Interpelanca/ Deputeti i PD akuzon kryeministrin se i dha statusin e investitorit strategjik burrit të ministres, reagon Spiropali: Ja pse nuk është në konflikt interesi

Jun 23, 2022 | 10:56
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka favorizuar bashkëshortin e ministres Olta Xhaçka për të marrë statusin e investitorit strategjik.

Në një interpelancë në Kuvend me Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Shehaj tha se Xhaçka e dinte që ishte në shkelje të Kushtetutës, por tani duhej gjetur një rrugë për të mashtruar ligjin, pa hequr dorë nga afera.

“Familja Xhaçka ishte e vetëdijshme se përfitimet ishin në shkelje të kushtetutës tani duhej gjetur rruga për të mashtruar ligjin pa hequr dorë nga afera. Më pas për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me një emër shumë të ngjashëm me emrin e kompanisë së saj por këtë radhë jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi tjetër shumë të afërt. Në 15 korrik Rama ndryshoi vendimin e mëparshëm duke shtuar si investitor strategjik dhe kompaninë në pronësi të shtetases amerikane. Kompania e re pronare në letra është shtetase amerikane 31 vjec kapitali i vetëm i saj është bashkëjetesa me vëllain e ministres së jashtme” – tha Shehaj.

Në përgjigje të akuzave, Spiropali ka sqaruar pozicionin e ministres Olta Xhaçkës duke u shprehur se ajo nuk është pjesë e Komisionit të Investimeve Strategjike, ndaj nuk ka asnjë vendimmarrje për këtë çështje.

“Më vjen mirë që përmes kësaj interpelance kam mundësinë të theksoj se Investimet Strategjike duhet të shihen si një mundësi, si një potencial zhvillimi dhe si projekte të cilat meritojnë mbështetjen nga ana e organeve shtetërore dhe pse fatkeqësisht, ato sot janë shndërruar në ushqimin e radhës për traditën e vjetër politike, të përbaltjkes së sulmeve ndaj qeverisë. Jam e kënaqur sot qe do mund te qartësoj njëherë e mirë për qytetarët e këtij vendi, se statusi i investitorit strategjik nuk është një favor apo dhuratë që qeveria, në mënyrë selektive ua bën individëve të caktuar, por një e drejtë ligjore që u jepet investitorëve, që plotësojnë kriteret ligjore për ta marrë atë, kundrejt një të mire të madhe qe këta investitorë do t’i sjellin Shqipërisë, qofshin këta vendas apo të huaj.

Qeveria Rama ka pasur dhe ka ne fokus të saj nxitjen dhe tërheqjen e investimeve duke promovuar klimën e biznesit, procedurat lehtësuese, masat mbështetëse dhe kuadrin ligjor favorizues me synim afrimin e investimeve te huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, si dhe promovimin e potencialit turistik vendas. Investimet strategjike kanë peshën e tyre domethënëse në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kuadri rregullator i lidhur me to përfaqëson risi, posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas. Jemi ne që i nxisim investitorët. Jemi më shumë se ajo që thoni ju.Të kaloj tek pyetjet tuaja, që në thelbësisht janë të njëjtat pyetje që e keni parashtrur me tonin e një prokurori, si duket në një garë të ethshme me Gazin, që tenton të imitojë Joridën në komision.

Së pari pyetja e shtruar ka një terminologji të gabuar, pasi në asnjë parashikim ligjor dhe në asnjë dispozite referuese te vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike nuk përdoret termi “përfitues bregdeti”. Bregdeti është pasuri Kombëtare Shtetërore i njohur nga Kushtetuta i cili vetëm mund te lihet në përdorim per hapësirën e plazhit, por në asnjë rast ai nuk mund “te përfitohet”. Vendimi i Këshillit te Ministrave vjen si rrjedhojë e parashikimit ligjor te Ligjit të Investimeve Strategjike sipas te cilit vendimet e Komitetitit të Investimeve Strategjike, janë vendime në parim dhe se ato shoqërohen me Vendim te Këshillit te Ministrave, përmes te cilit realizohet miratimi përfundimtar, koordinatat e sakta si dhe tarifa e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit në funksion të realizimit të projektit investues strategjik. Ne rastin konkret ka patur nje Vendim te KIS i cili ka parendur vendimin e Keshillit te Ministrave. Ndaj “motivi” qe kërkoni gjendet ne vendimin e KIS per te cilin do ju japim shpjegime ne pyetjen 2.

Për qartësimin tuaj, Xhaçka nuk është është anëtare e KIS -si,  organi i vetëm vendimmarrës  për dhënien e statusit te investitorit strategjik dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë pjesë e  vendimmarrjes se këtij organi, që përjashton qartazi përfshirjen e saj në gjendjen e konfliktit te interesit të dukshëm apo të mundshëm, pasi as kjo zyrtare e lartë dhe as institucioni që ajo drejton nuk përfaqësohen në asnjë mënyrë, qoftë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në vendimmarrjen e KIS. Ndërsa sa i takon mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ju bëj me dije se Znj. Xhaçka, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, me shkresë zyrtare, përpara mbledhjes, ka njoftuar që të mos marrë pjesë në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e këtij vendimi, për të garantuar paanshmërinë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Heqja dorë nga vendimmarrja nëpërmjet shkresës së depozituar garanton respektimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, por edhe të ligjit nr.9000/2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” si dhe të Kodit Etik Ministror” – tha Spiropali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura