Shyqyri Çobo, gjyqtari që kërkoi favore seksuale nga 32-vjeçarja nga Berati, në fakt është në lidhje farefisnore me të. Këtë e bën të ditur vetë i ati i Irma T., i cili thotë se bashkë me pjesën tjetër të familjes janë ndier të tronditur kur kanë mësuar se çfarë kishte ngjarë.
Vetë nëna e një fëmije është larguar te të afërmit e saj në Rrëshen, për të qenë larg qytetit, ku siç tregojnë familjarët, i ka shkaktuar shumë shqetësime. Familjarët e të resë së divorcuar nga i shoqi nuk e dinin historinë e mesazheve dhe telefonatave ngacmuese, deri sa vetë e bija ua ka treguar, e më pas bëri dhe denoncimin karshi Çobos.
“Vajzën e shihnim të shqetësuar kur vinte në shtëpi, pasi kishte mbaruar seanca gjyqësore. Disa herë e kisha pyetur, por ajo ngurronte të më shpjegonte përse rrinte e mërzitur. Duke e ditur se ne jemi kushërinj me gjyqtarin, nuk na vinte mendja që ai do t’i kryente këto veprime. Nuk na shkonte kurrë në mendje se ai do të ishte aq i lig, sa të ngacmonte vajzën tonë”, thotë Ylmi T.
Si u lidhët me gjyqtarin Çobo?
Vajza ime ishte divorcuar nga i shoqi dhe nuk merrte pensionin ushqimor për fëmijën. Për këtë çështje u përplasëm në Gjykatë. Takova gjyqtarin Shyqyri Çobo. Fillimisht ai na kërkoi që të uleshim për një kafe dhe të bisedonim me të. Shkëmbyem numrat e telefonit. Por, sapo mori numrin, ai filloi ta ngacmonte vajzën. Vajza, e shqetësuar shumë për këtë veprim, na thotë se gjyqtari në shkëmbim të vendimit kërkon që unë t’i nënshtrohem atij. Më tha se gjyqtari në fillim i ofronte biseda të ëmbla, duke e joshur për gjyqin, por më pas vajza i kuptoi djallëzitë e tij dhe nisi që në çdo veprim të ishte shumë e matur. Në i thamë që të mos bjerë pre e tij dhe pastaj vajza bëri denoncimin në Polici, para rreth 10 ditësh.
Pse ndodhi divorci i vajzës?
Vajza jonë ishte e martuar prej 7 vitesh. Në fillimet e martesës gjithçka shkonte mirë. Ajo punonte si mësuese. Më pas lindi një djalë, që sot është 5 vjeç. Mes çiftit lindën grindje, që u bënë të shpeshta dhe më pas arritën kulmin, aq sa vajza vendosi të divorcohej. Por gjykata nuk i dha asgjë nga pjesa e shtëpisë ku ajo jetoi. Ajo doli pa marrë asnjë gjë. Kjo erdhi sepse në gjyq ka pasur ndërhyrje nga më të ndryshmet, që vajza të mos përfitonte nga martesa.
Sa fëmijë keni ju?
Unë kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Siç e shikoni që të dy i kam të vetëm, si vajzën edhe djalin. Vajza ka mbaruar studimet e larta në degën Letërsi. Më herët nisi punë në shkollën e Urës Vajgurore dhe më pas u transferua në një nga shkollat e qytetit. Sot është pa shtëpi, edhe pse jeton së bashku me ne. Nuk mund ta lëmë vajzën rrugëve. Do të kujdesem për të sa të jem gjallë.
Ku ndodhet ajo?
Sot Irma nuk është në shtëpi. Ka disa ditë që është larguar te njerëzit tanë në Rrëshen për t’u qetësuar. Pasi morët vesh ngjarjen, si reaguat? Më vjen shumë rëndë për atë që ndodhi, jo për vajzën time, sepse unë e njoh si është. Ajo është me moral të lartë dhe ka ditur t’ia tregojë si duhet vendin. Por nuk ma merrte mendja se gjyqtari do të kërkonte favore seksuale nga ime bijë në shkëmbim të vendimit. Ne e njohim mirë se kush është, por me ne bie gjak, se jemi nga e njëjta zonë.
Si do të veproni?
A jeni takuar ju me gjyqtarin pasi mësuat për ngacmimet? Jo, nuk e kam takuar. Kemi vendosur që çështjen t’ia lëmë Drejtësisë. Vajza ime ka pasur shumë shqetësime prej tij, sa është detyruar të largohet nga qyteti për disa ditë. Ajo ka vuajtur shumë. U nda nga i shoqi dhe mbeti pa asnjë çati mbi kokë. Prej dy vitesh nuk merr asnjë pension ushqimor për të birin, siç është e përcaktuar në ligj. Edhe kur iu desh t’i drejtohet Gjykatës dhe mendoi se do t’i jepej e drejta, doli Shyqyri Çobo me kërkesat e tij prej maniaku.
Si u ndjetë kur patë mesazhet e tij?
Unë i them diçka publikisht atij: Le ta quajë si të dojë, me shprehjet në mesazhe, si “mos u bëj fshatareske” e të tjera si këto. Por i them gjyqtarit Çobo se ime bijë qëndron shumë më lart nga ana morale se ai. Një gjyqtari që i është besuar zbatimi i ligjit, nuk i lejohet që të kryejë veprime të tilla shumë të ulëta. Gjyqtarë si ky janë fatkeqësi për Drejtësinë tonë. Të jesh njeriu i ligjit, nuk do të thotë që të kërkosh atë që s’të takon dhe të dalësh jashtë çdo morali. Për ne, familjen tonë, është e papranueshme.
DILAVER XHELILI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al