INTERVISTA/ Ambra Meda, nga lufta për jetën, te gara me “yjet”

Jan 4, 2016 | 16:48
SHPËRNDAJE

Ajo u be simbol i mbijetesës, kur arriti të mundë një formë agresive të kancerit. Edhe pse me tuba ilaçesh nëpër trup dhe me kokë tullace nga kimioterapia, Ambra Meda nuk e hoqi asnjëherë buzëqeshjen e shpresës.

Ambra Meda, gjatë periudhës së kimioterapisë
Ambra Meda, gjatë
periudhës së kimioterapisë

Ajo fitoi mbi të keqen, duke u ndihmuar nga shumë njerëz, por mbi të gjitha, ndihmoi veten, duke dhënë një mesazh se mendja e fortë e bën edhe trupin të tillë. Ky triumf e bëri Ambrën aq të famshme, saqë u bë pjesë e yjeve shqiptarë automatikisht. Ajo u ftua nga produksioni “Dancing with the stars” i Vizion Plus, që t’i bashkohet këtij spektakli, duke konkurruar përkrah VIP-ave, me balerinin Jurgen Bala.

Është hera e parë që një format i tillë fton në garë një personazh që nuk i përket artit, sportit apo “show bizz”-it, por rasti i Ambra Medës ishte një përjashtim… ose një zgjedhje e imponuar nga publiku, pasi rrjetet sociale e kishin bërë ndërkohë Ambrën po aq të njohur sa VIP-at e tjerë, për të mos thënë edhe më shumë…

Tashmë jeni pjesë e “Dancing with the stars”. Si ndiheni në botën e yjeve?

Provoje të dalësh jashtë në një natë vere, ku shikon shkëlqimin e yjeve në qiell. Si mendon se ndihem? Shumë mirë, ndjenjë magjike dhe privilegj të jem mes tyre. Miqë- si kam pothuajse me të gjithë që janë të sinqertë dhe e shohin shoqërinë tonë edhe jashtë garës.

Çfarë po u mësoni ju personazheve “star” të spektaklit dhe çfarë po mësoni ju prej tyre?

Ashtu si çdo shoqëri, edhe në spektakël ekziston simbioza, sepse ne japim dhe marrim nga njëritjetri, duke qenë se jemi nga fusha të ndryshme e me eksperienca të ndryshme. Të gjithë së bashku po japim një mësim, këmbënguljen për të shkuar deri në fund, pavar- ësisht rrethanave. Por, në fund të fundit, gara nuk është gjithçka, ne në radhë të parë duhet të jemi njerëz dhe pastaj konkurrentë.

ambra 2

Si janë “stars”-at e spektaklit pas kuintave? A keni lidhur miqësi me ndonjë prej tyre?

Vetë kamera të imponon ndryshim. Duke qenë se janë personazhe publike mundohen të përcjellin virtytet më të mira te shikuesit, por dhe ata kanë gjak e ndjenja, ndaj ndodh që edhe të nervozohen, ngrenë zërin duke debatuar etj. Problemet janë personale, kështu që nuk është e nevojshme që çdo gjë të shfaqet në TV.

Kë nga “stars”-at e shihni më të fortë në konkurrim?

Forca nuk konsiston vetëm në hapat striktë të baletit. Për mua, një konkurrent i fortë është ai që i ka të gjitha, hapat, karakterin dhe më e rëndësishmja, mbështetja e publikut. Mendoj se është Ambra Meda…

Në betejën që patët kundër sëmundjes, ishit mjaft luftarake. A keni shpirt të tillë edhe për spektakël? E mendoni fitoren?

Ende vazhdon të jetë ai shpirt luftarak brenda meje, por tashmë jo për fitoren e jetës, por për fitoren e “Dancing with the stars”. Janë dy sfida të rëndësive të ndryshme, por përderisa mbetet garë dhe Ambra është po e njëjta, pse jo?

Në rast fitoreje, kujt do t’ia dedikonit kupën dhe çfarë do të bënit me shpërblimin e dhënë?

Do t’ua dedikoja të gjithë atyre që përballen me beteja të vështira në jetë, duke uruar të gjejnë brenda vetes forcën dhe dashurinë për jetën. Sa për shpërblimin, nëse do të isha unë fituesja, një pjesë dua t’i çoj në krijimin e një shoqate bamirësie, në mënyrë të tillë që të ndihmoj shumë persona në nevojë. Kjo është një dëshirë shumë e madhe e imja. Dhe një pjesë tjetër, për kontrollet mjekë- sore që kam çdo 3 muaj në Gjermani.

ambra 3

Duke qenë se keni vuajtur për një kohë të gjatë nga shëndeti, a nuk është e rrezikshme stërvitja e sforcuar?

Jo, madje është një stërvitje shumë e mirë për të rigjeneruar qelizat e trupit. Nuk bëj asgjë pa konfirmimin e mjekëve gjermanë. Për ata, kjo është një eksperiencë shumë pozitive, jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga ana psikologjike. Madje, më kanë kërkuar një CD me performancat e mia gjatë “Dancing”.

Shumë njerëz ju shohin tashmë si simbol rezistence. A ka ndonjë gjë që nuk i reziston dot Ambra?

Uroj që Zoti të mos më vërë përballë provave të parezistueshme. Ndërkohë, për sa u përket provave të mundshme, që kërkojnë forcën e karakterit, jam e gatshme t’i çoj deri në fund me sukses.

Dashur pa dashur, tashmë jeni bërë e famshme. Po ju shijon, apo po ju bezdis?

Çdokush, po të ishte në qendër të vëmendjes, do të ndihej shumë e lumtur, si unë! Është bukur të rrethohesh nga njerëz që të njohin, të ndjekin dhe të vlerësojnë mbi të gjitha! Madje, mund t’ju tregoj një ndodhi të bukur. Një ditë, duke shkuar për të bërë një surprizë në një shkollë, vrapuan drejt meje një grup fëmijësh. Të gëzuar, më kërkonin t’u bëja një kërcim, si dhe t’u dedikoja autografe… Më viheshin nga pas duke brohoritur emrin tim dhe kjo më falte një ndjesi të veçantë dhe më bënte të ndihesha e rëndësishme.

Si po arrini ta menaxhoni “famën” dhe për çfarë do ta përdorni në të ardhmen?

Po kujdesem që këtë “famë” ta përdor për mirë, për të ndihmuar ata që janë në nevojë dhe, pse jo, që të jem më e suksesshme në profesionin që do të zgjedh. Tani më ngelet vetëm të mësoj shumë, të shijoj të tashmen, atë çfarë kam dhe më rrethon. Dhe sigurisht, të investoj në të ardhmen, në ëndrrat dhe dëshirat që me shumë punë dhe vullnet kam besim se do t’i arrij. Por mrekullia për mua është që unë tashmë gëzoj shëndet dhe kjo për mua është dhurata më e bukur e Zotit!

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura