashërit dhe Gjergj Fishtës, një rivalitet provincial dhe qesharak me pyetjen: kush është më i madh Fishta apo Naimi? Edhe kjo pyetje nuk besoj se vjen nga goja e një moderni. Barinjtë e kanë zakon të bëjnë pyetjen: kush është më i fortë, dashi im apo dashi yt? Këta barinj vetëquhen modernë. Pastaj modernët dhe ekstravagantët e vërtetë, them për ekstravagantët në shpirt, nuk i duan, madje i urrejnë përgjegjësitë shpirtërore. Kurse modernët tanë, që i shanin përgjegjësitë dhe ofiqet, u ëmbëlsuakan prej tyre.

Fenomeni i politizimit të unifikimit të gjuhës dhe tendenca për ta shpërbërë atë, me sa di unë, ka ndodhur edhe në Etiopi pas rënies së perandorisë së Hilë Selasjesë më 1974- ën. Mos e kanë marrë këtë fenomen modernët tanë nga afrikanët?

Besoj se më shumë mund të jetë afërsia e mentalitetit tonë me atë të etiopianëve që pjell fenomene të përbashkëta. Megjithëse ngjarja gjuhësore në Etiopi u botua edhe në shtypin e Europës, nuk ma merr mendja që ndokush nga grupi ynë, që kundërshton unifikimin e gjuhës, ta ketë lexuar.

Edhe unë rastësisht pashë një shënim në një gazetë të huaj që thoshte se me shembjen e perandorisë së Hilë Selasjesë, një grup linguistësh dhe letrarësh etiopianë donin ta zëvendësonin gjuhën letrare ahmarrke me një dialekt tjetër, meqë me atë paskësh folur e shkruar diktatori dhe qenkësh një gjuhë e unifikuar me detyrim. U shkruan shumë artikuj, u bënë shumë debate dhe u ngritën shumë komisione për ta zëvendësuar gjuhën ahmerike, por nuk arritën të bënin ndonjë ndryshim. Mbeti po ajo gjuhë dhe po ajo letërsi që ishte krijuar në kohën e perandorit.

Ju keni të drejtë. Çuditërisht është i njëjti fenomen edhe për shqiptarët, edhe për etiopianët. Mirë thonë që modernët zakonisht japin e marrin dhe në fund kthehen ose në primitivitet, ose folklor.

Nga këto që thatë, çfarë përfundimi mund të nxirrni për ata njerëz që përpiqen të gjykojnë për fenomene të mëdha gjuhësore, letrare apo kulturore të vendit?

Në përgjithësi, këta janë djem me kulturë, që lexojnë shumë dhe që janë kuriozë ndaj proceseve kulturore në vend dhe në botë. Shumë mendime të tyre janë të drejta, por siç theksova janë tepër kontradiktorë. I kthejnë dhe i ndryshojnë mendimet sipas natyrës së librave që lexojnë. Sot lexojnë Jungun, nuk ka si Jungu! Nesër lexojnë Rashellin, nuk ka si Rashelli. Një ditë lexojnë Arshi Pipën për gegërishten, nuk ka si gegërishtja dhe si Arshiu! Një natë lexojnë Faik Konicën për toskërishten, nuk ka si toskërishtja dhe si Faiku!

Kjo vjen nga mungesa e një sistemi në kulturë dhe në filozofi, pastaj janë mjaft inatçinj dhe zemërakë. Atë që e kanë mërzi dhe inat, e hedhin poshtë, edhe sikur kryevepra të krijojë.

Në vlerësimet e tyre luan shumë rol opinioni i grupimeve gjoja moderne. Edhe sikur ndonjëri mendim të mirë të ketë për filanin, nuk e shpreh se bie në kundërshtim me shokun a me grupin. Zakonisht, këta nuk studiojnë majat e letërsisë, por mesatarët, apo nënmesatarët dhe këtë e bëjnë për të rrëzuar majat. Priren pas paradokseve për të bërë bujë. Për shembull mund të lavdërojnë një ditë prej ditësh Esat Toptanin dhe të hedhin poshtë Ismail Qemalin. Mund të mburrin Hamza Kastriotin dhe ta quajnë hajdut kuajsh Skënderbenë.

E bëjnë këtë, pasi shkojnë sipas modës. Meqë moda është kundër idhujve, hajde të hedhim poshtë edhe idhullin Skënderbe! Pra, është mungesa e parimeve të qëndrueshme, është mungesa e identitetit kulturor dhe mbizotërimi i kulturës së përciptë, të mësuar ndonjëherë përmendësh nga fjalorët enciklopedikë.

Snobizmi, nihilizmi dhe narcizizmi përbëjnë bazën ku ngrihet etika, morali dhe në një tip të veçantë në shoqëri ose sipas modelit të Oskar Uajlldit apo të Salvador Dalisë ose fundja të Marinetit dhe të futuristëve të tjerë. Duke e gatuar këtë tip të ri shoqëror me pak ekstravagancë, me pak nihilizëm, me pak snobizëm dhe me pak narcizizëm. Që njerëzit t’i tregojnë me gisht kur t’i shohin: “Ja, ata!”. Të shkruajnë edhe gazetat: “Fenomeni filan”. Doemos, ky lloj tipi është produkt i anarkisë së përgjithshme në ekonomi dhe në politikë dhe i krizës shpirtërore dhe morale ndofta dhe i krizës së shpresës.

Mendoni se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka gjetur me vend që të japë një çmim për një libër me motivacionin: “Për rigjallërimin e gegërishtes”? A shkruhen këto lloj librash me dialektin e vërtetë të gegërishtes letrare?

Formalisht, Ministria, me anën e përfaqësuesit të saj, pas zhurmës në shtyp, deklaroi se çmimi i librit iu dha për vlerat artistike. Në fakt, juria formulimin e kishte ndryshe. Ajo deklaronte se i jepej për rigjallërimin e gegërishtes. Ministria përfaqëson shtetin me normat dhe ligjet e tij.

Përderisa shteti si gjuhë zyrtare ka gjuhën letrare të njehsuar dhe e mbron atë me Kushtetutën një nen të veçantë, Ministria nuk mund të veprojë jashtë ligjit, sado dëshirë të ketë ndonjë funksionar i saj, aq më tepër kur konkursi nuk e parashikonte një çmim me një motivacion të tillë. Nëse konkursi do të shpallej nga ndonjë shoqatë jashtëqeveritare apo nga ndonjë fondacion, atëherë ky çmim mund të jepej, pasi çdo njeri ka të drejtë të botojë me gjuhën e çdo të folme ose dialekti. Nëse shkrimtari dëshiron që ta lexojë vetëm Dukagjini, le të shkruajë edhe dukagjinçe. Puna është që këto vlerësime të mos bëhen zyrtare dhe me tendencë kundër unifikimit të gjuhës, qoftë haptazi, qoftë në mënyrë tinëzare të parëndësishme.

Çmimet jepen për vlerat dialektale. Pastaj këto lloj librash nuk janë shkruar as me dialektin letrar gegërisht, por me të folmen e qytetit të Shkodrës, me gjuhën e plakave dhe furrtareve shkodrane. Këto libra nuk e kanë gjuhën e gjallë të dialektit, por gjuhën e përdhunuar nga zhargonet e qytetit. Por ka vepra me vlera të vërteta të shkruara në gegërisht edhe sot. Unë kam lexuar një libër me tregime e novela të Meritan Spahiut dhe jam befasuar për mënyrën bashkëkohore moderne të të shkruarit, i ngjante Kafkës. Dhe nuk e ndjeva fare dialektin. Ky e meritonte çmimin pa qenë nevoja të theksohej “për rigjallërimin e gegërishtes”.

“Aks”, 14 janar 1999

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura