INTERVISTA/ Artan Gaçi: Doshi u nxitua, shantazhi nuk sjell ndryshime në Qeveri. Dyshoj se janë qëllime të tjera

Mar 1, 2015 | 15:30
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist i qarkut të Tiranës, Artan Gaçi, i cilëson të nxituara deklaratat e kolegut Tom Doshi. Ai shprehet se shantazhi dhe kërcënimet nuk i shërbejnë përmirësimit të punëve në maxhorancë. Gaçi vlerëson kontributin e Doshit në momente të vështira për PS në opozitë, sidomos në përmbysjen e rezultatit elektoral në Shkodër.

Deputeti i PS, Artan Gaçi

Ai mendon se duhen bërë ndryshime në qeveri, ndërsa mbështet mbajtjen larg të deputetëve nga përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkie. 

Ju ishit një nga deputetët që u thirrën në Kryeministri në një takim me zotin Rama. Cili ishte qëllimi i këtij takimi jashtë radhe?
Takime të tilla, janë bërë gjithmonë me një pjesë të madhe të grupit të deputetëve që nuk janë në qeveri. Ndërsa, takimet me ministrat janë të përditshme dhe të përjavshme dhe kjo është më se normale për punën e qeverisë. Në kohë ka pasur një traditë që herë bëhej më e shpeshtë dhe herë më e rrallë në varësi edhe të situatës politike. Tani jemi para zgjedhjeve lokale, ku takimet me deputetët kanë nisur të bëhen më të shpeshta. Kjo është një traditë, ku flasim hapur me Kryeministrin për problematika që nuk kanë lidhje me çështjet e ditës, por kryesisht, për marrëdhënie dhe raporte mes Grupit Parlamentar dhe qeverisë, për çështje brenda grupit etj., jashtë formatit zyrtar të një mbledhjeje të Grupit Parlamentar.

Ditët e fundit, kolegu juaj zoti Tom Doshi, është treguar i ashpër ndaj Kryeministrit, disa ministrave dhe drejtorëve të rëndësishëm. Si i vlerësoni deklaratat e tij?
Mënyra, koha dhe bërja publike e këtyre deklaratave për mua janë të nxituara. Është më se normale që si Toma, por dhe çdo deputet i Grupit Parlamentar, të kemi opinionet tona se si mund të ishin bërë më mirë gjërat, se si ministrat mund të ishin sjellë më mirë me Grupin Parlamentar ose të kishin bërë më mirë detyrat, por mënyra kërcënuese dhe shantazhi nuk i shërbejnë përmirësimit të punëve që u vunë në dukje nga kolegu im dhe kështu, më lënë të dyshoj që mund të jenë qëllime të tjera. Unë uroj që të kenë qenë thjesht emocionale dhe të nxituara, dhe shpresoj që në mbledhjen e ardhshme të grupit që do të jetë të hënën, të kemi mundësinë që të diskutojmë edhe me Tomën, ballë për ballë, se ku ka të drejtë, nëse ka të drejtë, çfarë mund të korrigjojë. Uroj që gjërat të mos shkojnë më larg se kaq, sepse kjo nuk është mirë as për kolegun tonë dhe as për maxhorancën, as për qeverinë dhe as për Kryeministrin.

Ka pasur pas seancës të së enjtes një lloj lëvizje të zotit Balla apo Kokëdhima me zotin Doshi për të ulur tensionet. Mendoni se kemi një histori të përsëritur me atë të korrikut të kaluar, kur zoti Doshi me një grup deputetësh la seancën parlamentare, e më pas u negociua që ai të mos braktiste votimet parlamentare?
Unë mendoj se gjërat duhen parë në kompleks. Zoti Doshi është deputet i vjetër në PS, unë e kam mik prej 20 vjetësh, ka kontribute të shumta në shumë situata kritike në të cilat ka kaluar Partia Socialiste, jo vetëm në zonën e Shkodrës, ku ka një meritë që duhet t’i njihet gjatë kohës që qeveriste Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, por dhe në momente të vështira brenda Partisë Socialiste. Tom Doshi ka qenë një nga ata që ka dhënë një kontribut që duhet vlerësuar. Të mundohesh që t’i zgjidhësh gjërat me një deklaratë, nuk do të ishte normale për mendimin tim, kështu që edhe vajtja për drekë e Taulantit dhe e Koços, por dhe takime me shumë deputetë të tjerë, për mendimin tim janë më se normale.

Në gjysmën e mandatit, e shikoni të nevojshëm një rifreskim të qeverisë, lëvizjen e disa ministrave?
Unë mendoj se është normale që të ketë lëvizje ministrash për çdo qeveri. Shantazhet dhe presionet nuk sjellin ndryshime në qeveri, por thjesht i zgjasin qëndrimin në detyrë edhe atyre ministrave që duhen ndërruar. Të gjithë ne kemi mendimet tona se si gjërat mund të ishin bërë më mirë ose mund të bëhen më mirë në të ardhmen. Secili nga ne bën vlerësimin tonë për punën e ministrave, bëjmë analizën e anëve pozitive të secilit, por gjejmë dhe mangësitë, por vlerësimin përfundimtar të ministrave e bën Kryeministri, sepse ai është në punë çdo ditë me ata, me punën e tyre me afate dhe me detyra, ai vlerëson performancën e gjithsecilit. Mendoj se ndryshime në qeveri do të bëhen sepse ato jo vetëm do të freskojnë kabinetin qeveritar me energji të reja aty ku mund të ketë nevojë, por mund të rrisin edhe më shumë entuziazmin brenda Grupit Parlamentar.

Jemi në kulmin e negociatave mes Kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Meta për përzgjedhjen e kandidatëve të përbashkët për 61 bashkitë e reja të vendit. Duhet të përfshihen deputetët në këtë përzgjedhje?
Unë e shoh në dy strategji. Njëra mund të jetë ajo që ka qenë deri më sot, ku deputetët kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatit. Kjo është dhe pritshmëria e një pjese të madhe të deputetëve që të ndodhë. Ndoshta, dhe shkaku i pakënaqësive të një pjese të deputetëve. Por, është dhe një rrugë tjetër që unë, jo si deputet, por si qytetar do ta pëlqeja më shumë që me sa kuptoj unë, Edi Rama dhe Ilir Meta, po përpiqen ta implementojnë, krijimin e një klase tjetër administratorësh lokalë që ata të mos jenë produkte, apo “ushtarë” të deputetëve, por që të jenë figura të reja, me energji të reja, për të qenë një pol i ri alternativ në politikë, larg ndikimeve dhe pazareve të vogla periferike. Pra, kemi një kabinet qeveritar, një Grup Parlamentar që merret me legjislativin dhe një grup prej 60 kryebashkiakësh të rinj me energji, ambicie të reja dhe profile të reja. Kjo nuk është egoiste si ide dhe do ta mbështesja nëse do të realizohej, dhe shoh se dëshira e të dy kryetarëve është që kjo të realizohet. Po dal nga interesi si deputet dhe po them se kjo përzgjedhje do të zhbllokonte njëherë e mirë feudet që kanë ekzistuar në politikën shqiptare në çdo qytet shqiptar, feude që krijohen nga çdo deputet, çdo kryetar bashkie e që zbriste poshtë në çdo strukturë partie.

Një parti aleate e PS në koalicionin zgjedhor kishte në programin e saj legalizimin e kanabisit mjekësor. Kjo tezë po përkrahet kohët e fundit edhe nga deputeti Koço Kokëdhima. Cili është mendimi juaj?
Janë shumë shtete në botë që po e liberalizojnë mbjelljen e hashashit mjekësor. Jam totalisht kundër kundërshtimeve që i bëhen këtij propozimi nga deputetë kryesisht të opozitës, thjesht vetëm për faktin se propozimi vjen nga radhët e maxhorancës, por pa bërë një analizë, një ballafaqim të fakteve dhe situatës ku ndodhet kjo problematikë në Shqipëri. Ka çdo javë shtete në shumë vende të botës që vendosin liberalizimin kultivimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura