INTERVISTA/ Bogdani: Grup i bukur, ja çfarë më tha Konte

Jul 26, 2015 | 14:53
SHPËRNDAJE

Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare dhe një nga sul muesit që ka bërë histori në Serinë A, Erjon Bogdani, e cilëson një short të vështirë atë që kuqezinjtë kanë mësuar për eliminatoret e “Rusi 2018”.

Erion Bogdani, duke festuar shenimin e golit te pare, ne ndeshjen miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Gjeorgji, 1-2, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.
Erion Bogdani, duke festuar shenimin e golit te pare, ne ndeshjen miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Gjeorgji, 1-2, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.

Sipas ish-sulmuesit, do të jetë një short që plotëson ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të pasur përballë në një edicion kualifikues Italinë.

Opinioni i tij si tifoz nuk dallon nga ai i të gjithë tifozëve të Kombëtares për të ëndërruar maksimumin në çdo event, megjithatë një sulmues që ka luajtur 13 vite në Serinë A, e njeh mirë mentalitetin e kombëtares “axurre” dhe sigurisht forcën e dy kampioneve të botës.

Cila ishte përshtypja e parë pasi u hodh shorti?

Është diçka e dyzuar. Fillimisht dua të them që na ra një short shumë i vështirë, për vetë faktin se përballë do të kemi dy kampione bote. Të gjithë shqiptarët e kanë pritur me dëshirë të madhe një përballje me Italinë në një edicion kualifikuesesh dhe për këtë më vjen mirë që realizohet një dëshirë e madhe që ekziston prej kohësh tek të gjithë sportdashësit shqiptarë.

A do të donit që të ishit lojtar në përballje të tilla?

Patjetër që po. Çdo futbollist e ka ëndërr që të jetë në fushë kur luhen ndeshje që kundërshtari është kampion bote dhe Europe, apo me lojtarë që janë gjithmonë ndër më të mirët në botë.

Sa mund të ëndërrojë Shqipëria me këtë short?

Shqipëria është një Kombëtare që nuk ka marrë asnjëherë pjesë në një kompeticion europian apo botëror, por është një ekip që është rritur shumë. Kemi treguar që mund të përballemi më shumë sesa denjësisht kundër ekipeve të mëdha. Tifozët shqiptarë nuk duhet të reshtin asnjëherë së besuari te Kombëtarja. Pse jo, mund edhe të mendojmë edhe për ndonjë surprizë të mundshme.

Po me gjykimin e një specialisti në futboll, për shkak të përvojës, e mendoni që mund të shpresojmë?

Është një përgjigje që nuk mund të thuash me bindje të plotë një ‘po’ apo një ‘jo’. Megjithatë, në futbollin e kohëve të sotme, asgjë nuk është e sigurt dhe e garantuar. Aq më tepër Shqipëria ka treguar që mund të arrijë edhe suksese përballë ekipeve të mëdha, siç bëri në Portugali në ndeshjen e parë eliminatore, apo edhe me Francën në “Elbasan Arena”.

Me Italinë u përballëm në një miqësore, në një ndeshje feste…

Atë ndeshje në Xhenoa e kam ndjekur me shumë emocion dhe e kam përjetuar shumë. Jo vetëm për shkak të dëshirës së një shqiptari që do të kishte përballë Italinë, por edhe me ndjesinë e një futbollisti që i ka dhënë 13 vite futbollit italian. Këtë herë do të jetë ndryshe. Ajo festë dhe gëzim i asaj ndeshjeje miqësore, këtë herë do të ketë emocione të tjera, pasi janë takime kualifikuese dhe ne do të kërkojmë maksimumin për Shqipërinë.

Trajner i Italisë është dikush që ju e njihni mjaft mirë personalisht, Antonio Konte…

Është e vërtetë. Konte është një trajner që e njoh mirë dhe një njeri që kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të. Ai është një profesionist në punën e tij, jo vetëm për atë që shfaq gjatë ndeshjes, por i vuan takimet shumë më pas. Nëse ai punon shumë përpara një ndeshjeje, po aq shumë mendon edhe pasi ka përfunduar takimi. Madje, pas ndeshjes në Xhenoa patëm edhe një bisedë.

Çfarë mendimi kishte për Shqipërinë?

Mendim absolutisht pozitiv. Ai më tha se ne kemi një Kombëtare që ka lojtarë të shumtë që luajnë në kampionate prestigjioze, madje edhe në Serinë A. Gjithashtu më tha edhe se ishte impresionuar nga dëshira e treguar e lojtarëve në fushë. Sipas tij, Shqipëria ka lojtarë që mund të vënë në vështirësi çdo skuadër.

Cili duhet të jetë objektivi real i Shqipërisë në këto kualifikuese?

Kur ke përballë dy kampione bote, nuk mund të pretendosh asnjëherë që ta rendisësh veten as mbi to dhe as mes tyre, ndaj mund të them që vendi i tretë do jetë objektivi ynë. Vend për të cilin do të na duhet që të luftojmë me Izraelin.

Cila është këshilla juaj për lojtarët e Kombëtares, për përballjet me Italinë në veçanti, por edhe për të tjerat?

Kombëtarja jonë ka treguar me De Biazin se nuk mendon asnjëherë për një periudhë të gjatë. Është një filozofi që ai dhe Tramexani ua kanë imponuar edhe lojtarëve, që e rëndë- sishme është vetëm ndeshja e radhës. Diçka e tillë më pëlqen dhe për lojtarët do të thosha që nuk vlen vetëm një paraqitje e mirë në një ndeshje. Duhet dhënë maksimumi në çdo takim dhe me çdo kundërshtar, për të qenë në majë si në aspektin personal të lojtarit, ashtu edhe për ekipin.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura